PËR FLORËN NUK VAJTON VETËM KOSOVA…
Nga Ilir Çumani
Sot nuk vajton vetëm Kosova për bijën e saj, por edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut, edhe Mali i Zi…
Mbarë shqiptaria sot ka një dhembje. Një komb i tërë ndien se i është këputur një gjymtyrë nga trupi i tij i plagosur; një gjymtyrë që mbante në vetvete dhimbje, kujtesë, qëndresë, kurajë dhe një pjesë të krenarisë e të lavdisë së historisë sonë.
Flora Brovina nisi rrugën e gjatë për në amshim.
Është e vështirë ta shkruash këtë fjali kur ke njohur njeriun që fshihej pas emrit, titujve, veprës dhe historisë së saj.
Flora ishte nga ato gra që nuk kalojnë thjesht në jetën e një kombi; ato lënë gjurmë. Dhe gjurma e Florës është e thellë, sepse u shkrua me sakrificë, me dhimbje, me guxim dhe me dashuri për njerëzit.
E njoha si një grua të fortë, por jo të fortë vetëm në kuptimin që ia jep historia një figure publike. Ajo kishte një forcë të heshtur, të bukur dhe rrëzëlluese njerëzore, që ndihej në fjalën e saj, në vështrimin e saj, në mënyrën si e përballonte dhimbjen dhe si e kthente atë në kurajë.
Flora nuk e jetoi historinë nga larg.
Ajo e preku historinë me duart e saj dhe e shtrëngoi fort në gji, ashtu siç shtrëngon një nënë foshnjën e saj — me dashurinë më të madhe, me dhimbje, me frikë dhe me atë instinkt të shenjtë për ta mbrojtur nga çdo e keqe.
E përjetoi historinë në mish e në shpirt. E mbajti mbi vete barrën e kohëve të vështira dhe, megjithatë, nuk lejoi që dhimbja ta kthente në një njeri të ligësht.
Përkundrazi, zgjodhi të ishte pranë njeriut, pranë të vuajturit, pranë fëmijëve të shumtë të mbetur jetimë nga lufta në Kosovë, pranë atyre që humbën gjithçka dhe mbetën vetëm përballë dhimbjes.
Ajo ishte pranë kujtdo që kishte nevojë për një zë, për një dorë, për një fjalë shprese. E dinte se dhimbja nuk shërohet vetëm me fjalë, por me praninë njerëzore, me dashuri dhe me dorën që zgjatet për të ngritur atë që ka rënë.
Ndoshta kjo është një nga përvojat dhe mësimet më të mëdha që na la Flora Brovina: se qëndresa nuk është vetëm të mos rrëzohesh, por edhe të dish të ngrihesh çdo herë që rrëzohesh dhe të vazhdosh të besosh.
Sot, ndërsa ajo largohet nga kjo botë, më duket sikur bashkë me të po largohet një copëz e një kohe që ne ende nuk kemi ditur ta tregojmë si duhet, në të gjithë të vërtetën dhe dhimbjen e saj.
Largohet një dëshmitare. Një humaniste. Një grua e kurajshme. Një mikeshë.
Dhe, mbi të gjitha, largohet një grua e dimensioneve të mëdha njerëzore, një grua që e deshi jetën e njerëzve të saj më shumë se rehatinë e vet.
Flora, ti nuk do të jesh më mes nesh me atë zërin tënd të qetë dhe të shtruar, të pabujë; me atë praninë tënde, me atë forcën që e sillje edhe atëherë kur fjalët ishin të pakta.
Por ti do të jesh aty ku qëndrojnë njerëzit që vdekja nuk mund t’i marrë plotësisht:
Në KUJTESË.
Do të jesh në kujtesën e Kosovës. Në kujtesën e shqiptarisë. Në kujtesën e atyre grave e burrave që të njohën, të deshën dhe ecën përkrah teje.
Mbi të gjitha, do të mbetesh në kujtesën time si mikja ime e vyer prej afro tri dekadash; jo si një emër i shkruar në faqet e historisë, por si një njeri i gjallë, me të cilën ndava kauza të mëdha dhe misione të përbashkëta në shërbim të humanizmit; fjalë, respekt, miqësi dhe emocione që sot marrin një tjetër kuptim dhe një vlerë të patjetërsueshme.
Sot kam vetëm një fjalë për ty:
Lamtumirë, mikja ime!
Shko në amshim me paqen që e meriton.
Ne do të vazhdojmë të jetojmë me mungesën tënde, por edhe me dritën vezulluese që le pas.
Pusho në Paqen e merituar, Heroinë e HESHTJES dhe e sakrificave më të bukura SUBLIME.
