Kur bota subvencionon të ardhmen me makina elektrike, Shqipëria i takson ato që të pengojë popullarizimin

0

Forum/ Taksimi i makinave elektrike, flasin Ing. Nako Petro, Ermira Hasnaj dhe Prof. Gjergji Foto

– Qeveria Shqipëria ka një talent të veçantë, të shpallë një politikë të vjetër dhe të ndërtojë një tjetër të re akoma më të vjetër

Nga Albert Z. ZHOLI

Qeveria shqiptare duket se po ndjek një paradoks në politikat e saj: nga njëra anë promovon automjetet elektrike si e ardhmja e transportit të pastër, ndërsa nga ana tjetër, sapo ato fillojnë të përhapen, mendon t’i përfshijë në skemat e reja të taksimit. Për vite me radhë qytetarëve u është kërkuar të zgjedhin teknologjinë elektrike për të mbrojtur mjedisin, për të ulur ndotjen dhe për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile. Por tani, kjo zgjedhje përballet me një kosto të re. Nga 1 janari 2027 propozohet një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh për autoveturat elektrike dhe 1 mijë lekësh për motomjetet elektrike, me të ardhura të parashikuara rreth 240 milionë lekë në vit. A përputhet kjo nismë me objektivat e tranzicionit të gjelbër, apo rrezikon të frenojë qytetarët që po investojnë në një transport më ekologjik? Ky është thelbi i debatit që hap propozimi i ri fiskal.

Nako Petro

Qeveria Shqipëria ka një talent të veçantë, të shpallë një politikë dhe të ndërtojë një tjetër. Për vite me radhë na është thënë se automjeti elektrik është e ardhmja, na është folur për mjedisin, uljen e ndotjes, reduktimin e konsumit të naftës dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të pastër. Por sapo automjetet elektrike fillojnë të shtohen në rrugët shqiptare, shteti gjen formulën për t’i futur edhe ato në skemën e taksimit. Nga 1 janari 2027 propozohet një taksë vjetore fikse prej 15 mijë lekësh për autoveturat elektrike dhe 1 mijë lekë për motomjetet elektrike, të ardhurat e parashikuara nga kjo taksë janë rreth 240 milionë lekë në vit.

A po ndërtojmë një politikë mjedisore apo thjesht po kërkojmë një tjetër burim të ardhurash për buxhetin?

Në shumë vende europiane politika ndaj makinave elektrike është ndërtuar mbi një parim të thjeshtë, nëse shteti dëshiron që qytetari të braktisë automjetin me benzinë ose naftë dhe të kalojë te automjeti me emetime zero, atëherë duhet ta bëjë këtë zgjedhje ekonomikisht të arsyeshme. Instrumentet janë të ndryshme, subvencione për blerjen, lehtësi fiskale, mbështetje për instalimin e karikuesve, përfitime për bizneset dhe lehtësi të tjera në përdorim. Ndërsa Shqipëria duket se po ndjek një filozofi tjetër, “nëse e ke makinën elektrike, tani që nuk paguan karburant, do të paguash një taksë tjetër.” Kjo nuk është domosdoshmërisht politika më e mirë fiskale. Është e kuptueshme që edhe një makinë elektrike përdor rrugët dhe se mirëmbajtja e infrastrukturës duhet të financohet, por kjo nuk do të thotë se duhet trajtuar njësoj çdo teknologji, pavarësisht ndikimit që ajo ka mbi mjedisin, importet e naftës dhe objektivat energjetike të vendit. Taksa nuk është problemi i vetëm, problemi është mungesa e strategjisë . Nëse qeveria vendos një taksë për automjetet elektrike, duhet të tregojë njëkohësisht edhe çfarë po bën për t’i bërë ato më të përballueshme. Ku janë programet për instalimin e karikuesve në pallate, karikuesit publikë në qytete, ku janë lehtësitë për bizneset që instalojnë pika karikimi, ku është politika për transportin publik elektrik, skema për zëvendësimin gradual të automjeteve të vjetra dhe shumë ndotëse, ku është lidhja mes energjisë elektrike, transportit dhe politikës së reduktimit të importeve të naftës? Nëse përgjigjja është vetëm “do të vendosim taksë”, atëherë kjo nuk është politikë e gjelbër, eshtë politikë fiskale. Kjo mund të ketë logjikë buxhetore, por nuk është e njëjta gjë me një politikë transporti të gjelbër. Nëse synimi është vetëm që buxheti të mos humbasë të ardhura nga karburantet, atëherë duhet thënë hapur, nuk kemi të bëjmë me tranzicion ekologjik, kemi të bëjmë me riformatim të taksave, mjedisi nuk mund te perdoret si justifikim fiskal. Automjeti elektrik nuk konsumon benzinë apo naftë, për këtë arsye ai nuk paguan akcizë dhe taksa të lidhura me konsumin e karburantit në të njëjtën mënyrë si automjeti tradicional. Në të ardhmen, sigurisht, edhe automjetet elektrike duhet të kontribuojnë në financimin e infrastrukturës rrugore, por kjo mund të bëhet në mënyrë më inteligjente. Për shembull, taksimi mund të lidhet me peshën, fuqinë, përdorimin e rrugës ose kilometrat e përshkuar, duke krijuar një sistem më të drejtë dhe më të lidhur me përdorimin real të infrastrukturës. Një taksë fikse prej 15 mijë lekësh, pavarësisht përdorimit, nuk është modeli më i drejtë, një qytetar që e përdor automjetin elektrik 5 mijë kilometra në vit dhe një tjetër që e përdor 40 mijë kilometra, paguajnë të njëjtën shumë. Kjo është e thjeshtë për administratën, por jo domosdoshmërisht e drejtë për qytetarin.

Ermira Hasanaj

Dua t’ju bëj një pyetje të gjithë bashkëbiseduesve: Cila parti keni votuar pas viteve ’90? Cila parti pas vitit 2013? Unë shikoj parti kapitaliste, pavarësisht nga ngjyra, me një ndryshim shumë të vogël: njëra kapital i ashpër dhe tjetra kapital i butë, por përfundimisht rezultatet deri diku të njëjta. Ku i pasuri pasurohet dhe i varfri varfërohet, sepse të ka në dorë kapitalisti, jo shteti, i cili ka vetëm çelësat e kashtës. Kur prodhon dhe eksporton shteti, buxheti i shtetit është në gjendje të veprojë. Vetëm kështu je i pavarur! Tema tjetër që po prisni si e si: të futemi në Europë që të quhemi dikushi, që në fund ta ziejmë dhe do t’ia pimë lëngun. Europa të jep lekë borxh me përqindje për të filluar ngritjen e rrogave, pensioneve, gjithashtu dhe të çmimeve si Europa e famshme. Borxhi si do të paguhet, do të pyesë dikush? Po ja dhe përgjigjja: shteti, i cili në kapitalizëm luan vetëm këtë funksion, me laps në dorë: do të vjelë tatime nga populli, nga investitorët, që shumica e tyre i ndajnë midis tyre nën dorë, dhe populli dele duhet patjetër të jetë korrekt, se ndryshe do ta paguajë thelën sa frëngu pulën. Europa dhe kapitalisti investojnë për të fituar, se nuk janë Nënë Tereza, por një çakall i egër! Pjesa tjetër e bisedës për cilindo që pret petulla nga qielli: me gjithë këto demonstrata, që, me sa kuptoj dhe nuk kuptoj kush është kush dhe çfarë kërkojnë, të bëjnë stan me lepuj? Të vijë dikush të kthejë sistemin përsëri në socializëm, që i përket shtet-popullit, apo të vazhdojë sistemi aktual dhe akoma më i egër? Në vendin tuaj do të veproja kështu: o te porta e Edi Ramës, në karrige përballë, t’ia heqë mendjen nga metoda e gabuar që kruhet me terroristët e botës, të përveshë mëngët me gjithë specialistët që ka vendi, të rindërtojë industrinë, të prodhojë, të sigurojë nevojat e popullit, të eksportojë për buxhetin e shtetit, që të veprojë pa pengesa në rritjen e mirëqenies së popullit. Të rriten rrogat, të ulen çmimet. Vetëm kështu populli do t’ia heqë kapelën dhe do ta falënderojë. Populli ka eksperiencë, dikur dhe sot, kur ishte i fituar dhe kur i humbur! Ndihmojeni të bëhet seriozisht kryeministër i vërtetë! Ndryshe, nuk ndryshon asgjë me biseda në kafene. Faleminderit për vëmendjen dhe kohën që përkushtuat!

Prof. Gjergji Andon Foto

Ç’na gjeti me këtë qeverisje, që ka për detyrë të qeverisë popullin drejt mirëqenies dhe sigurisë, por jo për ta rrjepur me taksa e të mburret se ka buxhetin më të madh për 2027, sikur t’i ketë siguruar nga rritja e eksportit të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e pyjeve dhe prodhimin e mineraleve të dobishme, si nafta e gazi, si kromi e bakri, si bitumi dhe telat e bakrit. Mburret se po përparon me rritjen e varfërisë së popullit e sidomos pensionistëve, që vazhdojnë ta votojnë për llogari të Pushtetit Popullor dhe Enver Hoxhës, se ky po na shet edhe ne!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok