DY AMERIKANË NË HAGË, PËRBALLË
NGA NDUE DEDAJ
Është fjala për zotërinjtë Uesli Klark dhe Çarls Smith. Do të kalojë kohë e njëri, gjenerali do të jetë në histori, kurse tjetri në pension, jo se një gjykatës nuk mund të hyjë në histori. Klark do të përmendet si komandanti suprem amerikan i NATO-s që udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës nga genocidi serb, Smith si gjykatësi që dha vendimin në shkallë të parë kundrejt katër drejtuesve të UÇK-së, 27 vjet pas përfundimit të Luftës së Kosovës, që mund ta rrëzojnë gjykatat më të larta. Kaq për të dytin, nuk mund të thuhet më shumë. A, po, që vendimin e dha “në emër të popullit të Kosovës”, e cila të dënuarin kryesor të procesit më 25 vjet heqje lirie e pati për kryeministër e president të vendit edhe në çastin e arrestimit. Të tjerët, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare, mund ta qortojnë procesin se paraburgimi i katërshes zgjati 6 vjet, sa askund tjetër, se shkas u bë legjenda e “Shtëpisë së verdhë” për trafikim organesh në një fshat të largët te Matit, që kurrë nuk u vërtetua se ka ekzistuar, “misterin” e së e mori me vete një emër tashmë i harruar Dick Marty.
Mbas datës 16 shtator, vendimi i Gjykatës Speciale për dënimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk do të përbëjë më lajm, ai nuk do t’i rëndojë Kosovës, por vetëm katër të dënuarve dhe familjeve të tyre. Lajm do të kishte qenë nëse ata do të dilnin në liri dhe nuk do të “barazoheshin” me gjeneralët serb të dënuar nga Haga si shfarosës të popullsisë civile. Por ndërkohë që gjykata i shpalli fajtorë, Klark ka dëshmuar po në atë gjykatë, faqe gjithë botës, pafajësinë e tyre, duke deklaruar se drejtuesit e UÇK-së nuk kishin kryer krime lufte, se Thaçi kishte pozicion politik dhe jo ushtarak etj. E thotë këtë ai që, si me thënë, ishte i zoti i punës, i cili në asnjë rrethanë nuk do të bashkëpunonte me kriminelë luftë të asnjë kombësie. Kësisoj, më parë se të udhëtonte drejt Kosovës gjykata për të zbuluar krime, patën udhëtuar bashkëfitimtarët e Luftës së saj, Presidenti Klinton dhe Sekretarja Ollbrajt, që jo më kot kanë dhe shtatoret në Prishtinë. Kjo është historia dhe kështu do të jetë, pasi ajo nuk vendoset nga gjykata, ashtu si as luftërat çlirimtare, as piedestalet. “Gjykata” që nënshkroi lirinë dhe drejtësinë e Kosovës ishte familja martire Jashari në Prekaz dhe shumë masakra të tjera që u kryen nga ushtria serbe duke nisur nga Reçaku. Asnjë gjykim politik, juridik, penal etj. nuk mund të jetë i drejtë nëse del jashtë kontekstit historik dhe nuk sheh dhe sot me sytë e at’hershëm dëbimin e përdhunshëm biblik të popullsisë së Kosovës prej trojeve të veta nga regjimi kriminal i Millosheviçit, që e ktheu rajonin ish – jugosllav të Ballkanit në një varrezë masive në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX.
Kjo nuk është retorikë patriotike, por historia politike që çoi në krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Të rënët e saj u vranë në tokën e tyre dhe jo duke luftuar kundër ndonjë populli tjetër. Kosova nuk ka qenë një xhungël, por një tokë ballkanike nën monitorimin ndërkombëtar gjatë Luftës dhe pas saj. Europa ka qenë e pranishme aty nga dita e parë e lirisë, me misionet UMNIK dhe EULEKS. Rastet e shkëputura kriminale askush nuk thotë të mos zbulohen e dënohen me prova, duke dhënë drejtësi për viktimat, pavarësisht statusit të personit të përfshirë në krim. Mungesa e dhënies së drejtësisë për ta do të gjymtonte Luftën. Për të mos thënë se ajo duhej të kishte ndodhur tashmë. Kurse dënimet në grup, pa pasur grup kriminal, me të njëjtat formulime të përgjithshme të aktakuzës të lënë shije të hidhur në një Europë demokratike.
Për ta mbyllur, kthehemi te dy zotërinjtë e fillimit. Zoti Klark e di shumë mirë se vendimet e gjykatave nuk kundërshtohen, megjithatë ai e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin kryer krime lufte. Vetë ajo gjykatë e rrëzoi akuzën e parë dhe më të rëndën, për krime kundër njerëzimit. Nesër mund të bjerë dhe akuza që u shqiptua, në emër të trupit gjykues, prej zotit Smith më 16 shtator 2026, çka urojmë të ndodhë.
