KRAJA, KU TRADITA I MBLEDH SHQIPTARËT

0

Në Krajë në mes e valltarve të rinjë krajan shkrimtari Neki Lulaj

Nga Neki Lulaj

Kraja  vazhdon të jetojë përmes  traditës kulturës dhe bashkimit të shqiptarëve . Andaj mos thoni se Kraja po braktiset, po vetmohet apo po harrohet! Dita e sotme dëshmoi të kundërtën. Rruga kryesore e saj ishte mbushur me  plotë vizitorë të ardhur nga të katër anët e shqiptarisë. Edhe pse kolonat e gjata të automjeteve prape   kalohej disi këmbë deri në sheshin ku zhvillohej tregu dhe ku kumbonte muzika e bukur popullore. Kishin udhëtuar nga Kosova, Shqipëria, Tuzi, Plava e Gucia dhe shumë qytete të tjera, vetëm për të qenë pjesë e një feste që tashmë ka fituar vend të veçantë në kujtesën e njerëzve: “Festa e Gështenjave”.Kjo ditë festive ishte pasuruar edhe me një program të larmishëm artistik. Para të pranishmëve u paraqit këngëtarja e njohur nga Kosova, znj. Afërdita Dërmaku, e cila me repertorin e saj të pasur të këngëve dhe valleve popullore krijoi një atmosferë të veçantë. Më pas, muzika e bukur krajane, me këngët dhe vallet karakteristike të kësaj treve, i dha manifestimit një tjetër ngjyrim artistik. Edhe veshjet tradicionale të Krajës dhe të rrethinës, me bukurinë dhe veçantinë e tyre, ia shtuan hijeshinë kësaj feste të bukur nëntori. Kjo ditë, e begatuar me prodhime të ndryshme vendore, me gështenja e plot të mira të natyrës, u shndërrua në një takim të bukur të traditës, kulturës dhe miqësisë. Jehonën e kësaj feste e përcollën edhe gazetarë dhe përfaqësues të mediave të ndryshme radio-televizive, të ardhur nga Ulqini, Shkodra dhe Podgorica.

Një vend të veçantë në këtë manifestim zuri edhe krijimtaria letrare. U shpallën rezultatet e konkursit letrar për ciklin shkollor dhe atë të lartë, duke dëshmuar se kjo festë nuk i kushtohet vetëm traditës dhe prodhimeve vendore, por edhe kulturës, dijes dhe krijimtarisë letrare. Pjesëmarrja e krijuesve dhe e nxënësve i dha manifestimit një dimension tjetër kulturor e artistik.

Në këtë mesnëntor, Kraja mori pamjen e një shtëpie të madhe shqiptare, ku miqtë e vjetër ritakoheshin, përqafoheshin dhe shkëmbenin kujtime. Në çdo cep dëgjoheshin biseda, të qeshura e përshëndetje, ndërsa aroma e gështenjave të pjekura përhapej në ajrin e freskët të vjeshtës.

Kjo festë, tashmë traditë dyditore, nuk është vetëm një panair i prodhimeve vendore. Ajo është shumë më tepër: është takim njerëzish, brezash e miqësish; është një urë që lidh vendlindjet, kujtimet dhe dashurinë për rrënjët tona. Nëpërmjet saj, Kraja shpalos pasurinë e vet kulturore, traditën e mikpritjes dhe bukurinë e natyrës buzë Liqenit të Shkodrës.

Duke parë gjithë atë gjallëri, vizitorët e shumtë dhe fytyrat e gëzuara, njeriu ndiente një kënaqësi të veçantë. Sikur për një çast, largësitë të ishin zhdukur dhe të gjithë të ishim kthyer në një sofër të përbashkët shqiptare, aty ku tradita, miqësia dhe malli nuk njohin kufij.Dhe, teksa dita po i afrohej fundit, mbetej një mendim i bukur: Kraja nuk është e harruar përderisa ka njerëz që e duan, që kthehen tek ajo dhe që i ruajnë traditat e të parëve.

Gështenja mund të jetë simboli i festës, por dashuria për Krajën është fryma që e mban atë gjallë.

Krajë,14 nëntor 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok