Një shenjë dashurie që udhëton nëpër botë

0

(Për librin studimor të Gjon Markut, “Nënë Tereza në pullat postare të botës” (118 shtete)

Nga Laureta Petoshati

Ka figura që nuk i njeh vetëm përmes historisë. I njeh përmes një ndjenje. Nënë Tereza është një prej tyre. Përmasën e saj kam nisur ta kërkoj prej vitesh në libra, në fjalë, në fotografi, në kujtime, por edhe në atë gjurmën e vogël e të çuditshme që një njeri mund të lërë në ndërgjegjen e botës.

Në vitin 1997, kur doli libri i Anne Sebba-s, “Mother Teresa: Beyond the Image”( “Nënë Tereza: Përtej imazhit”), e lexova anglisht me fjalor në dorë sepse shumë fjalë nuk i dija në atë kohë. Më bëri përshtypje pikërisht sepse autorja nuk e shihte Nënë Terezën vetëm si ikonën e admiruar botërisht, por kërkonte të depërtonte përtej imazhit, në jetën, kohën, dilemat, veprën dhe kundërshtitë që e rrethonin. Ishte një libër që më bëri të mendoj për njeriun përtej legjendës. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2007, libri “Nel cuore del mondo” (“Në zemër të botës”), botuar nga Rizzoli, më afroi me një tjetër Nënë Terezë: me gruan e fjalës, me predikimin, me këshillën, me poezinë dhe me atë gjuhë të thjeshtë e të mbushur me dashuri, që u drejtohej njësoj fëmijëve, njerëzve në nevojë, të pasurve dhe burrave të shtetit. Në këto fjalë ndjeva jo vetëm zërin e një murgeshe, por zemrën e një gruaje që e kishte kthyer dashurinë në mënyrë jetese. Prandaj, kur mora në duar librin e Gjon Markut, “Nënë Tereza në pullat postare të botës (118 shtete)”, ndjeva se po kthehesha sërish tek ajo figurë, por këtë herë nga një derë tjetër: nga dera e filatelisë. Kështu, libri i Gjon Markut nuk më dha vetëm informacion. Më dha një ndjesi. Dhe ndoshta pikërisht këtu fillon magjia e këtij libri, që më tregoi se ka figura që hyjnë në histori përmes monumenteve, të tjera përmes librave, pikturave, skulpturave apo fotografive. Por ka edhe nga ato figura që, pasi bëhen pjesë e ndërgjegjes së njerëzimit, fillojnë të udhëtojnë. Udhëtojnë nëpër libra, nëpër kujtime, nëpër zemra… madje edhe mbi një copëz të vogël letre, siç është një pullë poste.

Në pamje të parë, ajo është e vogël. Por ndonjëherë një pullë mbart një botë të tërë. Ajo vendoset mbi një letër, mbi një kartolinë, mbi një zarf dhe nis udhëtimin e saj nga një njeri te tjetri, nga një qytet te tjetri, nga një shtet te tjetri. Dhe kur mbi të është fytyra e Nënë Terezës, ajo nuk dërgon vetëm një mesazh postar. Ajo dërgon një kujtim, një dëshmi, një vlerë njerëzore.

Këtë udhëtim të jashtëzakonshëm e dokumenton studiuesi Gjon Marku në librin e tij “Nënë Tereza në pullat postare të botës (118 shtete)”. Libri është një vepër studimore, por edhe një album i veçantë i kujtesës. Përmes pullave, autori na tregon jo vetëm ku është shfaqur Nënë Tereza, por edhe si e ka parë bota atë.

Që në fillim, autori na çon drejt historisë së filatelisë dhe ardhjes së pullës postare në Shqipëri, përmes Perandorisë Osmane, konsullatave dhe porteve austriake, italiane e franceze. Dhe pastaj, në këtë histori të gjatë të filatelisë së shtetit shqiptar që nisi më 1 maj 1913, shfaqet afërsisht pas një shekulli një emër që do të bëhej një nga emrat më të njohur shqiptarë në botë: Nënë Tereza. Ajo kishte thënë në ceremoninë e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979: “Për nga gjaku, jam shqiptare. Për nga shtetësia, indiane. Për nga besimi, jam murgeshë katolike. Për sa i përket thirrjes sime, i përkas botës. Për sa i përket zemrës sime, i përkas tërësisht Zemrës së Jezusit.” Pra ajo e shihte veten dhe si shqiptare, por dhe si qytetare të botës. Dhe ndoshta nuk ka dëshmi më të bukur të këtij paradoksi sesa vetë pullat postare, që e tregojnë atë si ajo e përshkroi veten gjatë asaj ceremonie.

Në kapitujt e librit tip albumi, Nënë Tereza shfaqet në forma të ndryshme. Janë pullat me portretin e saj, të emetuara nga dhjetëra shtete, nga Argjentina e Angola, Austria e deri në vende të tjera të largëta të botës si Xhibuti, etj. Dhe mes tyre të tërheq vëmendjen një pullë gjermane me portretin dhe me një nga thëniet më domethënëse të saj: “Varfëria nuk u krijua nga Zoti. Atë e kemi krijuar ne, unë dhe ti, me egoizmin tonë.” Sa shumë kuptim mban kjo pullë!

Por Nënë Tereza nuk është vetëm. Ajo shfaqet pranë Papa Gjon Palit II, me të cilin pati një marrëdhënie të veçantë shpirtërore. Shfaqet edhe në pulla me Princeshën Diana, me Mbretëreshën Elizabeth II, Ronald Reaganin, Nelson Mandelën, Mahatma Gandhin, Yasser Arafatin, Nehru-n, madje edhe me artisten e madhe italiane Gina Lollobrigida. Dhe atëherë lind pyetja: Çfarë i bashkon këto figura kaq të ndryshme , pra një mbretëreshë, një papë, një president amerikan, një udhëheqës indian, një udhëheqës palestinez, një princeshë, një ikonë e kinematografisë dhe një murgeshë shqiptare?

Ndoshta përgjigjja nuk gjendet te pushteti i tyre, as te pozita, fama apo përkatësia e tyre. Përkundrazi, gjendet te njeriu. Nënë Tereza shfaqet si një pikë takimi mes botëve të ndryshme. Ajo qëndron pranë pushtetit pa qenë pjesë e pushtetit. Pranë famës pa kërkuar famë. Pranë njerëzve të mëdhenj të historisë, por duke mbetur gjithmonë pranë më të vegjëlve, më të varfërve, më të braktisurve. Dhe këtu pulla postare bëhet pothuajse një metaforë. Ajo bashkon atë që është larg.

Një nga pamjet më prekëse janë pullat ku Nënë Tereza shfaqet me fëmijët. Një pullë indiane e vitit 1980 mbart fotografinë e saj me një fëmijë në krahë dhe fjalët: “A token of love”, që në shqip do të thotë “Një shenjë dashurie.” Sa bukur tingëllon kjo shprehje për Nënë Terezën! Dhe këtu mendimi më çon te vepra “Pietà” (Mëshira) e Mikelanxhelos. Te Maria që mban në prehër Krishtin. Te vargu i Dantes: “Vergine Madre, figlia del tuo Figlio”, që në shqip do të thotë :”E virgjëra Nënë, bijë e Birit tënd.” Nga Maria te Nënë Tereza, nga mermeri i Mikelanxhelos te letra e një pulle poste, përsëritet një gjest i lashtë dhe i shenjtë: duart e një gruaje që mbajnë jetën dhe dhimbjen e një tjetri. Maria mban Birin. Nënë Tereza mban fëmijën e braktisur. Njëra e mban përmes misterit të mëmësisë hyjnore, tjetra përmes mëmësisë së dashurisë. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, fjalët “Një shenjë dashurie ” marrin një kuptim kaq të thellë: Nënë Tereza vetë u bë një shenjë dashurie.

Edhe takimi i saj me Princeshën Diana merr një dimension të veçantë edhe në pullat postare. Dy gra nga botë krejt të ndryshme, një murgeshë dhe një princeshë, u takuan në një pikë të përbashkët: te njeriu që vuante. Dhe fati deshi që të dyja të largoheshin nga kjo botë për në përmasën tjetër në të njëjtin vit, 1997, vetëm pesë ditë larg njëra-tjetrës.

Pastaj janë pullat shqiptare. Këtu emocionet bëhen edhe më të forta. Sepse Nënë Tereza nuk është vetëm një figurë botërore. Ajo është një bijë shqiptare. Shqipëria e ka vendosur figurën e saj në emetime të ndryshme postare, nga pullat me portretin e saj deri te emetimet për përvjetorë, lumturimin dhe shenjtërimin. Në vitin 2016, kur Nënë Tereza u shpall shenjtore, pulla postare shqiptare u bë përsëri një dëshmi e kësaj lidhjeje të veçantë. Edhe Kosova e ka nderuar në pullat e saj, duke e vendosur figurën e Nënë Terezës në momente të rëndësishme të historisë së saj. Po kështu, edhe Maqedonia e Veriut e ka përfshirë në emetimet postare, në një hapësirë ku kujtesa e saj lidhet me Shkupin, qytetin ku ajo lindi. Kështu, nëpërmjet pullave, krijohet një hartë e jashtëzakonshme: Shkupi, Shqipëria, Kosova, India, Gjermania, Italia, Palestina dhe dhjetëra vende të tjera të botës dhe kjo është një hartë që nuk matet vetëm me kilometra, por që matet me kujtesë.

Libri i Gjon Markut bëhet kështu një lloj atlasi shpirtëror i Nënë Terezës. 118 shtete nuk janë thjesht një numër, për shkak se 118 është vetëm pika e nisjes. Sepse një shtet mund të flasë për Nënë Terezën jo vetëm një herë. Mund ta rikthejë portretin e saj në një tjetër përvjetor, në një tjetër seri, pranë një fëmije, pranë një personaliteti botëror, pranë një mesazhi human. Prandaj kjo vepër nuk na paraqet vetëm 118 dëshmi, por një univers filatelik shumë më të gjerë, në të cilin fytyra e Nënë Terezës përsëritet, udhëton dhe rilind nga një pullë në tjetrën. Dhe ndoshta ky është dimensioni më i bukur i këtij libri. Ai na kujton edhe diçka tjetër që po humbet në kohën tone siç janë letra e shkruar me dorë, zarfi, kartolina, pulla. Sot komunikimi elektronik ka bërë që pulla postare të mos ketë më atë rol që kishte dikur. Një mesazh arrin për pak sekonda. Një fotografi udhëton në çast nga një kontinent në tjetrin. Por një letër e vërtetë ka diçka që ekrani nuk mund ta zëvendësojë. Ajo është prekur nga një dorë. Është futur në një zarf. Është vulosur. Ka udhëtuar. Ka pritur. Dhe më në fund ka mbërritur. E nëse mbi atë zarf është një pullë me Nënë Terezën, duket sikur bashkë me letrën ka ardhur edhe një bekim i vogël.

Ndoshta prandaj një familje mund të ndiejë një gëzim të veçantë kur postieri sjell një kartolinë apo një letër me një pullë të bukur. Sepse aty nuk është vetëm posta. Është kujtesa. Është pritja. Është lidhja njerëzore. Dhe Nënë Tereza, e cila gjatë gjithë jetës së saj u përpoq të lidhte njeriun me njeriun, vazhdon edhe sot të bëjë të njëjtën gjë. Vetëm se tani udhëton mbi pulla.

Kjo është arsyeja pse libri i Gjon Markut është më shumë se një katalog filatelik. Ai është një dokument i kujtesës kulturore, një dëshmi e përhapjes botërore të figurës së Nënë Terezës dhe një album ku historia, feja, arti, filatelia dhe humanizmi takohen. Dhe në fund të këtij udhëtimi mbetet një imazh i vetëm: Një grua e vogël në trup, me një sar të bardhë e blu, që mban një fëmijë në krahë.

Diku, mbi një pullë, janë shkruar fjalët: “Një shenjë dashurie.” Ndoshta ky është edhe përkufizimi më i thjeshtë dhe më i bukur i gjithë këtij libri për një grua që u bë shenjë dashurie për botën dhe që, përmes pullave postare, vazhdon të udhëtojë nga zemra në zemër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok