06/12/2024

SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN

0
Jusuf-Gervalla

Nga Timo MERKURI

Emri i Jusuf Gërvallës u bë i njohur  në Shqipëri vetëm pas vrasjes së tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku  me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull edhe për faktin se për vrasjen u akuzua direkt UDB Jugosllave.

I-Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo zyrtare informacioni se: Jusuf Gërvalla ishte  një i ri kosovar, aktivist politik që po organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin. Madje pëshpëritej se  arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë ngjarja, shihej si  provë e vërtetësisë së mësimeve dhe porosive të  udhëheqjes së vendit  mbi veprimtarinë  antishqiptare të shërbimeve sekrete të shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi për vigjilencë revolucionare”.

Pak më vonë qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit Jusuf  Gërvallahynte e dilte shpesh në vendin tonë, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literature, informacion ky që mbështeste teorinë se Tirana e kuqe ishte qëndër e lëvizjes botërore për liri, ndërsa Jusuf Gërvalla ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip “ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se “koburja” e tij ishte pena dhe kitara.

Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe gazetar i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë,  dhe mqse u hodh në qarkullimnjë fotografi e tij me kitarë në dorë,  gazetarit ju shtua edhe emërtimi”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe  poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin vlerësuar (ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit, instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknike dhe mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.

Përkundër frymës zyrtare të kohës, poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën si një poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një ligjërim lirik në poezitë e tij me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.

Në ato vite isha me punë në Helshan të Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e mi poetë  më ranë në dorë poezitë e para të tij. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja.Ishte koha e bashkë-bisedimit në heshtje.Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të Jusufit. Në heshtje m’i dha  ai, në heshtje ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje  gjëmimtare.

Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb kur del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.

Pas një “heshtjeje” të thellë për “vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar (1981),  kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e frikëshme.

II-Unë i lexova poezitë e Jusuf Gërvallës që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk mund të them që u mrekullova.Është më e saktë që t’ju them se u hutova.U hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat kishin një si dritësim në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha për ta “parë”.Ndoshta vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas me përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur ishte një dritësim tronditës në qiellin e poezisë shqipe. Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare[1],në të cilat ndezja e qirinjve pranë ikonave të turbullonte pamjen e tyre, veç faktit që asfiksonte të pranishmnit. Në këto kisha vogëlane dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm.

Ndërkohë hyrjanë vendin tone në vitet ’80 e poezisë kosovareme metaforat dhe stilin e saj, ishte si të hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te“kishat e vogëla”, duke lejuar depërtimin e dritës  dhe ajrit të freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”, atëherë nisi “herezia” e vërtetë poetike.

III-Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës fliste heshtja dhe “heshtëte”  propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël reth 10 vjeçare, e cila i dhuroi  një tufë karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë[2], të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza  e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori, ndonëse fizikisht të panjohur.Pas këtij informacioni zëulët populli u elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë.Ishte shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës. Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të kryeqytetit,  punëtorë e fshatarë që parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së udhëheqjes: brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një event i veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, duke lënë të kuptohet  se familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë,  kuadratet e njerëzve u prishën dhe u dyndën  para tribunës. Kuadrati  tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve dhe brohoritjet para tribunës. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhimshuri për“jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë, veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokisnin. Në fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e udhëheqësit në këtë manifestim  ishte një spektakël i organizuar me synim për rritjen e vlerës sëaksioneve të partisë dhe udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht paraqiti shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime[3] .

IV-Lajmi i botimit të librit me poezi të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“  të krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës[4]  nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha, është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës dhe  sigurisht po i vihet në dorë lexuesit një vepër poetike e admirueshme.

Unë e lexova parathënien dhe përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e mikrijues dhe lexues ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të Jusuf Gërvallës, por ajo që dua të them specifikisht është se: këto  botime cilësore kaq shumë të kërkuara dhe të domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen. Libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit në  Shqipëri, ashtu si dhe  librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tejë. Është një letërsi, letërsi shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë që duhen njohur gjerësisht nga masa e lexuesve.

Jo më kot fola për misterin e krijuar për arsye jo letrare,që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të njohjes së tij nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull” botuar në Tiranë në 1983 nuk e shpërndau“mjegullën”për arsye se nuk ju bë propogandimi dhe shpërndarja  e duhur, për arsye gjithashtu  jo letrare.

Prandaj miq e vëllezër, na i dërgoni këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla është edhe yni sepse siç ka thënë vetë ai:“Poeti nuk është vetëm i një treve, ose vetëm i një populli, poeti është i të gjithëve […] Poetët e mëdhenj të një populli, kanë qenë dhe janë poetë të mëdhenj për të gjithë popujt[5]”.

Sarandë, më 12.01.2022

1.Egzistojnë akoma disa kisha të tilla në Jug të vendit, të cilat pushtuesi turk qëllimisht i lejonte të ndërtoheshin të tilla…

  1. Familja e Jusuf Gërvallës erdhi ilegalisht nga Zvicra në Greqi dhe hyri në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavisë në datën 30 mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të Kakavisë kishte marë një ditë më parë një fonogram urgjent nga Tirana për mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që vinin” nga snaiperat serbë..
  2. Kjo vajzë e vogël ishte Donika Gërvalla, e cila gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet zyrtare duke luajtur si flautiste, por identitetin dhe personalitetin e saj do ta shfaqte të plotë në vitin 1991, kur si studente e Akademisë së Arteve do të ishte aktive në lëvizjen antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë në pranverën e atij vitit.
  3. Veprat letrare të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë: “Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975), “Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978), “Shenja të shejta” (Shkup, 1980), “Rrotull” (Tiranë, 1983), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992.
  4. 5. Jusuf Gërvalla, Vepra 3. Publicistikë 1. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017, f. 23.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok