Adem Jashari, hija e të cilit e mbajti larg frikën e regjimit serb
Nga Prof. Blerim Latifi
Ajo ishte një kohë kur polici serb ishte pjesë e jetës sonë të përditshme. Me sjelljen e tij të keqe, arrogancën, brutalitetin dhe gjuhën ofenduese ndaj nesh.
Ne i kalonim ditët duke rrëfyer ngjarjet me këtë personazh, që mishëronte regjimin represiv të Beogradit.
Si nxënës, në atë kohë të zymtë, jeta ime kalonte mes shkollës dhe gjërave të vogla që bëja me moshatarët e mi në katundin tim.
Nuk kishim telefona smart dhe as mundësi të lëviznim shumë përtej asaj hapësire të vogël.
Bota për ne ekzistonte vetëm në ekranin e televizorit dhe në faqet e librave. Aty gjenim heronjtë me të cilët na pëlqente të identifikoheshim.
Të mëdhenjtë që ktheheshin nga Skënderaj, Mitrovica e Prishtina sillnin gjithmonë rrëfimet për policët serbë, të cilët ne nuk po i shihnim kurrë në katundin tonë. Të fundit policë që kishin kaluar nëpër të ishin ata të fundit të dhjetorit 1991.
Në të kundërt, ne fëmijët, që kalonim ditët në fushat e kodrat e Prekazit, na ndodhte shpesh të ndeshnim disa njerëz të tjerë, që papritur shfaqeshin nga kjo apo ajo kodër a mal dhe shkonin drejt kësaj apo asaj lagjeje.
Mes tyre ishte një njeri që ta pushtonte imagjinatën me shikimin e parë. Me mjekër të madhe dhe një pallto të gjatë, poshtë së cilës dallohej qartë forma e një arme. E dinim se kush ishte ai dhe, në fjalorin e katundit, i referoheshim si Ademi i Shabanit.
A mos vallë hija e këtij kreshniku mjaftonte për ta mbajtur larg hijen e një regjimi të tërë?
Apo guximi i tij kishte krijuar një hapësirë të vogël ku frika nga ai regjim nuk ekzistonte më?
E vërteta që do ta kuptonim më vonë ishte kjo: nê atë vend të vogël pushteti i frikës kishte ndërruar anë. Ata që kishin urdhër të ngjallnin frikë, kishin filluar ta ndienin vetë atë. Sepse, siç na mësojnë të urtët e lashtësisë, liria fillon aty ku merr fund frika nga tirania.
