Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Rezultati i testit të PISA-s është pasqyra reale e mjerimit të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë, por nuk e tregon krejt pisllëkun ku jemi zhytë.

Pisllëku më i madh, ose më saktë, burim i të gjitha të këqijave është politika e zhytur në mjerim e injorancë, që pasohet pastaj me institucionet dijedhënëse, opinioni publik, ku nuk distilohet fare budallallëku e ku vulgariteti i ka zënë hapësirën mendimit.

Jam fort i bindur se shumica e njerëzve që janë në politikë, nuk janë të zotët të japin një përkufizim elementar të asaj çfarë është politika, prej ka rrjedhë termi politikë e çka domethënë; çfarë është e djathta e çfarë është e majta politike, prandaj, këtu, ndodh që i deklaruari i djathtë, të nesërmen të shihet i veshur me kostume të majta, madje radikale.

Pra, thënë thjeshtë, në një test elementar të llojit të PISA-s, për politiken, rezultati do të ishte po kaq dëshpërues e ndoshta edhe më i keq.

Me gjasë, jemi katandisë në mentalitetin “haja qenit pija qenit e bjeri karadyzenit”, me formula “kudo rafsha mos u vrafsha”, një mentalitet që e qesëndisnin fort intelektualë iluministë shqiptarë para gati një shekulli.

Të besosh se soji i këtyre njerëzve do ta përmirësojë jetën politike e arsimore të këtij vendi është njëlloj si të besosh se një fëmijë mund të jep shpjegime të duhura për “Komedinë Hyjnore” të Dantes ose për probleme të kozmosit.

Kosova është shumë më keq seç paraqitet në vlerësimet e PISA-s dhe këtë fakt s’ka nevojë t’na thotë askush.

Këtë fakt e kemi të gdhendur dhe atë me shkronja të zeza në krejt organizmin tonë shoqëror.

Duke filluar nga politika, në krye të së cilës janë ulë do udhëheqës injorantë dhe arrogantë.

Pastaj te shkolla, ku forma ka rëndësi më shumë se përmbajtja e ku nxënësit e kanë zor të shkruajnë një fjali në gjuhën shqip.

Për të vazhduar pastaj me tekstet shkollore që janë me plot shkarje logjike e pedagogjike, me formulime gjuhësore që nuk përkojnë fare me edukimin përkatës, pra me një gjuhë që s’ ka të bëjë asgjë me koncepte pedagogjike.

Me këto standarde minimale, shoqëri normale nuk bëhemi.

Kandahar, po.

Këto standarde na kanë kthyer në shoqëri të çorientuar, ku cektësia e budallallëku kanë lidhur aleancën ma të rrezikshëm që po vepron hovshëm kundër të ardhmes së vendit tonë.

Thjesht, ne jemi kthyer kryengulthi dhe me këtë raport kaq negativ që kemi me arsimin, kulturën e librin, ne të ardhmen do të rritet veç një gjë: mjerimi dhe dëshpërimi.

Me këto koncepte, që nuk dalin prej standardit të çajtoreve plot tym e thashetheme, në gjë e kemi të sigurtë: në testin e PISA-s politike, do të jemi më të dobëtit në Europë, si do krijesa që as nuk kuptojnë çka lexojnë e as çka flasin, si do krijesa që i shohin shkronjat e dëgjojnë tingujt, por flasin me standardet e të folmes së bebeve.

Dhe sa herë ndodhin këso çoroditje, më kujtohet poeti Frederik Rreshpja, dhe një varg i tij: injorantë të dreqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok