BALADA E KRUSHQVE TË GURËZUAR*
Rrëfenjë nga Resmi Osmani
Prolog
Ngjau në një lockal nate të bllokut në Tiranë,kur në shoqërinë e vajzave, pijet derdheshin lumë, tymosej bar dhe muzika në kupë të qiellit. Ai: pse më shikon? Tjetri: nuk po të shikoj, s’më plas fare as për ty as për atë kuçkën, por edhe po të të shikoja, çfarë pastaj? Ai: po më sheh,mua dhe të dashurën time, me ca sy lakmues, të poshtër e të ligj.Dhe kjo s’më pëlqen fare, po hiç fare ama, mi ngre nervat. E di ç’ të bëj? Ta marr shpirtin Tjetri: pa provoje në t’a mban!Eja dalim përjashta. Dolën. Të dy nxorën revolverët njëherësh. I shkrepën dhe ranë të vdekur’
Nga lajmet e orës 15 në TÇ.
Diku në bjeshkë, në kohë që s’mbahet mënd:
Të lumët na për t’Lumin Zot
Qi s’jem kanë e Zoti na ka dhanë!
Kulla e kapidan Kol Marka Ndoit tëNdoi Markut, lartohej hijerëndë në krye të katundit dhe rëndonte me hijen e saj mbi gjithë shtëpitë e rrafshinës. Përngjasonte si e mbirë nga dheu.Tre kate, me frëngji, sogje e bedena, më së shumti shëmbëllente me kala. Sipër saj breshta me gështenja, me ahe të moçëm e më sipër brezi i pishave. Mbi to lartoheshin kullotat e bjeshkës që ushqenin grigjën verës. E qarkuar me avlli dhe portë të rëndë, me dru lisi dhe pafka çeliku. Në oborrin e brendshëm, gurra për t’u flladitur, e kopshti për tu mahitur: harliseshin drurët e pemëve të gjithfarllojshme. Qark avllisë zgjojet e bletëve. Në ditët me borë e mjegull, kulla përngjasonte me një pezulli që do ta merrte era, kurse në ditët e verës e mbytur në dritën shkëlqimtare të diellit dhe dridhjeve të ajrit, ngjante si një befasi që do të mirrte flakë. Për nën avlli, kalonte rruga e katundit dhe ndën të arat bukur ujdisura dhe më posht livadhet gjelbëroshe , të lulëzuara, gjer poshtë në luginë. Edhe pse mes gjiithë mirësive, që lermë o Zot të rroj, kapidani nuk ndjehej i këndellur. E shoqja, Margjela, ku e ku, pas shumë vitesh martese, kur ishte në mesmoshë, i lindi vetëm një fëmijë, djalin, Ndrean. Kapidani dëshironte t’a kishte kullën plot ferishte, por i lumi Zot bëri emër që Ndrea të ishte djalë i vetëm, pa vëllezër e motra.
Djali, i rrethuar me pekule e dashuri mëmësore, i ushqyer me majë mielli , ajkë qumështi e mjaltë, hodhi shtat dhe u burrërua para kohe.I hijshëm, me bukuri gati femërore,flokët korb të zeza që i zbrisnin deri në shpatulla, sytë me shkëlqim drite,si sytë e Zanës, ball’ i tij si ball’ i Hënës , shpatull gjerë si prej kreshniku , shtati i djalit si bredhi n’bjeshkë, buzëqeshja si drita e agut, zëri i tij si i bylbilit. Lazdroi shpatën, harkun dhe mëzdrakun. Në gurapesh kurkush s’ia dilte. Shigjeta që fluturonte mnershëm prej harku , kurrë shenjën se lajthiste. Sa herë dilte për gjueti në breshtë , kaluar mbi gjog, me langonj e me zagarë, kthehej me një drenushë të shituar mbi shpinë të gjogut. Kurkund shokun në bajrak e krahinë se kishte.
Kapidanit shpirt e zemër i gazmohej, por se jepte veten. Rrëfehej i rreptë dhe që t’a burrëronte para kohe, i mësoi të fshehtat dhe hilet e përballjeve të luftës ,mjeshtërinë e bejlegut dhe doket e zakonet që janë vlerat e nderit, që burri të mos koritet.
Djali rritej, Margjela moshohej. Një ditë t’lume, Margjela iu avit e heshtur e me droje të shoqit. Kapidani e pikasi që ajo diç donte me i thanë.
-Fol moj grue, ç’ka don me m’thanë.
– Imzot, nji hall qi m’ka xanë me zotnin tate du me e kja. A pe sheh se smundja para m’ka vanë. Kama e dora m’jan randue. Edhe sytë ma pak dritë po më bajnë. O jam lodhë e hysmet si duhet sun po t’baj. Pse nuk qyr nji nuse për djalin me e nxanë ? Tash asht rrit e burrnue, e për te veç në krahinë ma t’mirën e çikave fisnike ke me veçue. Edhe mu me m’lehtsue, e n’dashtë Zoti ,sa jemi gjall, kulla me nipa, djelm e çika me na u gëzue. Dhe pasi heshti pak, që ta vinte në sedër, shtoi me gjysëm zëri-Kam droje se t’dhimben paret me i dhanë, e po t’dhimbet darsmën për me e ba!
Ja ç’ka i përgjegji Kola kapidani:
-O grue qi je zojë e njiksaj kulle, bukur hallin ma kallzove. Bash dhe vet’ e kam mendue. Ani pse Ndreas mustaku hala si ka dirsun, i ka ardh vakti me e martue e nji çikë për nuse me ja nxanë. Paj jam n’zor e tu mendue. T’parët nji urti amanet na e kanë lanë: djelm e çika të bajrakut, motr e vlla janë si t’i ket lindë nji babë e nanë! Në nji bajrak e tjtër fis ,përtej tri ujnave e tri bjeshkëve, prej andej qi edhe ti ke ardhun, nga nji derë fisnike, Ndreas nusen duhet me ja nxanë. E shkes ma t’mirë se vllaznit e tu, dajat e djalit, s’kena ku me gjet.
* * *
Përtej tri bjeshkëve, përtej tre ujrave të mëdhenj,u gjet në derë fisnike, më e bukura e më e mira e çikave të atij bajraku, për më të mirin e djelmve të bajrakut tjetër. Thoshin se nusja kishte lindur me këmishë, kish një hënë në gjoks dhe dy yje në ballë,nuse e bukur si hyri! E lumja ajo derë që, për nuse do t’a shtinte në shtëpi!
Kur erdhi vadja e dasmës, dogri Kapidani nisi lajmëtarin për të ftuar në dasmë tërë bajrakun! Katund m’katund, ushtoi briri, gjëmoi tupani, ushtimën rrafshina ja përcolli bjeshkës dhe bjeshka luginës. Lajmësi me sa zë kishte me piskamë jepte kumtin: “O heeej! A po ngoni ju vllazni, a po ngoni ju kojshi, apo ngoni ju miqasi: Kol Marka Ndoi, kapidan bajraktari, darsëm të madhe po ban, Ndrean djalin e vetëm, qi e ka si dritën e synit po marton, e burrë për derë, në darsëm po ju fton e si krushq, me marr nusen po ju dërgon!” Veshët dëgjuan lajmin dhe goja ia shpërndau gjindjes. Burrë për derë i ftuar dasmor!
Dasmë më të madhe s’kish parë bajraku.
Kapidan Kola, në të thyer të ditës, në pritje të darkës, kur dielli ende po bënte dritë, u ngjit në kat të tretë dhe u zatet në bedena. Shikimit i hapej pamja e gjerë e jugut të rrafshinës dhe ai pa, sesi vargu i dasmorëve, tuba – tuba me plisat e bardhë mbi krye, po i afrohej sinorëve. Ca kaluar e ca më këmbë. Veshur e mbathur si s’ka më mirë, i krahasoi me ato rrëketë e ujrave pranverore që rrjedhin nga shkrirja e borës duke murmuruar, por ndryshe prej tyre që derdheshin prrenjve e lumenjve, ata po msynin për gzim kullën e tij. Dasma e madhe, si e donte nderi i derës së tij dhe gëzimi i martesës së djalit të vetëm. Me treqind miq të thirrur. E, që gëzimi të ngjallej në shpirt e zemër: nga qilari u nxorën bucelat me raki shtatë vjeçe e fuçiat me verë nëntë vjeçe. U gatitën çyrek e fli të grynjta e mishra në hell, mjaltë e djathë nape të njomë e gjithë të mirat.E për t’i dhënë dasmës gëzim e hare : u thirrën dhjetë tupanxhi, e po aqë surla, çifteli,zamare, sharkia e kavalla. E dhjetë këngëtarë, që këndonin aq mrekullisht këngë dasme e kreshnike, sa ua kishin zili edhe bilbilat.Sikush nga miqtë vinte me kaniske të gjithfarshme, e shumë syresh me desh me dukat floriri varur në brirët e spërdredhur.
Kapidani dhe Ndrea, miqtë dhe urimet vet’ i pritën. Në tërë odat e të tre kateve të kullës, sofrat u shtruan, miqësia n ‘to u venduan.Të tjerët në oborr rreth zjarreve u shtruan. E nata u bë ditë. Bublluan tupanat, bukur po bijn surlat e kavallat,dridhen telat e çiftelisë e të sharkisë. Çeta -çeta dasmorët u ndanë. Këngët kreshnike drodhën qetsinë e natës dhe djelmt kush e kush m’i parë, kcenin vallet trimërishte aq vrullshëm, sa nën këmbët e tyre trandej dheu. Jehona e haresë kthehej nga shpatina e i përcillej luginës. Le t’a dinte gjithë krahina: gazmohej Kapedan-bajraktari me trqind dasmorë, në dasmën e sokol Ndreas, djalit të vetëm.
Lum për ty o i lumi Zot, që arritëm kët ditë sot.
Hana me arin e dritës natën po e ndriçon, e qielli me syt e yjeve po shikjon.Orët e malit po bajn mahi.
* * *
U nisën krushqit nusen për me marrë. Më të shumtët djelm të ri, i pari printe bajraktari, bri tij një burrë zakoni, baca plak Zefi i Prelajve kaluar mbi gjogun pullali. Bajraktari me bajrak. Treqind krushq i shkonin pas. Rruga e ngushtë gjarpëronte në shpatin malor,mes breshta pyjesh dhe livadhesh të gjelbëruar e lulzuar, edhe ndën të sa të hante syri, pyje dhe livadhe.Një bukuri që nuk harrohet sa të kesh jetë.Duke ecur krushqit po këndojnë:”Gëzoniu, gëzoniu o ju krushqo/se sod do t’ merrni nuseno!” Bukur po kndojnë e mirë po lodrojnë .Fort po bijen ato tupana,mirë po bien ato surlat, dridhen telat e çiftelisë e të sharkisë. Ec e këndo, ec e lodro, ec e nga.Kan pirë raki nga mashtrapat e kan shuar etjen me verë nga bucelat. Ec dhe ec,nga e nga, tri bjeshkë, e tre ujra t’mdhenj kanë kapërcyer. Tri herë krushqit për çlodhje n‘hije t’lisave kan mrizuar, tri herë gurrave etjen e kan shuar dhe u dlirën e flladitën.
Mbrëmanet,ende në prag muzgu, kur vetulla e artë e hënës në lindje u ngrit e yjzit në qiell po bëjnë dritë, krushqit mbritën te kulla e mikut.Kullë e madhe, kullë sojnikësh.Me flakadan e fener e përndritur.
Fort mirë miku po i pret, ashtu si zakon q’e ka shqiptari: me urime për miqsi të pandarë e me trashëgime, buk e kryp, buk e kryp me gjithë zemër.Me raki t’fort e verë kuqaloshe dhjetë vjeçe. Bënë aty gazmend të madh. Për të gjithë bëri konak. Të nesërmen, kur syri i diellit qeshi përmbi bjeshkë e dritë po ban, krushqve nusen ua dorëzuan, me amanet që ta kenë kujdes e si çikën e tyne ta duan. Gjogu i saj nji kal i bardhë. Ishte nusja ashtu si u kishin thanë: n’të me t’mbet sytë tue e pa. Nuse e mirë me hanë në gjoks, nuse e mirë me dy yllz në ballë, nuse e mirë o si hyri!
Lum e lum i madhi zot, qi na e fale kët ditë sot!
Kanë marrë krushqit udhën e kthimit, për të mbritur në shtëpi, dhandrrit nusen me ja çue, me ja çue e shumë me e gëzue. Prin në krye kapidan-bajraktari, kapidani me bajrak, varg pas tij krushqit po shkojnë. Gazmend të madh o ata po kanë. Këngëtarët po këndojnë,edhe krushqit vallet po kcejnë, tupanat po bubullojnë, surlat o sa mirë po bien, mir po bien o çiftelitë, mirë po bien edhe sharkiat, mirë pingrojnë edhe kavallat.
* * *
Kur krushqit mbrritën te bjeshka e dytë, rruga që ngjitej përpjetë, ngushtohej. Dasmorët njeri pas tjetrit u varguan. Duhet të kapërcenin Qafën e Lisit për të ecur rrugës për në krahinë. Kur mbritën në majë, papritur si ti kish pjellë bjeshka, me një vargan tjetër krushqish janë përballur. Që edhe ata s’janë më shum’ e as më pak po treqind vetë. Edhe ata një nuse e kishin marrë. Në atë qafë të ngushtë mali, dy bajraktarë janë gjendur ballpërballë dhe u ndalën për t’u përshëndetur e fjalosur: kush nga të dy rrugën shokut me ja lshu.
Dhe vrej se çfar’ i thot baraktari -bajraktarit:
“Lum zotnia,kjofsh i nderum, udhën neve duhet me na e lshue”
Bajraktari, prijetar i ardhësve,kaluar mbi gjogun madhosh, në një dorë mazdrakun në tjetrën bajrakun, e shpatën në brez ngjeshur, me mustaqet, korb të zeza, shtëllungë vesh më vesh, vetull kërleshur dhe sy që xixëllonin nga një dritë e egër, pamje mujshari, përbuzëse, shpotitëse e gati për sherr.
Atbot kapidan-bajraktar Nikolla i ka thanë:
“ Na jem ma t’par,që shkelëm në këtë trull dhe s’durojm me u korit. Udhën juve s’mundemi me ja u lshu, pa u derdhur gjaku deri në gju!”
Bajraktarët udhën njani -tjetrit s’ja kan lshue,fjal t’randa o paskan than, e të dy fort janë pezmatue.
Atbotë kapidan Nikolla,pyeti baca Pjetrin, të shquar për urti e burrni.
“Si thue baca Pjetër, na rrugën duhet me ua lshue?”
“Jo. Na jena t’parët, ata të dytët pas nesh.Edhe n’mulli blun aj ma i pari. Dy gisht ndere n’lule t’ ballit, na i njiti Zoti i madh që kur kemi le, e kurkush këtë nder nuk mundet me na e marr. E rruga e lshueme asht nder i marrun. Ndera e marrun s’falet kurrë, vihet n’vend me të derdhun t’ gjakut.-dhe pasi u mendua- asht kanun: lum baca, fytyrën e vrugueme n’daç laje, n’daç zezoje edhe ma. Je i lirë me mbajt burrnin tande, hem je i lirë me u shburrnue para gjindjes për turp e faqe t’zezë! Të përket ty, zgidh e merr!
Bajraktari prijetar si azgan që kish qëlluar, brezin për sherr e kish lëshuar. Shif çpo i thotë me hakërrim e zë bubullues kapidan-bajraktar Kolës:
“ Veç ni punë na po e bajmë: Në kjofsh burrë, ani, sall na t’dy , në shesh mejdan, tash në bejleg do t’ luftojmë.Cili t’muj shokin për me e pre, ja paft hajrin, udhën po e lshojmë!
U tha, u bë. Bajraktarët luajtën bajraqet, me bajraqe për luftë kan dhënë shenjën.
Këngëtarët e ndalën këngën, u ndalën tupanët e surlat,janë ndalë ato çifteliat, nuk bien më ato kavallat. Të dy bajraktarët në mejdan kanë dalë, turravrap janë sulur, shpirtin shoshoqit me ja marrë dhe mëzdrakët kanë fluturuar, në shej kanë qëlluar, e të dy pik të vdekur nga kualt janë rrëzuar.Krejt krushqit i kanë nxjerrë shpatat. Kanë nisur shpatat me vetue, kanë nisur krushqit luftën me luftue,tuj bërtit e tuj gjimue.Luftë e madhe n’atë qafë mali po bahet, shum krushqve jeta po u shkymet, gjaku truallin po kuqëlon , furia e luftës me trupa të vrarësh lëndinën po e mbulon!
Lum e lum, i madhi Zot!
Është ndalur dielli n’kup të qiellit, ka nisur dielli drit s’po bën, ka nisur dielli po coptohet, ka nis dielli gjak po lshon!Shpendt e malit po vajtojnë. Janë ndalur bjeshkët o po çuditen, pse vllaznit o nërmjet veti po myten, pse s’ja lshojnë rrugën o njani tjetrit?
Tre sahat që zgjati lufta, plojë e madhe aty u bë. Nuset shtangën, u lemerisën, u tmerruan dhe nga llahtaria ngrinë. Panë qyshse krushqit egërsisht iu vërsulën sho-shoqit, si rrapëllinë e xixëlluan shpatat, britmat dhe sokëllimat,rënkimet, ofshamat dhe piskamat. Pa hesap krushq aty u prenë, currila gjaku lagën dhenë, pa hesap krushq atje kanë dekë.Kush shpëtoi mori vrapin i tmerruar për në bjeshkë.N’at livadh mbetur shkret, sall dy dy nuset gjallë kan mbetë. Nusezezat,u tmerruan,që aq pafat qëlluan, e lotët si shi nga syt’ u riguan. Ato, në atë qafë mali, mbetur shkret, s’dinë ku të shkojnë.Aty mbi kufomat zbritën orlat dhe kandrrat mbi plagët vizllojnë. Atbotë u bënë bashkë dhe po vajtojnë, po vajtojnë e me gjithë shpirt pas zezonës po mallkojnë: ”O ju lisa, bre u thafshi, o ju bjeshkë mbetshi shkretë, o ju zogj kurr mos këndofshi, o ju krushq me gjithë kual, u gurëzofshi” Zoti i madh namën ua ndigjoi: Lisat u thanë, bjeshkët u shkretuan, shpendët e malit ma s’kanë këndu. Krushqit e vdekur me gjit kual aty ku ranë janë gurëzu.
* * *
Prolog
Dielli perëndoi.Lindi hëna dhe mori udhën e qiellit. E qielli u mbush me yje. Kaluan dy dit e një natë. Dhëndurrët pritën që krushqit të mbrrinin e nuset t’i sillnin. Prit e ska, por durimi u sos. Nga vonesa e tyre janë bërë merak , pale se çmund të ketë bërë vaki. Kur durimi i pritjes u sos, kanë marrë kualt hamshorë, i kanë shaluar dhe vrokthi n’ta kan hypë. Si vetëtima te nuset kanë shkuar.Te nuset mbritën, por oh çu pane sytë! Ndrea pyeti : kush nga ju është Angjelina? Angjelina me yll në ballë, e bukur si hyri, e mbytur në lot , psherëtima e ofshama tha :- U jam që mos kjofsha- dhe pranë Ndreas me droje u avit.Dhandrri tjetër pyeti: Po ti moj nuse a je Maria bija e Dod Gjonit të Nikajve? -U jam që mos kjofsha -dhe ajo u avit te shorti i saj- Mos e thuej njat fjalë,sa t’jet jeta ti rrnofsh e me mue u trashgofsh!
Pasi gjetën shortin e vet, dhandurrët pyetën:
“Shka asht lisat që jan tha, shka asht bjeshkët janë shkretu, shka janë bre gjith kta gur ktu.Ku janë krushqit, a dini me na e kallzu?”
Atbot nuset, me lot n’sy duke vajtuar, për ç’ka kish ndodhur u kanë kallzuar.
Të dy dhëndurrët, edhe pse djelm t’rinj, kishin qëlluar burra. U përqafuan dhe u miqësuan, edhe nuset u përqafuan dhe u motërzuan. Dhe ja ç’ka i tha Ndrea mikut të ri:”Treqind djelm e treqind çika o n’më lejshin mu, treqind djelm o n’t’lejshin ty, darsum t’madhe na do t’bajmë, ata kemi me i martu. T’na shtohet fisi e gjinia, t’na shtohen çikat e djelmnia. Krushqit gjithmonë t’ua lshojmë, krushqit gjithmonë ti nderojmë. Gjithmonë krushqit në shpi me mri, edhe nuset bashk me krushqi. Darsma jonë kurrë mos u harroftë dhe e mbara tërmonë na priftë.
Aty vet s’kam qënë, po kshtu ma kanë thënë.
Por kush e lexoftë, zemra iu gëzoftë!
*Motivi i kësaj balade, është marrë me interpretim të lirë “Nga balada dhe legjenda” përgatitur nga Anton Çeta dhe “Këngë të kreshnikëve”përgatitur nga Dr. Zymer Neziri.
Tiranë, 15 prill 2026
