ULQINI DHE POLITIKA E MALIT ZI 1881-1912
NJË VEPËR QË RUAN KUJTESËN HISTORIKE SHQIPTARE
Në kujtim të mësuesit tim dhe historianit të Ulqinit Mr Riza Rexha
në 10-vjetorin e kalimit në amshim
Nga Frank Shkreli
“Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912” – një vepër që na rikthen te një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë shqiptare. Në jetën time kam takuar njerëz që i kam njohur në një periudhë të jetës por i kujton gjithmonë për atë që ishin për ty në atë kohë. Por ka edhe njerëz, rëndësinë e të cilëve e kupton më mirë vetëm me kalimin e viteve. Për mua, Profesor Riza Rexha është njëri prej tyre. Kam pasur nderin që Riza Rexha të ishte mësuesi im në shkollën 8-vjeçare “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf. Në ato vite, (1961-65) për ne nxënësit, ai ishte njëri prej mësuesve tanë më të mirë. Nuk mund ta dinim atëherë se njeriu që na fliste në klasë ato vite, do t’i kushtonte më vonë një pjesë të madhe të jetës së tij studimit, dokumentimit dhe shkrimit të historisë së Ulqinit dhe të shqiptarëve të asaj treve. Sot, kur lexojmë veprat e tij, e kuptojmë më mirë madhështinë e asaj pune.
Riza Rexha ka lindur më 7 shkurt 1935 në Këllezën të Ulqinit. Ka studiuar historinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe është diplomuar në vitin 1968. Pas diplomimit, punoi si mësues i historisë në shkollën e mesme të Ulqinit, ndërsa më vonë ka shërbyer në administratën publike të qytetit deri në pensionimin e tij në vitin 1991. Krahas punës si pedagog, ai iu përkushtua kërkimit shkencor dhe ka mbrojtur magjistraturën me temën, “Ulqini 1918–1945”.
Por, historia e Ulqinit për Riza Rexhën nuk ishte thjesht një fushë akademike. Ishte historia e vendlindjes së tij, e njerëzve të saj dhe e një treve shqiptare që kishte kaluar nëpër periudha të vështira politike e historike. Këtë e dëshmojnë edhe veprat e tij. Në vitin 1998 mësues Rizaja ka botuar studimin “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878–1881”, ndërsa në vitin 2005, nga Art Club në Ulqin, është botuar vepra e tij, “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912” — një studim prej 209 faqesh që trajton një periudhë vendimtare të historisë së qytetit dhe të shqiptarëve të tij. Ulqini pas vitit 1881. Titulli i librit është i qartë dhe, njëkohësisht, shumë domethënës, “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912”. Viti 1881 nuk është zgjedhur rastësisht. Ai vit shënon një kthesë dramatike në historinë e Ulqinit. Pas Kongresit të Berlinit dhe përballjes diplomatike të Fuqive të Mëdha me çështjen e territoreve shqiptare, Ulqini iu dorëzua Malit të Zi. Rezistenca shqiptare, veçanërisht ajo e lidhur me Lidhjen e Prizrenit, e bëri Ulqinin një simbol të qëndresës shqiptare ndaj vendimeve të marra në tryezat diplomatike evropiane. Por historia nuk përfundoi me dorëzimin e qytetit. Pikërisht këtë periudhë të mëvonshme merr në shqyrtim hsitoriani dhe mësuesi im Riza Rexha. Ai ndjek politikën e Malit të Zi ndaj Ulqinit dhe shqiptarëve të tij, duke e parë atë në një kontekst më të gjerë politik, shoqëror dhe demografik. Kjo është një nga meritat e veprës së tij ku Ulqini nuk trajtohet vetëm si një episod i vitit 1880–1881, por si një proces historik që vazhdoi deri në prag të krijimit të shtetit shqiptar, me 1912. Përmes kësaj qasjeje, libri na ndihmon të kuptojmë se ndryshimi i një kufiri politik nuk ishte thjesht një akt diplomatik. Pas tij qëndronin njerëz, familje, prona, vendbanime, identitete dhe një komunitet që duhej të përballej me një realitet të ri politik. Profesor Riza Rexha i kushton vëmendje edhe shpërnguljeve të shqiptarëve nga Ulqini dhe rrethina, një proces që la gjurmë të thella në strukturën shoqërore dhe demografike të kësaj treve. Studimet e mëvonshme mbi historinë e Ulqinit i janë referuar shpesh punës së tij për këto zhvillime.
Një punë që kishte nisur shumë më heret, “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912” nuk ishte një punë e shkëputur nga veprimtaria e Riza Rexhës. Ai kishte vite që merrej me historinë e qytetit. Që në vitin 1988, në revistën Lemba, kishte botuar studimin “Ulqini dhe diplomacia evropiane në vitin 1878”. Kjo tregon se interesimi i tij për fatin politik të Ulqinit dhe për rolin e diplomacisë evropiane ishte pjesë e një kërkimi të gjatë dhe të vazhdueshëm. Në këtë kuptim, veprat e Rexhës mund të lexohen edhe si një përpjekje për të ndërtuar një histori të dokumentuar të Ulqinit, Duke filluar nga Kongresi i Berlinit dhe Lidhja e Prizrenit, deri te vendosja e administrimit malazez dhe zhvillimet që çuan deri në vitin 1912. Ai nuk shkroi vetëm për të kaluarën. Ai u përpoq të ruante kujtesën historike të një vendi, të vendit ku kishte lindur.
Mësuesi im që u bë historian! Për mua, megjithatë, Riza Rexha ka edhe një dimension tjetër. Kur shoh sot veprat e tij, më kthehet kujtimi te shkolla “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Aty, ku pothuaj 6-dekada më parë, ai ishte mësuesi im, por jo i vetmi që ka lënë gjurmë. Frank Shkreli: Ndërroi jetë pionierja e arsimit kombëtar në Anë të Malit | Gazeta Telegraf Në atë kohë nuk mund ta dinim se sa e rëndësishme do të bëhej puna e tij, më vonë. Për ne nxënsit ai ishte një mësues që na mësonte. Ka një simbolikë të bukur në këtë rrugëtim sepse njeriu që na mësonte në bankat e shkollës, më vonë u bë një nga njerëzit që ndihmuan për ta shkruar dhe dokumentuar historinë e vendit të tij cdhe tonit. Ndoshta ky është një nga përkufizimet më të bukura për një mësues të mirë. Ai nuk përfundoi punën e tij kur mbaronte ora e mësimit. Ai vazhdon të jetojë në kujtesën e nxënësve të tij si unë e shumë të tjerë dhe në atë që ne kemi marrë me vete nga ajo shkollë dhe nga mësues si I paharrueshmi, Riza Rexha.
Një historian i përkushtuar ndaj së vërtetës, veprimtaria e mësuesit Riza Rexhës nuk mbeti pa u vlerësuar. Në vitin 1998 ai u nderua me çmimin e Art Clubit, ndërsa në vitin 2014 Kuvendi i Komunës së Ulqinit i dha “Mirënjohjen e Ulqinit”, dekoratën më të lartë të komunës, për kontributin e tij. Pas vdekjes së tij në vitin 2016, veprat e tij u rikthyen në vëmendje përmes veprimtarive përkujtimore dhe promovimeve të organizuara në Ulqin. Kjo ishte një dëshmi se puna e tij nuk ishte harruar dhe se ajo vazhdonte të kishte vlerë për komunitetin dhe për studiuesit e historisë së Ulqinit. Sot, kur flasim për librin “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912”, duhet të kujtojmë edhe njeriun që qëndron pas tij sepse ky nuk është vetëm një libër për një periudhë historike. Është rezultat i punës së një studiuesi që e pa historinë e Ulqinit si një detyrë ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që do të vinin pas tij. Libri i Riza Rexhës. “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912” nuk është vetëm një libër për Ulqinin. Është një libër për kujtesën shqiptare, për fatin e trojeve shqiptare dhe për nevojën që historia të dokumentohet para se të harrohet. Riza Rexha e bëri këtë me përkushtimin e një pedagogu, me këmbënguljen e një studiuesi dhe me dashurinë e një ulqinaku për vendlindjen e tij.
Ulqini si kujtesë shqiptare, është një nga ato qytete ku historia shqiptare duket në çdo shtresë të së kaluarës. Historia e tij na kujton periudhën kur trojet shqiptare u bënë objekt i rivaliteteve të Fuqive të Mëdha dhe i projekteve territoriale të shteteve grabitse ballkanike. Na kujton Lidhjen e Prizrenit, qëndresën shqiptare, dramën e vitit 1881 dhe më pas përpjekjet e një popullsie për të ruajtur identitetin dhe lidhjen me vendin e vet. Prandaj, të studiosh Ulqinin nuk do të thotë vetëm të shikosh pas. Do të thotë gjithashtu të kuptosh më mirë se si është formuar historia politike e shqiptarëve në Ballkan. Dhe kjo është arsyeja pse libri i Riza Rexhës meriton të rikthehet në duart e lexuesve të rinj. “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881–1912” është një libër për Ulqinin, por edhe një libër për kujtesën dhe të vërtetën e historisë shqiptare. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf. Për mua, ky libër ka edhe një kuptim personal. Kur e shoh emrin e Riza Rexhës në kopertinë, nuk shoh vetëm historianin. Shoh edhe mësuesin tim në Katërkollë, të 5-6 dekadave më parë. Dhe ndoshta kjo është mënyra më e bukur për ta kujtuar një mësues të dashur, duke lexuar atë që ai la pas dhe duke kuptuar se mësimet e tij nuk përfunduan me vitet e shkollës fillore. Riza Rexha ishte mësuesi që na mësoi. Më vonë, ai u bë një nga historianët që ndihmuan të mos harrohet historia e Ulqinit. Kjo është dhe do mbetet trashëgimia e tij. Dhe kjo është arsyeja pse vepra e tij meriton të kujtohet, të lexohet, të msëohet dhe t’u përcillet sot brezave të ardhëshëm.
Lavdi mësuesve dhe mësueseve të mia të shkollës “Bedri Elezaga” në Katërkollë, 1960-65. Me mirënjohje dhe respekt të thellë kujtoj ata burra dhe ato gra që më dhanë dijen, më mësuan të dua librin, gjuhën shqipe dhe vendlindjen. Vitet kalojnë, brezat ndërrohen, por mësuesi mbetet në kujtesën e nxënësit për gjithë jetën. Fjalët, këshillat dhe mësimet e tyre vazhdojnë të jetojnë edhe shumë vite pasi kemi lënë bankat e shkollës.
Për mua, “Bedri Elezaga” në Katërkollë nuk është vetëm një shkollë e së kaluarës. Për mua dhe për shumë nxënës të gjeneratës time, ishte një pjesë e rëndësishme e formimit tim njerëzor dhe intelektual. Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf. Lavdi dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit dhe mësueset e mia! Përulësisht, faleminderit për gjithçka që më dhatë.
