SHËN NËNË TEREZA: FIGURA QË I TREGOI BOTËS ANËN MË TË BUKUR TË SHPIRTIT SHQIPTAR
Në përvjetorin e lindjes
Nga Frank Shkreli*
Më 26 gusht, në ditëlindjen e saj, le ta kujtojmë Shën Nënë Terezën jo vetëm me fjalët e zakonshme të krenarisë kombëtare, por duke kujtuar veprën dhe mesazhin që ajo i la njerëzimit. Shën Nënë Terezën jo vetëm si figurë shqiptare me përmasa botërore, por edhe si një dëshmi të vlerave njerëzore që shqiptarët mund t’i përfaqësojnë në botë. Nënë Tereza i tregoi botës jo anën e konfliktit, vuajtjes apo ndarjeve që shpesh lidhen me historinë shqiptare, por anën më të bukur të shpirtit shqiptar: identitetin, mëshirën, bujarinë, dashurinë për tjetrin dhe sakrificën njerëzore. Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf
Ajo ishte shqiptare me origjinë, indiane me shtetësi dhe katolike me besim, por misionin e saj njerëzor e shtriu përtej çdo kufiri gjeografik. Pikërisht kjo e bën figurën e saj të veçantë. Ajo nuk e përfaqësoi Shqipërinë e shqiptarët me fjalë të mëdha, por me një jetë të tërë kushtuar njeriut në nevojë. Agnes Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, në një familje shqiptare. Por rëndësia e kësaj prejardhjeje nuk qëndron vetëm te një të dhënë biografike. Në jetën e Nënë Terezës, identiteti shqiptar mbeti një pjesë e rëndësishme e vetëdijes së saj. Në një intervistë të vitit 1995, ajo e përcaktoi vetë identitetin e saj kombëtar me një qartësi të jashtëzakonshme: “Me gjak jam shqiptare. Me shtetësi, indiane. Me besim, jam murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes time, i përkas botës.” Këtu ndodhet ndoshta një nga çelësat për ta kuptuar madhështinë e saj. Nënë Tereza nuk e shihte identitetin e saj kombëtar si mur që ndanë njerëzit, por si një rrënjë prej së cilës mund të rritet dashuria për të gjithë. Ajo nuk u bë më pak shqiptare sepse i shërbeu botës. Përkundrazi, përmes saj, emri shqiptar u shqiptua në një gjuhë që bota e kuptonte menjëherë, në gjuhën e mëshirës, të shërbimit dhe të dinjitetit njerëzor.
Në moshën 18-vjeçare, Gonxhe Bojaxhiu u largua nga familja dhe iu bashkua Motrave të Loretos. Pas një periudhe formimi në Irlandë, ajo shkoi në Indi, ku fillimisht punoi si mësuese. Më vonë, përballja me varfërinë dhe vuajtjet në Kalkutë e çoi drejt një misioni të ri. Në vitin 1950, Selia e Shenjtë miratoi themelimin e Misionareve të Bamirësisë, kongregacioni që do të bëhej instrumenti kryesor i veprës së saj. Ajo zgjodhi të ishte pranë atyre që shoqëria i kishte lënë në skaj: të varfërve, të sëmurëve, jetimëve, njerëzve pa familje dhe atyre që po përballeshin me vdekjen. Në vitin 1952 ajo themeloi në Kalkutë një shtëpi për të sëmurët terminalë, duke u dhënë atyre një gjë që shpesh u mungonte më shumë se çdo ilaç: dinjitetin njerëzor.
Kjo ishte madhështia e Nënë Terezës. Ajo nuk premtoi se do ta zhdukte varfërinë nga bota. Ajo bëri diçka më të drejtpërdrejtë: u përpoq të mos e linte njeriun e braktisur vetëm përballë saj. Në vitin 1979, bota e njohu zyrtarisht këtë vepër duke i dhënë Çmimin Nobel për Paqe “për punën e saj në sjelljen e ndihmës ndaj njerëzimit që vuante”. Ishte një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj dhe njëkohësisht një moment i veçantë edhe për shqiptarët: një bijë e një familjeje shqiptare nga Shkupi shqiptar, ishte bërë një nga figurat më të njohura morale të shekullit XX. Frank Shkreli: Një reflektim për paqë e pajtim ndër shqiptarë! 45-vjet më parë Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqë | Gazeta Telegraf
Por madhështia e saj nuk përfundoi me Nobel-in. Më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.
Kështu, Gonxhe Bojaxhiu u bë Shën Nënë Tereza e Kalkutës, por për shqiptarët ajo mbeti edhe Gonxhja shqiptare që u nis nga Shkupi dhe arriti të bëhej figurë universale. Frank Shkreli: Amerika për Nënë Terezën – Rastësi apo Dora e Zotit në veprim? “Prej sot je bijë e Amerikës ” | Gazeta Telegraf
Dhe këtu qëndron një mësim që meriton të përsëritet. Historia shqiptare është e pasur me figura që kanë luftuar, sakrifikuar, shkruar e vepruar për lirinë dhe mbijetesën e Kombit. Nënë Tereza përfaqëson një dimension krejt tjetër të kësaj historie. Atë të shqiptarit që nuk e ngre zërin për të dëshmuar madhështinë e vet, por e dëshmon atë përmes veprës. Ajo i tregoi botës se edhe nga një popull i vogël mund të dalë një figurë me përmasa universale. Dhe këtë nuk e bëri duke kërkuar privilegj për veten, por duke ua dhënë të tjerëve kohën, forcën, dashurinë dhe jetën e saj. Në një botë të lodhur nga konfliktet, urrejtjet dhe ndarjet, Nënë Tereza u bë një dëshmi e fuqisë së mirësisë. Përmes saj, shqiptarët nuk u njohën vetëm si një popull i historisë së Ballkanit, por edhe si një popull që i dha njerëzimit një figurë të jashtëzakonshme të dashurisë dhe shërbimit. Kjo është ndoshta arsyeja pse Nënë Tereza mbetet një nga ambasadoret më të fuqishme të identitetit shqiptar në botë. Frank Shkreli: Nënë Tereza dhe diplomacia e vlerave | Gazeta Telegraf
Ajo nuk kishte ushtri. Nuk kishte pushtet politik. Nuk kishte pasuri personale. Kishte vetëm besimin e saj, duart e saj dhe gatishmërinë për t’iu gjendur pranë njeriut që vuante. Dhe me këto mjete të thjeshta, një grua shqiptare nga Shkupi shqiptar arriti të prekë ndërgjegjen e botës.
Shën Nënë Tereza nuk i tregoi botës vetëm se ishte shqiptare. Ajo i tregoi botës anën më të bukur të asaj që mund të jetë shpirti shqiptar: zemrën që hapet për tjetrin, dorën që ndihmon, sakrificën pa zhurmë dhe dashurinë që nuk pyet se nga vjen njeriu. Ky është një trashëgim që shqiptarët duhet ta ruajnë jo vetëm si krenari kombëtare, por mbi të gjitha si përgjegjësi morale. Frank Shkreli: Në ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore, por nuk ishte gjithmonë kështu! | Gazeta Telegraf
Keshtu ta kujtojme Gonxhe Bojaxhiu në ditelindjen e saj 26 gusht, 1910 — vajzën shqiptare që më vonë bota do ta njihte si Nënë Tereza dhe Kisha Katolike si Shën Tereza e Kalkutës. Sot, më shumë se një shekull pas lindjes së saj, emri i saj vazhdon të ketë një jehonë që i kapërcen kufijtë e kombeve, feve dhe kontinenteve. Ajo na kujton se madhështia e njeriut nuk matet me pushtetin që zotëron, por me të mirën që u bën të tjerëve. Prandaj, nga 26 gusht deri më 4 shtator, “Ditët e Shën Nënë Terezës” — Katedralja Nënë Tereza – Mother Teresa Cathedral – Prishtinë | Facebook –shqiptarët kanë një arsye të veçantë për ta kujtuar. Jo vetëm sepse Gonxhe Bojaxhiu ishte shqiptare, por sepse përmes jetës së saj bota njohu një prej anëve më të bukura të shpirtit shqiptar. Ta kujtojmë Shën Nënë Terezën me respekt, me krenari dhe mbi të gjitha me veprat tona. Sepse trashëgimia më e madhe e saj nuk është vetëm emri që ajo na la, por shembulli që na kërkon të ndjekim.
Gëzuar ditëlindjen, Shën Nënë Tereza! 26 gusht 1910
Frank Shkreli
*Gjatë viteve, autori ka botuar një numër shkrimesh kushtuar jetës, veprimtarisë dhe rolit të Nënë Terezes si një ndër figurat më të njohura në botë.
