06/12/2024

AZEM JASHANICA- BELLAÇEVCI- MUHAXHIRI QË U FLIJUA PËR SHQIPËRINË ETNIKE

0
Azem-Jashanica

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1914- u likuidua më 21 shkurt 1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi Azem Jashanica u lind më 14 qershor, 1914, në fshatin Bardhi i Madh ish Bellaçevci. Baba kishte Bajram Jashanicën dhe nënë Elifen, e lindur Gimolli. Ishte fëmijë i muhaxhirëve të ardhur nga fshati Jashanicë, në vitin 1878, fshat në Serbi. Shkollën fillore e kishte përfundua në vendlindje, në gjuhën serbe më 1932. Duke e parë se ishte shumë i aftë dhe i zoti në çdo punë, organet udhëheqëse të hekurudhës e kishin pranua që të bënte punën si teknik në hekurudhën Fushë Kosovë- Shkup. Më 1935-1936, regjistrohet në shkollën e mesme të Komunikacionit Hekurudhor në Fushë Kosovë, të cilën, edhe këtë e kryen me sukses të shkëlqyeshëm. Në ndërkohë Azemi martohej me Maliqe Statovcin nga Butovci i Prishtinës. Me të kishte tre fëmijë (dy vajza dhe një djalë). Më 1937, e thirrin për të kryer shërbimin ushtarak, dhe e caktojnë për të shkua në vendin Novo Mesto të Sllovenisë. Por, në ndërkohë i ndodh një e keqe, bie në konflikt me një epror ushtarak, ngase ai e kishte fye në baza nacionale, dhe Azemi kishte reagua, nga ky konflikt Azemin e dërgojnë në burg për disa ditë. Në bazë të shumë dëshmitarëve që dëshmojnë në favorin e Azemit, gjykata e Shkupit e liron si të pafajshëm.

Pas kësaj, kthehej në shtëpi dhe fillon përsëri punën në hekurudhë. Në ndërkohë regjistron shkollën e Lartë të Komunikacionit në Prishtinë, në gjuhën italiane. Këtë shkollë e përfundon me sukses më 1942-1943. Njerëzit e shkolluar në Kosovë ishin të pakt, andaj Azem Bellaqevci ishte një kuadër i kërkuar për popullatën, atë e emërojnë mbikëqyrës i vijës hekurudhore Fushë Kosovë-Pejë. Në këtë punë do të qëndroj deri në momentin e fundit, kur do të arratiset për në mal, më 9 mars 1946.

Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist, dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen  e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit  të ri-okupimit  në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë. Se, lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk do të pushoi, natyrisht me forma të reja, të imponuar nga situatat e krijuara.

Dihej se Kosovës gjatë luftës iu premtua se pas përfundimit të LDB, ajo do të bashkohej me Shqipërinë, por ndodhi mashtrimi më i madh që i kishin bërë jugosllavët shqiptarëve dhe dihej se më 8-10 korrik, 1945, u mbajt Kuvendi i Prizrenit ku edhe zyrtarisht Kosova u okupua nga Serbia dhe Jugosllavia. Pas kuvendit, forcat atdhetare- nacionaliste shqiptare  ngelën të pakënaqura, andaj organizuan dhe ri aktivizuan organizatat atdhetare dhe më vonë do të shohim se numri i tyre ishte i madh. Në Kosovë vepronte organizata NDSH-së, që ishte vazhdimësi e ONDSH të Ejup Binakut, Besa Kombëtare e Prof. Ymer Berishës, Organizata NR. 2, e Ajet Gergurit etj.

Një ndër këto organizata që bëri bujë pa dyshim ishte Organizata Nacional Demokratike Shqiptare ( ONDSH) në Kosovë, Maqedoni dhe në vise të tjera shqiptare në Ish- Jugosllavi. Veprimet dhe ndjenjat patriotike të shqiptarëve, dashuria për atdheun, shfaqja transparente e dëshirës dhe aspiratat shekullore për bashkimin kombëtar, jo vetëm që nuk u përfillën, por u konsideruan si “shqiptaromëdha” dhe që çonin ujë në mullirin e armikut. Nën presionin e fuqishëm politik të qarqeve serbe e jugosllave, çështja e Kosovës u tentua të mbyllej në mënyrë të panatyrshme dhe të humbas karakterin e saj si një problem i mprehtë kombëtar e politik. Komiteti Qendror i NDSH-së në Shkup u formua në prill të vitit 1945 dhe veprimtarin e vet e zhvilloi edhe në Kosovë e Maqedoni. Ky Komitet pati jetë veprimi më të gjatë se KQ i Prizrenit, përkatësisht deri më 1946, kur edhe u zbulua veprimtaria e tij. Gjatë tërë kohës komiteti i Shkupit ishte shumë aktiv ngase mbante lidhje edhe me përfaqësuesit e huaj në Shkup si me përfaqësuesit anglez, amerikan, francez, turk etj.

Nga anëtarët e ONDSH-es u mbajtën gjithsejtë tri kongrese dhe duhet shtuar se rrethanat ishin të tilla sa këto kongrese u mbajtën brenda një viti, kur edhe bëhet zbulimi i veprimtarisë të anëtarëve të ONDSH-së.

Me 28 nëntor 1945, Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UPDSH, Hysen Tërpeza me Batalionin e Parë mori qëndrim që të kalojë kufirin[52]. Ky batalion fillimisht kapte rreth 100 veta, por në udhëtim e sipër numri i luftëtarëve  sa vinte e shtohej. Kështu në kalim të kufirit ky grup arriti në mbi 300 luftëtarë. Largimin e luftëtarëve, populli e përcillte me një shqetësim të madh dhe me lot në sy. Çdo kund kah kaluan ata u përcollën me pikëllim. Athua vallë, këta trima të lirisë i përcillte vetëm populli, apo me kujdesin më të madh i përcillte edhe OZNA dhe bashkëpunëtorët e saj. Për largimin e luftëtarëve  me kohë ishte e njoftuar ushtria jugosllave. Kështu në territorin e Maqedonisë, afër kufirit jugosllavo-grek hasën në pritën e Armatës jugosllave, ku pasoi një luftë e rreptë në mes tyre.

Për të dal jashtë vendit  mori qëndrim edhe Batalioni i Dytë i udhëhequr  nga Adem Gllavica. Ky grup, më 31 dhjetor 1945, kaloi kufirin jugosllavo- grek. Në rrugë e sipër, sikurse Batalionit të Parë, në pritë i kishin dal  forca të mëdha  të ushtrisë jugosllave. Edhe në këtë përleshje pati humbje të mëdha nga të dy palët.

Këtij grupi nuk iu bashkua  Ajet Gërguri, i cili me disa luftëtarë u kthye në Drenicë dhe vazhdoi luftën e armatosur derisa u zbulua  dhe u arrestua. Edhe pse këta dy luftëtarë (Ajet Gërguri dhe Adem Gllavica), nuk u pajtuan rreth qëndrimit apo daljes jashtë atdheut, megjithatë edhe pse ishin larg njëri- tjetrit ata mbajtën lidhje të vazhdueshme ndërmjet veti, duke këmbyer mendime e ndihma, që për këtë i raportonin KQ të NDSH-së në Shkup.

Edhe pse këto grupe e lëshuan Kosovën, konsolidimi i ri u bë shumë shpejt dhe, në Kosovë vepronin më tepër se 55 grupe ilegale si dhe organizatat patriotike- politike si LNDSH-ja, “Besa Kombëtare” e Prof. Ymer Berishës, “Organizata NO-2 “ e Ajet Gërgurit dhe që të gjitha mbanin lidhje të ngushta me KQ të NDSH-së në Shkup.

Në radhët e NDSH-es do të angazhohej edhe Azem Bellaqevci, në janar të vitit 1945, dhe do të veproi deri më 21 shkurt 1948, kur edhe do të likuidohet nga organet e UDB-es. Pas formimit të Komitetit të të Rrethit të NDSH-es në Prishtinë, më 12 mars 1945, ai bëhet anëtar i saj. Gjatë kësaj kohe do të zhvilloi një aktivitet të dendur politik si në qytet po ashtu edhe në fshatrat për rreth. Komitetet e para i kishin formua në komunën e Komoranit, komitetin e dytë në fshatin Sedllar, komitetin e tret e kishin formua në Fushë Kosovë, të katërtin në Tërstenik, pasta e kishin formua në Llaushë të komunës së Skenderajt, në fshatin Gllanasellë, në fshatin Orlloviq afër Prishtinës, në fshatin Nedakoc, rrethi i Vushtrrisë. E kishin formua edhe komitetin komunal në fshatin Prilluzhë, si dhe komitetin në Caralluk të rrethit të Rahovecit. U angazhua në lidhjen e personaliteteve të shquara dhe komiteteve të NDSH-së që vepronin në linjën e trenave nga Fushë Kosova në drejtim të Shkupit, Pejës, Mitrovicës, Podujevës e vende të tjera. Por, kur hetoi se ishte zbulua dhe ishte nën vëzhgimin e bashkëpunëtoreve e të vet UDB-es, vendos të kalojë në ilegalitet (në mal dhe i bashkëngjitet Shtabit të Organizatës No-2 në Drenicë, që ishte nën udhëheqjen e patriotit Ajet Gërguri. Pas një aktiviteti të treguar në mal, Azem Bellaçevcin e caktojnë nënkryetar të organizatës No-2. U angazhua dukshëm në formimin e shumë komiteteve të NDSH-es në viset e Kosovës Qendrore, mandej u angazhua për mbajtjen e shumë takimeve (konferencave) të Shtabit të Organizatës No-2, me grupet e armatosura që vepronin në viset e Drenicës, Lypjanit, të Artakollit, të Permalinës, të Shalës, të Llapit e të Gallapit. Në letrën të cilën e kishin marrë nga Komiteti Qendror i Shkupit ishin caktuar anëtarët e shtabit për organizimin dhe mbajtjen e Kongresit në Lipovicë, që ishte mbajtur më 25 korrik, 1946, dhe në këtë shtab ishin emëruar: Ajet Gërguri- kryetar, Azem Bellaçevci-nënkryetar, Gjon Serreqi- sekretar, si dhe Hamdi Emini(doktori) nga Skenderaj. Mori pjesë në organizimin e mbajtjes së Kongresit të Pestë të NDSH-së në Lypovicë, sidomos në sigurimin e tij.

Pas përfundimit të kongresit, UDB-eja, ndërmerr masa të rrepta për ti arrestuar ilegalen shqiptare. Ajo kishte njohuri të detajuara për Azem Bellaqevcin, andaj për të bë presion edhe më të madh, në familjen e tij organizon bastisje të shpeshta, duke i malltretuar dhe duke i arrestuar. Në gusht të vitit 1946, ia burgosin babain – Bajramin dhe vëllain e Azemit- Rifatin. Në vjeshtën e vitit 1947, ia burgosin tërë familjen, gruan Maliqen, djalin Ahmetin dhe të dy vajzat. Të gjithë këta mbahen në burg deri më 17 mars 1948, duke i keqtrajtuar barbarisht. Ndërkohë, ndaj Azemit ishin ngrit prita dhe bëheshin përgatitje të mëdha për ta likuiduar. Më 21 shkurt 1948, ia arrijnë qëllimit, atë e likuidojnë s’bashku me Musli Dumoshin në fshatin Prapashticë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok