11/12/2024

POEZIA ‘NË SHPELLËN E POLIFEMIT’ E NIKO KACALIDHËS

0
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

Një kujtesë paraprake

Fillimisht për poezinë “Në shpellën e Polifemit” të Niko Kacalidhës, më kishte folur Agim Mato në një nga ardhjet e mia nga Kukësi në Sarandë rreth fillimeve të viteve ‘80, i cili kishte një miqësi dhe shkëmbim mendimesh me poetin, në takimet e tyre. (dhe) pikërisht në një nga këto u njoha dhe unë me Nikon. Agimi e vlerësoi atë krijim si një poezi të fuqishme gjer në «çmenduri”, madje mbaj mend që ma recitoi të gjithën te Leningradi, klub në bulevardin kryesor të Sarandës (sot Riviera), ku takoheshim dhe”shijonim” poezinë më shumë se kafen. Ndaj mu duk si një e njohur e vjetër kur e lexova te “Heraldikët e borës” dhe m’u kujtua cilësimi “poezi e çmendur” për kohën kur u shkrua. Kështu e tregoj te libri im “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës” Onufri 2023. f.9 njohjen e  parë me poezinë “Në shpellën e Polifemit” të Kacalidhës, për të cilën, objekti i librit nuk më lejonte një analizë të hollësishme të saj, peng që më detyroi ti rikthehem përsëri.

I-Kjo poezi është shkruar në vitin 1973 dhe bën pjesë në ciklin”Puhizat e barit” ku janë përmbledhur “poezitë e sirtarit” shkruar në fazen e pare të krijimtarsë së tij, të botuara për herë të parë te: ”Heraldikët e borës”, Onufri 2023, ku poezia “Në shpellën e Polifemit” është në f.37.  Dihet lidhja e Niko Kacalidhës me botën e mitologjisë greke dhe heronjtë homerikë dhe është e natyrëshme të mendohet se kjo poezi ka një përqasje dhe elemente simbolike lindur në procesin krijues edhe si shtysë frymëzimi nga miti i Odisesë në shpellën e Polifemit, por unë mendoj se: subjekti është homerik ndërkohë që përmban një ide artistike dhe mesazh sa aktual aq dhe replikues për faktin se brenda rrefimit poetik del qartë se heroi lirik është vet poeti- mësues i mbyllur dhe izoluar që udhëtonte rreth pesë orë ditën vajtje-ardhje në shkollën e provinces. Rikujtojmë se në shkrimin redaksional të Revistës Nëntor nr 5 (Maj 1973) me temë : ”Kundër ndikimeve të huaja në poezi” poeti Kacalidha kritikohej për poezinë “Shqetësim pranveror” të botuar  në Gazetën “Zëri i Rinisë” 16 Gusht 1972 për subjektivizëm në poezi[1]. Sigurisht qe te vargu” Një erë e marrë që fryu mbrëmë” i poezisë metaforike “Në shpellën e Polifemit” era e marrë ështe pikërisht ky artikull shkaku që e  “.. struku në shpellën e Polifemit”. Realisht ky artikull është i vetmi shkrim (Një erë) ku kritikohet Kacalidha për ndikime të huaja dhe kjo na jep të drejtën të hamëndësojmë se fjala “struku”e jep më së miri qëndrimin fillestar të poetit ndaj kësaj kritike zyrtare. Nuk kishte faj, një poet i ri i brezit të viteve shtatëdhjetë, i vlerësuar me disa çmime në shtypin letrar të kohës, madje me çmim kombëtar qysh në librin e parë “Fjalë të thëna në pranve-rë” botuar në 1970 kur ende ishte student, i emëruar mësues në Shkollën e Mesme në Theollogon e largët në vijën e kufirit, një trasformim i kësaj kritike në akt administrativ i priste çdo prespektivë në jetë. Ai e ndjeu hungërimën e Polifemit te mërmërrima që nisi të formohet rreth tij si një vorbull ere, ai e pa ftohtësinë e shikimit të ciklopit te sytë e disa zyrtarëve partiakë lokalë, por e ngushëllonte veten me mendimin se: “Më larg se çmë kanë hedhur nuk kanë ku të më hedhin”. Në këto kushte shkruajiti poezinë “Në shpellën e Polifemnit” nga fundi i vitit 1973. Ne mund ta kuptojmë se poeti kishte arsye të rëndësishme që vendosi ta shkruajë, por jo ta publikojë, arsye që lidhen me kontekstin e tij personal të mbijetesës dhe kushtet politike të kohës.

  1. Pas kritikës së rëndënë Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, pasqyruar kjo në kryeartikullin e revistës “Nëntori” për prirjet moderniste të shfaqura në poezinë e botuar në “Zëri i Rinisë” në vitin 1972, Kacalidha ndjeu një nevojë të brendshme për të shprehur frustrimet dhe ndjenjat e tij. Kritika e mësipërme e ka bërë të ndiejë presionin e censurës, duke e detyruar të kërkojë forma alternative të shprehjes letrare që mund të mos i ekspozonin më shumë hapur ndjenjat dhe mendimet e tij. Por a nuk e bën gjithmonë në historinë botërore poezia e vertetë?

2.Pas emërimit mësues në një zonë të largët, Theollogo, Kacalidha u gjend në një situatë izolimi, me mundësi të kufizuara për kontakte me qarqet letrare e intele-ktuale të kryeqytetit, izolim ky që e shtyu drejt një introspeksioni dhe reflektimi të ndjeshëm mbi situatën dhe rolin e tij si poet në një shoqëri represive.

  1. Poezia “Në shpellën e Polifemit” lexohet si alegori për situatën e izolimit. Shpella e Polifemit përfaqëson “burgun” e mendjes dhe censurën që ndjente, ndërsa përpjekja e tij për të gërmuar dhe zhbiruar shpellën për t’i shpëtuar Polifemit simbolizojnë përpjekjen për liri shpirtërore dhe krijimi në një mjedis represiv. Polifemi, në këtë kontekst, përfaqëson fuqitë shtypëse dhe mbikëqyrëse.

4.Poezia shpreh një gjendje të rëndë psikologjike të poetit, një ndjenjë zymtësie dhe lufte shpirtërore për të mbijetuar si artist në një botë e cila kërkon ta shtypë frymëzimin dhe krijimtarinë e tij. Kacalidha përdor figura të tilla si “ndez e fik

dhe “dendësova kafetë duke shqyer sytë” për të ilustruar tensionin dhe ankthin e tij.

  1. Sigurisht që shkrimi i poezisë ishte një mënyrë për të mbrojtur integritetin e tij artistik dhe për të mos iu nënshtruar diktateve të censurës, ndërkohë stili që ai përdor dhe mospublikimi i poezisë, është i përllogaritur të mbrojë veten nga ndonjë përndjekje më e ashpër dhe nga rreziku i dënimit publik dhe ligjor.

Gjthsesi poezinë e shkroi në muajt e fundit të atij viti dhe e mbajti në “sirtar”, pa e publikuar, përveç leximit dorë me dorë të dorëshkrimit me miqtë e tij poetë të besueshëm. Kishte të drejtë Agim Mato që e cilësoi “poezi e çmendur”, lexojeni dhe hamendësoni reagimin e shtetit monist: burgu do ishte parajsa për poetin. Realisht po ta lexosh me vëmëndje poezinë gjen shtigje shpëtimi plot: psh poeti mund të argumentonte se ka krijuar një variant poetik të Odisesë në shpellën e Polifemit, ku me frazën “më hodhi” flet vetë Odisea dhe jo poeti dhe Polifemi është vërtet ciklopi mitologjik dhe jo shteti komunist dhe kurrësesi udhëheqësi (obobo, kush mendon kështu more?). Rrezik përbënte vetëm dyvargëshi i fundit: “I ngarkuar me shpirtrat e perëndive, /unë, poeti i provinces”, por do ti gjëndej shtegu dhe këtij “lapsusi” poetik. Puna është ta fshihte mirë, madje aq mirë e fshehu sa që me vështirësi e nxori në vitin 2023, ndonëse jua kishte recituar shokëve shumë më herët.

II-Duhet të pranojmë se shkrimi i poezisë “Polifemi” nga Niko Kacalidha në kulmin e luftës kundër dukurive moderniste në letërsi, është një akt i guximshëm i trimërisë intelektuale, një nevojë e brendshme e poetit spontan, pavarësisht natyrës së tij të qetë dhe jo konfliktuale. Kjo dukuri mund të analizohen nga disa këndvështrime kryesore:

  1. Niko Kacalidha, përmes kësaj poezie, shpreh një rezistencë të heshtur kundër censurës dhe shtypjes. Ndërsa ai si njerë mund të ketë shmangur konfrontimet direkte, akti i krijimit të një poezie ku përdor alegori homerike për të reflektuar mbi censurën, është një mënyrë e fuqishme për të ruajtur integritetin intelektual dhe artistik.
  2. Poezia tregon për një kurajo të madhe shpirtërore. Poeti përdor Polifemin për të simbolizuar forcat shtypëse dhe izolimin që përjetonte, akt ky që tregon vendosmërinë për të krijuar dhe shprehur mendimet, pavarësisht nga rreziqet e mundshme.
  3. Vërtet që Niko Kacalidha është një natyrë e qetë dhe jo konfliktuale, por poezia tregon për një konflikt shpirtëror dhe ndjeshmëri të madhe ndaj padrejtësisë. Akti i shkrimit të poezisë është një mënyrë për të shprehur dhe përpunuar këto konflikte shpirtërore, duke përdorur atë si mjet për vetë-shprehje dhe reflektim.

4.Duke përdorur simbole dhe referenca nga mitologjia greke dhe biblike, Niko   Kacalidha ka gjetur një mënyrë të sigurt, për tu shprehur aristikisht, pa i sfiduar hapur autoritetet. Shkrimi i një poezie që lidhet me mitologjinë e lashtë dhe përdor simbole të njohura ka lejuar poetin të maskojë mesazhet. Kjo strategji i ka mundësuar të shprehë ndjenjat e trazuara në një mënyrë të tillë që nuk kuptohej lehtësisht si akt rebelimi politik

  1. Së fundi në një kohë kur arti dhe letërsia ishin nën mbikëqyrje dhe goditje, akti i shkrimit të një poezie që trajton temat e lirisë, izolimit dhe censurës është një akt trimërie intelektuale. Kacalidha sfidon normat dhe kufizimet e kohës. Akti i mospublikimit të saj në formën e shkruar, (ndonëse është bërë e njohur në rreth të ngushtë krijuesish) është thjeshtë një formë e vetë mbrojtjes së poetit.

Ajo që ka rëndësi është fakti se Niko Kacalidha nuk e mohoi poezinë e tij, nuk e grisi, madje me këtë rast duhet të themi se asnjë poet apo shkrimtar i dënuar nga Pleniumi i IV, nuk i mohoi krijimet për të cilat u dënua, pavarësisht se shumë prej tyre u hoqën nga qarkullimi paralelisht me dënimin e autorëve. Ky qëndrim e nderon ajkën e krijuesve shqiptarë, ruajtja e kësaj poezie dhe prurja gjer në ditët e sotme është vlerë e shtuar e Kacalidhës që flet po aq sa dhe vetë krijimi.

III-Niko Kacalidha e shkroi poezinë sipas parimeve të disa rrymave moderniste jo vetëm që të mbrohej me shumëkuptimshmërinë e tyre, por realizimi në stilin modernist tingëllon si një sfidë direkte ndaj soc.realizmit dhe kritikës së bërë te revista Nëntori. Realisht  poezia “Në shpellën e Polifemit” e Kacalidhës pasqyron disa karakteristika kryesore të rrymave moderniste dhe konkretisht.

  1. Ekspresionizmi karakterizohet nga shfaqja e ndjenjave shpirtërore dhe përdo-rimi i imazheve të fuqishme për të shprehur emocione të thella e të ndërlikuara që shfaqen në mënyrë të fuqishme dhe dramatike te vargjet:”Oshënar shpellash durova në zymtësinë/e murgut duke tretur muzgjet.”
  2. Simbolizmi është një tjetër rrymë moderniste e pranishme në poezinë e Niko Kacalidhës, ku objektet dhe ngjarjet përdoren për të përfaqësuar ide dhe konce-pte të thella. Psh:”Gërmova, gërmova, gërmova trupin /e shpellës t’i dilja-Polifemit.”ku, shpella dhe Polifemi janë simbole që përfaqësojnë sfidat shpirtërore dhe përpje-kjen për të gjetur dritën dhe kuptimin në jetën e errët dhe të vështirë.

3.Ekzistencializmi, i cili përqendrohet në pyetjet mbi ekzistencën, vetminë dhe kërkimin e kuptimit dhe poezia përmban elemente të forta të këtij lloj reflektimi filozofik si:”Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija  /e ndjekjes së përbindshme.”varg që ilustron luftën ekzistenciale të poetit, pse ndjen ndjekjen e përbindshme të vetmisë dhe pasigurisë, temë e zakonshme në ekzistencializëm.

Pra, poezia “Në shpellën e Polifemit” nga Niko Kacalidha ilustron qartë ndikimet e rrymave moderniste përmes përdorimit të imazheve të fuqishme, simboleve, temave ekzistenciale dhe strukturës eksperimentale,  rryma moderniste që refle-ktojnë artin e tyre mbi soc. realizmin ashtu si pasqyrat e mëdha të Arkimentit që përqendruan dritën e diellit mbi anijet romake në Sirakuzë në vitin 212 p.e.s., duke i djegur në det. Veprime të tilla dje kërkonin dijen e Arkimedit dhe sot talentin poetik tëNiko Kacalidhës

IV-Poezia “Në shpellën e Polifemit” mbart një aspekt të fuqishëm psikologjik që si nerv përshkon vargjet e saj, duke shprehur tensionin, ankthin dhe përpjekjet  shpirtërore në një mjedis të vështirë dhe represiv. Ndër aspektet psikologjike më të dukëshme janë:

Tensioni shpirtëror dhe ankthi shfaqet te vargjet: “Një erë e marrë që fryu mbrëmë / më struku në shpellën e Polifemit.” ku poeti shpreh ndjenjën e tij të detyrimit për tu mbyllur në një vend të errët, imazh ky që reflekton ndjenjën e izolimit dhe të frikës së vazhdueshme. “Erë e marrë” është forca që e detyron të hyjë në izolim të padëshiruar dhe të frikshëm.

Përsëritja e frazës:”Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija e ndjekjes së përbindshme” simbolizon përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dritë dhe shpresë në mes të errësirës, ku gjendja e alternimit mes dritës dhe errësirës pasqyron ankthin dhe tensionin shpirtëror, i cili ndiehet nën një ndjekje të vazhdueshme.

Vargjet:”Oshënar shpellash durova në zymtësinë e murgut duke tretur muzgjet.” shfaqin poetin si një oshënar, në izolim të plotë, duke duruar një zymtësi të thellë dhe errësirë të vazhdueshme. Kjo ndjenjë e vetmisë dhe izolimit është temë qendrore në aspektin psikologjik, pasi tregon përjetimet në një situatë të vështirë.

Të vargjet:”Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit.”përpjekjet për të dalë nga shpella e Polifemit simbolizojnë përpjekjet psikologjike për të gjetur rrugëdalje nga situata e vështirë, ku përpjekja për të kapërcyer pengesat dhe për të gjetur liri është një aspekt thelbësor i përvojës psikologjike.

Kur poeti shkruan:”Në çdo ndezje dendësoheshin shpresat dhe karikohej pila e zemrës.” parafytyrojmë se si, për çdo herë që arrin të ndezë një dritë, shpresat rriten dhe zemra karikohet me energji të re. Ky proces simbolizon përpjekjet për të mbajtur gjallë shpresën dhe për të gjetur kuptim në një situatë të errët e të pasigurt.

Po ashtu frika dhe ndjenja e përndjekjes që shprehen te vargjet:”Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga lemeria, duke shqyer terrin.” kanë një ngarkesë psikologjike se pasqyron situatën shpirtërore, ku poeti ndien një presion të madh dhe ndjekje të vazhdueshme.

Referencat dhe detajet mitologjike dhe biblike te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.“përforcojnë ndjenjën e izolimit dhe përpjekjeve për të gjetur kuptim. Joani në shpellën e Apokalipsit simbolizon përpjekjet për dritë dhe shpresë në mes të Apokalipsit, duke pasqyruar përjetimin psikologjik të poetit.

Pra shohim se aspekti psikologjik i poezisë është i pasur dhe kompleks, duke shfaqur situatën dhe përpjeket për shpresë e shpëtim dhe ajo që ka rëndësi është fakti se Kacalidha arrin të shprehë në mënyrë të fuqishme ndjenjat dhe përjetimet e tij shpirtërore përmes simboleve, imazheve dhe metaforave, duke krijuar një poezi thellësisht të ndjerë dhe mbresëlënëse.

V-Poezia ndërtohet me simbolet, metaforat, imazhet dhe personifikimet nga mitologjia homerike për të ndërtuar një lidhje të fuqishme midis të kaluarës legjendare dhe realitetit bashkëkohor. Kacalidha arrin të krijojë një vepër që është njëkohësisht një homazh për epikën homerike dhe një kritikë e subtilitetit të shtypjes dhe censurës në Shqipërinë e viteve ’70. Kjo ndërthurje e elementeve homerike me realitetin modern e bën poezinë një krijim të epërm artistik që flet për përjetësinë e sfidave njerëzore dhe fuqinë e artit për të shprehur të vërtetën. Le të shohim disa figura që lidhen drejtpërdrejt me botën homerike ose kanë qasje me të.

Simbolet nga bota Homerike:

  1. Simboli “Shpella e Polifemit” përfaqëson vend izolimin, siç është përjetuar nga Odiseu dhe shokët e tij kur u bllokuan nga Polifemi të cilën poeti e përdor për të simbolizuar situatën e tij ndodhur nën regjimin komunist., shprehur te vargu: “më struku në shpellën e Polifemit.

2.Polifemi simbolizon forcën shtypëse të regjimit, i cili si Polifemi i Homerit mban të burgosur Odiseun dhe shokët e tij, shteti monist mban poetin. Në poezinë e Kacalidhës, Polifemi përfaqëson mbikqyrjen dhe kontrollin e vazhdue-shëm që vihet në dukje te vargjet: “Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit.

  1. Referenca ndaj perëndive të Olimpit, “Dendësova udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët. ”dëshmon lidhje me trashëgiminë homerike dhe kërkim për ndihmë ose inspirim nga fuqitë e larta simbolike në kohë vështirësie.

4.Po kështu te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.” Ku dihet se drita është një simbol i njohur në eposin homerik,që shpesh përfaqëson zbulimin, shpresën dhe shpëtimin.

Imazhet nga bota Homerike

  1. Imazhi i labirintit që shfaqet te: “Zhbirova, zhbirova, zhbirova labirintet dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.”përfaqëson kompleksitetin dhe sfidat shpirtërore, ashtu si heronjtë homerikë që përballen me udhëtime dhe sprova të vështira.
  2. Imazhi i dritës së qiriritshfaqet si simbol i shpresës dhe iluminimit në errësirë, duke kujtuar udhëtimet e heronjve homerikë në kërkim të dritës dhe të vërtetës, ndonëse figura i përket Biblës, Shen Joani i Teologut (i njohur si Shen Joan Apostulli, autori tradicional i Librit të Zbulesës, Apokalipsi, i internuar në ishullin e Patmosit gjatë persekutimit të të krishterëve nga perandori romak Domitiani. Këtu Shen Joani pati një seri vizionesh apokaliptike, një nga pjeset më surealiste-simbolike, që përbëjnë përmbajtjen e Librit të Zbulesës.) Qasja me këtë figurë të Krishtërimit te vargjet:   “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.”tregon vlerësimin për figurën dhe misionin e poetit në shoqërinë modernε.

Personifikimet nga Bota Homerike

  1. Te vargu” “Dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.” duke e bërë zemrën një burim të energjisë elektrike, Kacalidha evokon idenë e forcës shpirtërore dhe rezistencës së Odiseut gjatë udhëtimeve të tij të gjata dhe të rrezikshme.

2.Po kështu te vargu: “I ngarkuar me shpirtrat e perëndive, unë, poeti i provincës.” *Perënditë dhe fryma e tyre* përfaqësojnë inspirimin dhe mbështetjen hyjnore që poeti ndjen, një lidhje kjo direkte me mitologjinë homerike ku, perënditë luajnë një rol kyç në udhëheqjen dhe mbrojtjen e heronjve. Referenca e Kacalidhës ndaj perëndive tregon përpjekjen e tij për të gjetur inspirim dhe mbështetje në një kohë të vështirë.

Pra, pamë se poezia “Në shpellën e Polifemit” e Kacalidhës është e mbushur me simbole, imazhe dhe metafora që lidhen me eposin homerik, duke krijuar një dialog të fuqishëm midis të kaluarës mitologjike dhe realitetit bashkëkohor. Kjo ndërthurje e elementeve homerike me realitetin modern e bën poezinë një krijim të thellë artistik që flet për përjetësinë e sfidave njerëzore dhe fuqinë e artit për të shprehur të vërtetën dhe për të rezistuar ndaj shtypjes.

VI- Në poezinë “Në shpellën e Polifemit,” Niko Kacalidha shpreh ndjenjë të fortë  vetmie dhe kurajoje përmes figurave që lidhen me mitet homerike. Kjo poezi përshkruan përvojën e poetit në një mjedis represiv dhe sfidues, ku përballet me ndjenjat e izolimit dhe përpiqet të mbajë gjallë shpirtin e tij krijues dhe rezistent. Në qoftë se vetmia është e dukëshme te figurat si: Simboli: “shpella e Polifemit” me vargun: “më struku në shpellën e Polifemit.”, imazhi i errësirës së shpellës dhe përpjekja për ta ndriçuar me dritën e qiririt te vargu: “Dhe me një dritë qiriri, si Joani në shpellën e Apokalipsit.”, ndjekja nga hija e ndjekjes së përbindshme te vargu: “ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija e ndjekjes së përbindshme.” Ku metafora dëshmon presionin dhe vetminë që poeti ndjen, gjithsesi e dukëshme është kurajoja e poetit e shfaqur artistikisht në poezi.

1.Kështu, vargu: “Gërmova, gërmova, gërmova trupin e shpellës t’i dilja-Polifemit.” tregojnë një kurajo të jashtëzakonshme për të përballuar sfidat dhe për të kërkuar lirinë, veprimtari kjo që simbolizon qëndresën për të mos u dorëzuar.

  1. Zemra e poetit që vepron si pilë energjie te vargu: “Dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë zemrën.” përfaqëson forcën shpirtërore dhe kurajon për të vazhduar pavarësisht sfidave të mëdha, kusimboli i zemrës tregon se poeti ka një burim të fuqishëm të energjisë dhe rezistencës së brendshme.

3.Referenca ndaj dymbëdhjetë perëndive te vargu: “Dendësova udhët për në shtigjet malore të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer këpucët.”shfaq kërkimin e inspirimit dhe fuqisë nga perënditë e lashta duke treguar kurajon për të kërkuar ndihmë nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e njerëzimit.

Niko Kacalidha përmes një arsenali të pasur figurash dhe simbolesh me detaje që lidhen me mitet homerike, (dhe ai si çdo poet i lindur, por edhe nga përvoja personale, e di mirë se kur shfrytëzohen poetikisht edhe në bazë të poezisë më të mire botërore, kthehen në poezi moderne), shpreh izolimin dhe ndjenjën e përndjekjes pa klithma qaramane por me një kulturë fine, që i falet aktit krijues fisnik të poezisë së vërtetë, tregon një vendosmëri dhe forcë shpirtërore për të vazhduar luftën për liri. Ky kombinim i vetmisë dhe kurajos e bën poezinë një akt të fuqishëm të qëndrueshmërisë dhe rezistencës intelektuale.

Sarandë, më korrik 2024

Në shpellën e Polifemit

 

Një erë e marrë që fryu mbrëmë

më struku në shpellën e Polifemit.

Oshënar shpellash durova në zymtësinë

e murgut duke tretur muzgjet.

Gërmova, gërmova, gërmova trupin

e shpellës t’i dilja-Polifemit.

Zhbirova, zhbirova, zhbirova labirintet

dhe në elektrikun e zemrës vura për pilë

zemrën.Dhe me një dritë qiriri, si Joani

në shpellën e Apokalipsit.

Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija

e ndjekjes së përbindshme.

Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga

lemeria, duke shqyer terrin.

Dendësova udhët për në shtigjet malore

të dymbëdhjetë perëndive duke shqyer

këpucët.

Në çdo ndezje dendësoheshin shpresat

dhe karikohej pila e zemrës.

I ngarkuar me shpirtrat e perëndive,

unë, poeti i provincës.

1973

Niko Kacalidha: “Heraldiket e borës” Onufri 2023, f.37

[1] Në shkrimin redaksional me temë :”Kundër ndikimeve të huaja në poezi” të Revistës Nëntor nr 5 (Maj 1973) shkruhet: “Ose edhe në poezinë “Shqetësim pranveror” të N. Kacalidhës (Gazeta “Zëri i Rinisë” 16 Gusht 1972) në të cilën kemi ekzaltimet shpirtërore të një vajze, theksime të tepruara sentimentale, që të hutojnë ndërgjegjen e saj dhe e largojnë nga realiteti i jetës, nga detyrat reale të ditës, duke e mbyllur në një atmosferë hutimi, gati të pandërgjegjshme. Këto janë shprehje të subjektivizmit në poezi. Po kështu vërehet se subjektivizmi u jep këtyre poezive edhe një natyrë të përgjithshme, jashtë kohës dhe konkretësisë reale. Në këto poezi mungon detaji,rrethanat, situatat, veçoritë: ato kanë vetëm mendimin, ndjenjën në formë të përgjithshme, pra edhe të papërcaktuar. Këto poezi të lënë shpesh përshtypjen e “dedikimeve poetike”…” Kujtojmë se në datat 26-28 qershor 1973 u mbajt Plenumi i IV I PPSH dhe ky material kishte ndikimin e tij në qëndrimin ndaj Niko Kacalidhës, por “më larg se në Cerkovicë s’kishin ku më shpinin” thotë me një buzëqeshje të hidhur poeti. Për të interesuarit mund të themi se poezia e kritikuar më sipër është përfshirë në përmbledhjen “Heraldikët e borës” në f. 23,sigurisht e ripunuar me pak ndryshime, për tju përshtatur kohës së botimit. Materialin redaksional na e vuri në dispozicion Petro Mejdi.         T.Mërkuri: “Blatimet poetike të Niko Kacalidhës” Onufri 2023  f.5

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok