27/04/2024

KROJET E SKËNDERBEUT DHE TURIZMIT

0

(Një shkrim që u bë bashkë me lexuesit)

NGA NDUE DEDAJ

“Krojet e turizmit, prej tubash”. Ky ishte titulli i një vëzhgimi të bërë nga ne në rrjetet sociale para pak ditësh. Në të thuhej: “Kemi shkruar për kullat dhe malet e turizmit, por mbase nuk kemi shkruar sa duhet për krojet, kështu që ata kanë filluar të na humbasin nga sytë, me fjalë të tjera të “shterrin”. Kështu më ndodhi para pak ditësh në Qafë – Shpardh (Kaçinar), ku rastësisht “zbulova” se poshtë rrugës ishte një burim dhe një gjysmëkrua, ku nuk mund të pije ujë. Aty nuk kishte pasur burim, por atë e pati krijuar një shpim gjeologjik me sondë në vitet ’70 dhe që atëherë në kodër del uji i atij pusi. Mirëpo dora e njeriut nuk është zgjatur deri te ajo cuprrelë për të vënë një krua druri, siç i kishim dikur krojet në malet tona. Edhe aty ku krojet buzë rrugës janë rregulluar, tubi që nxjerr ujin është prej hekuri apo plastike. Ndërkohë që në bjeshkë lugjet për të pirë ujë bagtitë vazhdojnë me qenë prej druri si qëmoti!…

Sa herë shkonim në Krujë, këtu e dyzet vite më parë, ndalonim dhe te një krua i vogël në qytet, që kishte mbetur ashtu si në zanafillë, kur krojet më ujin e ftohtë malit e Sarisalltikut i kishin dhënë emrin qytetit. Qyteti kishte bërë epokë historike me betejat skënderbegiane, por emrin e kishte marrë nga krojet. Në Selitë Kroi i Bardhë jo vetëm që i ka dhënë emrin një copë bjeshke, por ka sjellë dhe një kamping për pushuesit, pasi uji i tij është kurativ. Një dorë e kujdesshme kohët e fundit e ka zëvendësuar kruan-tub me një krua prej guri të gdhendur. Tubi është kthyer në makthin e ujërave tona malore, sidomos atyre për hidrocentrale. Mirëpo turistët nuk duan tuba në kroje. Vërtet ka ecur teknologjia, por në këtë rast është e panevojshme. Edhe në pikat turistike krojet e bërë më gurë të skalitur nuk i kanë shpëtuar gjithkund tubit. Kjo është arsyeja që nuk i fotografojmë krojet, kur shkojmë në male, pasi nuk i shohim dot tubat të nxjerrin ujë!…

Ndoshta ndokush, pasi të lexojë këto radhë, mund të thotë: “Sa mirë që na e kujtove, të bëjmë ndonjë projekt e t’ia paraqesim Bashkimit Europian, se ata kanë fonde për turizmin”. As një nismë si kjo nuk përjashtohet, por fjala është për të bërë diçka të “vogël” vetë ne, secili kruan e mëhallës së tij! Sa pak kushton!… Ai që kushton më shumë në këtë rast është vullneti i munguar, atij si t’ia bëjmë? Pa gurë e drurë për krojet si të gjyshërve ka plot. Dikur shkruheshin dhe tregime për gurgdhendës korçarë që skalisnin krojet e fshatrave në male. Të shpresojmë se do të mund t’i fotografojmë një ditë krojet jo tuba…”

Kaq ishte shënimi ynë, çka bëri që lexuesit ta përmbushnin e bënin më të plotë atë me mendimet, sugjërimet dhe informacionet e tyre, ku njëri nga komentuesit shkruante se para 1967-s Kruja ka pasur 42 kroje, shumica e tyre me struktura monumentale, por që me ndërtimin e ujësjellësit të qytetit, gradualisht u shkatërruan pothuajse të gjitha krojet – për të ardhur keq, pasi secili prej tyre përbënte dhe trashëgimi kulturore. Duket romantike për të qenë e vërtetë, por një shekull më parë, një makinë bënte përditë vajtje – ardhje rrugën nga Tirana në bjeshkët e Krujës, për të mbushur ujë te Kroi i Nanës Mbretneshë, në Malin e Skënderbeut. Dikush nga lexuesit rreshtoi krojet më të njohur të zonës së tij, me emra nga më të larmishmit, si Kroi i Mollzës, Kroi i Shtogut, Kroi i Gjunalës, Kroi i Munegës, Kroi i Lajës etj., si një “inventarizm” që mbase do t’iu vlejë atyre që mund të merren nesër me ndreqjen e krojeve në funksion të turizmit. Dikush tjetër solli toponimet që lidheshin me krojet, lugjet, burimet: Lugje (lagje e banuar), Fushë – Lugje, Lugu i Zi, Krojet (Kosovë) etj. Ashtu si vjersha “Kroi fshatit tonë” e Lasgushit, që i kishte dhënë freski poezisë shqipe që në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nuk mund të lihej jashtë një shkrimi që bën fjalë për krojet. Duheshin përfshirë, gjithnjë sipas lexuesve, dhe disa nga gurrat kryesore, si ajo e Domgjonit në Mirditë, mbi të cilën qe ndërtuar një ujësjellës antik autentik në trojet shqiptare, një gurrë afër Urës së Zogut e gjer Gurrat e Begut në Lezhë. A nuk po flisnim për turizmin? Kur është fjala për të, asgjë e natyrës nuk është e huaj. Doemos që kishte dhe skeptikë, se tash që kishin ikur njerëzit, kush do të kujtohet për krojet, por më të shumë ishin optimistët për të bërë diçka të mirë me krojet e burimet. Këta të fundit sillnin dhe shembuj pozitivë, si krojet e gdhendur gjatë ndërtimit e asfaltimit të rrugës nga Fushë-Arrësi në Iballe etj.

Një komentues shkodran shkruante se dikur në Bogë e në Theth, kishte kroje të bukur, ku në Bogë ishte kroni i ndërtuar qysh në kohën e Zogut, me gurë të gdhendur, ku ishte e skalitur fytyra e Skënderbeut mjaft hijshëm. Kurse tani në ato anë krojet janë me tuba xingat dhe nuk shihet askund ai ulluku i drujtë i dikurshëm. Kroje me shëmbëlltyrën e heroit kombëtar mund të ketë dhe tjetërkund, për më tepër që kemi një toponimi e topografi skënderbegiane, ku bie në sy “Kroi i Skënderbeut” në afërsi të Kalasë së Çidhnës në Dibër, “Kroi i Skanderbegut” në Kulme të Dervenit Mirditë etj. Dikur në Kukësin e vjetër ishte busti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ai u lëviz për në Kukësin e ri, kur i vjetri do të përmbytej nga liqeni i Fierzës, ama fotografia e tij në piedestalin e dikurshëm ka mbetur si një stoli e vyer…

Pyetja është se kush do t’i kthejë në “identitet” krojet e maleve tona? Të gjithë ngapak, vetë banorët, bashkitë, investitorët e ndryshëm të rrugëve e objekteve ndërtimore, bizneset agroturistike etj. Mjaft të duam, pa krojet nuk do të shterrnin kurrë! Sigurisht që nuk është fjala vetëm për turizmin. Sado shkretimit të madh, malësitë ende banohen dhe shpesh banorët vuajnë për një pikë ujë si në legjenda. Vetëm ndonjë mrekulli do të sillte ujë në Kuç Buronjë të Labërisë, ku megjithëse është bërë një investim kolosal për ujësjellësin, njerëzit mbushin ujë për të pirë në përrua, siç pamë përmes kameras së një emisioni televiziv investigative!

Ndokund tjetër, qytetarët lënë çezmat dhe iu drejtohen krojeve në periferi të qyteteve për të mbushur ujë që nuk rrjedh nëpër tuba.

Kemi lënë kullat të bjerren, të mos lëmë dhe krojet!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok