19/07/2024

HAXHI JAHJA EFENDI DACI- VETËM ME PUSHKË E ME DIJE FORMOHET SHQIPËRIA ETNIKE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1905-1944)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Haxhi Jahja Efendi Daci, nuk është emër i panjohur për historiografinë shqiptare. Ai lindi dhe u rrit në një periudhë kur në tokat e Ballkanit kurdiseshin fatet e popujve. Po ashtu, në atë periudhë historike edhe shqiptarët ishin të angazhuar që të ndryshonin fatin e tyre. Dhe mu në këtë kohë, më 1905 u lind në Pejë Haxhi Jahja Efendi Daci më 1905. Dihej se, të parët e tij kishin ardhur nga fshati Dacaj , rrethi i Rozhajës. I pari i tyre kishte ardhur në Pejë, me kërkesën e parisë së Pejës, për të shërbyer si myfti dhe më nuk ishte kthyer në fshatin Dacaj. Familja e tij ishte intelektuale për kohën, e mbi të gjitha ishte atdhetare.

Jahja i vogël shkollën fillore e kreu në Pejë dhe pati fatin që ta mbaroi në gjuhën shqipe, ngase Peja ishte nën sundimin austriak dhe shkollat shqipe ishin të lejuara. Pastaj vazhdoi medresenë po ashtu në qytet të cilën e përfundoi me sukses të shkëlqyer. Si nxënës dallohej për përkushtimin e madh që tregonte ndaj librave dhe ndaj mësimit në përgjithësi. Për nga natyra ishte kureshtar për çdo gjë, e sidomos kur ishin në pyetje  udhëtimet jashtë Pejës ai nuk kursente asgjë. Dhe mu në këtë kohë, kishte dëgjua se, një grup haxhilerësh do të shkonin  për në Qabe për ta vizituar vendet e shenjta myslimane, ai vendos që të shkoi me ta. Dallohej për shoqërim dhe komunikim të lirë me njerëzit, andaj, gjatë qëndrimit në Qabe, bie në kontakt me shumë njerëz të mençur shoqërohej me ta dhe kishte bisedua dhe trajtua tema të ndryshme. Miqtë e tij, duke e parë aftësinë dhe mençurin e tij i propozojnë, që të shkoi në Egjiptin e largët. I kishin tregua për Universitetin Az-hari të Kajrosë, dhe atje mund të vazhdoi studimet. Ashtu dhe kishte ndodhur, në vend që të kthehej në shtëpi, ai vazhdon rrugën për Egjipt, për të vazhdua shkollimin superior.

Pas shumë peripecive, Jahja regjistrohet në fakultet dhe me një dashuri të madh i përkushtohet mësimit. Dhe, derisa qëndroi në Egjipt, vizitoi shumë biblioteka dhe lexoi libra të ndryshme. Ai kishte orë për gjuhët e huaja. I fliste dhe i shkruante gjuhët: turqishte, persishte, arabishte, anglishten, serbishte e ndonjë tjetër. Ishte një poliglot për kohën që jetonte. Gjatë ligjëratave u takua me shumë student të ngritur me të cilët krijoi miqësi të  mirë, dhe gjithashtu me vëmendje i përcillte profesorët duke ligjëruar. Nga at mësoi se si duhet angazhuar  e punuar për atdheun, dhe se si duhet mbrojtur nga të huajt. Jahja e ndjente veten keq, kur e dinte se Kosova, atdheu i tij po lëngonte nën vargonjtë e robërisë. Mori vendim se duhet të kthehej në vendlindje dhe të angazhohej për çlirimin dhe lirimin e vendit të tij nga robëria. Pasi përfundoi shkallën e parë të studimeve, kthehej në Pejë, por si dëshirë e parealizuar i kishte mbetur përfundimi i fakultetit.

Në Pejë u kthye i pjekur dhe me ambicie të shtuara. Qëndrimi në Egjipt, larg atdheut e kishte ndryshuar shumë. Posa erdhi në Pejë, filloi të merret me aktivitet të shumta atdhetare dhe ra në kontakt me shumë intelektual të kohës. Filloi të punonte si imam në Rahovec dhe ishte tejet i kënaqur, ngase si hoxhë ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me masat e gjera të popullit. Nuk përtonte që të shkojë gjithandej ku e kërkonte nevoja, ishte në dasma, në vdekje, në ceremoni familjare etj. Populli e çmonte dhe e donte shumë. Fjalët e tij mirëpriteshin çdo herë dhe nga të gjithë. Në çdo takim me masat e gjëra popullore, ai iu fliste për vendin, për lirin, për robërinë që po iu sjelltë i huaji. Shpesh iu thoshte masës së tubuar në tubime të ndryshme se pa atdhe nuk ka fe dhe anasjelltas. Fjalët e tij kishin ndikim dhe ato filluan të manifestoheshin tek popullata. Ishte orator i madh dhe kishte ndikim te çdo kush që e dëgjonte. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për shpërnguljen e shqiptarëve në mes Serbisë e Turqisë, e cila u nënshkrua më 11 korrik 1938, në të cilën thuhej se sipas kësaj marrëveshjeje, duhet të shpërnguleshin 40 mijë familje (rreth 200 mijë njerëz) të cilët duhej të emigronin nga vendet ku jetonin shqiptarët që ishin okupuar nga Jugosllavia në vitet 1912-13. Shpërngulja e shqiptarëve nga vendet e tyre, për mbretërinë Jugosllave çdo herë ishte aktuale. Andaj, kjo fushat e shqetësoi pa masë Haxhi Jahjan, dhe mu kjo ndikoi që të marri masa kundër shpërnguljes. Organizoi njerëz të caktuar që të dalin nëpër fshatra dhe të flasin kundër largimit të fshatarëve nga tokat e tyre. Kjo ndikoi pozitivisht dhe shumë familje shqiptare hiqen dorë nga shkuarja në Turqi edhe pse i kishin shit pasurit e tyre.

Pasi se ishte njohës i shkëlqyer i gjuhëve të huaja ai nuk rreshti së punuari për të bërë informimin e drejtë tek opinioni botëror. Ai shpesh shkruante kërkesa, ankesa, iu dërgonte informata të shumta për gjendjen e krijuar në Kosovë, dhe të gjitha këto i dërgonte në Lidhjen e Kombeve që ndodhej në Gjenevë. Për çdo gjë mbante shënime të përpikta se çfarë ndodhte në Kosovë dhe ndaj popullit shqiptar. Raportonte për të gjitha padrejtësitë, krimet, keqtrajtimet dhe gjenocidin që bëhej mbi popullsinë e pafajshme nga ana e okupuesit. Në Lidhjen e Kombeve gjeti mbështetje të madhe, ngase ata e nxisnin që të dërgoi informata dhe të ishin në kontakt të vazhdueshëm.

Ai ishte këmbëngulës në kërkesat e tija, por frikësohej se ndokush po bënte hile në dërgimin e informatave, dhe për të qenë i sigurt se kërkesat po shkojnë në adresën e duhur, gjente mënyra ndoshta nganjëherë edhe të papërshtatshme për ti dërgua ato. Në një shkrim për jetën e Jahja Dacit, të shkruar nga Myrveta Gashi, ajo thotë se “Një natë konsullit të atëhershëm shqiptar në Shkup, Zamirë Shtyllës, i hynë për dritare në shtëpi me qëllim që t’ia dorëzonte shënimet e tij lidhur me gjendjen e rëndë, të cilën po e përjetonte populli në Kosovë. Dëshironte që çdo gjë të arrinte e sigurt aty ku duhet dhe aty ku e ka vendin”.

Ishte i pandashëm me Emrush Miftarin, Nexhip Bashën, Hasan Morinën, Sejfullah Haxhiajdinin, Aziz Bekqelin, Sali Ukellin, Sejfedin Mahmutbegollin  e shumë të tjerë. Bile me këta atdhetari më 1941 kishin formua formacionin ushtarak “Kapeshnica”, për të mbrojtur qytetin.

Pushtimi i Jugosllavisë, i njohur gjithashtu si Lufta e Prillit ose Operacioni 25, ishte një sulm i udhëhequr nga Gjermania Naziste në Mbretërinë e Jugosllavisë nga Fuqitë e Boshtit, i cili filloi më 6 prill 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Urdhri për pushtimin u parashtrua në ” Direktivën e Furerit, nr. 25”, të cilën Adolf Hitleri e nxori më 27 mars 1941, pas një grusht shteti jugosllav  që përmbysi qeverinë pro Boshtit. Pas kësaj Kosova frymoi më lirshëm. Ajo u nda në tri zona: zona Gjermane, zona italian dhe zona bullgare.

Pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave, Shqiptarët për shkak të terrorit e përndjekjeve të pushtetit serb e konsideronin sulmin e prillit si një alternativë që do të lehtësonte gjendjen e saj, kurse pushtimin fashist si një çlirim nga robëria serbo-madhe që kishte pushtuar trojet shqiptare, për shekuj të tërë dhe nuk i kishte lënë shqiptarëve të Kosovës, asnjë të drejtë njerëzore, çfarëdo ajo e drejtë që të ishte .

Zona okupuese italiane iu bashkangjit Shqipërisë në gusht të vitit 1941 . Po ashtu shtetit të ri shqiptar të formuar më 1912, Shqipërisë iu bashkëngjitën edhe qytetet Dibër, Strugë, Kërçovë, Tetovë, Gostivar, po ashtu edhe Ulqini dhe Tivari .

Zonës okupuese bullgare që shtrihej në lindje të Kosovës, përfshinte një pjesë të rrethit të Gjilanit, Vitinë, Kaçanikun, një pjesë të Kamenicës, Preshevën, Bujanocin, Kumanovën dhe Shkupin .

Në zonën gjermane hynë: Rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë, i Podujevës dhe i Pazarit të Ri .

Haxhi Jahja Efendi Daci, pas shkatërrimit të Mbretërisë Jugosllave dhe pas ndarjes së Kosovës në tri zona, ai vazhdoi të angazhohej në jetën politike dhe të përkrahë patriotët shqiptar për të bë bashkimin e tokave shqiptare në një Shqipëri Etnike.

Për të luftuar që Kosova dhe viset e tjera të pushtuara nga ish Jugosllavia, tani të shpërndara në tri zona okupuese, t’i bashkoheshin sa më shumë një tërësie, në maj të vitit 1941 në Kosovë kishte kaluar organizata Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës”, me në krye Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar e Xhelal Mitrovicën – sekretar, në përbërje të të cilit gjendeshin edhe Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë.

Një numër i anëtarëve të Komitetit u ndalën në Prizren, kurse pjesa tjetër, në krye me Bedri Pejanin, shkoi në Mitrovicë, në mënyrë që atje të vepronte që edhe kjo pjesë e Kosovës të përfshihej në “Shqipërinë Etnike”. Tema e “bashkimit shqiptar”, do të ndajë Komitetin në dysh. Në pro-italianë (Ferhat Draga dhe Bedri Pejani, të cilët angazhoheshin që kjo pjesë e Kosovës të ndahej nga “shteti” i Nediqit dhe t’i bashkohej Shqipërisë) dhe në pro-gjermanë (Xhafer Deva, i cili më shumë e dëshironte autonominë e Shqiptarëve nën Gjermaninë me anën e së cilës mund të arriheshin hap pas hapi aspiratat kombëtare të Shqiptarëve, që sipas tij kërkonin një mbështetës të fuqishëm, siç ishte Gjermania, e cila bashkimin e Shqiptarëve do ta shohë edhe si interes të saj për një aleat të fuqishëm rajonal).

Për t’i pajtuar këto dallime, do të përkujdeset “Lidhja Kombëtare Shqiptare”, që do të themelohet në Mitrovicë me në krye Ali Dragën, i cili, si prijës i “Grupit Shqiptar” përfaqësonte Shqiptarët para pushtetit okupues gjerman. Sekretar i “Lidhjes” ishte Vehbi Frashëri, i biri i Mehdi Frashërit, ish kryetarit të qeverisë mbretërore shqiptare dhe kryetarit të mëvonshëm të Këshillit të Regjencës së Shqipërisë (pas kapitullimit të Italisë).

Në të njëjtën ditë kur kishte kapitulluar Mbretëria Jugosllave, më 17 prill 1941, Ushtria gjermane kishte hyr në Pazarin e Ri. Banorët e Pazarit nuk fshihnin kënaqësinë me rastin e ardhjes së gjermanëve, sepse shpresonin se në kuadër të qeverisjes së re do të “frymojnë” më lirisht. Komanda gjermane, duke respektuar të drejtën për autonomi, u lejoi dhe u mundësoi krerëve të Sanxhakut të rikthejnë qeverisjen e cila iu ishte marrë pas Luftës Parë Ballkanike. Në takimin që u mbajt në Mitrovicë, të cilin e kishte organizuar Krajs komanda më 19 prill 1941, qeverisja politike dhe udhëheqja iu dorëzua myslimanëve të Sanxhakut. Në këtë këshillim kishin marrë pjesë Aqif Blyta dhe Ahmet Daci. Vendet kyçe udhëheqëse në kryeqytetin e Sanxhakut – Pazarin, i morën Aqif-efendia, Ahmet Daci dhe Bahri Abdurrahmani (Abdurahmanoviq). Me këtë gjendje të krijuar nuk ishin të kënaqur çetnikët serbë. Ata formuan njësit për të hyrë në Sanxhak dhe gjithandej ku jetonin shqiptarët.

Duke e parë situatën e krijuar, Aqif Blyta vihet në krye të Këshillit për mbrojtjen e Pazarit të Ri. Këshilla të ngjashëm ishin formuar në shumicën e qyteteve të Sanxhakut. Ky këshillë në tërësi kontrollonte situatën në qytet dhe rrethinë. Me këtë rast u mobilizua i tërë populli i aftë për luftë dhe u shpërndan armët dhe në të njëjtën kohë u dërguan tri delegacione që të thirrën në ndihmë shqiptarët nga Kosova dhe Peshteri, si dhe nga rrethet tjera.

Thirrjes së Aqif Blytës iu përgjigjën vëllezërit nga Kosova. Haxhi Jahja Efendi Daci s bashku me Mulla Zekë Berdynën e shumë të tjerë organizuan grupe vullnetarësh për t’iu shkua në ndihmë vëllezërve të tyre në Pazarin e Ri , Tutin, Kollashin e vende të tjera. Haxhi Jahja Daci dha një kontribut të madh në organizimin e mbrojtjes së këtyre vendeve. Për të, lufta ishte e shenjtë kur bëhej për mbrojtjen e atdheut dhe të popullit të shtypur. Andaj, edhe popullata e kësaj ane e çmoi dhe e vlerësoi shumë ndihmën e tyre në momentet më të rënda të historisë.

Në bazë të të dhënave del se Jahja Daci ishte njeri me një kulturë të gjerë, me një kujdes të veçantë i dëgjonte njerëzit dhe i kuptonte ata, bashkë ndjente me ta dhe në çdo kohë ishte i gatshëm ti ndihmonte. Ai u shoqërua me njerëzit më përparimtar dhe më të ditur të kohës. Ishte mik i Hafëz Ali Korqës dhe me Anton Arapin nga Shqipëria, Me Ferat Dragën, Emrush Muftarin, me Asim Luzhën, me Besim Korkutin, me Haxhi Ymer Paqarizin e shumë të tjerë. Ishte njeri i fjalës dhe i besës. Ishte orator i madh dhe fjala e tij kishte peshë, kurdo dhe kudo që e thoshte. Ishte njeri i cili lexonte shumë. Kishte një bibliotekë shumë të pasur. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore atij i vinin gazeta e revista të ndryshme nga vende të ndryshme të botës, si nga Egjipti gjithashtu edhe nga Sarajeva, por gjithashtu i vinin edhe nga Tirana. Ai ato i lexonte dhe i ruante me një kujdes të madh. Por, pas likuidimit të tij, e tërë biblioteka e tij u ble nga një person nga Peja, i cili të tëra i  barti për diku që nga ajo ditë askush nuk e di ku shkuan dhe ku kanë përfundua.

Haxhi Jahja Efendi Daci, ishte pjesëmarrës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit e cila u mbajt me 16-20 shtator 1943. Ai gjatë mbledhjes ishte aktiv dhe kishte bë propozime të vlefshme gjatë punimeve të kuvendit. Ai i përkrahu vendimet që u morën në kuvend dhe i aplikoi në terren. Ishte përkrahës i madh i programit i cili u miratua në të. Dhe shpesh thoshte, se vetëm me pushkë e me dije formohet Shqipëria Etnike.

Haxhi Jahja Efendi Daci ishte kundër komunizmit, dhe ishte kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë e Jugosllavisë. Pas kapitullimit të Gjermanisë fashiste, në Kosovë okupuesit  e vjetër me petkun e ri, filluan masakrat ndaj popullit shqiptar. Çetnikët e vjetur të veshur si partizan, filluan të likuidonin elitën shqiptare. Në këtë kohë u likuiduan gati të gjithë bashkëpunëtorët e shokët e Haxhi Jahja Efendi Dacit. Në këtë periudhë u pushkatua Emrush Miftari e shumë të tjerë. Duke i parë masakrat që po bëheshin në Pejë dhe rrethin, miqtë e lutën që Jahja Daci të largohet për një kohë nga Peja. Dhe kështu veproi. U strehua në fshatin Brojë tek miku i tij, Mulla Ilaz Broja në Drenicë.

Haxhi Jahja Efendi Daci nuk ishte njeri që nuk binte në sy. Dhe duke i ditur të bëmat e tij atdhetare, OZN-a e përcillte hap pas hapi. Oznashet i kishin shkua edhe në shtëpi, në Pejë, dhe ia kishin i malltretuar familjen e tij. Por asnjë informatë nuk kishin mundur të marri nga ata. Ndërsa në anën tjetër, Jahja Daci s bashku me Mulla Ilaz Brojën merren vesh që të ndahen në fshatra të ndryshëm që në rast të zbulimit, mos të zbulohen që të dy. Ai kalon në ilegalitet të thellë duke u strehuar nëpër fshatra të Drenicës. Por, nuk vonon, ai u zbulua në një fshatë të Drenicës, deri sa po kalonte andejpari një brigadë serbo-çetnike, dhe rastësisht  e kishte njohur një serb i Istogut Jahja Dacin. Pa vonuar, e lajmëron tek eproret e vet, të cilët e arrestojnë menjëherë. Pas arrestimit, për serbët ishte një gëzim i madh. Atë, tërë natën e kishin rrahur, e kishin keqtrajtuar në mënyrën më çnjerëzore të mundshme. Dhe në mëngjes e nxjerrin nga vendi ku e kishin mbajtur dhe e pushkatojnë.

Ndërsa miku i tij Mulla Ilaz Broja për momentin shpëton duke vazhduar jetën në ilegalitet, deri më 8 shkurt 1946, kur edhe ai rrethohet nga OZN-a jugosllave në fshatin Leqinë dhe pushkatohet në fshatin Zllakuçan, së bashku me bashkëluftëtarët e tij.

Kështu, Haxhi Jahja Efendi Dacin e pushkatojnë në moshën 39 vjeçare, duke lënë mbrapa tri vajza dhe tre djem dhe bashkëshorten e tij. Vitet 1944-1945, llogariten të kenë qenë vitet më të rënda të popullit shqiptar, kur ata vriteshin e zhdukeshin pa gjurmë maleve e fshatrave të Kosovës gjithandej ku jetonin ata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok