20/04/2026

GËZUAR 82- VJETORI I LINDJES I NDERUARI ÇERKIN HAJDAR PECI!

0
Tahiri-Peci2

Nga Bedri TAHIRI

Sot, më 20 Prill 2026, mbush plot 82 vjet, profesori, shkrimtari, publicisti e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Çerkin Peci.

Urime dhe gëzuar edhe njëqind të tjera, o koleg i nderuar!

Dhe, për ditëlindjen e tij janë përkujdesur Breznitë Orëmira, që nxorën në dritë librin KUJTIME, duke e nderuar Bacin Çerkin!

Meqë autori është në Gjermani, dhe ende nuk di për këtë befasi, realizuar nga Breznitë Orëmira, unë, i autorizuar prej Tyre, isha në Lena dhe nga pronari i saj, z. Hajdar Lubonezi, ku ishin të pranishëm edhe krijues të tjerë, pranova ekzemplarët e librit, dhe, për lexuesit, po e paraqes një urim të Breznive Orëmira:

BREZNITË ORËMIRA NDEROJNË ATDHETARIN E DEVOTSHËM ÇERKIN PECI

Çerkin Hajdar Peci, është një atdhetar i devotshëm dhe i njohur e i respektuar për kontributin e tij të vazhdueshëm në shërbim të atdheut dhe kombit, prandaj në 82 vjetorin e lindjes së tij, breznitë orëmira nderojnë figurën e tij emblematike prej atdhetari të papërkulur, duke botuar veprën e tij me kujtime të shkruara në Burgun e Dubravës.

Kujtimet e tij të shkruara në një kohë zezonë e mugëtirash kur Kosova ishte ende nën okupimin serbo-jugosllav, vijnë sot si një ogur i bardhë, në një kohë kur Kosova është shtet i pavarur por që fatkeqësisht po kalon nëpër sfida të shumta.

Ato janë një shpalim kujtese i një njeriu që atdheun e deshti dhe e don me mish e me shpirt, kujtime, ide dhe mendime të një idealisti që nuk jepet në asnjë rast dhe që gjithmonë qëndron krenar e ballëlartë në shërbim të idealeve më të larta kombëtare.

Të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme, me një stil të bukur e me një përkushtim të veçantë, Kujtimet e Çerkin Pecit janë sa krenare po aq edhe të hidhura, sepse ato ngërthejnë në vete një realitet të hidhur të kohëve tinëzare, nëpër të cilat u luajtën fatet e kombit e të atdheut tonë.

Me fjalën e tij të bukur shqipe, me mendimin e tij të latuar bukur, me peshën e ideve të tij, me thellësinë e gjykimit të tij, me përmasën e vizionit të tij largpamës si dhe me misionin e tij të veçantë prej atdhetari e iluministi, prej mësimdhënësi e prej veprimtari, ai ngre lart idealin kombëtar, nderon bashkëmendimtarët dhe bashkudhëtarët e tij, si dhe ua çjerr maskat puthadorëve të shumtë e hipokritë të pushtetit serbo-sllav që e kishte mbërthyer Kosovën në lak e në gjak.

I lindur dhe i rritur në një vatër të qëndresës atdhetare që nuk u përkulë kurrë përpara hordhive të shumta barbare, i edukuar me ndjenjën e theksuar të dashurisë ndaj gjuhës, kombit, atdheut dhe flamurit kombëtar, i brumosur me idealet më sublime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Çerkin Peci eci gjithmonë drejt dhe qëndroi gjithmonë vertikalisht në rrugën e shenjtë të shqiptarizmës.

Brezi i parë i kësaj vatre të atdhedashurisë, e kishte luftuar me mish e me shpirt Serbinë e Parë (Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene). Të parët e tij: Fazli Smajli e Sadri Smajli, kishin rënë dëshmorë duke mborjtur pragun e shtëpisë me grykën e pushkës në pranverën e vitin 1921. Bashkë me ta kishin ra për të mos vdekur kurrë edhe Hajriz Mustafa, Sylë Polaci (bashkëluftëtari sypatrembur i Fazli Smajlit), si dhe nipi Bardhec Klladërnica (nip i Fazli e Sadri Smajlit). Në verën e po atij viti, si pasojë e torturave më mizore në burg kishte vdekur edhe Ali Smajli, i cili pushtuesit shekullor të truallit arbëror i kishte sfiduar edhe politikisht.

Brezi i dytë i kësaj vatre qëndrestare e kishte vazhduar sfidën e tij sërish me grykën e pushkës. Xhemë e Hajdar Zhazha, jo vetëm që e kishin luftuar Serbinë e Dytë me mish e me shpirt duke e zgjatur më tej sfidën ndaj armiqve të përbetuar të kombit shqiptar dhe tradhtarëve me damkë, por edhe ia kishin dalur me zgjuarsinë e tyre sërish ta mbushnin plot sofrën bujare të kësaj familjeje me tradita kombëtare.

Brezi i tretë, luftën me pushkë të pararendësve të tyre, e kishte vazhduar me penë, me dije dhe me veprimtari të parreshtur politike e ideologjike kundër Serbisë së Tretë. Ali Xhemë Peci e Çerkin Hajdar Peci, kudo e kishin përhapur dhe e kishin mbajtur të gjallë flakën e shqiptarizmës. Të frymzëuar nga gjaku i derdhur për liri nga pararendësit e tyre, që të dy, ndonëse në rrethana jashtëzakonisht të vështira, me mish e me shpirt, e kishin sfiduar pushtuesin serbo-sllav. Me ditar në dorë e në bankat e shkollave, në mesin e popullit e në turmat që po e ndienin se liria dalëngadalë do të vinte, në mesin e fshatarësisë atdhetare, të minatorëve e të studentëve, në radhët e familjeve që ishin pozizcionuar drejt si dhe në radhët e atyre që ende po mëdysheshin, ata e kishin çuar më tej luftën e tyre politike dhe ideologjike, jo vetëm për një Kosovë të lirë e të shkëputur nga prangat e robërisë serbo-sllave, por mbi të gjitha për një atdhe të lirë, të përbashkuar e të përparuar.

Kjo luftë, sa epike po aq edhe tragjike, sa e vështirë po aq edhe krenare, kishte kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilës kjo derë atdhetare do t’ia falte edhe një dëshmor në altarin e lirisë, luftëtarin sypatrembur Ramadan Çerkin Pecin-Danin, në lule të rinisë.

Në këto kujtime shpaloset pra krenaria e të qenunit shqiptar e bir shqiptari. Në to flet njeriu që vuan për lirinë e kombit e të truallit të tij, njeriu i burgosur në Bastiljat e Beogradit të Titojës. Në to shpaloset dëshira e zjarrtë e një nxënësi për dije dhe dritë, por gjithsesi edhe ideali i një profesori eminent i cili dritën dhe dijen e ka përhapur në mesin e nxënësve e në mesin e masave të gjëra, së bashku me zjarrin e shenjtë të atdhedashurisë. Kujtimet e tij dëshmojnë se sa e vështirë ka qenë të veprosh, jo vetëm politikisht por edhe ideologjikisht, se sa e vështirë ka qenë të luftosh edhe kundër puthadorëve të shumtë e hipokritëve titistë, të cilëve Baci ua ka çjerrur maskën shumë keq. Për më tepër se kaq, në këto kujtime të cilat hedhin një dritë të re për një kohë e cila hera-herës sikur qëllimisht mbulohet me tisin e një mjegulle jo të rastësishme, lajtmotivi kryesor është atdhedashuria. Ndjenja e atdhadashurisë e përshkon këto kujtime fund e krye, por është po kjo ndjenjë e cila e shquan protagonistin e ngjarjeve të shumta e të veprimtarisë së parreshtur atdhetare, idealistin e papërkulur, profesorin vizionar, atdhetarin misionar, politikanin largpamës e diplomatin e shquar, profecia e të cilit i ka pri kohës prandaj edhe koha i ka dhënë të drejtë mendimeve e veprimeve të tij politike dhe ideologjike.

Çerkin Peci është baba i ushtarit të atdheut dhe i dëshmorit të kombit, i Ramadan Pecit-Danit.

Ai është edhe nipi i dëshmorit që ra për Shqipërinë Etnike-Xhemë Smajlit.

Pra, në të dy krahët e tij janë dy dëshmorë të lirisë, dy engjëj të përjetësisë.

Politikisht ai është rreshtuar prej kohësh në rrugën e shqiptarizmës, ku prijnë përjetësisht idealet e Abdyl, Naim, Sami e Mithat Frashërit: për një Shqipëri të lirë, demokratike e të përparuar, të udhëhequr nga elita e mirëfilltë intelektuale kombëtare.

Ideologjikisht, ai ka qëndruar dhe qëndron vertikalisht duke e ngritur gjithmonë krenarinë mbi lumturinë, interesat kombëtare mbi ato personale, dhe duke mos pranuar as edhe një izëm tjetër, çfarëdoqoftë ajo.

Nuk është pra rastësi që në misionin dhe vizionin e tij, Çerkin Peci nuk e ka kërkuar kurrë lirinë si lëmoshë por si një të drejtë të patjetërsuar, të cilën nëna natyrë ia ka dhënë që në lindje të diellit një populli autokton.

Si e tillë, kjo vepër është vepër e kujtimeve, e mendimeve, e ideve, e koncepteve, dhe e vizioneve të qarta politike, të cilat mbeten aktuale sot e mot, gjë që ia shton peshën kësaj vepre, e cila mbetet sa origjinale po aq edhe aktuale me porositë e mëdha dhe të qarta, me postulatet e shumta e të drejta se si duhet të zgjidhet përfundimisht çështja e madhe shqiptare.

Në të shquhet dashuria për gjuhën shqipe, për arsimin shqip, për popullin e përvujatur e për njerëzit e varfër, si dhe urrejtja për armiqtë shekullor e për shërbëtorët e tyre të shumtë e të verbër.

Kësaj vepre ia shtojnë vlerën më shumë edhe poezitë atdhetare e meditaitive, të shkruara ca në Burgun e Dubravës e ca në mërgim. Në to mbizotëron motivi i atdhedashurisë, i sakrificës për liri e për atdhe, si dhe respekti e mirënjohja për lëvizjen studentore, për martirët e lirisë e për minatorët trima e atdhetarë.

Në përgjithësi, këto kujtime, dëshmojnë se flaka e atdhedashurisë u mbjat e gjallë nga tre berza luftëtarësh, të cilët me pushkë dhe me penë luftuan për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, ndjenjë kjo e cila u bart edhe tek brezat e tjerë.

Në mënyrë të veçantë, dashuria për shkollën, për dritë dhe për dije, ishte pjesë e pandalshme në rrugëtimin atdhetar të Xhemë e Hajdar Zhazhës, gjë që u mishërua aq shumë dhe aq bukur, duke u trashëguar edhe tek Ali e Çerkin Peci.

Ali Xhemë Peci është bashkudhëtar dhe bashkëmendimtar i politikanit largpamës dhe idelologut të çlirimit të shtetit shqiptar nën flamurin kuqezi (SH.SH.SH. F. K. Z), Shaban Shalës së Letancit, i cili u martirizua për Flamur e për Atdhe.

Çerkin Hajdar Peci është bashkudhëtar dhe bashkëmendimtar i atdhetarit zemërzjarrtë e i nacionalistit të përbetuar për ta bërë Shqipërinë sërish, të lirë e të përbashkuar; i Jusuf Gërvallës, të cilin dora e zezë serbo-sllave ia ndërpreu veprimtarinë prej një uragani të çështjes kombëtare shqiptare.

Që të dy, Ali Xhemë Peci e Çerkin Hajdar Peci, në veprimtarinë e tyre të vrullshme politike e ideologjike priren nga fryma kombëtare e nacionalizmës shqiptare.

Që të dy kanë qenë nga tri herë të burgosur nëpër kazmatet jugosllave, e të përjashtuar nga procesi edukativo-arsimor, si kundërshtarë të përbetuar të politikës së verbër të ‘vëllazërim-bashkimit’ titist, si dhe të ideologjisë kuqaloshe që në tokat shqiptare solli murlani i Moskës e kolera e kuqe.

Që të dy, ashtu sikurse edhe të parët e tyre, kanë dhënë për Atdheun dhe nuk kanë marrë nga Atdheu.

Prandaj, Shqipëria e ribashkuar dhe liria e popullit shqiptar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, janë misioni dhe vzioni i tyre atdhetar e intelektual, janë krenaria dhe lumturia e tyre, janë kënaqësia e tyre më e madhe, janë vetë ardhmëria dhe përjetësia e tyre.

Ndërkaq, dashuria e veçantë për librin që kanë që të dy, përcillet si një ogur i bardhë ndër brezat e tjerë atdhetar të këtij trungu familjar, jo vetëm si një bekim i madh por edhe tejet i rrallë të cilin veç Perëndia di t’ia fali dikujt, së bashku me madhështinë e ndjenjës së atdhedashurisë.

Këta breza trashëguan kështu edhe emrat e të parëve të tyre. Brezi i dytë trashëgoi emrat e paharruar të Fazliut e Sadriut, bashkë me ate të Aliut, sepse breznitë orëmira kanë ecur e do të ecin gjithmonë në shtegun e dritës e të dijes, në rrugën e në fushën e nderit, gjithmonë ballëlartë e krenarë pse Zoti na fali shqiptarë e bij shqiptarësh.

Prandaj, për atdhetarët e mirëfilltë, vlen ajo që tha Asdreni: Amanet iu lëmë shpirtat tanë! Poeti tha se atdheu fillon tek zemra e nënës. Ndërkaq, Napoleoni me të drejtë thoshte se në prehër të nënave lindin kombet. Atdheu sërish po mblidhet në kështjellë të kujtesës. Kohët po dëshmojnë se dinë të jenë shumë ziliqare, sadhe të padrejta. Kujtimet e Bacit, të botuara në 82 vjetorin e lindjes së tij, hedhin dritë për të shkuarën por më shumë edhe mbi të ardhmen, e cila çuditërisht duket e paqartë, ndonëse janë derdhur lumenj me gjak. Kalldrëme kujtimesh shpalosur përmes mendimesh, të cilat Baci i tha gjithmonë me guxim, me vendosmëri, por edhe me mençuri.

Është kohë paradoksesh, madje jo të pakta!

Ata që do të duhej ta gëzonin atdheun, ata që kanë bërë vite e dekada burgjesh, baballarët dhe nënat e dëshmorëve, e veçmas fëmijët e heronjve dhe dëshmorëve, në vend se ta gëzonin atdheun për të cilin kanë derdhur aq shumë gjak etërit e tyre, ka kohë që nuk mund ta gëzojnë brenda atë.

Ata, janë jashtë atdheut!

Në një shtet të dytë shqiptar, të krijuar pas njëqind vjetësh prej krijimit të shtetit amë, do të duhej të kishte shumë më shumë shqiptarë brenda tij, sidomos në një shtet të krijuar me aq shumë gjak, skarifica, therrorizime e vuajtjte të panumërta!…

Gjithsesi, një paradoks i cili breznive orëmira nuk ka se si të mos ua kujtojë fjalët lapidare të poetit dhe dijetarit dhe përkthyesit të mrekullueshëm orientalist Vexhi Buharasë, për atdheatrin dhe dijetarin e Beratit e të gjithë Shqipërisë, të përndriturin Islam Vrionin, shkruar më 1941:

Jeta e Islam Beut është jeta e një patrioti të vlefshëm, jetë plot përpjekje, vujatje, therorira e veprime të gjalla për të mirën e Atdheut që i fali jetën dhe bukurinë. Islam Vrioni, plak 80-të vjeçar, i pastër shpirtërisht, ishte simbol i një veprimi të paprerë dhe i një ideali të lartë. Tek i ndjeri Islam Vrioni, jeta shkrihet në idenë dhe ideja në jetë, për të lindur ideali i lartë. Le ta ndjekim patriotin e shquar të Beratit në udhën e jetës së tij gjatë sundimit osman dhe do ta dëgjojmë që të nxjerrë kurdoherë zërin e tij të ëmbël për çështjen shqiptare. Ndiqeni Islam Benë dhe do ta gjeni herë duke u përfytur me ndonjë pashë osmanlli, herë nëpër shtëpiza të futura, duke ia mësuar shqipen djelmënisë së asaj kohe bashkë me Babë Dudë Karbunarën, herë në vuajtje të kapërcyeshme, herë nëpër male dhe herë nëpër mbledhje me rendësi në Kongresin e Dibrës bashkë me Dervish Himën, Aqif Pashë Elbasanin, Hafiz Ali Korçën etj.’

Pa dyshim, një kronikë në gurrë për një burrë me ballë Shqipërie:

As trembjet dhe frikësimet e Qeverisë Otomane, as zotimet e ryshfetet që ishin gati t’i jepnin qeveritarët osmanë, as edhe rytbeja e ndonjë pashallëku që mund t’i zotonte sulltani, nuk puthnin dot përpara ndjenjës së kthjellët e patriotike që ndizej në shpirtin e Islam Bej Vrionit…

Duhet të jemi të lirë, i thoshte Islam Beu djelmërisë. Liria, një fjalë e padëgjuar ose e dëgjuar rrallë në qytetin tonë deri në atë kohë, u përhap menjëherë me anën e zërit të urtë të Islam Beut. Islam Vrioni fillon si një mësonjës i palodhshëm t’ia mësojë popullit kuptimin e lirisë në thellësinë e saj.’

Një kronikë në gur, e cila të bëhet se është shkruar pikërisht sot dhe jo dikur:

‘Kur më në fund Zoti që punon me drejtësi, deshi që vendi ynë të qetësohet, Islam Bej Vrioni u tërhoq mënjanë për ta kaluar tepricën e jetës së tij në prehje. Mirëpo a e dini se çfarë qëndrimi morën njerëzit e qeverisë së parë ndaj Islam Vrionit? Lëre mos e pyet: “Një patriot”. Dhe vetëm kaq.”Një veteran si gjithë të tjerët që kreu detyrën e tij.” Këto ishin fjalët e vetme të qeveriatrëve të saj kohe.

Dhe kur dilnin ndonjëherë broshura në kujtim të atdhetarëve (edhe këto sa për të perkëdhelur popullin), emri i Islam Beut nuk dukej fare, ose andej nga fundi në një cep, i zbehtë dhe pa sqarime. Islam Beu u harrua si u harruan edhe patriotët e tjerë. Lëre mënjanë qeverinë po të ashtuquajturit shkrimtarë mendjelirë si nuk gjetën aq kohë sa t’i kushtonin penën e tyre veprës së Islam Beut. Po të zihej në gojë i veteranit beratas, “një patriot si gjithë të tjerët”, thoshte libre-penseja e asaj kohe. Dhe vetëm kaq! Hajde se në atë kohë shkrimtarët tanë, nuk gjenin volinë dhe rrethanat, po tashti në fund si nuk u kujtua ndonjë i ri që të flasë pakës për këtë burrë të madh?…’

Megjithatë, sërish na shafqet poeti Lasgush Poradeci dhe epiteti që ai i dha Nikolla Naum Naços: “Në Fatos i Vetranësisë Shqiptare”.

Pa dyshim, edhe një pagëzim që vetëm breznitë orëmira dijnë ta bëjnë e ta mbajnë gjallë.

Në ditëlindjen e 82-të, Bacë Çerkinit i urojmë shëndet dhe suksese, jetësimin e idealit të Shqipërisë së Përbashkuar, si dhe jetë të gjatë.

Duke shprehur ndjenjën e respektit më të thellë si dhe të mirënjohjes së pakufi, për jetën dhe veprën e tij atdhetare, ne shprehim njëkohësisht krenarinë tonë të ligjshme prej breznive orëmira, duke qenë gjithmonë bashkëudhëtarë dhe bashkëmendimtarë krenarë të tij, dhe duke besuar në Porosinë e Madhe që na la Ismail Qemali, po në Kujtimet e tij, se ka Perëndi edhe për Shqipëri, se forca ngadhënjehet nga drejtësia, dhe se sot e mot: Është e jona Shqipëria!

Gjithmonë, me ndjenjat e falenderimit të veçantë për misionin dhe vizionin e shpalosur nga Baci Ynë i Madh-Çerkin Hajdar Peci, i cili me jetën e tij si dhe me veprën e tij atdhetare përmes së djeshmes i flet të sotmes dhe të ardhmes sonë si komb:

‘Jam i lumtur që jam i lindur në këtë Kosovë, ku nuk zhvillohet jeta e fjetur, nga rrjedh se edhe populli im, sipas porosisë së Ismail Qemalit, jeton dhe gjallon i zgjuar. Është krenari të mos pendohesh që je bir i një kombi të këtillë. Por edhe është një luftë e pa kompromis kundër të keqes, kundër të gjitha atyre shtrembërimeve që tentojnë të mohojnë qenien tonë autoktone me tendencë që të na zhvendosin, madje kolektivisht nga këtu.

Andaj për këso edukate i jemi mirënjohës, babës Hajdar, i cili vërtetë gëzoi prestigj familjar, shoqëror dhe kombëtar. Dha prej vetes krejt çka mundi e, krejt çka dijti, pa kursye mund as kohë. Dijti shumë dhe mundi shumë dhe përherë i pathyeshëm e i papërkulur, me një autoritet të shkëlqyeshëm të një shqiptari të vërtetë! Posaçërisht ishte koshient për edukumin dhe shkollimin tonë. Familja jonë u bë e dalluar, jo për pasuri materiale, po për pasuri shpirtërore, morale dhe ideore.

Ndjenja e çlirimit nga serbo-sllavia ishte  krenaria jonë kombëtare dhe  ishte pikësynim yni kryesor.

Vaji për atdheun qenka më i rëndi, peshuaka sa edhe vetë jeta. Vaji për atdheun po u transferuaka në sakrificë dhe, në urrejtje kndër armikut.

Tash më kujtohet dashuria e nënës. Ai përqafim i këndshëm. Vërtetë, vetëm atdheu i gjason nënës, me gjithë dashurinë e tij!

Falë  brezit studentor të vitit 1981, që ishtë kontinuitet i drejtpërdrejtë i vitit 1968-të dhe demontratave të tyre, edhe populli shqiptar i Kosovës u kthye në rrugën e Zotit. E kthei besimin aty ku duhet, në fatin e vet e jo në mëshirën e pushtuesit serbo-sllav.

Shumë herë kam menduar se sa e vrazhdë do t’më ishte jeta pa ditar në dorë. Shumë herë kam pasur oferta nga kolegët të punësohëm në ekonomi, ku të ardhurat do t’i kisha tre herë më të mëdha, po asnjëherë nuk më ka shkuar  mendja ta ndërroj profesionin. Kam pasur parasysh interesin kombëtar, andaj kam vijuar punën në arsim, aty ku kam mbjellë ndjenjat patriotike. Arsimin e kisha në zemër, më tepër për arsye të suksesit kombëtar sesa atij arsimor. Shumë intelektualë më kanë zhgënjyer në rrugën e kombit, vetëm nxënësat jo.

Ishim krenarë pse vuanim për atdhe dhe popull, për kombin tonë që gjendej në rrugën e madhe të lirisë, rrugë e cila u trasua me vuajtje, burgosje, vrasje, varfëri. Mendoj, se shpërblim më të madh prej Perëndie nuk ka, se  kur njeriun e bind për veprimtari patriotike. Vetëm të mos jemi këmbëngulës që vetëm ne të jemi ata që e kurorëzojmë lirinë! Krenaria ka hije vetëm kur bëhet me sakrifica dhe me therrorizime, kështu siç bëri populli im, duke dhënë bijtë dhe bijat më të mira në altarin e lirisë, duke mos mbetur thjesht viktima, por dëshmorë dhe heronj.

Gjithkush, që ka gjak shqiptari, bën atë që mundet për të mirën e atdheut, pa kërkuae shpërblim. Shpërblimi më i madh është jetësimi i pavarësisë dhe bashkimit kombëtar shqiptar, siç thotë e nderuara  Elena Gjika: Gjëja e parë për t’u bërë, është të zgjohet  në kombin tonë ndjenja e bshkimit të tij! Pastaj Petro Nini Luarasi na la amanet: Edhe nëntëdhjetë e nëntë  herë në rënçim, të njëqintën herë duhet të ngritemi!

Serbo-sllavinë më së shumti e mundonte emri shqiptar, flamuri kuqezi dhe krenaria shqiptare. Lutem gjithmonë që këto tre begati kurrë të mos na humbin! Ndodhemi në gojën e Europës, dhëmbët e së cilës shumë herë na përtypën.  Po Zoti i madh na dha fuqinë e Feniksit dhe shumë herë u ringjallëm. Kam frikën se ndikimet e okupimeve do të kenë pasoja në të ardhmën në organizimin e shtetit shqiptar modern dhe demokratik.

Pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar ishte më i varfëri e, sidomos na që mbetëm nën okupimin jugosllav. Jugosllavët, syrin e kishin te Kosova, sepse shqiptarët e Kosovës gjithmonë ishin sakrifikuar për liri e çlirim, andaj shteti jugosllav i kushtoi vemendje të veçantë shkatërrimit të idealit kombëtar shqiptar në Kosovë. Jugosllavët e dinin se këtu në Kosovë fillon dhe mbaron shqiptarizma.

Populli, si popull, i çmonte njerëzit e angazhuar për atdhe e liri. I donte ata, qoftë edhe tinëz. Kjo më jepte shpirt dhe shpresë, sepse ashtu e shprehte se është i gatshëm edhe vetë të angazhohet, posa të jipej kushtrimi. Ashtu edhe ndodhi, me rastin e luftës së UÇK-ës.

Edhe sot, më tepër e ndiej vetën bir populli se bir familje. Andaj kur plangprishësit e lëndojnë popullin shqiptar s’mund rri pa reaguar. E sot plangprishësit janë institucionalizuar, për fat të keq. Me ligje e kanë institucionalizuar shpirtin korruptiv të tyre mbi kurrizin e popullit shqiptar në Kosovë, dhe jo vetëm në Kosovë.

Me qenë atdhetar, do të thot me e respektue, me e dashtë, me çmue, me e nderue dhe me qenë çdoherë i gatshëm të sakrifikohësh për atdhe.

Kombëtar mund të konsiderohet ai njeri, i cili vepron në të mirë të popullit aq sa punon edhe për veten e tij. Ideologji e mirëfilltë kombëtare është ajo për të cilën njeriu është në gjendje të therrorizohet, gjithnjë në të mirë të shoqërisë dhe njerëzimit. Përjashtim gjithsesi bëjnë njerëzit, të cilët në pushtetin okupator ishin të përkëdhelurit e tij.

Kosova jonë është e dashur për ne. Edhe vorri është i këndshëm në këtë truall. Këtu edhe vuajtja bëhët krenari që të çon te besimi, se një ditë do të bëhët më mirë! Është ky vend, të cilin krali dhe mbreti dëshiron ta bëjë për vete, përndryshe krenaritë u mbesin të mjera. Po ja ky vend i yni se i yni! Tapi nga Zoti i madhërishëm! Në këtë dhe, sado gëzimet të jenë të shkurtra, ato janë të thella dhe të qëndrueshme. Njeriu është i krijuar prej dheut të kësaj bote, andaj edhe duhet që kësaj toke, këtij atdheu t’ia kthejmë borxhin. Atdheu edhe kur të vdesim e kur familja na largon, ai na pranon në gjirin e tij. Pra është shumë bujar.

Për atdhe, jo vetëm që lindim e vdesim, po duhet edhe të jetojmë e të veprojmë për të.

Është vështirë t’i takosh një populli të robëruar, por është kënaqësi t’i shërbesh atij.

Populli ynë sot vuan për një koalicion të mirëfilltë kombëtar, për t’iu përgjegjur në mënyrë të duhur, kërkesave dhe interesave kombëtare.

Është momenti që tërë gjeografia kombëtare të jetë në një zonë veprimi dhe në të njejtat valë kombëtare dhe të paraqes një organizim të përbashkët, sepse ndryshe prapë do të mbesim të copëtuar edhe më zi se që jemi!

Vetëm një rrugë shpie kah mirëqenja atdhetare: ajo e vetëdijës kombëtare. Këtë rrugë e kanë vu hajnat tonë në rrugë pa krye, seps me hajni nuk bën. Kurrë shqiptarëve s’u ka pasë hije hajnia. Hajnia, për shqiptarët, ka qenë vesi më i shëmtuar, pas tradhtisë.

Rinia, dikur do të analizojë dhe do të sheh se një popull, i lindur dhe i rritur në robëri, vështirë e ka të nxjerr nga gjiri i vet prijësa më të devotshëm, sepse qëllimi i armikut është që ta zbehë, sa të mundet racën shqiptare.

Populli shqiptar, në viset e pushtuara nën Jugosllavi, ishte i huaj në atdheun e vet.

Nuk janë pak 115 vjet dhunë sllave; shfarosje e asimilime! Këto janë vitet e tragjedisë ndër më të rëndat të popullit shqiptar nën pushtimin e dyfishtë: okupimit dhe komunizmit. Është fakt dhe rrezik, se kur rrinë bashkë ujku dhe qengji, për një kohë të gjatë, disi rritet besimi, duke e zgjatur qengji jetën, vetëm deri sa ujku të uritet.

Na duhet të konkurojmë Europën me ndjenjën e punës, me besën shqiptare, me trimërinë, me mikpritjen, me respektin familjar e atdhetar, gjëra që në shumë vende të Europës mungojnë.

Në shikim të parë përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës duken paksa politike, po vërtetë ato për ideal kanë pasur karakter kombëtar, sepse kishin për bazë Porosinë e Madhe për atdhe dhe popullin shqiptar. Kjo ishte porosi e gjithë shtresave popullore, me përjashtim të komunistave në shërbim të pushtuesit jugosllav. Porositë e mëdha askush nuk mund t’i ndryshojë, sepse janë parimore, nga rrjedh se si të tilla janë të patjetërsueshme. Ato burojnë nga mendja dhe zemra e popullt, që për mbulesë kanë gatishmërinë e populit për sakrificë në çdo kohë dhe në çdo mënyrë që e kërkon atdheu. Populli ynë, kurdoherë besimin ia ka dhënë inteligjencës, pavarësisht se ndonjëherë ka dalur i tradhtuar nga disa syresh! Vetëdia e saj për rolin prijatar dhe për obligimet që ka në jetësimin e Porosisë së Madhe të kombit, duhet të jetë gjithmonë në nivel të përgjegjësisë. Lum ai që arrinë t’i kryej obligimet e Porosisë së Madhe!

Plani Kombëtar duhet të përfshijë parimet kryesore, jashtë të cilave nuk mund të dali askush. Plani Kombëtar duhet të përfshijë dhe të përmbajë në vete tërë përspektivën kombëtare, për të mos i lënë askujt mundësi të manipulojë me të. Ai duhet të jetë shumë konkret, pa kurrfarë aludimesh. Pra, Plani Kombëtar duhet të jetë binar i realitetit dhe fatit të kombit shqiptar, jashtë të cilit nuk mund të ketë lëvizje nga dashakeqët tanë!

Por edhe Kushtetuta që do të hartohet të jetë e bazuar në kornizat e Planit Kombëtar Shqiptar të Republikës së Kosovës.

Kosova është një nyje i lidhur moti në histori, rreth zgjidhjes të së cilës, janë të interesuar, jo vetëm sllavët, po edhe europianët dhe amerikanët, sepse, vërtet, mu këtu në Kosovë mund të cenohen dhe të rrezikohen interesat euro-amerikane.

Vetëm të bashkuar mund të mbijetojmë në këtë Ballkan ku fqinjë kemi këta dy popuj, prej të cilëve kemi vuajtur gjithmonë. Këta dy popuj ngulfatin civilizimin në Ballkan. Këta kurrsesi nuk lejojnë zhvillimin e një civilizimi të mirëfilltë në Ballkan.

Nuk duhet të lejojmë të na okupojë politika, po duhet që ne ta okupojmë politikën.’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok