FIGURAT TONA EMBLEMATIKE KOMBËTARE NUK NA KANË NDARË ASNJËHERË DHE KURRË NUK DO TË NA NDAJNË!

0
Bogdani-Kastrioti-Jashari

Shkruan: Lekë Mrijaj

Inaugurimi i djeshëm i monumenteve kushtuar tri figurave madhore të kombit shqiptar, në oborrin e Kishës Katolike në Llapushnik, më la mbresa të veçanta. Pikërisht kjo ngjarje më nxiti të meditoj dhe të ndaj disa mendime me të gjithë ata që e duan, e çmojnë dhe e respektojnë historinë tonë kombëtare. Pra, unë ashtu siç e admiroj Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Imzot Pjetër Bogdanin, me të njëjtin respekt e krenari i admiroj edhe rilindësit tanë kombëtarë, me në krye Naim Frashërin, veprimtarët e Pavarësisë, me në krye Ismail Qemalin, si dhe personalitetet e shquara të historisë sonë më të re: Shën Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun), Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin dhe shumë figura të tjera markante heroike kombëtare që i dhanë emër, dinjitet dhe lavdi kombit shqiptar.

Të gjitha këto figura, pavarësisht kohës kur jetuan, besimit fetar apo rrugës që ndoqën, dhanë ndihmesë të çmuar për popullin shqiptar. Disa luftuan për liri dhe pavarësi, disa punuan për gjuhën, arsimin dhe kulturën, ndërsa të tjerë u dalluan për paqen, humanizmin dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Secili prej tyre, në mënyrën e vet, la gjurmë të rëndësishme në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Këto personalitete të përmendura më lart nuk i përkasin vetëm një familjeje, feje, krahine, ideologjie apo grupimi politik.

Përkundrazi, ato janë pasuri e përbashkët e historisë dhe e kujtesës sonë kombëtare. Prandaj, çdo shqiptar ka të drejtë t’i nderojë, t’i respektojë dhe të ndihet krenar për veprat e tyre. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që mendësitë përçarëse, fanatizmi fetar, sjelljet e pahijshme apo interesat e ngushta politike t’i njollosin këto figura dhe të krijojnë ndasi mes shqiptarëve. Historia na ka mësuar se përçarjet e kanë dobësuar popullin tonë, ndërsa bashkimi, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë e kanë ndihmuar të përballojë vështirësi të mëdha.

Skënderbeu, Bogdani, Naimi, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Rugova dhe Jashari e heronjtë e atdheut tonë, nuk na përçajnë, por na bashkojnë! Secili prej tyre, në kohën dhe misionin e vet, i shërbeu një qëllimi më të madh se vetvetja: lirisë, dinjitetit dhe së ardhmes së popullit shqiptar.

Shqiptarët (qofshin katolikë, myslimanë, ortodoksë apo të bindjeve të tjera), kanë një histori të përbashkët dhe një përgjegjësi të përbashkët për ta ruajtur atë. Besimet dhe bindjet tona mund të jenë të ndryshme, por këto dallime nuk duhet të bëhen kurrë shkak për urrejtje, fyerje apo përçarje ndërmjet nesh. Përkundrazi, ato duhet të na nxisin të kultivojmë ndër breza, mirëkuptimin dhe respektin për njëri-tjetrin.

Figurat tona emblematike kombëtare nuk kanë nevojë të përvetësohen nga askush, por të respektohen nga të gjithë. Ato nuk duhet të shërbejnë për ndarje, por për bashkim.

T’i nderosh këto figura do të thotë të respektosh historinë, sakrificën dhe vlerat që ato përfaqësojnë. Askush nuk duhet ta përdorë emrin e tyre për të fyer besimin, prejardhjen apo bindjet e shqiptarëve të tjerë. Mbi çdo dallim fetar, krahinor apo politik duhet të qëndrojë dinjiteti ynë kombëtar.

Prandaj, nuk shoh asgjë të keqe në vendosjen e monumenteve të tri figurave të shquara shqiptare, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Imzot Pjetër Bogdanit dhe Adem Jasharit, në oborrin e Kishës Katolike në Llapushnik. Kisha është një vend i shenjtë për besimtarët shqiptarë katolikë, por nderimi i këtyre personaliteteve ka një kuptim më të gjerë, sepse ata i përkasin gjithë kombit shqiptar. Vendosja e tyre së bashku përcjell një mesazh të rëndësishëm: historia dhe vlerat kombëtare mund të na bashkojnë, pavarësisht dallimeve tona. Po kështu, nuk shoh asgjë të keqe as në ndërtimin e Muzeut të Pajtimit të Gjaqeve, kushtuar veprës së profesor Anton Çettës dhe bashkëpunëtorëve të tij, në fshatin Bubavec të Malishevës. Kjo nismë, e ndërmarrë me përkushtimin e mulla Xhevat Kryeziut, meriton respekt dhe vlerësim të veçantë, sepse nderon një nga veprimtaritë më fisnike të historisë sonë të afërt: pajtimin, faljen dhe bashkimin e shqiptarëve. Mulla Xhevat Kryeziun e admiroj dhe e respektoj personalisht për këtë veprim fisnik, ashtu siç besoj se e vlerësojnë edhe shumë qytetarë të Drenicës, të Dukagjinit dhe të mbarë Kosovës. Nisma të tilla dëshmojnë se respekti për figurat tona kombëtare nuk njeh kufij fetarë dhe se vlerat e përbashkëta janë më të forta se dallimet tona.

Nëse në oborrin e një kishe katolike mund të nderohen së bashku Skënderbeu, Bogdani dhe Jashari, atëherë pse të mos ndërmerren nisma të ngjashme edhe në oborret e xhamive në Kosovë dhe Shqipëri?

Përse të mos vendosen, me mirëkuptimin e bashkësive fetare dhe në përputhje me traditat e tyre, monumente kushtuar këtyre figurave dhe personaliteteve të tjera të shquara të kombit shqiptar?

Nisma të tilla, të mbështetura në respektin e ndërsjellë, nuk do të na ndanin, por do të na afronin edhe më shumë. Ato do të dëshmonin se shqiptarët, pavarësisht besimit fetar, dinë të bashkohen rreth historisë, kulturës dhe vlerave të tyre të lavdishme kombëtare. Nderimi i personaliteteve historike nuk duhet të kufizohet nga përkatësia fetare, por të mbështetet në kontributin që ato kanë dhënë për popullin dhe atdheun.

Ne duhet t’i nderojmë figurat tona historike me respekt dhe mirënjohje, pa i gjykuar përmes dallimeve fetare, krahinore apo politike. Të respektosh një personalitet kombëtar që i përket një besimi tjetër nuk do të thotë të heqësh dorë nga besimi yt, por të dëshmosh kulturë, pjekuri dhe vetëdije kombëtare.

Historia jonë ka dëshmuar se shqiptarët kanë ditur të qëndrojnë së bashku në çastet më të vështira, pavarësisht dallimeve që kanë pasur. Prandaj, edhe sot kemi për detyrë ta ruajmë këtë trashëgimi, duke mos lejuar që figurat që na kanë bërë krenarë të kthehen në shkak përçarjeje. Nuk duhet të harrojmë se respekti për besimin e tjetrit dhe dashuria për kombin nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund të bashkëjetojnë dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet nesh.

Figurat tona emblematike kombëtare nuk na kanë ndarë asnjëherë dhe kurrë nuk do të na ndajnë. Ato janë dhe do të mbeten ura që lidhin shqiptarët, sepse historia, gjuha, kultura dhe dashuria për atdheun janë vlera që na përkasin të gjithëve. Besimet mund t’i kemi të ndryshme, por atdheun, historinë dhe përgjegjësinë për të ardhmen i kemi të përbashkëta. Mbi të gjitha, ne jemi dhe do të mbetemi SHQIPTARË!

Klinë, më 23 nëntor 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok