ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
Nga Frank Shkreli
(Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe verpimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari organizuan pritje ngushëllimi ditën e Hënë, 20 prill, 2026, në nder të Kongresmenit Eliot Engel, i cili ndërroi jetë një javë më parë. Me këtë rast përgatita disa fjalë në shqip dhe anglisht, në përkujtim të mikut të madh të shqiptarëve).
———————
Të dashur familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të mikut tonë Eliot Engel –
Mblidhemi me dhimbje dhe respekt për të kujtuar jetën dhe veprën e Kongresmenit Eliot Engel–një figurë e shquar e jetës publike amerikane, por për ne shqiptarët, mbi të gjitha, një mik i çmuar dhe i sinqert.
Për dekada me radhë, Eliot Engel i shërbeu popullit amerikan me përkushtim të rrallë. Por përtej angazhimeve të tij të shumta politike, ai gjeti gjithmonë kohë dhe vullnet për të dëgjuar dhe për të mbështetur komunitetin shqiptaro-amerikan — një komunitet që tek Eliot Engel, pa jo vetëm një përfaqësues, por një aleat të vërtetë.
Falënderojmë Zotin, gjithashtu, që nga dita e parë, në vitin 1989, kur Harry Bajraktari, për herë të parë, trokiti në derën e zyrës së Kongresmenit të ri Eliot Engel për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar.
Në momentet më të errëta të historisë sonë të afërt, gjatë luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës përballej me dhunë, spastrime etnike dhe padrejtësi, zëri i Eliot Engel u ngrit fuqishëm në mbrojtje të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Ai nuk qëndroi indiferent përballë vuajtjes – por ai veproi, duke ndihmuar që çështja e Kosovës të dëgjohej dhe të mbështetej në arenën ndërkombëtare.
Në një nivel personal, humbja e Eliot Engel është humbja e një miku të dashur. Ai ishte një njeri që dëgjonte me kujdes, që kuptonte thellë dhe që vepronte me guxim. Ai kurrë nuk kërkoi njohje as lëvdata për veten e tij — por historia me siguri do t’i japë vendin që meriton. Ai besonte në një botë ku liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë kurrë të negociueshme. Dhe për këtë arsye, ai do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve si një nga miqtë e tyre më të mëdhenj – një mbrojtës i lirisë, të drejtave dhe identitetit të tyre kombëtar.
Ky angazhim nuk ishte i përkohshëm. Ai vazhdoi edhe pas luftës, duke mbështetur paqën, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe për rajonin. Për këtë, Eliot Engel fitoi, jo vetëm respektin, por edhe mirënjohjen e përjetshme të një populli të tërë.
Megjithatë, trashëgimia e tij nuk matet vetëm me vendime politike apo me poste të larta. Ajo matet me ndikimin njerëzor–me mënyrën se si ai i trajtoi të tjerët, me sinqeritetin e tij dhe me gatishmërinë për të qëndruar pranë atyre që kishin nevojë për një zë.
Për komunitetin tonë, ai do të mbetet gjithmonë një simbol i miqësisë së vërtetë dhe i solidaritetit në kohë sfidash.
Sot, ndërsa e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje, ne themi: Faleminderit shumë Eliot Engel!
Faleminderit për guximin tuaj!
Faleminderit për përkushtimin tuaj!
Faleminderit për miqësinë tuaj!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Eliot Engel — ndërsa urojmë që bashkpunimi i tij me aktivistin shqiptaro-amerikan Harry Bajraktarin dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan — të mbetet si një shembull dhe një udhërrëfyes për brezat që vijnë.
