06/06/2026

ZVËRNECI, RRJOLLI DHE KRIZA E BESIMIT PUBLIK

0
Shit-Zeqinine

Nga Ilir Çumani

Debati i fundit për Zvërnecin dhe Rrjollin nuk është thjesht një debat për dy hapësira bregdetare. Në thelb, ai po shndërrohet në një provë të madhe për mënyrën se si Shqipëria e koncepton zhvillimin, raportin me territorin dhe vetë kuptimin e interesit publik.

Në dukje, konflikti lidhet me projekte konkrete, me investime, me ekonomi turizmi apo me përdorimin e vijës bregdetare. Por në shtresën më të thellë, pyetja është shumë më e madhe:

A mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm në një shoqëri ku qytetarët ndihen të neglizhuar dhe të përjashtuar nga vendimet që ndryshojnë përgjithmonë hapësirat ku ata jetojnë?

Ky është thelbi i krizës shqiptare të tranzicionit: jo mungesa e projekteve, por mungesa e besimit.

Në shumë vende europiane, debatet për territorin konsiderohen normale dhe të domosdoshme, sepse toka, pyjet, lagunat, brigjet dhe pasuritë natyrore nuk trajtohen thjesht si sipërfaqe ekonomike, por si pjesë e identitetit kombëtar, memories kolektive dhe sigurisë afatgjatë të një vendi.

Ndërsa në Shqipëri, për dekada me radhë, modeli i zhvillimit ka krijuar shpesh perceptimin se qytetari njoftohet për një procedurë (post factum), vetëm pasi vendimet janë marrë. Kjo ka prodhuar një hendek të rrezikshëm midis institucioneve dhe publikut.

Sa herë që mungon transparenca, lind edhe dyshimi. Sa herë që mungon dialogu, lind konflikti social. Dhe sa herë që mungon besimi, edhe projekti më i mirë rrezikon të perceptohet si kërcënim.

Në këtë kuptim, çështja e Zvërnecit dhe Rrjollit nuk mund të reduktohet vetëm në “pro” ose “kundër” investimeve. Një demokraci serioze nuk vlerësohet nga aftësia për të heshtur me pyetjet që duhen bërë, por nga aftësia për t’u përgjigjur atyre në mënyrë shterruese dhe transparente.

Qytetarët sot nuk kërkojnë vetëm informacion teknik, por garanci morale dhe institucionale:

Kush fiton? Kush humbet? Çfarë mbetet për komunitetin? Çfarë humbet natyra? Çfarë trashëgojnë brezat e ardhshëm?

Zhvillimi nuk është vetëm çështje kapitali, por edhe çështje legjitimiteti publik.

Një investim mund të ndërtojë rrugë, resorte apo marina, por nëse ndërtohet mbi mungesën e besimit qytetar, ai prodhon polarizim,

pasiguri dhe konflikte politike dhe sociale. Historia moderne europiane ka treguar se konfliktet më të forta nuk lindin vetëm nga varfëria ekonomike, por edhe nga ndjesia e përjashtimit dhe mungesës së zërit që duhet dëgjuar.

Pikërisht për këtë arsye, demokracitë moderne kanë ndërtuar tipologji, modalitete dhe standarde të reja të qeverisjes, ku konsultimi publik nuk shihet si pengesë për zhvillimin, por si kusht thelbësor i transparencës për stabilitetin afatgjatë të tij.

Në rastin shqiptar, kjo bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të historisë së gjatë të plagëve urbane dhe mjedisore: brigje të betonizuara pa kriter, zona të mbingarkuara nga ndërtimet, pasuri natyrore të dëmtuara, hapësira publike të humbura, komunitete lokale të përjashtuara nga përfitimet reale.

Kjo eksperiencë kolektive ka krijuar një kujtesë mosbesimi që shoqëria shqiptare e mbart ende sot.

Prandaj reagimet publike nuk duhen parë automatikisht si refuzim ndaj zhvillimit. Shpesh ato janë reagime legjitime ndaj frikës se mos përsëritet i njëjti model ku interesi publik mbetet i paqartë dhe qytetari ndihet i pafuqishëm përballë vendimmarrjes.

Në vendet demokratike, institucionet nuk kanë frikë nga pyetjet publike. Përkundrazi, ato i konsiderojnë pyetjet si mekanizëm korrigjues që forcon shtetin dhe ul tensionet sociale.

Një shtet modern nuk çmohet si i tillë vetëm nga numri i projekteve që realizon, por edhe nga niveli i besimit që arrin të ndërtojë me qytetarët e vet.

Sepse territori nuk është vetëm gjeografi, por më së shumti është ekonomi, histori, identitet, kujtesë dhe siguri kombëtare.

Mënyra se si një vend sillet me territorin e vet, tregon në fund të fundit mënyrën se si ai sillet me vetë qytetarët e tij.

Tiranë, e shtunë – 6 qershor, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok