21/05/2026

Gjergj Kastrioti ishte ithtar i filozofisë skolastike dhe model i mençurisë së thellë politike dhe patrotizmit

0
Kastrioti-Prishtine

Nga Gjon Keka

Çështjet e atdheut të përbashkët iliro-arbëror, Gjergj Kastriotin nuk e kishin lënë aspak indiferent as më parë sa ishte në oborrin e sulltanit si peng; ai mendonte se si t’i dilte zot atdheut të tij dhe ta bënte atë jo vetëm të lirë, por edhe flamurtare të popujve, principatave dhe mbretërive të kontinentit europian të asaj kohe.

Cilësitë e shkëlqyera të Gjergj Kastriotit si burrë shteti shpejt fituan njohje të gjerë, kjo u demonstrua në nëntorin e vitit 1443, dhe atë të 2 marsit 1444, pra me rikthimin e tij në atdhe dhe me kuvendin e Lezhës. Me aftësinë e një burri shteti me përvojë, ai menaxhoi çështjet shpesh të vështira dhe të mprehta të vendit, për kohën në të cilën ai ishte dhe rrezikut të vazhdueshëm nga pushtuesi otoman si dhe nga kurthet e armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm. Ai ishte mjaftueshëm diplomatik sa të përdorte rrugët e ndryshme të miqësisë dhe dialogut e alenacave për të çuar përpara qëllimet e tij politike dhe ushtarake. Më i përshtatshëm se shumë të tjerë princa e mbretër të Europës së asaj kohe, ai ishte në gjendje të ndërmjetësonte interesat e ndryshme të principatave arbërore dhe më gjerë dhe të bashkonte forcat e tyre të fragmentuara. Patriotizmi i tij i vërtetë, elokuenca e tij e madhe, autoriteti që ai gëzonte në gjithë Gadishullin Ilirik dhe Europë dhe besimi i përhapur i mundësuan atë ta bënte këtë. Duhet nënvizuar se në atë kohë, në moshën e tij, ishte padyshim ndër burrat e shtetit më të shquar të Gadishullit Ilirik dhe Europës.

Përvoja të shumta e kishin çuar Gjergj Kastriotin(Skënderbeun) në kuptimin se nuk mund t’i çonte arbërorët e tij në rrugën e iluminizmit pa ndihmën e klerit të krishterë dhe humanistët e kohës.Prandaj ai i kishte afër vetes Pal Engjëllin, Dhimitër Frangun, Gjon Gazullin si dhe personalitet tjera arbërore të kohës.

Gjergj Kastrioti zotëronte një aftësi dhe shkathtësi të pazakontë gjersa qëndronte në krye të shetit të Arbërit, deti në të cilin ai duhej të drejtonte anijen arbërore të shtetit nuk ishte aspak e qetë dhe e sigurtë, për shkak të armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm që donin që anija arbërore që i qëndronte të gjitha baticave e zbaticave të fundosej. Në fakt Gjergj Kastrioti, ishte njeriu fisnik, i bekuar e i veçantë i popullit të tij, ai nuk ishte vetëm njohës i thellë i artit të luftës, gjeneral, udhëheqës, diplomat e strateg, por edhe një ithtarë i filozofisë skolastike sepse sikur dihet princi e mbreti ynë arbëror ishte shumë i ditur. Gjergj Kastrioti në fakt ishte unik,Natyra apo Zoti e kishte pajisur me një mori talentesh të larmishme, sepse ishte një komandant ushtarak, burrë shteti dhe udhëhqës i shkëlqyer e vizionar; ai jo vetëm që ishte strateg i madh, por edhe mendonte filozofikisht, sa që këtë e demonstroi edhe në veprimet e tij politike, ushtarake dhe diplomatike.

Rikthimi i tij në atdhe më 28 nëntorë 1443 për të çliruar Arbërinë e tij dhe për ta bërë Shtetin Arbëror shembull të kohës që mbronte themelet e qytetërimit të përbashkët europian do t’i siguronte atij vendin në analet e historisë europiane dhe arbërore. Luftërat dhe përpjekjet e papërshkrueshme, por edhe sukseset e shkëlqyera të tij dhe të mbretërimit të tij të cilat u falën vetëm forcës së tij, mbetën të freskëta në mendjet e popullit të tij deri në ditët tona nëpërmjet shkrimeve e fakteve dhe dëshmive që u ruajtën sidomos nga bashkëkohësit e tij, Në fakt ato mbetën një monument i qëndrueshëm për heroizmin e kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) dhe arbërorëve të tij besnik deri në ditët e sotme, dhe qëndrojnë në analet e Arbërisë si një model i mençurisë së thellë politike, trimërisë e qëndrueshmërisë së pashoq, vizionit të qartë dhe vetëmohimit të rrallë.

Gjenerali arbëror ishte një njeri i ndershëm dhe një qytetar i mirë, sepse pa këto cilësi, aftësia në artin e luftës është më shumë e dëmshme sesa e dobishme. Një gjeneral duhet të dijë të jetë i natyrshëm, i butë dhe i ashpër, herë dyshues dhe herë i qetë. Gjergj Kastrioti vazhdimisht donte që të kursente gjakun e ushtarëve të tij iliro-arbëror; ai punonte me mendjen e tij, duke vepruar personalisht, diskret, i thellë, i informuar mirë për gjithçka, duke mos harruar asgjë në favor të shtetit arbëror dhe të mirës së përgjithshme të tij si dhe duke mos lënë pas dore asgjë, sepse ato shpesh janë shumë të lidhura me çështjet më të rëndësishme. Ai si një gjeneral i madh i Europës dhe Arbërisë ishte roja e ushtrisë së tij. Gjergj Kastrioti tregoi dashuri atërore ndaj të gjitha trojeve të tij iliro-arbërore dhe jo vetëm ndaj principatës së babait të tij Gjonit që i kishte lënë trashëgimi,i lidhur fortë me qytetarët e tij dhe me dashuri të madhe ndaj Arbërisë e shtetit të tij, ai luftoi vetëm për lirinë, pavarësinë, unitetin dhe forcën e atdheut të tij.

Ai qëndroi, i fuqishëm, në krye të kombit të tij, i rrethuar nga dashuria e të gjitha zemrave arbërore të asaj kohe, dhe gjuha iliro-arbërore të cilën ai e fliste me ushtarët dhe popullin e tij. Të gjithë armiqtë e autoritetit e pushtetit të tij dhe unitetit iliro-arbëror tërhiqeshin para tij me frikë. Vështirë se ndonjëherë më parë një udhëheqës e princ ishte ngritur kaq lart nga dora e Natyrës, e Fatit apo e Zotit në një pushtet kaq europian të kohës vendimtare për kontinentin dhe civilizimin e saj, i vendosur fortë dhe i mbrojtur në mënyrë të sigurt nga dora e bekuar e Zotit. Asnjëherë më parë një princi nuk i ishte dhënë një dashuri kaq universale, që mbushte zemrat e të gjithë popullit të tij, si princi e kryeheroi ynë arbëror Gjergj Kastrioti(Skënderbeu). Ng kjo shihet se Gjergj Kastrioti ishte kryeheroi ynë i veprimit dhe idesë. Princi i madh arbëror, i njohur si një model i shquar për mbretërit dhe princat e Europës dhe Botës, u bë objekt admirimi jo vetëm arbëror e europian por edhe universal.

“Nga një trung, kaq shumë degë; nga një prush, kaq shumë flakë.” Ky ishte në kohën e tij, por, ky në fakt është atdheu iliro-arbëror dhe imazhi i tij në kontinentin europian. Gjergj Kastrioti(Skënderbeu), me vizionin e tij të mençur dhe komandues, parashikoi të ardhmen dhe nuk i besoi forcës së birit të tij për shkak se ai ishte ende i vogël dhe i pafuqishëm, por as nuk i besoj në plotëni as vendeve tjera se do të mund ta shpëtonin Arbërinë nga dora gjakatare e sulltanit dhe Perandorisë së tij, prandaj ai e dinte se sapo të dëgjonin armiqtë se ai kishte vdekur dhe ishte varrosur ata do të vërsuleshin si hienat kundër atdheut të tij dhe kjo në fakt ndodhi, Arbëria u pushtua menjeherë pas vdekjes së tij dhe varri i tij u hap për të mos i lejuar që as eshtrat e tij të qëndronin të qeta në mëmdheun e tij të dashur që e deshti deri në rrahjet e fundit të zemrës së tij. Pas vdekjes së tij, Arbëria u zhyt në dobësi të brendshme, pushtuesi otoman e gllabëroi sapo e mori lajmin e vdekjes së tij, sepse e dinte se sa të ishte gjallë ai as Arbëria e as Europa nuk do të mund të pushtoheshin aq lehtë ngase vetë ai, arbërorët e tij dhe Arbëria e tij ishin bërë mburoja e gjithë kontinentit dhe civilizimit të saj europian. Që Europa i shpëtoi tmerrit të pushtuesit otoman dhe që u kursye nga një mjerim i pamasë dhe shkatërrim civilizimit të saj, i detyrohet Princit apo Mbretit arbëror, mbrojtësit të papërsëritshëm të civilizimit të përbashkët europian Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe Arbërisë së tij heroike.

Megjithkëtë, nuk mund të kthehemi prapa, as ta rikthejmë kohën e bekuar të kryeheroit tonë iliro-arbëror Gjergj Kastriotit kur Arbëria ishte në kulmin e saj dhe mbrojtëse e civilizimit të përbashkët europian, por ajo që mund të bëjmë në këtë kohë është të tregohemi të denjë se i takojmë rrënjëve të bekuara iliro-arbërore, i takojmë gjakut të Gjergj Kastriotit dhe të ecim në udhën e tij, të kemi në gjak patriotizmin dhe lirinë e tij, të jemi vizionar, të urtë, trima e bujar si ai, idealist e realist dhe ndërtues e jo shkatërrues, as mohues të rrënjëve, sikur e kam thënë shpesh e nënvizuar shopesh në librat e mi se ai gjersa ishte në oborrin e sulltanit në venat e tij rridhte gjak ilirë-arbëror, e dinte prej nga vinte dhe kujt i takonte, dhe për atë e nxorri nga zemra e fryma idenë e lirisë dhe rikthimit në atdheun ë tij për ta çliruar sëbashku me arbërorët e tij besnik; prandaj, përpara me Gjergj Kastriotin Llambën ndriçuese të kombit tonë, Yllin tregues të së ardhmes sonë dhe Qëllimit drejt rikthimit në familjen europian.

Është e habitshme që tek ne, në mesin e popullit tonë ka individ, grupe që nuk duan qëllimisht ta njohin gjenialitetin, trimërinë, urtësinë, veprën dhe jetën që jetoi, veproi e la gjurmë të përjetshme në themelet e kombit tonë Gjergj Kastrioti(Skënderbeu) i cili edhe sot, në shekullin XXI hap krahët e shqiponjës për të na çuar lart në mbretërinë e tij të ideali të unitetit iliro-arbëror dhe në familjen europiane që ai e mbrojti dhe ia siguroi vendin kombit tonë përgjithmonë në mesin e kësaj familje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok