Mes bukurisë dhe braktisjes – Reportazh nga Xibri malor

0
Hamdi-Hysuka-Xiber

Nga Hamdi Hysuka*

Kur më ftuan të shkoj në Xibër, mes maleve të egra, pa rrugë të shtruara, me pak banorë, ku s’jetohet lehtë, i thirra mendjes, pasionit gazetaresk dhe bashkë me historianin Sefer Duka, inxhinjerin Kujtim Canameti dhe dr. Kurt Kurtin, ish-banor i asaj zone, shkova. Por pashë një realitet të paparë, një botë ku koha duket se ka ndaluar për t’i lënë vend një dyluftimi të heshtur midis braktisjes absolute dhe bukurisë që të zë frymën.

Në prehrin e thyer të Xibrit malor, ku shtrihen Guri i Bardhë, Shkalla, Xibër Hane, Xibër Murrize dhe Keta, malet prekin retë dhe historia bashkohet me heshtjen e së tashmes. Peizazhi është madhështor: pyje, kreshta, ajër i pastër dhe gjelbërim që të ftojnë të ndalesh. Por pas kësaj bukurie fshihet një realitet që nuk mund mos të dhembë.

Shtëpitë e mbyllura, oborret e pushtuara nga bari, rrugët e vështira dhe zërat gjithnjë e më të rrallë të fëmijëve dëshmojnë plagën e emigrimit dhe të largimit drejt qyteteve. Kjo zonë që dikur gumëzhinte nga jeta, sot përballet me pyetjen e rëndë: sa kohë mund të qëndrojë gjallë një vend kur njerëzit e tij largohen?

Jetesa në Xibër është kthyer në formë qëndrese. Kryesisht të moshuarit janë ata që kanë mbetur në trojet e tyre, duke u bërë rojtarët e fundit të vatrave familjare. Por edhe ata pak fëmijë që kanë mbetur e përjetojnë çdo ditë vështirësinë e jetës në këtë terren malor. Për të shkuar në shkollë, disa prej tyre përshkojnë distanca të gjata në këmbë, mes rrugëve të paasfaltuara, baltës, borës dhe të ftohtit.

Shoferi Sami Sula tregon:

-Të dy Xibrat, (Xibër Murrize e Xibër Hane), kanë afërsisht 200 familje. Keta dhe Xibër Hane kanë shkollë 9-vjeçare. Dikur kishte spital me shtretër, por sot s’dihet se ç’emër mund t’i vëmë… Rruga është e vështirë, e paasfaltuar, por ka degëzime në të gjitha lagjet e fshatit.

Qendra e ish-komunës është Varnari, zonë e njohur për pyjet e saj të zhvilluara dhe pasuritë natyrore. Por bukuria e natyrës nuk mund të fshehë mungesat e shërbimeve dhe vështirësitë e përditshme të banorëve.

Banori Rifat Muça sjell në vëmendje një tjetër dimension të kësaj treve, historinë:

-Sipas studiuesve, historikisht, rreth viteve 1400, fshati Keta kishte 700 shtëpi, me xhami dhe kishë, dhe përmendej pas Macukullit. Janë të njohura fiset Muça, Taka, Kurti, Cenaj, Disha, Kala… Mësuesi i parë i Ketës njihet Haqif Muça, ndërsa në mjekësi Shaban Disha.

Pra, kemi të bëjmë me një vend që nuk është thjesht një pikë e largët në hartë. Keta dhe Xibri mbartin histori, tradita, kujtesë dhe një pasuri njerëzore që nuk duhet të humbasë.

Bukuria që sfidon vështirësitë

Historiani dhe studiuesi Sefer Duka e vizitoi Ketën si një vend që ende nuk e kishte njohur nga afër.

-Ftesa për në Ketë, -theksoi ai, -ka qenë dëshirë. Ishte i vetmi fshat në Mat që s’e kishim vizituar. U bëmë bashkë disa shokë të mirë, me dr. Kurt Kurti, ish-banor i asaj zone. E imagjinoja si vend malor, por jo shumë të thyer në reliev. Megjithatë, të gjitha vështirësitë i mbuloi bukuria e këtij vendi, fshat me gjelbërim të theksuar, ajër të pastër, me ndriçim natyror e diell; shkurt, vend i bekuar.

Për Dukën, Keta është njëkohësisht një vend me histori, vend që të imponon respekt për njerëzit që kanë zgjedhur të qëndrojnë.

Sipas tij, ata që jetojnë e punojnë në Ketë janë heronj, sepse çdo ditë përballen me vështirësitë e terrenit dhe të motit. Por kanë edhe lumturinë e tyre, pasi jeta aty është më e gjatë se kudo.

Dr. Kurt Kurti e përmbledh në një fjali shqetësimin kryesor:

-Kur shkolla zbrazet, fshati humbet një pjesë të së ardhmes së tij.

Dhe pikërisht shkolla është vendi ku kjo dramë duket më qartë.

Bankat bosh, alarmi i një fshati

Nëse emigrimi dhe zbrazja e Xibrit mund të maten me një tregues të prekshëm, ai është shkolla.

Shkolla e mesme e bashkuar Xibër dikur ishte një qendër e gjallë arsimore, ku mblidheshin nxënës nga një zonë e gjerë. Sot, numri i tyre është më i vogël dhe çdo vit sjell një tjetër shqetësim.

Drejtuesi i shkollës, Naim Muça, e sheh këtë realitet në regjistra:

-Ka pasur vite që ne konkurronim me shkollat e qyteteve për numrin e nxënësve dhe cilësinë. Sot të vjen keq kur hyn në klasë. Shikon banka ku dikur uleshin tre nxënës dhe tani janë bosh.

Megjithatë, ai vlerëson kushtet e shkollës, përgatitjen e mësuesve dhe bashkëpunimin me komunitetin e pushtetin lokal.

Aktualisht, në rang të Njësisë Administrative Xibër, shkolla e bashkuar, së bashku me shkollat anekse, ka 178 nxënës. Por pas çdo numri fshihet një histori. Një nxënës më pak mund të nënkuptojë një familje që është larguar. Një klasë më pak mund të nënkuptojë disa shtëpi të mbyllura. Një shkollë që zvogëlohet është sinjali se një komunitet po humbet fuqinë për t’u ripërtërirë.

Për mësuesit, kjo është më shumë se një statistikë. Është frika se mos një ditë dyert e shkollës mbeten hapur, por nuk ka më nxënës për t’i mbushur klasat.

Keta, nga 700 shtëpi në 27 nxënës

“Marrsh malet!”, më “mallkoi” një koleg, kur i thashë se jam ftuar të vizitoj fshatin Ketë, ish-komuna Xibër. Por “mallkimin” e hodha pas krahëve dhe vizitën e realizova.

Është nga ato rastet ku një shprehje, në dëgjim të parë, duket si “mallkim”, por në fakt mban brenda një urim të lashtë e të fuqishëm shqiptar.

Kur kolegu më tha “Marrsh malet!”, nuk më uroi diçka të keqe. Në traditën dhe eposin tonë verior, kjo shprehje ka kuptimin: “U bëfsh i fortë, i lartë dhe jetëgjatë si malet!” ose “Të lashtë Zoti sa malet!”. Është urimi për shëndet të plotë, qëndresë dhe jetë të gjatë.

Fshati Ketë në ish-komunën Xibër (në krahinën e Matit) është pikërisht një vend i rrethuar nga male të larta e të ashpra, ndaj ndoshta edhe natyra e vendit ku po shkonim, ia zgjoi kolegut këtë shprehje kaq karakteristike.

Në Ketë, kontrasti mes së kaluarës dhe së tashmes është edhe më i fortë. Kalldrëmet e vjetra, shtëpitë karakteristike dhe peizazhi malor të japin përshtypjen e një vendi me histori të pasur. Por sot shumë prej këtyre shtëpive janë të mbyllura.

Naim Kala e përshkruan Ketën si një vend që meriton të njihet:

-Keta është një vend i veçantë, që ia vlen të vizitohet. Kushtet klimaterike e favorizojnë shumë, po ashtu prodhimet dhe rendimenti, si fasulja, domatja, qepa, patatja, hudhra, qumështi, mishi i bagëtive etj.

Dr. Kurt Kurti kujton madhështinë e dikurshme të fshatit:

-Dikur këtu kishte 700 shtëpi, por një pjesë janë shpërngulur në Shkup.

Sot, shumë prej atyre vatrave presin njerëzit që të kthehen. E megjithatë, te banorët e paktë që kanë mbetur, mikpritja vazhdon të jetë e gjallë. Buka ndahet me bujari dhe mysafiri pritet me atë ngrohtësi që ka karakterizuar gjithmonë banorët e kësaj treve.

Edhe historia e arsimit në Ketë është e hershme. Shkolla e parë u hap më 15 mars 1949, në Kolej, me 32 nxënës të regjistruar nga mësuesi Abaz Fizmani. Drejtuesit e saj ndër vite kanë qenë Hysen Disha, Sami Zeqiri, Bajram Çeka, Xhemal Shquti dhe Veli Kala.

Xhemal Shquti, mësues fizike dhe përgjegjës i shkollës së Ketës, thotë:

-Tanimë jemi mësuar me klasa kolektive, sepse e kemi nisur që në vitin 1991. Këtu shkolla e parë është hapur në vitin 1949, me mësuesin e parë Haqif Muça. Aktualisht numri i nxënësve ka rënë në 27 nxënës, bashkë me anekset.

Shifra është tronditëse: nga një histori e gjatë arsimore, nga një fshat që dikur kishte qindra familje, sot mbeten vetëm pak, dhjetëra nxënës.

Rruga e fëmijëve, rruga e harresës

Një nga pamjet më të dhembshme të kësaj zone janë fëmijët që udhëtojnë drejt shkollës. Kur transporti mungon dhe rruga nuk e lejon lëvizjen e mjeteve, ata ecin. Në dimër, në baltë, në borë dhe në të ftohtë. Çantat janë të rënda, rruga është e gjatë, por destinacioni është shkolla.

Hapat e tyre të vegjël duket sikur përshkojnë jo vetëm kilometrat e malit, por edhe distancën mes nevojave të banorëve dhe investimeve që mungojnë.

Prindërit e dinë se kjo sakrificë nuk mund të vazhdojë pafund. Ata duan arsim për fëmijët e tyre, por duan edhe një rrugë të shtruar, transport, shërbime dhe mundësi që fëmijët të kenë të ardhme në vendlindje.

Nëse rruga e shkollës bëhet çdo ditë provë mbijetese, atëherë largimi drejt qytetit apo emigrimi jashtë vendit bëhet më i lehtë për t’u menduar.

Jo mëshirë, por përgjegjësi

Keta dhe Xibri nuk janë thjesht pika gjeografike të largëta. Ato janë pjesë e historisë dhe e pasurisë njerëzore të Matit. Kjo zonë ka potenciale të rëndësishme për turizmin malor, agroturizmin, bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin. Në kuadër të projektit “Paketa e maleve”, në Njësinë Administrative Xibër janë përcaktuar si zona zhvillimore Ura e Vashës, Xibër-Murriz, Maja Kulbot, Kodër Thekna, Maja e Balzit dhe Splaj-Tejlum. Por zhvillimi nuk mund të nisë vetëm nga projektet në letër.

Pa rrugë të sigurta, pa transport, pa shërbime shëndetësore, pa arsim të qëndrueshëm dhe pa mundësi punësimi, çdo strategji zhvillimi mbetet e cunguar. Prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e banorëve për të qëndruar. Është dhe e institucioneve për të krijuar kushte qëndrimi.

Bashkia Mat dhe institucionet përgjegjëse mund të përcaktojnë qartë prioritetet, afatet dhe fondet për ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, transportin shkollor, shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen e ekonomisë lokale. Vetëm kështu parandalohet largimi i banorëve, që mos të kthehet në zbrazje përfundimtare të zonës. Xibri nuk kërkon mëshirë, kërkon mundësi.

Malet presin njerëzit

Në perëndim të diellit, hijet e maleve shtrihen mbi shtëpitë e Xibrit. Peizazhi mbetet i bukur, por heshtja e tij është gjithnjë e më e rëndë. Malet, pyjet dhe shtëpitë janë ende aty; ajo që po mungon janë njerëzit. Megjithatë, Xibri nuk është histori e mbyllur. Ka banorë që qëndrojnë, fëmijë që shkojnë në shkollë, mësues që punojnë dhe familje që refuzojnë ta braktisin vendlindjen. Kjo do të thotë se ka ende kohë për të ndryshuar drejtimin.

Zona ka histori, natyrë dhe potenciale për turizëm, bujqësi e blegtori. Por këto mundësi nuk mund të shfrytëzohen pa rrugë të shtruara, transport, shërbime shëndetësore, arsim të qëndrueshëm dhe mundësi punësimi.

Xibri nuk kërkon mëshirë. Kërkon kushte për të jetuar dhe punuar. Sepse një fshat nuk shpëtohet duke numëruar shtëpitë e braktisura, por duke krijuar arsye që ato të hapen përsëri.

Banorët kanë zgjedhur të qëndrojnë. Tani mundet që institucionet t’u japin arsye për të mosemigruar.

U larguam nga Keta dhe Xibri me dëshirën për t’u rikthyer përsëri, jo thjeshtë për të parë bukuritë e atij vendi, por ndryshimet që duhen bërë, të cilat i duhen atij komuniteti.

*Klubi letrar “Pjetër Budi” Mat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok