06/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Mbedhjen e partisë e hapi Shuli.

Shuli tha: Të nderuar hajdutë dhe halabakë të shquar nga të gjitha viset e Shqipërisë, duhet të bëjmë çmos të marrim të gjitha votat e të gjitha subjekteve, sektorëve, skuadrave, kompanive, reparteve, regjimenteve, batalionave. Si ato të sektorit 7 të grupseksionit 3/5, edhe ato të divizioneve 9 dhe 15, që janë hambarë votash budallenjsh që mund të korren lehtësisht me drapërin e flamurit të Stalinit, nëse atë flamur me atë yll, atë drapër dhe atë çekan, do dijmë ta valavisim me rendimentin e duhur dhe me entuziazmin dhe emulacionin e përshtatshëm. Përndryshe, skuadrat policeske respektive të Zonës 13 dhe nënseksionit 7, bashkë me ato të bllokut 23 dhe garnizonit 19 të armiqve tanë, do na i kullufisin të gjitha votat, dhe do fitojnë ata, ndërsa ne do mbetemi me rrush në dorë.

E mahnitur nga retorika brilante revolucionare e Shulit, pasi heshti një çast, salla shpërtheu në ovacione ritmike si çizme ushtarësh mbi kalldrëm Berati.

Pas Shulit, fjalën e mori Tyta.

Të lumtë o Shul sa bukur fole me gjithato shifra, fraksione, emulacione. Me këtë të folur bëjmë dy punë njëherësh: marrim votat dhe torollepsim elektoratin. Por edhe e mbushim Shqipërinë me budallenj të bukur nga ata që na duhen për herë të tjetra, nga ata që hanë e pinë, vishen e krihen, nga ata kokboshët që s’lidhin dot dy fjalë. Por ka një problem. Me shifra dhe simbole, njerzit duken si vegla nëpër rafte, si robota, si personazhe të George Orwellit. Prandaj, të lutem, gjuhën e drunjtë, mundësisht të hekurt, përdore, por mos e tepro se na nxjerr bojën. Kaq tha Tyta dhe u mbështet pas murit me kokë poshtë.

Pas Tytës fjalën e mori Kondaku.

Në këtë Mbledhje për fatet e vendit me diskutime gjeniale si të Shulit, ja nisi Kondaku, bashkoj merakun e çeliktë të Tytës me frikën time të drunjtë për teprime gjuhësore.

Ndërhyri Thepi. Fitorja që me aq ankth po e presim, theksoi Thepi, nuk kushtëzohet vetëm nga përdorimi me dinakëri komuniste i gjuhës së drunjtë, por edhe nga faktorë të tjerë si: përkushtimi njerëzor, besimi ndaj Zotit, predispozicioni genetik, patologjitë e ndryshme, pasionet, veset, virtytet. Çfarë është fitorja në thelbin e saj, unë si Thep them se varet nga raporti i punës me hajdutllëkun, prejnga rrjedh pyetja: Pse po të punosh të mallkojnë, ndërsa po të vjedhësh të mburrin ? Këtë duhet të shkoqisim ne hajdutët dhe halabakët në këtë Mbledhje Partie. Përndryshe e humbim fitoren si Xhaferri simiten. Di gjë për këtë çështje ti e dashura ime Shqekëza ?

Edhe di edhe nuk di, tha Shqekëza. Pyet Këmbëzën.

Me të dëgjuar që ju përmend emri, e zbehtë në fytyrë për shkak të përgojimit, pasi u mbush thellë me frymë, fjalën e mori Këmbëza:

Unë Këmbëza që flas e fundit, e sjell vdekjen me një tërheqje gishti…a të vazhdoj ?

Jo-jo, u dëgjuan ca zëra. Po lëvize ti bëhet hataja.

U ul Këmbëza, u ngrit Baruti.

Cili është sekreti i fitores ? pyeti me qesëndi Baruti pjesëmarrësit e Mbledhjes. Di ndonjëri nga ju të më thotë; Për një fitore të thellë dhe të merituar, në ç’pozicion duhet të jetë Hëna, në cilën orë duhet të çfaqet eklipsi, si duhet të jetë moti, sa temperatura e ambientit, po lagështira e ajrit, cila muzikë sfondi, sa e trashë duhet të jetë llokma, sa elegante duhet të jetë kocka, sa duhet të zgjasi lëpirja, cilin program me nam duhet të japi televizori, cilët banakierë duhet të rrejnë si derra pasi kanë zbrazur tasa ? Hë de flisni. Jeni të gjithë të lagur. Jam i vetmi i thatë.

Barut, nuk e ke keq, por mos harro se pa mua nuk ndizesh dot, kërceu Kapsolla. Sipas meje, vazhdoi Kapsolla, fitorja nuk është punë, as sakrificë, fitorja është qef.

Aq u desh.

Debati u ndez.

Mbledhja mori zjarr.

U ngritën folën me pathos Gëzhoja, Karikatori, Pistoni, Shtiza, Plumbi.

Me syrin pishë, ballin lart’, zemrën plot, oratorët ngritën në qiell bëmat dhe kontributin e secilit në fushën e betejës duke luftuar dhëmb për dhëmb me elektoratin deri në pikën e fundit të gjakut për t’i xhvatur votën.

U vendos që regjistrimi i Mbledhjes të transmetohet në orën e shikueshmërisë më të lartë nga televizioni kombëtar “Kaka TV”. Producente të jetë spirra. Regjia t’i besohet Skilipecit. Skenografia Tulit. Tekstin ta skalisi Dhjami.

Me ta marrë detyrën delikate, Dhjami sajoi atypëraty një himn në formën e një vjershëze ritmike marciale. Poezia dhjamore u duartrokit nxehtësisht nga të pranishmit derisa duart u gjakosën, sytë u lagën, veshët u shurdhuan, në ulluk të Bythës rrodhi djersa.

U duk sikur pas vjershës lakrimogjene të Dhjamit Mbledhja e Partisë do mbyllej, kur befas u ngrit Bytha;

Tha Bytha:

Shokë, mos u hallakatni, mos u sorollatni, mos u torollepsni. Në këto kohë të vështira, sido që të vejë puna, sado i madh të bëhet sherri, sado i rrezikshëm të ndizet zjarri, pavarësisht ç’i lypset Kombit, të gjithë ne horrat dhe hajdutat, të përgatisim garuzhdet, të mprehim kthetrat, të thërresim në ndihmë George Orwellin, të përsosim Newspeakun, të shtrëngojmë rradhët, të shtrijmë hapin, të mprehim thikat, të përgatitemi për llokmat. U a them këtë, në mënyrë që, nën urdhërat e komandant Shulit, me këshillat e komisar Llozit, me ndihmën e kapter Plumbit, ta cfilitim e ta cfilitim pafund Shqipërinë, sa ujin e zi t’ja nxjerrim.

1 thought on “Mbledhje Partie

  1. Shkrim i dobet nga ana e ketij Ypit, banal fare, qe ia ul vlerat ketij portali te nderuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok