04/12/2024

METAFIZIKA E FLATRAVE DHE RRËFIMI SI DREJTËPESHIM SUBLIM

0
Brahim-AVDYLI-FLATRAT

(Brahim Avdyli, «Flatrat e Jetës», botoi Shtëpia Botuese «Meshari», Prishtinë, 2022)

Nga Bujar Salihu

Brahim Avdyli që në paraqitjen e tij të parë, në fundvitet shtatëdhjeta ka zgjuar kërshërinë e lexuesit, por edhe të kritikës letrare posaqërisht për frymën e re poetike që solli në poezinë shqipe. I ardhur nga një provincë e thellë rurale me meritë arriti të futet tek shkrimtarët më të rëndësishëm të viteve ’80, për t’u ngjitur bindshëm në horizontin e madh të letërsisë sonë përgjithësisht.

Pas shumë veprave të suksesshme në poezi, dramë, prozë e publicistikë të përkthyera e të publikuara edhe në gjuhë të huaja, këtë herë na vjen me një përmbledhje tregimesh të përshkruara edhe sentimentalisht me nota të theksuara autobiografike.

«Përpëlitje për ta zënë dramën e fëmijërisë», «Përrallë e bukur mbi reforma», «Mbi majat e artit», «Hijenat e dhunës», «Jeta e këputur në mes», «Katrahurat e dhembjes», «Klithjet e alpeve», «Një mik i jashtëzakonshëm», «Kur thërret Atdheu» dhe «Antiteza e heshtjes» janë dhjetë tregime të cilat jo vetëm që kanë lidhje të mirë organike dhe asocojnë në etje të kristaltë tek i njejti burim, por falë elementeve të fuqishme shprehëse, tematikave të ndjera, konfigurimit të kultivuar mitologjikë, mistik, filozofik kur edhe shkencorë e metafizik, këto proza na japin tablon origjinale të subtilitetit letrar që bartë proza e shkrimtarit Brahim Avdyli.

Duhet theksuar me këtë rast se libri ka një parathënje nga shkrimtari Dibran Demaku, me analiza e konstatime faktike e të argumentuara mbi vlerat e veçanta të këtyre prozave, sikurse në fund në formë të një recensioni, e që në fakt është një pasthënje e zgjeruar e shkrimtarit Muhamet D. Rugova, që merret me interpretime dhe analizë të thellë e të përimtuara të gati të gjitha tregimeve, duke e ndihmuar kështu jo vetëm lexuesin e rëndomtë, por gjithësesi duke e orientuar në zbërthimin më të mirë të mesazhit që përçonë autori në këtë libër siç e tham më lart me karakter të theksuar autobiografik, edhe kritikën shpesh të munguar sot.

Autori ka vendosur të flas, të rrëfehet, e të rrëfej për fëmijërinë e tij, për rininë e tij të hershme e të vonëshme, për veprimtarinë e tij letrare e politike, për jetën e vet si mërgimtar, për udhen e tij të rënd jetësore, për krajatat e katrahurat por edhe për qëndresën, për idealin e madh, për vendosmërinë për mos u zbrabzur, për të lufuar deri në atomin e fundit për të drejten e vet, për jetën e vet, për ëndërren e vet e të kombit të vet.

Një fat i keq e ndoqi që nga fëmijërija e tij e hershme, u rritë në një familje që përshkak të bindjeve e orientimit kombëtar qenë të detyruar që dyert e shtëpisë ti mbanin mbyllur për të paftuarit, për shpirtëligët e agresorët, për bubullimat e gjarprinjtë, bollat e kuqedrat. Pati rini të rëndë, varfëri, e përndjekje. Nuk i buzëqeshi fati as pas emigrimit, u përballë me shumë të papritura, të panjohura e gracka, por nuk u ep kurrë, nuk u ndal kurrë, duke u vënë gjithnjë në shërbim të interesit nacional.

Do kisha dëshirë të ndaleshim te fjala e parë e këti libri, që në këtë rastë është fjala: flatra. Kuptimin e kësaj fjale e dimë të gjithë, por sigurisht që kur përmendet kjo fjalë të gjithë ne kemi përftyrimet tona, mua p.sh më përftyrohet një zog i bardh si engjull që hap flatrat dhe fluturon përpjetë, në përftyrimin grafik më dalin krahët e shqiponjës sonë të zezë në sfondin e kuq, më asocon edhe me penat të cilat janë elemente përbërse të flatrave, por në aspektin praktikë me kujtojnë edhe nënat plaka që flatrat i mbanin në duar për të shtyrë a fshirë hirin e mbetur në oxhakë. Pra flatrat, një fjalë kjo shumë e bukur shqipe, është bërë kryefjala e Brahim Avdylit në këtë përmbledhje tregimesh dhe figurativisht një gjetje e bukur letrare e në këtë rast edhe çelës zbërthimi në materjen letrare të këti libri.

Për t‘i dhënë jetës flatra është gjë shumë e bukur, sikurse dhe për t‘ia këputë zogut flatrat është gjë e shëmtuar, shumë e tmerrshme dhe e dhimbshme njëkohësisht, për të lënë zogun pa krihë, për të mos e lënë për të fluruar, është mëkati më i madh që mund të bëjmë ndaj këtyre qenjeve të bukura. Po i lexuam me kujdes të gjitha këto tregime të B. Avdylit kuptojmë se jeta i ka dhënë flatrave flururim, i ka dhënë dhuntinë krijuese, imagjinatë, talent, e frymëzime të pashterrshme për të krijuar vepra të mira artistike. Por siç do vërejmë më poshtë jeta dhe udha jetësore e tij nuk ka qenë e drejtë me të, sepse autori parasëgjithash me vetëdije të plotë ndanë edhe fatin e kobshëm që kishte Kombi e Atdheu i tij. Pra siç do kemi rastin të lexojmë në shumë tregime të këtij autori, jeta ia ka gjymtuar krahët në fluturim.

«Flatrat e jetës» është pa dyshim një përmbledhje tregimesh e suksesshme e këti autori, sepse përmes flatrash nisin fluturimet. Që në fëmijërinë e tij të hershme ai i donte lartësitë dhe donte t’i pushtonte ato, pra autori tregon përkushtim të madh për ngjitje në lartësi, ai i donte lartësitë me çdo çmim, ai e kishte guximin edhe njerëzor, patriotik, intelektual e shkencor për të kërkuar pikën më të lart, për të kapur frymëzimin që të shpie në majat krijuese, frymëzimin që të jep flatra fluturimi dhe të bënë për të fluturuar. Pra Brahim Avdyli është shkrimtar i lartësive, ai që nga fëmijëria me guximin e tij të paparë tregon se është i lindur për sfida, atij nuk i qëndrohej në tokë, ai i donë ngjitjet në plepin më të lart, kur edhe duke rrezikuar jetën e tij…

Filozofia jetësore e «Flatrave» është praktike dhe dimamike njëkohësisht, pra të fluturosh do të thotë të jetosh i lirë dhe Brahim Avdyli fluturon si <zog i lirë në lartësi>, sepse vetëm kështu është ai, Brahim Avdyli, i lirë, midis dhembjesh.

Motivimet krijuese si edhe në rastet e tjera të prozës shqipe me karakter autobiografik autori i gjenë në jetën e përditshme dhe tek personazhet të cilët ka arritur ti njohë, duke u’a përshkruan mjeshtrisht botën e tyre të brendshme shpirtërore, dhe me karakteret e tyre ka krijuar kështu një mozaik të natyrshëm dhe real të ngjarjeve.

Brahim Avdyli parasegjithash është një poet shumë i veçantë dhe gjithësesi i etabluar në horizontet më të larta të letersisë sonë bashkëkohore dhe vepra letrare me tregime «Flatrat e jetës» nuk ka se si të mos dominohet nga një frymë e theksuar poetike, që si të tillë e bënë edhe më të këndshme dhe interesante njëkohësisht.

Në këto tregime idetë na shfaqen të natyrshme dhe assesi anemike ose të huazuar, pra kemi një individualitet, origjinalitet dhe veçanti krijuese që prozën e Avdylit e dallon nga të tjerët, kjo edhe për çasjen filozofike e matafizike të saj kur edhe me elementet e misticizmit duke e përforcuar kështu kërshërinë që ky libër të lexohet deri në fund me përkushtimin më të madh.

Brahim Avdylin e njihja për poet të klasit, poezia e tij ka shpirt, është poezi e kulluar dhe tani pas leximit të «Flatrave të jetës» ai më shfaqet edhe një lëvrues i mrekullueshëm në prozë dhe me të drejtë mund të nxjerrim konstatime e përfundime se autori është në udhë të mbarë për të krijuar një aureolë autoriale.

Mendimin se biografia nuk është kriter vlerësimi për vepren letrare të një shkrimtari, e kisha parasysh qysh kur mu dha besimi për të shkruar për këtë vepër letrare, në këtë rast leximin kam provuar ta bëjë me një neutralitet të imponuar ndaj vetës, me bindjen e thellë  se deri në një masë kam arritur t’a bëjë këtë ndarje dhe në këtë shkrim timin modestë të ruaj një objektivitet vlerësimi.

Por ajo që dua të them në fund të kësaj fjale është se pjesa më e madhe e dhjetë tregimeve të këtij libri, duan lexim të thellë dhe shumë të përkushtuar, dhe nëse do bëja një rikapitulim të të gjithë asaj që kam bërë, pa modesti mund të them se është vetëm një kontribut i vogël për të hedhur dritë në veprën e madhe e brilante të mikut tim Brahim Avdylit, ndonëse ky është vetëm një fragment nga përshtypjet e mia më shumë të një lexuesi të pasionuar se sa të një pretendenti a teoricienti i letërsisë.

Përgëzime Brahim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok