11/12/2024

NËSE PROFESIONISTËT DO TË KISHIN FOLUR!…

0
Ndue-Dedaj2

NGA NDUE DEDAJ

Nëse profesionistët, specialistët dhe ekspertët e fushave të ndryshme, ata “pa parti”, do të kishin folur hapur, me guxim dhe trimëri intelektuale, në vendin dhe në kohën e duhur, Shqipëria shumë gjëra do t’i kishte ndryshe nga sot, më mirë e më mbarë. Nëse arkitektët e Tiranës do të kishin qenë luftarakë në idetë dhe qëndrimet e tyre, ka gjasë që kryeqyteti ynë të ishte sot pa kullat “dubaitiane”, me gjithë autor(itar)sinë e Kryeministrit dhe kjo marrëzi nuk do të kishte nxituar drejt Shkodrës, për ta shfytyruar qytetin autentik të Rozafës, kinse me një “Rozafë” moderne, që nuk të krijon asnjë ndjesi të së bukurës në atë mjedis. Të gjithë presin arkitektët, urbanistët të thonë, është mirë apo keq kjo gjë? Çfarë do të thoshte Arkitekt Sinani, që nuk ndërtoi vetëm në Orient, por dhe në Vjenë, Romë e deri në Vlorë – do të ishte për dyzet kulla apo për dyzet çezma në Tiranë, sigurisht pa e kthyer kryeqytetin e shqiptarëve në Stamboll, por as duke e fshirë “Stambollin” e këtushëm me pahir, duke i mveshur një tjetër orient!…

Këtu flasin të gjithë dhe për çdo gjë, vetëm ekspertët e fushave jo! Nuk të dëgjon kush, thonë. A nuk u ngritën artistët në protestë, me ditë e me net, në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, po kush i dëgjoi? E shemben se e shembën pushtetarët. Po e ndanë mendjen këta tanët, e bëjnë, nuk është si në Europë ku nuk mund të ngulësh një gozhdë jashtë interesit publik. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Kë pyetën ata që shembën dikur godinën e Bashkisë së Tiranës, për të ndërtuar në vend të saj Muzeun? Pikërisht kjo psikologji kryeqeveritarësh, prej të gjithëpushtetshmish, kërkon përballje të “gjithëpushtetshme” publike, kryekrejet nga profesionistët. Sidomos në kushtet e një opozite të dërmuar politikisht, për njëqind (mos)arsye, elita intelektuale është e vetmja kambanë që mund të dëgjohet, edhe pse mungon krejtësisht vullneti i qeverisë për të dëgjuar opinionin publik, opozitën, zërat ndryshe, aq më pak ata kundër. Qytetarët nuk pyetën as për instalacionet që vihen në kryqëzime rrugësh, u vu një “çelës” në Shkodër dhe nuk dimë të ketë folur ndonjë urbanist, i shkon apo nuk i shkon një simbolikë e tillë një qyteti me kështjellë të lashtë etj. Por profesorët nuk flasin! Ata heshtin. “Zëri” i tyre është ai i heshtjes. Kanë folur në diktaturë, edhe pse e dinin se do të përfundonin në Spaç, e nuk flasin në demokraci. Duket e pabesueshme, por kështu është. Nuk është dhe aq frika sot, por mbase “blerja” e heshtjes me flori.

Nëse bankierët dhe ekspertët bankarë do të kishin folur publikisht duke i denoncuar mikrokreditë, këto të fundit nuk do të ishin shndërruar në vrastare të qytetarëve të thjeshtë dhe të vetë bosëve të tyre. Ashtu siç nuk patën folur dikur profesorët e ekonomisë, ekspertët e saj për rrezikun e piramidave, çka do të kishte parandaluar tragjedinë kombëtare që ndodhi. Nuk ka folur as gazetaria investigative, pasi ajo në vendin tonë thuajse nuk ekziston. Ne nuk kemi gazetarë – ekonomistë, gazetarë – juristë, gazetarë – ekologjistë etj. dhe programe që t’i mbështesin ata fuqimisht në investigimet e tyre delikate në botën e krimit dhe të mafias shtetërore. Në pamundësi për të bërë më të mirën, gazetarët tanë të këtij profili i vihen aferës kurruptive iks pasi ta ketë denoncuar opozita apo nisur hetimin Prokuroria. Teksa kemi opinionistë të shumtë televizivë, të zotët, po që duke folur përditë e për gjithçka e shpesh njëanshëm, e kanë humbur besueshmërinë publike. Prandaj lind nevoja e zërave të profesionistëve, që në njëfarë mënyrë do të vinin pikat mbi “i”.

Si është e mundur që shoqëria jonë gjendet herë pas here në pragje të tilla shkatërrimtare, si piramidat, inceneratorët, mikrokreditë, “Onkologjiku”, tjetërsimi dhe grabitja e pronave, betonizimi i bregdetit, hecizimi i lumenjve etj.? Pa u paralajmëruar për rrëziqet e mundshme nga ekspertët përkatës, nga elita e vendit? Kur themi elita nuk kemi parasysh ndonjë “kor” ku të bëhen bashkë disa zëra “kryengritës” për t’i bërë oponencë qeverisë, bashkive etj. Fjala është për profesionistët që kanë emër të përveçëm. Ku janë ata? Pse nuk dëgjohen! Kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhen dhe dy a më shumë bashkë, që të reagojnë si një zë i vetëm, i peshuar dhe argumentuar, çka do të ishte më e mira. Tashmë nuk përzihen në “punët e brendshme” as shqiptarët intelektualë të emigracionit, që dikur ishin zëra publikë mjaft të pëlqyer. Përmendet gjithandej që për Vjosën tonë ka reaguar Lenardo Di Capro, por nuk kemi dëgjuar të ketë bërë diçka të ngjashme ndokush nga shqiptarët jashtë vendit, që qeveria i promovon në Tiranë me pompozitet, si të ishin Faik Konica apo Arshi Pipa. Na duket se jo pak veprimtari të kësaj natyre kanë për qëllim më shumë reklamën e qeverisë se promovimin e Shqipërisë jashtë.

Shoqëria, e dhënë pas interesave të çastit, ka ende “kultin” e shefave, zyrave dhe zyrtarëve, ndërkohë që i sheh me indiferencë personalitetet e fushave të ndryshme, deri kur plas bomba sociale. Duhej të ndodhte tërmeti i 2019-ës që të “zbulonim” se kishim një inxhiniere ndërtimi klasi si Luljeta Bozo. Ajo nuk ishte ndonjë anonime, përkundrazi, profesoreshë Universiteti prej një kohe të gjatë, mësonte fëmijët tanë në auditore, kishte folur për rrëziqet e ndërtimeve, herë – herë pa “themele” të qëndrueshme të tranzicionit, por nuk ishte dëgjuar, u bë zë i fortë publik vetëm mbasi ndodhi gjëma, çka e bëri dhe deputete. Po sikur Kuvendin ta kishim me më shumë “Luljeta” të sferave të ndryshme dhe me aspak individë që nuk i thonë asgjë lagjes së tyre, jo më Shqipërisë dhe shqiptarëve si ligjvënës. Asnjëherë nuk kanë munguar profesionistët e zot, që falë angazhimit të tyre qytetar janë ngritur në nivele kombëtare, paçka se ku kanë banuar, si Ahmet Osja, që ishte gjithmonë një pikë referimi për bujqësinë shqiptare dhe Shkodrën e tij, ashtu si Gjergj Vlashi për Durrësin, Vexhi Buharaja për Beratin, Thoma Papapano për Gjirokastrën etj. Autoritetet morale të shoqërisë, shkrimtarë, artistë, akademikë, pedagogë, juristë, mësues, publicistë, sociologë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, arkitektë etj. pak besojnë në politikën dhe lidershipet e saj, në shoqërinë e ashtuquajtur civile, ndaj dhe nuk përfshihen në to. Kjo i bën ata zëra më autentikë, që nuk paragjykohen, pa përjashtuar dhe individualitete të moderuara politike, që dëgjohen me respekt nga publiku kur flasin për kauza që kanë të bëjnë drejpërdrejt me qytetarët, si Alizoti, Alimehmeti, Shehu etj., nga krahu i opozitës, por dhe të tjerë.

Qeveria ka përgjegjësi se nuk këshillohet, nuk e dëshiron këtë gjë, këshilltarët që paguhen për këtë punë nuk pyetën për asgjë thelbësore, por, nëse ata janë nën presion nga eprorët për të mos folur, pasi iu fluturon rroga dhe karriera, profesionistët që nuk janë pjesë e administratës publike, çfarë i pengon ta “këshillojnë” qeverinë dhe pa dëshirën e saj? Ekspertët e arsimit nuk duhet të zgjohen vetëm pas vlerësimit negativ të shkollës shqiptare nga PISA. Ata të bujqësisë nuk kanë më gojë pas dështimit të qeverisë me grantet e dhënë nga Bashkimi Europian. Bluzat e bardha duhet të ndihen para se të dalin sheshit skandalet e kolegëve të tyre. Në emër të reformimit të administrates shtetërore (që kurrë nuk u bë!), kemi një dyzinë inspektoriatesh, që kryqëzohen poshtë e përpjetë, pa kompetenca të qarta dhe efektivitet në punë. Për të njëjtin realitet apo subjekt – pyjet, mjedisin dhe Zonat e Mbrojtura – janë krijuar 5 – 6 sektorë e agjensi, (në bashki dhe në dy – tre dikastere), specialistët e të cilëve i bëjnë bashkë vetëm zjarret në verë!? Këto s’kanë si lihen kështu, por pse nuk bie kambana sot? Nesër mund të dalin plot e të thonë, kështu mendonim dhe ne, po kjo do të ishte si trimi pas luftës.

Sot për sot në betejë me të keqen duket sikur është vetëm SPAK dhe gjithë të tjerët presin me sytë nga godina me hekura, ç’po ndodh atje. Ky është veçse një iluzion. Atë që mund ta bëjë një publik i ndërgjegjësuar për fatet e veta, nuk e bën dot asnjë institucion shtetëror, pavarësisht rangut dhe mbështetjes ndërkombëtare. Ndërgjegjësimi është problemi i shoqërisë, kurse ndëshkim i është problemi i ligjit. Ne jemi ende në fazën kur besojmë se burgu është zgjidhja dhe jo shkolla. Kur themi ndërgjegjësimi, i pari është edukimi, që e kemi me aq mangësi, nga testet që dalin jashtë sallave të provimit çdo sezon, deri te mungesa e laboratoreve dhe leximi, pa të cilat shkolla nuk mund të kuptohet. Por a ka ndonjë debat publik se si duhet të jetë shkolla? Qeveria e Kuvendi heshtin. Profesorët po e po. Ata janë palë me pushtetin! Nuk ka të pavarësuar…

Ka një handikap shekullor, që nuk po tejkalohet, përpjekja e qeverisë për t’u identifikuar me popullin, vendin, kombin, atdheun, shqiptarët, diasporën, duke u paraqitur si shpëtimtare e tyre nga “rreziku” i opozitës: “ne s’jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, “po erdhën ata – kundërshtarët, mbetën në mes të gjitha punët e nisura!?” etj. Si baballarë të kombit janë hequr të gjithë sundimtarët me emra të frikshëm (fashistë, nazistë, komunistë) të shekullit XX, sigurisht që nuk jemi sot si atëherë, por autokracia është një pjellë e keqe e atyre regjimeve. Fatmirësisht bota Perëndimore ka gjithmonë shembuj madhorë të funksionimit të demokracisë, siç ishte dorëheqja e Presidentit Joe Biden nga kandidimi për një mandat të dytë presidencial, apo ndërrimi i qeverive, pa lëshuar “rrënjë” të përhershme, në Itali, Francë, Angli etj., ngaqë atje është kulti i shtetit dhe jo i individit që nuk di të shkulet nga posti. Nëse do të kishim politologë, filozofë, analistë të pakomporomis të zhvillimeve tona politike, në qasje me ato ndërkombëtare, doemos që në publik do të kishte tjetër përceptim për politikëbërjen dhe qeverisjen ndër ne.

Problematika të mrehta ka plot, siç ka dhe profesionistë të zot, por nuk dimë, mbyllja ne vetvete dhe mospërballja e tyre me mbrapshtitë e pushtetit, vjen nga lodhja e mundimshme e tranzicionit, presioni i politikës, apo më keq akoma, nga “blerja” e heshtjes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok