Një lajm i pikëllueshëm për Kosovën

0
Ushtria-Clirimtare-Kosoves

Nga Ndue Ukaj

“Në emër të popullit…” – janë kryer padrejtësi e krime të llahtarshme në historinë njerëzore, prandaj formulimet e tilla, që i dëgjuam dje në Hagë, janë të padrejta dhe të pasakta. Më shumë tingëllojnë si  formulime të një kohe – jo shumë të largët – kur në emër të drejtësisë popullore bëheshin spektakle të neveritshme, për rrjedhojë padrejtësi të mëdha.

Nuk besoj të ketë gjykatë ndërkombëtare, që të mos jetë edhe njëlloj ngrehe politike. Sepse, në thelb, këto gjykata “materien” e parë të punës e marrin në terrenin politik, ushqehen prej politikës e varen prej saj, dhe në aktgjykimet e tyre, shpesh e përdorin kompasin politik në vend të atij të drejtësisë.

Gjykata Speciale, që dje dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me një përshkrim, që për mendimin tim i ngjante një referati të dobët politik, është një ngrehë politike, një gjykatë, arkitekturën e së cilës e kanë krijuar kundërshtarët e Kosovës, Serbia, tok me aleatë të saj, me një qëllim të vetëm, për të krijuar një baraspeshë morale në histori, që përmes kësaj baraspeshe, të fitojnë terren për manovra politike kundër shqiptarëve.

Kësaj kauze, fatkeqësisht, i ka ndihmuar shumë hutimi shqiptar, krizat e brendshme politike, fragmentimi shoqëror, si dhe pamundësia që t’i mishëronim në plotni vlerat e lirisë e të demokracisë perëndimore.

Duke tentuar të përmbysë të vërtetën historike, Serbia, veç tjerash do t’i sheh shqiptarët të këputur nga lidhjet me perëndimin, duke e ditur se kështu fiton terren për ta dëmtuar shtetin e Kosovës, delegjitimuar intervenimin e NATO-s, dhe për rrjedhojë, për ta minuar ekzistencën e shtetit tonë.

Dhe me këtë dënim, Serbia, e ka mbushur plot hambarin e vet politik, për ta ushqyer racizmin antishqiptar, brenda, dhe njëkohësisht, për ta përdorur që të fitojë terren në botën perëndimore, ku ne, kemi pushuar të jemi pjesëmarrës si faktor pozitiv.

Çfarë kemi bërë ne, ose më saktë, çfarë bëjmë ne?

Hajmë fiq e kastravecë e qesim petulla në ujë, do të qesëndisej Gjergj Fishta, të cilin, shqiptarët, mjerisht, në raste si ky i djeshmi e keqpërdorin, duke ia përdorur disa vargje për të sharë, kritikuar e hedhur baltë mbi Europën. A nuk e dinë se ishte Fishta ai që vuante pamasë, pse nuk i shihte shqiptarët si krejt Europa. Pikërisht këtë e do Serbia. Kështu, këta shqiptarë, pavetëdijshëm vihen në shërbim të dëshirave të Serbisë, që shqiptarët t’i lë të vetmuar, të çorientuar, pa aleatë, të pafuqishëm dhe pa zë – pra të armiqësuar me perëndimin.

Në fakt, Kosova ka kohë që është pa zë në perëndim, dhe kjo lidhet me mendësinë e gërvalljeve antiperëndim, që kohëve të fundit kanë gjetur artikulim në krejt sferat publike, duke u kthyer edhe në njëlloj mendësi shtetërore.

Prandaj, sot, Kosova është e vetmuar, atë nuk e dëgjon askush dhe duket qartësisht se nuk e përfill askush. Natyrisht, për fajin e klasës së vet udhëheqëse, që është e paaftë dhe papërgjegjshëm përballë temave të mëdha.

Udhëheqësit tanë mendjeshkretë, e besa edhe me mendësi jo fort demokratike, krejt energjinë e shfrytëzojnë në beteja të ulëta për pushtet, dredhi e thashetheme.

Thjesht, Kosova, nuk ka bërë pothuajse asgjë për të dëshmuar të vërtetën e saj, dhe sot, sa herë del njeriu nëpër botë e kupton se tregimi ynë për luftën dhe tmerret që kemi përjetuar ne, një dekadë rresht, njihet fare pak, ose, njihet vetëm prej një breznie që tani po mbaron.

Ne, tragjedinë tonë, nuk e kemi shndërruar në dhembje universale, e kemi konsumuar për hesape të brendshme, duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit e duke i treguar njëri-tjetrit sa patriotë që jemi, me mllef, parulla e mendime skajshmërish të varfra.

Ashtu sikurse akuzat e Serbisë, të fabrikuara për trafikim organesh e një shtëpi të verdhë, diku në Shqipëri, që shqiptarët i zuri të përgjumur, edhe aktgjykimi i djeshëm i zuri në befasi, të përgjumur, por kësaj here edhe me probleme të brendshme kronike politike.

Serbia ia ka dalë që të krijojë mjegullnajë të mjaftueshme mes shqiptarëve, që ata të mos shohin e të mos e njohin njëri-tjetrin. Të mos dinë kah kanë ardhë e ku janë,

Ndërkohë që ajo, ka përfituar terren, dhe gradualisht  po mundohet ta përmirësojë imazhin e saj, duke tentuar që të fshijë prej kujtesës njerëzore, tragjedinë që e ka shkaktuar kundër shqiptarëve.

Ndërkaq, Kosova e as Shqipëria, mjerisht, nuk ditën të mbrohen përballë akuzave serbe. As në zanafillë, kur u iniciuan këto akuza, as kur u krijua gjykata e as kur u zhvillua procesi kundër drejtuesve të UÇK-së.

Liderët dhe elitat, me slogane e deklarime patriotike gati dëlirante, menduan se duke treguar të vërtetën në Prishtinë, ose qytete tjera shqiptre, po bënin punën e duhur. Por kjo nuk mjafton.

Potera primitive e Prishtinës politike, ka krijuar shumë zhurmë, dhe një distancë të frikshme mes nesh dhe perëndimit, në të cilën hapësirë është futë Serbia, duke treguar gënjeshtrat e saj.

Aktgjykimi, ajo pjesë që u lexua dje, kishte shumë pjesë absurde, kafkiane, por një prej pikave më të pakapshme, e për mua tragjike, ishte fjalia ku thuhej se drejtuesit e UÇK-së, viktimave u kishin shkaktuar keqtrajtime fizike e psikologjike.

Dhe mendoja për brezin tim, të rrënuar, të shkapërderdhur nëpër botë, që një dekadë jetoi i keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht, për çka askush në Serbi nuk ka dhënë asnjë grimë llogari.

Dhe m’u kujtua Franz Kafka, që thoshte diku se, “drejtësia duhet të jetë e palëvizshme, përndryshe peshorja do të luhatet dhe nuk do të ketë mundësi për një gjykim të drejtë.”

Në fakt, kambanën e paralajmërimit për mundësinë e një gjykim të padrejtë, në vitin 2011 e kishte shpallur Ismail Kadare, duke paralajmëruar se kjo peshore mund të luhatet, për çka ai më së shumti qortonte liderët shqiptarë, mendje varfër, që bjerrja morale e etja për pushtet, nuk i linte të kishin vëmendje e as energji për punë të tjera.

Ja çka shkruante ai:

“Zërat që kanë kërkuar një Nuremberg, ose së paku, një Mininuremberg për Ballkanin e fundshekullit, sa janë dukur bindës, si faktor paqeje, po aq kanë zgjuar drojën se mund të shkaktonin të kundërtën. Këtë mëdyshje Serbia e ka zbërthyer në favor të saj, madje si shenjë se mund të sprapste me vendosmëri kërkesën për kërkim ndjese për krimet ne përgjithësi e, në veçanti, për krimet në Kosove.”

Po, krizën tonë të brendshme, dilemat identitare, sidomos përçarjet, Serbia i ka kthyer në favor të saj.

Koha është të mbushemi mend, nëse nuk duam, që e pakta, të mos e qesim në peshore edhe vetë shtetin e Kosovës. Deri tash, në këtë drejtim jemi duke ecur, si vetëshkatërrues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok