07/06/2026

LUGINA E FANIT, MË E BUKURA DHE MË E SHKATËRRUARA NË SHQIPËRI

0
Lugina-Fanit

NGA NDUE DEDAJ

Që lugina e Fanit ishte ndër më të bukurat e botës, e pati shkruar më dorën e tij françeskani i shquar austriak, shkrimtari dhe piktori At Fabian Barkata, njëqind e tridhjetë vjet më parë, kur shërbente në Rubik si misionar feje.

Se si është sot kjo luginë, mjafton t’iu themi atyre që nuk e kanë parë, se në çdo kilometër të lumit nga Miloti në Rubik është një zhavorrore, apo më saktë një impjant i prodhimit të rërave për ndërtim. Në asnjë vend tjetër të Shqipërisë nuk ka një përqendrim të këtyre fabrikave si tek zona e Urës së Matit, në të dy anët e saj, deri afër bregut të detit. Kodra të pafundme zhavorri të larë janë krijuar përgjatë gjithë supërstradës së kombit, që nuk pati fatin të ishte autostradë. Lumi është në çdo orë të ditës plot me makina të rënda dhe mjete ngarkimi. 30 vjet që lumit të Fanit e atij të Matit i shkulën brinjët e ata prapë nuk kanë “vdekur” nga kapitalizmi i egër. Se si mund ta ketë emrin një sipërmarrje e tillë, nuk e dimë, por pa droje mund të themi se pasuritë e shqiptarëve, nuk janë në dorën e vetë atyre, as këto të mbitokës e as ato të nëntokës.

Duhet të jetë ky vetëdijësim i tyre, që prej më shumë se një jave është ngritur në protestë Tirana dhe gjithë Shqipëria, por dhe shqiptarët nëpër botë, në Londër etj.

Çfarë ka ndodhur me ne që nuk mundemi me qenë dalzotës të pronës tonë publike? Pse na ka ndodhur “Zvërneci”, “Rrjolli” dhe më parë protestat për hidrocentralet e panumërta nga Valbona në Zall-Gjoçaj? Si është e mundur që e humbëm luginën e Fanit të Madh, për të mos qenë dhe ajo si Lumi i Shalës, në të gjithë gjatësinë e saj prej mbi njëqind kilometrash, deri në Kryezi ku buron lumi? Ajo nga hidrocentralet, njëri pas tjetrit, është bërë e pakalueshme, ku mund të eksplorohet vetëm me dron, por jo me këmbë për hiking. Lugina që ai austriaku i ditur e quante ndër më të bukurat e botës!?

Si është e mundur që nuk po arrijmë dot të mbajmë në këmbë, por me “paterica”, kryeurën e shqiptarëve të të gjitha kohërave, Urën e Zogut, që është dhe kurora e kësaj lugine?

Në pamundësi për ta ndaluar këtë shpronësim marramendës të shqiptarëve nga prona e tyre e ligjshme, ata janë shtrënguar ta lënë vendin e tyre dhe të gjëjnë emigracionin si strehë.

Në mesin e luginës së Fanit është qyteti i Rubikut, që po shuhet me trishtim, pas shekujsh ekzistence. Mbas rreth 60 vitesh nga hapja, u mbyll së fundi Teknikumi – “Shkolla e Mesme Industriale”, që ishte një nga krenaritë shqiptare të arsimit profesional të vendit. Ranë një nga një “kolonat” që e mbanin këtë qendër punëtorie historike të shqiptarëve, ku u krijua për herë të parë klasa jonë punëtore.

Eh, mund të vazhdojmë me plot të dhëna të tjera kësodore, me shpresën se ky vend ka një rini të pazakontë, që siç zmbrapësi “armët kimike” para disa vitesh, do të zmbrapës dhe të tjera prapësi pushtetarësh, kinse në emër të zhvillimit. Mendoj se kjo gjendje kritike e ka shtyrë murgeshën katolike të Rubikut, Motër Adelinën të ngjitet në podiumiun e protestës para Kryeministrisë dhe të flasë me shqetësimin e një qytetareje të dorës së parë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok