25/05/2024

MIRËNJOHJA BASHKË-UDHËTARE E NJË SHPIRTI FISNIK

0

Exif_JPEG_420

”Shkrimtari i madh është ai që shkruan kohën që jeton dhe që, me idetë e tij troket në botën e së ardhmes”. – Tomas Stearns Eliot.

Vilhelme Vrana Haxhiraj, në librin “Mirënjohja virtyt i kujtesës”

Nga Kadri Tarelli

Para pak kohësh, shkrimtarja e njohur vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, (Vivra), solli për lexuesit e kudondodhur, librin e saj më të ri: “Mirënjohja virtyt i kujtesës”, vëllimi I-rë. (kritika, analiza dhe vlerësime nga autorë të ndryshëm). Është një libër goxha i madh në pamje, (rreth 420 faqe), i ilustruar edhe me fotografi të autorëve të ndryshëm, që vetiu janë bërë pjesë e këtij libri, që unë po e quaj “Monografi krijimtarie”.

Në këto tre vargje, qëndisur nga autorja që në faqet e para të librit, përmblidhet kumti dhe e gjithë filozofia e kësaj vepre madhore, për më shumë edhe shpirtërore: “Të harrosh është mëkat…./ Të mohosh dhe të transformosh faktet është krim./ Kurse kujtesa është mirënjohje dhe vlerë!”.

“Çuditërisht”, nga sa kam kënduar nëpër libra, nuk flitet për mirënjohje që kurdoherë çmohet si diçka e shenjtëruar në shpirt, siç po shkruan sot znj. Vivra, duke e ngritur “Mirënjohjen”, si virtyt në shkallën më të ndritur të marrëdhënieve njerëzore, shoqërore, qytetare, publike, letrare dhe filozofike. Aq sa vetë autorja shprehet: “Zëri i kujtesës, që gëlon në çdo paragraf, nuk do të lejojë që mbi 100 intelektualë të harrohen….. Nderim për zërat e heshtur, që dinë ta këndojnë këngën e jetës…..”. Ashtu siç po shprehem edhe unë, duke bashkuar edhe zërin tim, që në krye të këtij shkrimi: “Mirënjohja është bashkë-udhëtare e një shpirti fisnik”.

Them “Çuditërisht”, sepse mendjet e ndritura të botës, merren me faqen tjetër të Hënës, “Mosmirënjohjen”, për ta mallkuar e ndëshkuar, si një shpirt i kalbur nga keqja. Mes tyre edhe Shekspiri i madh, që thotë: “A ka gjë më të përbindshme, sesa mosmirënjohja e njeriut?”.

Duke bashkëbiseduar me autoren, znj. Vivra, siç ndodh kur ulen dy miq dhe kolegë në sofrën e shkrimtarisë, lidhur me përmbledhjen e të gjithë shkrimeve që i kushtohen një autori, një lloj “Monografie letrare”, i bindur nga përvoja, u shpreha gjatë kuvendimit, se ka dy forma të ndërtimit të një libri të tillë:

  1. E merr përsipër një studiues, kurdoherë dhe kushdo qoftë ai, i cili i grumbullon të gjitha shkrimet kushtuar një autori, dhe i vendos në një libër. Ai i ve në krye emrin e tij. Njëkohësisht duke lënë më një anë edhe subjektivizmin, është i ftohtë në vlerësimin apo përmbajtjen e shkrimeve të ndryshëm. Natyrisht studiuesi është i zhveshur nga ndjesitë njerëzore, sepse nuk është pjesë e kohës kur janë bërë shkrimet dhe, aq më pak pjesë e jetës së autores dhe marrëdhënieve që ka krijuar, (ai ose ajo), me krijuesit, dhe më tej, me librin dhe lexuesit. Në këtë hulli ku udhëton mendimi, libri përcjell kulturën, durimin, dashamirësinë dhe këndvështrimin e tij, pa u merakosur se ç’ndjesi apo përshtypje do të përftojë autori që i kushtohet studimi. Si lexues më kanë rënë në dorë disa libra të tillë.
  2. Forma tjetër është, kur vetë autori i grumbullon të gjitha shkrimet, madje shikon, përqafon, ledhaton, buzëqesh apo përqesh kohën në pasqyrë. I rilexon shkrimet dhe i përkëdhel, sikur janë shkruar sot. Është historia e krijimtarisë, që veç autorit nuk e di askush tjetër. A ka nevojë të gjykojmë znj. Vivra, kur shumë vite më herët merr në dorë librin e saj të parë,: “E mora librin me duar që më dridheshin dhe nuk besoja se në ato faqe ishte derdhur fëmijëria, rinia dhe shpirti im i copëzuar”.

Me një fjalë, çdo krijues i përjeton sërish ato ndjesi të kohëve të ndryshme, për më tepër mund të ketë ruajtur edhe copëza ndodhish, porosi, rrahje mendimesh nëpër bisedash të ndryshme, që natyrisht nuk gjenden në asnjë qasje letre, gazete apo portal interneti. Bie fjala, pjesëmarrje në kuvende librash, njohje dhe udhëtime, dhënie çmimesh, dhuratash dhe tituj nderi, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Madje janë me shumicë edhe poezi, këngë dhe shkrime që s‘kanë të bëjnë me tituj dhe analizë librash, etj, etj. Të gjitha së bashku, janë stoli që zbukurojnë librin dhe më shumë portretin e autores, më tej lezetojnë edhe leximin, sepse ato në vetvete janë pjesë jete, ushqyer me lëng jete.

Autori, në këtë rast autorja Vivra, gjen vetveten duke falënderuar në vetë të parë, të gjithë dashamirët e veprës së saj të shtrirë ndër afro 30 vite krijimtari. Të them të drejtën më pëlqen kjo formë libri, jo vetëm si përmbajtje, pasi veç vlerësimit të librave, ka shumë përjetime të gëzueshme, pse jo edhe të trishta, ashtu siç vjen jeta me dallgë e të përpjeta, siç do të shprehej ndonjë lab i krisur, me shaka të kripura.

Nuk është e dobishme të futem në brendi dhe komente të përmbajtjes, pasi lexuesi ka dëshirë dhe kërshëri që të zbulojë vetë “gurët e çmuar” të artit të fjalës dhe mesazhet që përcjell ky libër, që unë e quaj “Arkë kujtese”. Një emërtim i shtyrë nga përvoja, pasi shkrimet humbasin apo harrohen nga koha, si të thuash kokrrat e grurit të rëna përdhe, që në rastin më të mirë i hanë milingonat, më keq kur kalben pa lënë nam e nishan. Autorja ka meritë që i ka ruajtur me fanatizëm të gjitha shkrimet, që për fat të mirë janë shumë, sepse ka disa krijues apo lexues që kanë shkruar e publikuar disa artikuj, poezi, hyrje dhe recensa, kushtuar librave të “heroinës” sonë. Së bashku janë aq shumë, sa nuk i nxë një libër, ndaj mendon t’i vendosë në tre vëllime. Nder i autorëve, por njëkohësisht nder edhe për miken tonë znj. Vivra.

Ndërmend nuk e kam të kopjoj plot një faqe libri, me emrat e të gjithë autorëve intelektualë të njohur në fushën e letrave shqipe, që kanë marrë penën të shkruajnë për krijimtarinë e Vivras. Unë po mjaftohem vetëm me disa, prej tyre: Prof. Odise Grillo, Teodor Laço, Dionis Bubani, Fatos Arapi, Uran Butka, akademiku Prof. dr. Eshref Ymeri, nxitësi dhe frymëzuesi i shkrimtares sonë, Prof. Dr. Fatmir Terziu, (Mjeshtër i madh), i cili i ka kushtuar znj. Vivra, librin: “Liria në optikën e letrave të Vilhelme Vranari Haxhiraj”, Dr. Mujo Buçpapaj, Baki Ymeri, znj. Lejla Gorishti, Bujar Leskaj, Myrteza Mara, Hamdi Meçe, Bajram Koshena, Mexhit Haxhiu, Halil Rama, etj. Nga Dardania shkruajnë Xheladin Mjeku, Adem Zaplluzha, etj.  Nga Suedia, Sokol Demaku, Sadulla Zendeli-Daja, Fetah Bahtiri, etj. Vetëm nga Durrësi janë disa pena krijuesish: Shpendi Topollaj, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Skënder Kapiti, Merita Kuçi Thartori, Fatmira Beqja Veseli, Xhevahir Cirongu, mes tyre edhe unë Kadri Tarelli, me disa shkrime, vjershërime, analiza dhe hyrje libri.

Vetiu lind pyetja që ka edhe përgjigjen brenda: – A do të shkruanin penat e rënda të letrave, nëse librat e znj. Vivra nuk do të ishin në majë të krijimtarisë dhe shkrimtarisë!? Për t’u bindur, mjaftojnë e teprojnë këto pak fjalë, të shkruara para një çerek shekulli, nga shkrimtari i njohur Teodor Laço, që thotë: “…..Duke marrë në sy faktin e pengesave që autorja ka hasur për një kohë të gjatë, ne kemi të drejtë të shpresojmë se trokitja e kësaj zonje të fisme, plot vrull e përkushtim, do të dëgjohet këtej e tutje më fort, më imponuese, më tingëlluese”. Tiranë. Korrik 2001.

Nuk e teproj të shpreh edhe një tjetër vlerë të shtuar të këtij libri në tre volume, “Mirënjohja virtyt i kujtesës”. Ndoshta pa dashje, por autorja ka krijuar dhe ka vendosur një copë historie letrare në thesarin e madh të letërsisë dhe kulturës Shqiptare, në këto 30 vitet e fundit. I qëndroj këtij gjykimi, pasi nëpër shkrime do të ndeshim edhe copëza të prapa-jetës së Vivras, e cila nis të botojë në moshën 55-vjeçare. Pavarësisht se e di mirë shkakun, ndërsa pasojat i di më mirë znj. Vivra, më lejohet të bëj pyetjen që dhemb: Pse, Pse, Pse? Besoj se çdokush prej nesh, një përgjigje do ta gjejë edhe në këto pak fjalë të shkruara nga poeti Xhevahir Spahiu: “…… Si mbiemri i saj, qielli është i vranët, ndaj duhej kohë që qielli të hapej dhe Vilhelmja të thoshte fjalën e saj, ….. Dita erdhi dhe ajo sot ka ardhur si Antigona e lashtësisë, për të mjekuar plagët e vjetra dhe të reja të kohës”.

Nuk besoj se jam i vetëm që po mbështes këtë mendim, pasi duke udhëtuar nëpër faqet e këtij libri, do të gjejmë jo vetëm emra krijuesish, por edhe vendesh, datash, gazetash, bashkë me to edhe artikujt të shpërndarë në shtypin e kohës, si elementë të domosdoshëm për një vepër historike letrare të mirëfilltë. Të gjitha janë ngjarje të jetuara. Dhe ngjarjet kur mblidhen bashkë bëjnë histori, ose më së paku shërbejnë për histori.

Në vazhdim, ajo që unë dalloj pa vështirësi në faqet e këtij libri, janë tri pjesë që dallojnë nga njëra-tjetra, si në përmbajtje ashtu edhe në hapësirën që zënë përkatësisht pranë njëra-tjetrës:

Së pari, hyrja dhe një lloj jetëshkrimi i shkurtër, i rrëfyer aq bindës dhe bukur nga vetë autorja, ku mbizotëron ndrydhja dhe dhimbja e shpirtit, kur kujton vështirësitë, pengesat, ndëshkimin kolektiv, mohimin e të drejtës njerëzore mbi jetën dhe mbijetesën, nën persekutimin e diktaturës dhe luftës së klasave. Njëkohësish shpërthimi i vullkanit shpirtëror, mbas përmbysjes së komunizmit, duke i hapur udhë krijimtarisë letrare, në publicistikë, poezi, prozë, romane, tregime, një pjesë edhe për fëmijë, studime historike dhe filozofike. E gjitha, për t’u çmuar si një mësim i dobishëm, si vlerë durimi dhe guximi për t’u përballur dhe për të fituar mbi padrejtësitë e kohës. Mbase këtu ka vend shprehja popullore: “Floririn hidhe edhe në baltë, nuk e humbet vlerën. Mjafton ta nxjerrësh, ta pastrosh dhe, ai përsëri do të shkëlqejë në dritë të diellit”.

Së dyti: Pjesa më e madhe e librit, ku përfshihen të gjitha shkrimet e autorëve të ndryshëm. Çuditërisht, duke i lexuar për të njëjtën temë apo për të njëjtin libër, pavarësisht se janë aq shumë, nuk gjej dot asnjë përsëritje, apo përngjasime shprehjesh dhe idesh. Aq sa vetiu lind pyetja: – Si është e mundur!? Çdo njëri prej tyre, përfaqëson një individ më vete, por të papërsëritshëm……!??? Besoj se këtu qëndron suksesi i librave të znj. Vivra, pa u anashkaluar tematika dhe arti i fjalës, ku secili lexues dhe shkrues, ka zgjedhur të rrëfejë atë çka ndjen dhe çka i pëlqen, pa u menduar dy herë.

Pjesa e tretë, fundi i librit, ku përmblidhen shkrime, vlerësime dhe çmimet e dhëna në adresë të shkrimtares sonë. Aty do të gjejmë, mbase shprehjet më të bukura të thëna e të thurura aq bukur për Vivran tonë, si “Zonjë e madhe e letrave shqipe”, “Romanciere e prozatore moderne”, “Mjeshtre e madhe e penës”, “Akademike”, “Shkrimtarja më interesante e letërsisë sonë”, “Vranari shkruan me stilin e Xhejm Xhoisit”, “Autorja punon me fuqinë dhe penën e Balzakut”. Më tej: – “Ikonë e letërsisë botërore”, si çmim ndërkombëtar, dhënë nga Akademia letrare e Indisë, etj.

Duke i lexuar me kujdes rreth katër faqe të krijimtarisë së saj dhe vlerësimet e të huajve, SHBA, Suedi, Kanada, Britani e Madhe, Itali, Mal i Zi, Dardani, Rumani. Askush nuk mendon se këto vlerësime janë dhënë për “hatër”. Në këto kushte, gjithsecili nga ne, nuk ka sesi të mos ndjejë një lloj krenarie për këtë shkrimtare me përmasa të tilla kombëtare e ndërkombëtare. Çdo njëri nga ne do t’i lakmonte këto nderime të merituara e të fituara me forcën e mendimit dhe mjeshtërinë e krijimit. Këtu gjen vend edhe pyeta e radhës, që s’më lë të qetë: – Po Akademia jonë e shkencave Shqiptare, pse nuk lëviz? Pse hesht si murgu në qeli? Pse trembet që ta ketë në gjirin e saj…… për krijimtarinë, fjalën, guximin dhe atdhetarinë? Besoj dhe i qëndroj mendimit, se figura e saj i bën nder çdo institucioni letrar e shkencor kombëtar.

Jam i bindur, si edhe shumë të tjerë, se prodhimtaria e suksesshme e  shkrimtares Vranari e ka burimin jo vetëm te puna këmbëngulëse, plot mundim, durim e sakrifica, por edhe te besimi i palëkundur, se do t’i arrijë synimet që i vë vetes çdo krijues, i rrahur në përpjekje dhe artistikisht i formuar, i provuar dhe i besuar.

Besimi më shtohet kur lexoj këto pak vargje, vendosur në përthyerjen e ballinës së librit:

………………………………………..

A mund të mos shkruajë poezi poeti, /përsa pena ende s’i është tharë?

Nëse një ditë zërin s’do ma dëgjoni, /atëherë besoni,/ se nga e mundshmja … jam ndarë! Poezia. “A mund të mos……..”.

Urime dhe suksese znj, Vivra, për të tjerë libra me po kaq vlera krijimtarie dhe atdhetarie. Emrat e të gjithë autorëve, pjesëtarë të këtij libri, i vendose në përmendore përjetësie. Ky është vërtet virtyt i kujtesës, që udhëton bashkë me shpirtin tuaj fisnik!

Jetë dhe shëndet të mirë, për të qenë kurdoherë mes shkrimtarësh, artistësh dhe atdhetarësh, nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike, përfshi edhe mërgatën tonë të shpërndarë në katër anët e botës!

Zëri yt ngjall shpresë dhe besim, për ditë më të mira për mbarë kombin Arbëror.

Urime dhe mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës. Fund marsi, 2024.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok