13/12/2024

Flasin Hysni Zela dhe Ema Qazimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Vaçe Zelës

0
VaCe-Zela

Hysni Zela: Unë e kisha motër, mësuese, udhëzuese, dhe idhullin tim.

-Ema Qazimi: Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Vaçe Zela, “Artiste e Popullit” dhe këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Kishte një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Vaçe Zela mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën “Komunistët” (dubluar nga Marina Grabovari). Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu. Në ka një artist, që emri i tij të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare për mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika mos bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, jo aq të njohur në interpretimin e këngës. Megjithatë festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.

Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë, por kishte talent edhe në pikturë e teatër. Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur. Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka

E madhja Vaçe Zela tashmë ka 10 vjet që është në përjetësi, por zëri i saj dëgjohet edhe sot në radio apo televizione po me atë dashuri sikundër ishte gjallë. A ke menduar të këndoni një këngë për motrën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve Vaçe Zelën? A e ndjen mungesën e saj?

Vaçja na mungon fizikisht, por ajo është kudo mes nesh. Këngët e saj edhe sot këndohen nga çdo grup moshe. Ajo ishte këngëtare e veçantë, por edhe njeri i veçantë. Unë e kisha motër, mësuese, udhëzuese, dhe idhullin tim. Përsa i përket një kënge për të nuk e kam menduar. Nuk e kam menduar se së pari besoj se nuk më takon mua as ta këndoj as ta ideoj. Unë kurresesi nuk mund të këndoj një këngë që të përcjellë jetën e vrullshme të saj. Duhet të mblidhen kompozitorë, autorë tesktesh, këngëtarë që të arrihet një mendim i thellë për një këngë të tillë. Nuk është në autoritetin tim një nismë e tillë. Vaçja ishte një figurë komplekse, autoritare, me një histori të veçantë në këngën shqiptare. Zëri i saj kishte timbër melodioz, që nuk zbërthehet lehtë ndaj edhe stepen kompozitorët. Për të duhet shumë kujdes për të ideuar një këngë. Unë vetë kurrë s’do të merrja një nismë individuale. Vaçja sa më shumë kalon koha aq më shumë studiohet, aq më shumë dëgjohet, aq më shumë flitet për të. Ne ndihemi sikur e kemi në krah në çdo hap të jetës. Vaçja gjithmonë më ka treguar se babai ynë i binte në mënyrë të shkëlqyer fyellit. Netëve vonë, kur ne të gjithë mblidheshim në shtëpi (tregon Vaçja), babai merrte fyellin në duar dhe fillonte dhe i binte. Ne rinim rreth tij si pëllumba dhe e shihnim si të magjepsur. Meloditë ishin të ndryshme dhe na bënin shumë të lidhur me babanë. Do të doja shumë përfundon ai, që t’i kisha vetë këto kujtime dhe jo të ruajtura kështu duke m’i treguar Vaçja. Më vjen keq që unë do të iki një ditë po pa i ruajtur këto melodi që babai i realizonte me fyell rreth vatrës së shtëpisë.

Unë dhe Vaçja dhe një moment në skenë

Këtu…s’di ç’të them. Për kë të flas? Për Vaçen si këngëtare, si njeri, apo për Vaçen si motër? Eh, për të gjitha këto për mua është e vështirë të flas. Vaçja mbetet ajo, fisnikja, e dashura, nikoqirja, e ndjeshmja, njerëzorja, por…në skenë, mbetet ajo e veçanta, rigorozja, e shenjta. Kam shumë momente sa duhen muaj të tërë të flas, por sot do të shkëpus një moment. Një njeri nuk e ndjen veten keq se harron fjalët, po kur nuk është mirë me zërin e tij. Një herë ne këndonim duetet myzeqare me Vaçe Zelën në TOB. Atë natë në sallë ishte gjithë udhëheqja. Para se të dilnim në skenë, Vaçja më thotë se tani ki kujdes se mos i harron fjalët. Ato fjalë më hutuan. Më hutuan pasi ma tha Vaçja, sepse do ishim para udhëheqjes së asaj kohe dhe do këndoja me Vaçe Zelën. Të këndoje me të ishte përgjegjësi. Por isha dhe i ri. Kur dilja në skenë me Vaçen duhej të matesha mirë. Ajo e zotëronte tërësisht skenën. Spektatorin e mbërthente. Ja dalim në skenë. Filluam të këndojmë. Për një moment harroj strofën e parë dhe në vend të saj bëj strofën e dytë. Unë shikoj një dorë nga mbrapa që më shtrëngon fort. Ishte dora e Vaçes. U mobilizova…Gabimi nuk u kuptua pasi ndruam strofat. Në fund duartrokitje të fuqishme. Unë mbushur djersë. Situata kaloi me sukses. Vaçja më buzëqeshi. Unë lotova nga gëzimi.

Ema Qazimi: Idhulli im mbetet Vaçe Zela

Kujtoj atë që kurrë nuk kam kënduar këngë për fëmijë, por këngë për të rritur. Për mua pikë referimi në këngë ishte Vaçe Zela. Ajo ishte dhe është idhulli im. E adhuroj. Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit. At’here kishte pak radio, ndërsa televizione ku e ku më pak dhe kur më jepej rasti të dëgjoja Vaçen duke kënduar, merrja lapsin dhe një fletore dhe mundohesha të shkruaja tekstin. Mundohesha të kapja fjalët të plota, që, pastaj t’i vendosja në gojën time. Pra, kam qenë shumë- shumë e apasionuar pas këngës, shumë e gjallë, shumë çapkëne, impulsive dhe aktivitetet me trupën amatore të Kamzës shkoja dhe në turrne ku këndoja këngë të Vaçes. Dhe në këto turrne, kënga e nënës nuk m’u nda. (Ky opinion është marrë në vitin 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok