04/12/2024

XHELADIN HANA- SE NE SHQIPTARËT NUK E BËMË LUFTËN PËR TË NGELUR PËRSËRI TË OKUPUAR NËN SERBI

0
Xheladin-Hana

T’I KUJTOJMË ATDHËTARËT TANË:

(1919- u likuidua më 13 dhjetor 1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Xheladin Hana ishte i lindur në qytetin e Gjakovës, më 1919. Nga babai Shyqeri e nëna Gjylije, e lindur Hima. Kishte të mbaruar gjimnazin në Shkodër dhe ishte angazhuar në luftë kundër fashizmit dhe bashkimit të tokave shqiptare në një shtet. Ai vinte nga një familje atdhetare gjakovare, e cila në rrethet e asaj kohe dallohej edhe për kullën e tyre në Mëhallë të Hadumit, kullë që edhe në ditët e sotme përbrenda e ka ruajtur bukurinë e saj. Pas përhapjes së ideve të reja politike në hapësirat shqiptare si ato balliste, komuniste e demokratike  dhe popullarizimit të tyre në Gjakovë, edhe Xheladin Hana si shumë të rinj të qytetit fillon të interesohet e më vonë aktivizohet në këto rrjedha. Xheladini ishte patriot i madh andaj, e tërë lufta e tij bëhej me një qëllim: mbrojtjen e tokave të etërve të tyre, dhe mënyra më e mirë ishte bashkimi i popullit shqiptar në një shtet.

Më 1939 kishte filluar Lufta e Dytë Botërore. Në vorbullën e kësaj lufte u përfshin të gjithë. Në të u kyçën edhe gjimnazistët kosovarë që shkolloheshin në Shkodër, por edhe ata të Normales së Elbasanit. Në vitin 1939 familja Hana ishte vendosur në Kukës. Në ndërkohë burgoset Xheladin Hana. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia hapen burgjet dhe së bashku me të tjerët lirohet edhe Dini (kështu e quanin  familja e miqtë). Pasi ai e kishte përfunduar maturën, atë e caktojnë mësues në fshatin Helshan. Pas shkatërrimit të mbretërisë jugosllave, familja Hana kthehet në vendlindje (Gjakovë). Në atë kohë shqiptarëve iu lejua flamuri kombëtar dhe shkollat në gjuhën shqipe.

Xheladin Hana, pasi u kthye nga Kukësi në Kosovë kishte filluar me të madhe të formonte kurse kundër analfabetizmit. Ishte njëri ndër mësuesit e parë që filloi të punonte në fshatrat e Kosovës. Duke e parë aktivitetin e madh të Dinit, fashistët italianë kishin tentuar që ta burgosnin në fshatin Kijevë, aty ku punonte mësues, porse fshatarët e kishin mbrojtur dhe fshehur në shtëpitë e tyre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shtëpia e Xheladin Hanës ishte shndërruar në një çerdhe ilegalësh. Aty shkonin e vinin të gjithë të rinjtë shqiptarë që mendonin se kishte ardhur koha e fundit që të luftohej për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Datë e veçuar dhe e rëndësishme si për të gjithë shqiptarët kudo që ndodheshin, po ashtu edhe për Xheladin Hanën ishte mbajtja e Konferencës së Bujanit dhe Rezoluta e saj, që u mbajt dhe u miratua më 31 dhjetor 1943, dhe 1 e 2 janar 1944. Konferenca siç dihej ishte një takim i rëndësishëm për historiografinë shqiptare, ngase në këtë u soll rezoluta e cila garantonte se pas fitores së forcave aleate, popullit shqiptar i garantohej që të vendos vetë për fatin e vet.

Mbledhjen e kishte hapur Xhevdet Doda, më 31 dhjetor 1943, në orën 19, ndërsa deklaratën dhe Rezolutën e Konferencës  së Bujanit e përpiluan atdhetarët dhe intelektualët e shquar Zekiria Rexha, Xheladin Hana dhe Hajdar Dushi. Me qëndrimet që u morën në këtë konferencë edhe një herë luftëtarët shqiptarë kishin dëshmuar se në luftë kishin dalë kundër fashizmit, por ajo që ishte më e rëndësishmja ata kishin luftuar për mëvetësinë dhe bashkimin e atdheut.

Menjëherë pas përfundimit të punimeve të konferencës, nga ana e serbëve dhe malazezve filloi të grisën maskat. Urrejtja dhe lufta e hapët për atë që kishte ndodhur në konferencë filluan të shpreheshin hapur. Filluan ngadalë të zhdukeshin e të vriteshin hartuesit e rezolutës. Likuidimet e shqiptarëve kishin filluar hapur. Bandat çetnike  bënin kërdinë tek popullata e pafajshme  shqiptare. Me të madhe kishte filluar të realizohej memorandumi i Vasa Çubrilloviqit.

Qyteti i Prizrenit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte si qendër politike e administrative e Kosovës. Në Kosovë më 12 shkurt 1945, kishte filluar për herë të parë të botohej gazeta “Rilindja”. Po ashtu, në këtë kohë fillon të punojë edhe Radio-Prizreni, ku motra e Xheladinit-Hyrie Hana punësohet si spikere. Më 1946, qendra administrative e politike bartet nga Prizreni në Prishtinë. Pasi Hyrija punonte në Radio-Prizren ishte e detyruar që së ’bashku me familjen të kalonte për të punuar dhe besa për të ngelur përgjithmonë në Prishtinë. Xheladin Hana fillimisht caktohet në Gjimnazin e Prishtinës, për t’u emëruar më vonë drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja”.

Fatkeqësisht pas përfundimit të LDB-së, rrjedhat politike në vend morën tjetër kahe, që shqiptarët e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare e pritën me indinjatë. Kështu në këtë luftë, Hanën e gjejmë të angazhuar në krahun e bashkimit të forcave shqiptare nën sistemin komunist, pasi siç do të shihej më vonë, rrethanat tregonin që në atë kohë, për shqiptarët të cilët nga lufta e 1912-ës, ishin dalë të thyer dhe të tradhtuar nga fuqitë e mëdha. Por, populli gjithsesi ishte i vetëdijshëm se forca e vetme reale shqiptare, ishte vetë populli shqiptar dhe shpresa ishte tek ata dhe te intelektualët e paktë që ishin e vepronin në ato vite.

Si pjesëmarrës i LANÇ-it, Xheladin Hana, merr pjesë në Konferencën e Bujanit, ku është edhe bashkautor i dokumentit më të rëndësishëm, që del e miratohet nga kjo konferencë. Mirëpo, siç dëshmon historia, me aneksimin e Kosovës që iu bashkëngjitë Serbisë, situata politike ndryshoi dhe mori kahe tjetër. Me Kuvendin e Prizrenit (1945), Kosova dhe shumë toka shqiptare iu shkëputen Shqipërisë dhe ngelën nën Serbi dhe ish- Jugosllavi. Atdhetari dhe patrioti Xheladin Hana ishte i dëshpëruar dhe i pakënaqur. Pas vitit 1945 ai filloi ta shprehte pakënaqësinë e tij hapur dhe në forma të ndryshme. Xheladin Hana asnjëherë dhe në asnjë moment nuk ishte i kënaqur me vendimet e Kuvendit të Prizrenit (8-10 korrik, 1945), andaj, për çdo padrejtësi reagonte hapur. Shpesh edhe e thoshte se ne shqiptarët nuk e bëmë luftën për të ngelur përsëri të okupuar nën Serbi. Kulmi i mllefit u arrit atëherë kur Xheladin Hana vërejti se në Gjyqin agrar po bëhej gjyqi për rikolonizimin e Kosovës me kolonët serbo-malazez dhe këtë çështje e ngriti para Dushan Mugoshës, njeriut numër një të Kosovës.

Në zyrat e UDB-eve, udbashët në ethe të tmerrshme përgatitnin listat e gjata për likuidimin e të gjithë atyre që nuk pajtoheshin me politikën okupuese serbe e jugosllave. Sidomos në shënjestër ishin intelektualët e paktë, që organizonin dhe përgatitnin masën për luftë të armatosur kundër pushtetit jugosllav. Listës së zezë të UDB-ës i printe Xheladin Hana. Ai duke u ditur se veprimtaria në ilegalitet ishte shumë e vështirë, ai me një grup shokësh Rifat Berishën, Omer Çerkezin, Faik Pruthin kishin krijuar një bërthamë organizative  në Prishtinë dhe e kishin quajtur “Fronti Kombëtar”, të legalizuar në kuadrin e Frontit Popullor, i cili shërbente si maskim i të parit, për tu mos u cilësuar si antishtetëror.

Pas konstituimit të grupit, anëtarët e saj u angazhuan që kjo organizatë të formojë degët e veta edhe në qendra tjera në Kosovë. Një qendër e tillë u formua në Ferizaj më 27 shtator të vitit 1948 ku merrnin pjesë: Rifat Berisha, Xheladin Hana, Ibrahim Muhaxheri, Rexhë Balaj, Vesel Rexhepi, Kurtesh Agushi, Omer Çerkezi, Faik Pruthi, Muhadin Hadri dhe Hajdar Pruthi, qëllimi i së cilës ishte sendërtimi i Programit të Lëvizjes Popullore për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Po ashtu, ishte edhe angazhimi dhe veprimtaria e organizatës që sa më shumë të punohet me masat që në një mënyrë të bëhej sensibilizimi i tyre për luftë për bashkimin e trojeve shqiptare. Pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje nuk e dinin se ishin të përcjell në çdo lëvizje dhe në çdo hap andaj nuk ishte aspak e papritur kur edhe u bë arrestimi i disave nga ata. U burgosën Faik Pruthi, Omer Çerkezi dhe Muhedin Hadri. Duke e parë se çfarë po ndodhë me anëtarët e grupit, Ibrahim Muhaxheri e Xhafer Vokshi kalojnë kufirin dhe vendosen në Shqipëri.

Ata që ngelën në Kosovë, ditë e për ditë po iu mbyllte rrethi. Udbashët shtuan përcjelljet dhe kishin vendosur që ta arrestonin dhe ta likuidonin Dinin. Kishin tentuar që t’i vënin një kurth gjëja se kishte dashur ta kalonte kufirin për në Shqipëri, por plani iu kishte dështuar, andaj vendosin që në pikë të ditës     ta arrestonin dhe ta qonin në Komitetin Krahinor ku e priste Spasoje Gjakoviqi dhe Çedo Topalloviqi. Po atë ditë, më 13 dhjetor 1948, edhe e kishin vrarë me plumb pas koke, e më vonë e kishin hedhur në podrumin e ndërtesës, ngase ishin përgatitur që më vonë ta zhdukin kufomën tërësisht.

Motra e Dinit-Hyrije Hana (edhe ajo ish e burgosur politike mase tri herë), tregon se fal një njeriu i cili i kishte folur në gjuhën serbe, i kishte treguar se ia kishin vrarë të vëllanë, dhe duhet urgjentisht të shkonte në Komitet, bile të kërkonte kufomën e tij, deri sa nuk është bërë vonë, por e kishte lutur që mos të tregonte se kush i kishte tregua. Më vonë rrëfen Hyrije Hana se shumë herë ishte marr në pyetje vetëm e vetëm për të treguar se si dukej personi që i kishte lajmëruar për vdekjen e vëllait.

Vrasja e Hanës ishte fillimi i një vargu vrasjesh e gjykimesh ndaj shqiptarëve, të cilët kishin zgjedhur luftën për bashkim kombëtar.

Literatura:

Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, Tiranë1991

Sabile Keçmezi- Basha, Kontributi atdhetari i Hyrije Hanës, Prishtinë, 2011

https://sq.wikipedia.org/wiki/Xheladin_Shyqri_Hana

https://www.facebook.com/PreshevaSOT2020/photos/a.683676605153828/1623078931213586/?type=3&locale=id_ID

Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944).

Gazeta Proleter, 1942.

Letra e Komitetit Qendror të PKJ-së dërguar KQ të PKSH-së, më 2 dhjetor 1943. Arkivi i Kosovës, Fondi PKJ.

Letra e KQ e PKJ-së, 28 mars 1944. Arkivi i Kosovës, Fondi i PKJ-së.

Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Prishtinë 2010, f. 38.

Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës, shtator 1944-korrik 1945, ASHAT, Tiranë 1994, f. 89.

Referat i Bllagoje Neshkoviqit në Konferencën e Tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi, 1945.

Sabile Keçmezi-Basha , Gjurmët e autonomitetit, Rilindja 21 prill 1986, Prishtinë.

Xheladin Shyqeri Hana, Wikipedia, 24 qershor 2009.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok