ZËRI I FLORA BROVINËS SI KUJTIM…
Nga Ndue Dedaj
Nuk e kisha takuar Flora Brovinën, por zërin e saj e pata si një dhuratë të çmuar e tash do ta kem si një kujtim.
Dy vite më parë pata nderin të shkruaja parathënien e vëllimit me poezi të zgjedhura “Shqipëri, zemra jonë” (“Lena Grafik”, Prishtinë, 2024), përgatitur nga poetja Trendafile Molla (Baja). Aty, duke bërë fjalë për poetët e përmbledhjes, ndër të tjera kisha shkruar:
“Poetja e mirënjohur nga Kosova, Flora Brovina, që i bën nder çdo antologjie poetike shqiptare, në poezinë e saj “Thirrje Kosovës”, mediton:
Çdo të bëj unë pa ty,
Pa ardhjet dhe shkuarjet e tua
Do të harroj të flas me vetveten”.
Në gushtin e atij viti, kur bëhet promovini i këtij libri nga klubi poetik “Muza Budjane” në Burrel, meqë nuk kisha mundur të shkoja, Flora Brovina, e pranishme aty, më nis një mesazh zanor përmes telefonit të kryetarit të këtij klubi, mikut tim Hamdi Hysuka:
“Ndue, jam Flora Brovina, të përshëndes, s’po të thërras zotëri, por vëlla. Të falënderoj shumë për mendimin tand lidhur me poezitë e mia, sepse i kam lexue jo një herë, por disa herë. Jam befasuar me atë që ju keni hyrë në shpirtin e poezive të mia dhe më keni kuptuar më shumë se çdo njeri që deri sot ka folur, e nuk janë pak ata që kanë folur për poezinë time. Jam shumë krenare për këtë shkrim dhe do të kisha pas dëshirë të takoheshim, të të përqafoj si një vëlla e si një kritik që e kupton poezinë në përgjithësi dhe atë timen në veçanti, e të jap dhe shkrime të tjera. Të faleminderit shumë dhe mirupafshim!”
Por, ajo “mirupafshim” e saj papritur u kthye në: lamtumirë Flora. Nuk jam unë që ju bëj nder Juve, por emri dhe vepra Juaj na bën nder të gjithëve. Shpirti yt bën dritë përmes poezisë së lartësuar dhe frymës që i dhe Kosovës gjithë jetën si një veprimtare e shquar, e paharruar. Kam lexuar aq shumë kushtime sot në rrjetet sociale, përfshi edhe ato të dy presidenteve të Kosovës, por do të më rrijë gjatë në kujtesë poezia e Sabri Hamitit, kushtuar Ty më 1999.
Me shumë mirënjohje, Flora!
15 shtator 2026.
