04/12/2024
Lord-Byron

Me rastin e 200-vjetorit të vdekjes

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Xhorxh Gordon Bajroni (George Gordon Noël Byron, Londër, 1788 – Missolonghi/Greqi, 1824), ose shkurtimisht Lordi Bajron, është poet anglez, me prejardhje skoceze. Rrjedh nga një familje aristokrate. U shkollua në shkolla elite. Në moshën 24-vjeçare trashëgoi titullin e lordit dhe hyri në Dhomën e Lartë të Parlamentit britanik. Fjalimin aderues  në këtë dhomë ia kushtoi mbrojtjes së punëtorëve që i shkatërronin makinat. Edhe më vonë e ngriti zërin për t’i mbrojtur të shtypurit, duke i mbështetur në Itali karbonarët, ndërsa në Greqi – kryengritësit antiturq. Ana tjetër e personalitetit të tij ishte sjellja kaotike, ekscentrike, sjellja e dhunshme e trashëguar nga të dy prindërit, skandalet dhe zvetënimi apo shfrenimi.

*   *   *

Jeta – lindi në rrugën Holles të Londrës. Që nga lindja ka lindur me probleme në këmbë, ndaj edhe ka çaluar. I ati Xhon Bajron (John Byron) ka qenë me prejardhje nga një familje normane. Anëtari më i vjetër i familjes, Ralf de Bajron (Ralph de Buron), bashkë me Vilim Pushtuesin, ka ardhur në Angli. I ati i Bajronit për herë të parë është martuar në vitin 1778 me markezën nga Camartheni, Lady Conyers. Më vonë ajo ndahet prej tij. Kanë pasur dyvajza. Njëra vdes herët, ndërsa tjetra, Augusta, ka qenë më jetëgjatë. Kjo është simotër e Bajronit, përkatësisht motër nga baba. Gruaja e parë e babait të Bajronit, Lady Conyers, vdes dy vjet pas lindjes së vajzave të sipërthëna. Grua e dytë e Xhon Bajronit (John Byron) ka qenë Ketrin Gordon (Catherine Gordon) prej Gighti. Ajo ka qenë pasardhëse e Jakobit I të Skocisë. Nga  martesa e saj me Xhon Bajronin (John Byron) ka lindur romantiku i famshëm Xhorxh Gordon Noël Bajroni. Gjyshe dhe gjysh i Bajronit nga vija e babait kanë qenë nën-admirali John “Foulweather Jack” Byron dhe Sophia Trevanion. Për ta fituar të drejtën mbi pronat e gruas së tij të dytë në Skoci, babai i Bajronit e merr mbiemrin plotësues “Gordon” dhe bëhet “John Byron Gordon”. Edhe Bajroni e ka përdorur atë mbiemër dhe në shkollën në Aberdeen është regjistruar si “Georg Byron Gordon”. Në vitin 1786, për t’iu shmangur kreditorëve, Ketrin dhe burri i saj (prindërit e Bajronit), shkojnë në Francë. Kah fundi i vitit 1787 kthehen, me qëllim që fëmijën ta lindte në tokën angleze. Bajroni lindi më 22 janar në një bujtinë në rrugën Holles Street në Londër. Në vitin 1790 Ketrin shpërngulet në Aberdeenshire, ku Bajroni e kaloi fëmijërinë. Babi i tij iu bashkua në rrugën Queen Street, por çifti shpejt u nda. Babi i Bajronit bëri një udhëtim në Valensien (Valencienes) të Francës ku vdiq në vitin 1791. Në vitet 1790-1794 Bajroni jetoi në Aberdeen. Tani shfaqen vështirësitë e para me këmbën e deformuar. Në moshën pesëvjeçare dashuron çupën Mary Duff. Në moshën dhjetëvjeçare, pas vdekjes së një daje më 21 maj 1798, e trashëgon titullin e tij baron, duke u bërë Baroni i 6-të nga Rochdale, “Lord Byron”. Prej tij trashëgon shtëpinë “Newstead Abbey” në rrethin Nottinghamshire. Megjithëkëtë, Bajroni me të ëmën vazhduan të jetojnë në Aberdeen. Në vitet 1801-1805 Bajroni u shkollua në Harrow. Këtu u dashurua në mbesën Margaret Parker, pastaj në Mary Anne Chaworth. Një natë, ajo i thotë dados së saj: “A mendoni se unë mund të ndje ndonjëherë diçka ndaj atij djaloshit të çalë”. Këto fjalë i hyjnë në vesh edhe Bajronit, duke lënë gjurmë të thella në psikën e tij. Dhjetë vjet më vonë, në liqenin e Gjenevës, në poezinë “Ëndrra” (The Dream), Bajroni flet për këtë dashuri të tijën të hershme. Pas përfundimit të shkollimit në Harrow, në vitet 1805-1808 Bajroni studion në Kembrixh (Cambridge) në Trinty Colleg. Një vit para mbarimit të shkollimit, Bajroni boton përmbledhjen “Orë përtacie” (Hours of Idleness), version i korrigjuar i përmbledhjes rinore “Juvenile Poems”. Tani Bajroni ishte 18-vjeçar. Përmbledhjen e nënshkroi me pseudonimin “I mituri” (A. Minor). Libri hasi në kritika të ashpra të kritikëve të atëhershëm. Në vitin 1809 Bajroni bëhet anëtar i Dhomës së Lartë. Po atë vit, si përgjigje ndaj kritikave të këqija drejtuar përmbledhjes së tij të parë, bajroni shkruan satirën “Poetët anglezë dhe kritikët skocezë” (English Bards and Scott Reviewers). Në qershor të viti 1809, shkon në Portugali, në Spanjë, në Greqi, në Shqipëri dhe në Lindjen e Afërt. Në Janinë fillon të shkruajë poemën romantike “Çajld Harold” (Childe Harold). Pas dy vitesh Bajroni kthehet në Angli. Mbërrin një ditë pas vdekjes të së ëmës, më 2 gusht 1811. Po atë vit shohin dritën “Këshilla nga Horaci” (Hints from Horace) dhe “Mallkimi i Minervës” (Course of Minerva). Në vitin 1813, lordi i ri njihet me Anna Issabelle (Annabelle) Milabanke dhe ia kërkon dorën. Pas një viti i botohen veprat: “Pirati” (The Corasair), “Ode për rënien e Napoleon Bonapartit” (Ode on the Fall of Napoleon Bonaparte) dhe “Lara”. Në saje të veprave të lartpërmendura, popullariteti i Bajronit rritet në mënyrë marramendëse. Atë vit në Londër, brenda një dite janë shitur 13.000 kopje të “Piratëve” (The Corasair). Të njëjtin vit, d.m.th. më 1814, Anabela e pranon ofertën martesore të Bajronit. Vitin vijues (1815), poeti legjendar martohet me të zgjedhurën e vet. Në nëntor të të njëjtit vit lind vajza e poetit – Augusta. Shpejt pas lindjes së foshnjës, bashkëshortja Anabela e lë Bajronin, duke e fajësuar për dashuri incesti me simotrën (motrën nga babai) – Augustën. Në vitin 1816, d.m.th. një vit pas lidhjes së martesës, Bajroni ndahet nga bashkëshortja dhe më 25 prill 1816, nën trysninë e publikut, e lë Anglinë. Shkon në Zvicër. Në liqenin e Gjenevës takon poetin e famshëm anglez  Persi Bish Sheli (Percy Bysshe Shelley, 1792-1822)*.

Shënim: Sheli ishte dëbuar nga Universiteti i Oksforsit për shkak të ateizmit dhe radikalizmit politik. Ndonëse i martuar, më 1814, Sheli iku në Itali me 16-vjeçaren Mery Wollstonecraft, më vonë Meri Sheli (Mary Shelley, 1797-1851). Kjo ishte bijë e filozofit social W. Godwin dhe e sufrazhetes M. Wollstonecraft. Me Persi Bish Shelin e lanë Anglinë dhe u vendosën në Itali. Me ta ishte edhe motra e Meri Shelit, Jane Clairmont. Më 1816 u martuan, pas vetëvrasjes së gruas së Persi Bish Shelit. Në Itali qëndruan në vitet 1818-1822, kur romantiku i madh Persi Bish Sheli u mbyt në përmbytje të stuhishme. Autorja e romanit “Frankeshtajni apo Prometheu modern” (Frankestein, or The Modern Prometheus, 1818), me të birin u kthye në Angli. Ky roman paraqet arritje kulmore e zhanrit të romanit gotik dhe deri në ditët tona ka qenë objekt i interpretimeve psikanalitike dhe kulturologjike.

*   *   *

Motra e prozatores Meri Sheli, Klara Klermont (Claire Mary Jane Clairmont, 1798-1879) qysh në Londër e dashuronte Lordin Bajron. Në vitin 1817, nga kjo lidhje e tyre lindi vajza Alegra Bajron (Allegra Byron; Bath, Mbretëri e Bashkuar, 12.01.1817 – Bagnacavallo, Itali, 20.04.1822). Pas kësaj, Bajroni u vendos në Venecie. Atje poeti çon dashuri me vajzën 22-vjeçare të tregtarit të Miletit. Pas kësaj edhe me Margarita Kogni (Margherit Cogni). Kjo ishte grua e një bukëpjekësi, e pashkolluar dhe xheloze, Në vitin 1817 Bajroni ndodhet në Ferrari. Vitin vijues, sërish në Venecie. Në prill të viti 1819 këtu takon konteshën 16-vjeçare Teresa Guiccioli, e lindur Gamba, e martuar me kontin 60-vjeçar Guccioli. Që këtu, Bajroni shkon në Raven. Pas një viti, d.m.th. më 1820, shkruan tragjedinë “Marino Faliero” dhe poemën “Profecia e Dantes” (The Prophecy of Dante) të cilën ia dedikon të dashurës Teresa Guiccioli. Më 1821 poeti shkon në ravenë në Pisë. Ndërkohë konti Guiccioli ndahet nga gruaja Teresa Guiccioli. Kjo e fut Bajronin në rrethin e karbonarëve. Për shkak të lidhjeve me karbonarët, Bajronin e dëbojnë nga Pisa. Në shtator të viti 1822 kalon në Gjenovë. Po atë vit, përpos veprave të tjera del “Vizioni i gjykimit të nesërm” (The Vision of Judgement) – parodi e poezisë me të njëjtin titull e bashkëkohësit të Bajronit Robert Southey, i cili në hyrje të poezisë së vet “Vizioni i gjykimit të nesërm” (A vision of Judgement, 1821) kërkon nga qeveria angleze t’i ndalojë librat e Bajronit, ndërsa Bajronin e quan “themeluesi dhe kreu i shkollës satanike”. Pas 14 korrikut të vitit 1823, prej Gjeneve Bajroni niste për në Greqi dhe më 4 gusht zbret në Cefaloni për t’iu bashkëngjitur kryengritësve grekë. Bajroni shkruan: “Këtu do të vdesim ose marcialisht ose moçalisht”. Këtu i kalon pesë muaj. Pas kësaj, në Missolughi i bashkohet udhëheqësit të kryengritjes – Maurocordatit.

Në vitin 1824 Bajroni shkruan këngët XV dhe XVI të “Don Zhuanit” dhe poezinë “Sot i bëj 36 vjeç” (On this Day I Complete My Thirtysixth Year). Poezia është shkruar më 22 janar të viti 1824. Më 19 prill të atij viti poeti legjendar vdes prej etheve që e kishin përlarë dhjetë muaj më parë. Trupi i tij u dërgua në Angli. U varros në Hucknell, një fshat i vogël afër Newstead Abbey-it. Simotra e tij, Augusta ia vuri mbi varr pllakën me mbishkrimin:

“Nën këtë hark / Ku prehen shumë paraardhës të Tij / Dhe e ëma / Të varrosura / Ëndërrojnë mbetjet mortore / Të GEORGE GORDON NOËL BYRONIT / Lord Bajronit nga Rochdate / Në kontenë Lankaster / Autor i pelegrinazhit Çajld Harold / I lindur / më 22 janar 1788 / Vdiq në Missolonghi në Greqinë perëndimore / Më 19 prill 1824 / Në veprimin fisnik / Për ta rivendosur rrugën e lirisë së kamotshme / Dhe për ta madhështuar.

E motra, fisnikja

AUGUSTA MARY LEIGH

E vendos këtë pllakë në kujtim të Tij.

Shënim: Mbishkrimi në pllakë është shkruar në formën vertikale.

*   *   *

Poemën romantike “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Piligrimage, 1812-1817) Bajroni e ka shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet e tij në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur dhe të robëruar. Në këngën II të poemës poeti u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për liri. Më 1955 poema e sipërthënë u përkthye në gjuhën shqipe prej publicistit dhe përkthyesit, veprimtarit të arsimit dhe të shkollës shqipe, Skënder P. Luarasit (1900-1982). Bajroni i çmonte lartë shqiptarët. Lidhur me këtë kanë shkruar shumë studiues dhe kritikë letrarë. Midis tyre edhe historiani Kristo Frashëri (1920-2016) në librin “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)”, botuar më 2009. Respekti i  poetit ndaj shqiptarëve shihet edhe te letrat që ia dërgonte ai të ëmës si dhe në shënimet që i ka mbajtur bashkudhëtari i tij i kulturuar Xhon Kem Hobhauz (John Cam Hobhouse, 1786-1869). Për Bajronin Shqipëria ishte një vend me bukuri natyrore të rralla. Shqiptarët – njerëz të pashëm, trima, krenarë, me fustanella të bardha. Ali Pashë Tepelena (1740-1822) ishte një kapedan i egër por jo mizor, vezir por i pavarur, figurë e tretë historike pas Aleksandrit të Madh (356 para K. – 323 para K.) dhe pas Gjergj Kastriotit (1405-1468).

*   *   *

Vepra: Dy këngët e para të epit udhëpërshkrues “Shtegtimet e Çajld Haroldit” panë dritën në vitin 1812. Ato janë pjellë e përvojës nga udhëtimet e poetit në Portugali, në Spanjë, në Greqi dhe ishujt e saj, në Shqipëri. Kënga e tretë doli në vitin 1816, ndërsa e katërta – më 1818. Kjo i solli famë poetike dhe adhurimin nga femrat e shoqërisë së lartë. Por ai u martua me një vajzë inkompatibile, nga e cila shpejt u nda. Fjalët lidhur me incestin me simotrën (motër nga babai) Augusta Leigh, e cila lindi edhe fëmijë, qëndrimin e tij në shoqërinë bujare dhe aristokrate e bënë të pamundur, kështu që në vitin 1816 përgjithmonë largohet prej Anglie. Viziton Vaterlonë (Waterloo). Vazhdon nëpër Rajnë, nëpër Zvicër, mbërrin në Itali. Këtu i kryen edhe dy këngë të “Çajld Haroldit”. Me tregimet në vargje si: “Kauri” (The Giaour, 1813), “Nusja nga Abidosi” (The Bride of Abydos, 1813), “Pirati” (The Corsair, 1814) “Lara” (1814) etj. – u bë poet i popullarizuar në mbarë Evropën. Në to krijoi tipin e vetmitarit tërheqës, por të errët, melankolik, misterioz me ndjenja të thella, por edhe hakmarrës i pamenduar, luftëtar për drejtësi dhe kundër tiranisë (më së shpeshti tiranisë turke). Me këtë e mishëroi mitin që e krijoi për vete me paraqitjet publike në Angli. Në vetëdijen e lexuesit, personaliteti i poetit shkrihet në atë të heronjve të tij: mëkatar, faktor për krimin që nuk u zbardh kurrë; njëherazi edhe viktimë e shoqërisë që e urrente, por kur e dëbuan që andej – vuajti. Veshja në stilin lindor është pjesë e pasqyrës së bajronizmit, siç quhet lidhja midis gjestit patetik publik teatral të heroit dhe shprehjes poetike të pëlqyer.

Personazhi bajronik paraqitet edhe në romantizmin e letërsive të tjera. Madje, sa më zemërak, tekanjoz dhe cinik, ai është dashnor burrëror, i papërballueshëm.

Në letërsinë angleze, Bajroni kurrë nuk mori mirënjohje për poezinë e tij. U çmua lart në kulturat e tjera evropiane. Në pjesën kontinentale të Evropës u çmuan tregimet e tij. Madje drama “Manfred” (1817) u krahasua me tragjedinë “Fausti” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832).

Në Itali ku qëndroi disa vjet, shkroi një varg veprash poetike siç janë portretet psikologjike “Julian dhe Madalo” (Julian and Maddalo, 1824) për veten dhe Persi Bish Shelin, “Vajtimi i Tasos” (Lament of Tasso, 1817); satirat dramat poetike “Marino Faliero” (1820), “Kaini” (1821) etj.

Në vitin 1822, bashkë me Persi Bish Shelin dhe L. Huntom botoi revistën “The Liberal” dhe mori pjesë në rezistencën ilegale kundër policisë austriake në Italinë veriore.

Gjuha kolokviale dhe toni ironik, të përkryera në poezinë narrative komike “Beppo” (1817) i kanë ndihmuar për ta shkruar veprën e tij më të madhe dhe më të gjatë, epin komik të papërfunduar “Don Zhuani” (Don Juan, 1819-1824). Heroin e vet disi pasiv, por për gratë tejet i adhurueshëm, prej vendit të lindjes, Sevilës, me anijen që ka pësuar avari, e çon në përqafime idile në ishullin grek, pastaj në haremin e Kostandinopojës, më pas, me fatin e luftës, në pallatin rus të Katarinës së Madhe dhe më në fund ndër bujarët anglezë. Në këtë vepër nuk janë thelbësore aventurat por komentet ironike të tregimtarit, bukuria e të cilëve është produkt i skemës së ndërlikuar të vargjeve në strofat e formës rima attava.

Me ftesë nga Greqia, bajroni duke dërguar ndihmë të pasur, u shkon kryengritësve që me autoritetin dhe famën e vet në botë, t’u ndihmojë në luftën për liri. Atje, i dëshpëruar nga mungesa e rendit dhe nga zënka midis grekëve, pas tre muajve vdes prej etheve. Për ta njohur jetën e këtij shkrimtari, rëndësi të veçantë kanë letrat dhe ditarët e tij.

Jeta e Bajronit, lidhje e shpirtit liberal në dashuri dhe në gjykimin politik, pjesë e emocionales dhe shpirtërores në tonin e poezisë së tij, kanë marrë veçori mitike dhe kanë lënë gjurmë në romantizmin e popujve të tjerë. Nën ndikimin e Bajronit shkruajnë: në Poloni, Adam Mickieviç (Adam Mickiewicz, 1798-1855); në rusi Aleksandar Sergejeviç Pushkin (1799-1837) dhe romantiku rus, i njohur si “poet i Kaukazit” Mihail Jurjeviç Lermontov (1814-1841); poeti, romancieri dhe  dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885). Bajroni ka ushtruar ndikim edhe ndër poetët e tjerë të kulturës evropiane.

Anglezët e kanë çmuar lartë Persi Bish Shelin dhe jo Bajronin, ndërsa në pjesën kontinentale të Evropës është e kundërta. Është çmuar lartë autori i “Çajld haroldit” dhe shumë më pak Sheli.

“Çajld Haroldi” fillon me “Këngën e lamtumirës”. Poeti vajton: “Nuk më dhimbset se e lë atdheun, nënën, natyrën dhe timen bijë të vogël. Më dhimbset fakti se s’kam për kë derdhi, qoftë edhe një pikë të vetme loti”!

Prej Bajronit buron edhe nocioni poetik bajronizëm që do të thotë “dhimbje botërore” d.m.th. “për të  keqen në botë nuk ka bar”. Poetët gjermanë e kanë përdorur termin “Weltschmerz”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok