A kanë ndryshuar akset gjeopolitike që ndikojnë mbi Shqipërinë?

Nga Artan Fuga

Kur flitet për gjeopolitikën dhe aleancat e rreziqet e jashtme për Ballkanin dhe konkretisht për Shqipërinë më duket se ka vend të dallohen tre nivele.

I pari, një lloj kuadri i përjetshëm dhe i palëvzshëm në të cilin ndodhet vendi ndofta edhe më herë se të kishte shtetin e vet të ri të pavarur në 1912.

I dyti, është konteksti gjeopolitik i Shqipërisë në vitin 1990, pra kur nis hapja e saj. Kjo gjendje shihet si realitet por edhe si një shpresë e atij brezi.

I treti, situata e sotme pas 30 vjetësh.

Po qe se e lemë mënjanë disi faktorin e parë, kur krahasojmë gjendjen në vitin 90 me sot, situata ka ndryshime shpesh të rëndësishme.

Cfarë do përmendja?

Në vitet ’90, në politikën e jashtme dhe në situatën gjeopolitike të vendit ndikonin ose në njëfarë mënyre konkurronin Italia me Greqinë. Kurse Serbia e zënë me krizën jugosllave dhe me konfrontimet në Kosovë, ishte në një marrëdhënie tjetër.

Madje atëhere pyetej se kush do ta kishte lidershipin ndaj Shqipërisë: Greqia apo Italia? Kurse sot, pas 30 vjetësh, as njera dhe as tjetra nuk tregojnë ndonjë afinitet të veçantë për prezencë politike në Shqipëri. Ujrat kanë rrjedhur të tilla, atje, dhe te ne, sa kanë bërë që koha ta lejë pas këtë model që në fakt ka qenë i pranishëm në të gjithë shekullin e 20-të veçanërisht.

Në vitet 90 dhe pastaj në fillim të shekullit të ri, me pavarësimin e Kosovës, mendohej se një fuzion, në mos bashkim midis dy shteteve, pra të Shqipërisë dhe të Kosovës, do të ishte çështje vitesh. Por, edhe njohja e shtetit të Kosovës ngeci në vend, kurse për një bashkim të shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovës, as bëhet fjalë hëpërhë. Si duket, jo vetëm Kina dhe Rusia, por si u pa edhe në prononcime të fundit amerikane, kjo në planin e gjeopolitikës ndërkombëtare duket shumë larg në horizont.

Nê dhjetvjeçin e fundit, politika e jashtme e Shqipërisë u luhat fort midis influencës gjermane dhe asaj amerikane. Herë duke i pasur në konvergjencë, dhe herë duke ndjerë edhe diferenca. Merkel sikur dukej të linte pas dore kriteret e shtetit ligjor, dhe e pa Ballkanin për një kohë si një faktor gjeopolitik që si i tillë, me gjithë ndarjet, hallet, krizat, mund të integrohej në BE për shkaqe gjeopolitike. Por më së fundit kjo gjeopolitikë iku nga loja dhe në vend të saj doli fillimisht Minishengeni ballkanik, që së fundi u shfaq si “Ballkani i hapur”.

Nga një lloj braktisje e Serbisë nga blloku Perëndimor, nga Nato, nga Turqia etj., tani shohim se këto fuqi po kërkojnë një bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Serbisë, madje edhe përtej pranueshmërive dhe pritshmërive të opinionit publik të dy vendeve. Merkel disaherë i thërriste qeveritarët e të dy vendeve në tavolina të përbashkëta, dhe Shtetet e Bashkuara në disa evente, deklarime dhe politika kanë nxitur dhe kërkuar që drejtuesit e shteteve të Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, etj., të shkojnë drejt konvergjencave të ndryshme gjeopolitike.

Përgatitje për t’u integruar në Europë, një bashkëpunim ndërballkanik sllavo – shqiptar për ta hapur gadishullin si alternativë e një integrimi europian që ndofta do të jetë shumë i largët, ose edhe më keq se kaq? Një lehtësim i presionit ndaj Serbisë për të qetësuar rivalin rus atje tej në shkëmbim të një ekuilibri planetar midis të fortëve ku Shqipëria në Këshillin e Sigurimit duket si te romani i Hashekut, si “ushtari që bënte pjesë në trupin gjykues vetëm për t’u ndezur llullat zotërinjve oficerë”? Një qetësim i linjës “sizmike” midis sllavëve dhe shqiptarëve në Ballkan si “qetësim” i vijës së “frontit” midis amerikanë që qendrojnë në krah të shqiptarëve dhe  rusëve në krah të serbëve?

Koha do ta tregojë. Por, politikanët tanë duhet t’i hyjnë “me kokë” leximit të veprës të Samuel Huntingtonit “Përplasja e Qytetërimeve”.  Ndryshe janë duke ngrënë përshesh!!!

Edhe në vitet ’90 Shqipëria e konsideronte Turqinë vend mik dhe aleat e partner. Dhe me të drejtë. Por Turqia e viteve ’90 nuk është gjithësesi krejt me orientim të barabartë gjeopolitik si atëhere edhe tani. Atëhere dukej se ajo po afrohej me Bashkimin Evropian madje debatohej se kur do të integrohej atje. Kurse sot ajo është një fuqi që rivalizon në politikën e jashtme me BE, ka strategjinë e vet të pavarur dhe konkurrenciale në Ballkan, pra sikurse shihet nuk duket qartë horizonti!

Në rast e vonohet BE, a përbën Turqia një alternativë ekonomike, politike, ushtarake? Vizita e fundit tregoi se kryeministri Rama përdori edhe islamin si të asociuar me Turqinë kur theksoi se kritikat ndaj Turqisë dhe Erdoganit janë frymëzime islamofobike!

Ka hyrë Shqipëria kështu në fazën që i tund Evropës kartën turke për t’u faktorizuar?

Evropa në vitet 90 dukej afër, kurse tani pas tridhjet vjetësh kuptohet se integrimi evropian është shumë larg! Ka rrezik se faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në politikën e jashtme dhe të brendshme shqiptare as nuk e dëshirojnë një integrim të tillë. Madje e shohim tashmë si një horizont thuajse të mbyllur. Mos ka marrë politika e jashtme shqiptare një rrugëtim jo europian? Ka shenja të forta që ta lenë ta hamendëzosh këtë.

Sa më larg qendron Evropa ndaj Shqipërisë aq më afër ndihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jo se në vitet ’90 nuk ishin. Përkundrazi. Por atëhere çfaqej më tepër mbështetja për të dalë nga komunizmi e mos u kthyer mbrapsht, ndihej mbështetja që shqiptarët të fitonin të drejtat mes popujve të tjerë të Ballkanit, luanin një rol parësor për demokratizimin e vendit. Kurse aktualisht koha ka ecur drejt një partneriteti ushtarak, dhe një ndikimi më të drejtpërdrejtë në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Këto nd ryshime të rëndësishme që ndihen si lëvizje tektonike të fuqishme një gjeopolitikën ndërkombëtare është naivitet të konsiderohen si vepra sorosiane. Ato janë produkt i një gjendje të re ekulibrash të planetit pas mbarimit të luftës së ftohtë dhe riformatimit të tensioneve, bashkëpunimit, tendosjes në arenën ndërkombëtare.

Cfarë mund të bëjë Shqipëria e vogël në këto kushte? Ky është një debat dhe reflektim që duhet të angazhojë klasën politike. Që as të mos e kthejë këtë në një rrëfim me supermanë, as të mos e injorojë atë që ndodh duke e kaluar me ndonjë frazë kallpe sikundër lexoj në ndonjë libër të një politikani, as të hidhet me thes në kokë në humnera, as të mos izolohet, dhe mbi të gjitha as të mos mbetet në mendësitë e viteve 90 sepse bota ka ndryshuar!

https://www.facebook.com/profile.php?id=100044316375413

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
error: Content is protected !!