Regjimi asht në grahmat e fundit, po cofë i deformuem prej peshës së krimit
Foto: Zvernec 2019
Nga Ardian Ndreca
Dy figurat ma të urryeme janë në kilometrin e fundit dhe shkak u ba lidhja që shqiptarët kanë me tokën e tyne. Këto ditë ata po tregojnë se nuk pranojnë që “res publica” të shitet copa-copa.
Ndërkaq presidenti kukull i Republikës nuk ka nji fjalë të vetme për protestuesit, ndërsa vetë PS-ja asht nji kufomë në qelbje e sipër!
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po shohim nji fenomen që filozofi francez Pierre Lévy e ka quejtë “qyteti inteligjent”.
Jo nji parti, nji grupim politik, por nji popull që e gjen veten në disa vlera ideale, që koordinohet në mënyrë jokonvencionale, që nuk pranon poshtnimin e nji pushteti që nuk e përfaqson.
Sot regjimi bipartizan i krimit e ka humbë stabilitetin e nesër ngrehina e turpit që mban peng Shqipninë mund të rrëzohet, pa gjak, pa proklamata bombastike, siç rrëzohet nji nevojtore e kalbun.
Ajo çka po ndodh në bulevardin “Dëshmorët e kombit” asht nji shenjë shprese që tregon se pulsi i shqiptarëve rreh ende.
__________
Rama asht personifikimi i pafytyrësisë. Sot nxjerr pamje ku duket Zverneci plot me mbeturina.
Asht në pushtet tash katër legjislatura dhe e ka shetitë gjithë vendin së bashku me shpurën e hajduteve dhe budallaqeve që i shërbejnë e vetëm sot i paska pa plehnat e Zvernecit?!
Kështu asht kur e ke shpirtin pleh, në momentin që bahesh i vetëdijshëm kërkon me ia shitë dikujt.
__________
Po të kishte kafsha nji kandvështrim të kuptueshëm rreth realitetit, liria për të do të mbetej diçka e pakuptueshme.
Po të kishte mjete me u shprehë, kafsha do të shprehej me skepticizëm ndaj lirisë, pse kafsha asht perfekte dhe e verbët në shtysat e saja jetike-instinktive.
Shtysa jetike dhe instinkti i kafshës nuk mbërrijnë me përçansue atë që ban shpirti. Nuk mbërrijnë psh. me kuptue aftësinë e njeriut të lirë me krijue objektiva që s’i përmban natyra fizike e madje me i realizue ato, me dalë në rrugë e me protestue pa qenë të shtymë mekanikisht siç shtyhet kafsha me hosten, apo tërhiqet me kapistall apo me nji thes krunde nën hundë.
Liria asht diçka e madhe që nuk mësohet në shkollë, zakonisht në shkollë ajo humb e tjetërsohet tue u kthye në nji mjet shkëmbimi për me jetue me të tjerët, për vanitet, pushtet e sidomos për nji kafshatë bukë.
Kafshë e kafshatë janë shumë afër me njena tjetrën, prandaj ata që nuk janë të lirë priren me besue se liria nuk ekziston as si mundësi e çdo gja që ka frymën e lirisë asht nji pare kallpe që duhet pa me mosbesim.
