14/12/2024

Xhelozia dhe urrejtja për njëri-tjetrin janë armiku kryesor i ne shqiptarëve

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Javën që shkoi ishte në Tiranë sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Janë thënë shumë fjalë për këtë vizitë. Por një fenomen tipik shqiptar thuajse askush nuk e ka prek me sy, veshë, mendje apo ndjesitë e tij. Në konferencën e shtypit dallohej qartë një përpjekje për ta tërheq shefin e diplomacisë amerikane në ndonjë deklaratë kundër qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës. E njëjta ndodhi, madje shumë hapur, kur nëntorin e vitit të kaluar ishte për vizitë në Tiranë presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Gjithkush e kuptoi që kjo ndodhi për shkak se kancelari refuzoi të adresojë kritika ndaj kryeminstrit të Kosovës. Ndërsa shefi i shtetit francez i nxitur edhe nga ne u përkushtua me zell të madh deri me bllokimin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Këto ditë jemi para të të njëjtit fenomen në rastin e dinarit serb dhe përdorimit të tij në Kosovë. Politikanë shqiptarë jo të pakët janë ngrit dhe sulmojnë nën brez e mbi brez qeverinë e Kosovës. Alarm i madh! “Po na kërcënohen marrëdhëniet me SHBA-të, me aleatët tanë të mëdhenj”! Në fakt e njëjta ka ndodhur edhe me targat, me dokumentet dhe me kryetarët e komunave në veri. Dhe çfarë kemi parë më pas? Marrëdhënie korrekte me SHBA-të dhe mbi gjithçka shtrirjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës në të gjithë territorin e saj. Në Shqipëri opozita po shuhej edhe për shkak të pagesave për të korruptuar zyrtarë të lartë të FBI-së amerikane. McGonigal u pagua për t’i eleminuar kundërshtarët e tij politikë.

Në analizë të fundit e gjithë historia e shtetit shqiptar duket se qe e tillë. Urrejtje, hakmarrje deri në asgjësim. Luftë e brendshme e paprinciptë! Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë historia jonë. Armiku brenda nesh, edhe kur nuk kishte armiq. Tradhtari kundër Shqipërisë, edhe kur nuk kishte tradhtarë. Dhe e gjitha kjo na ka çuar në transhenë e luftës, urrejtjes dhe hakmarrjes kundër njëri-tjetrit. E gjitha na bën ne shqiptarëve që të mos njohim limite kur është fjala për ta xhelozuar, luftuar, urryer dhe për t’u hakmarrë ndaj njëri-tjetrit. Aq sa kemi sajuar edhe batutën sipas së cilës “njeriu yt ta gërryen syrin më thellë”.

Përçarja jonë është armiku më i madh yni. Dhe përçarjen e sjell armiqësia e thellë me njëri-tjetrin. Politika e mban gjallë atë. Të huajt që nuk na duan e shfrytëzojnë këtë lloj sentimenti armiqësor, që të na përçajnë më shumë. Humanizmin, bujarinë tonë, mikpritjen dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë sjelljen njerëzore, ne i kemi me bollëk për të huajt. I shprehim edhe ndaj atyre që na kanë masakruar dhe asgjësuar për një shekull e gjysëm. Por kur vjen puna për ta dëshmuar për njëri-tjetrin jemi të kursyer e madje refuzues. Ne nuk duam ta shohim tjetrin mirë. Ne kënaqemi kur intrigat tona funksionojnë kundër njëri-tjetrit. Madje intrigaxhinjtë i mburrim, u themi se “këta janë njerëz të zotë”! Dhe kështu ndërtojmë perandorinë e së keqes me njëri-tjetrin.

Ne durojmë, nëse na bën padrejtësi çdokush tjetër u huaj. Së paku shumëfish më shumë sesa durojmë njëri-tjetrin. Por hakërrehemi dhe hakmerremi, nëse dikush edhe i rrethit familjar na duket se na bën padrejtësi. Ne shkojmë në vendet europiane për t’i vizituar dhe për të jetuar dhe përshtatemi më mirë se shumica e popujve të tjerë. Por nuk përshtatemi me komshiun, vëllezërit ose kushërinjtë tanë në Shqipëri. Ne duam që secili prej nesh të jetë në ballë të oxhakut. Askush nuk e pranon të zejë vend te dera, edhe pse dhoma, salla, tavolina ka një cep në krye e një tjetër në fundin e saj. Ne ndoshta jemi të parët në Europë që kemi shpikur tryezat e rrumbullakëta, sepse të gjithë duam të dukemi se jemi në krye të saj.

Ka prej nesh që më shumë gëzohet nga dështimi i dikujt tjetër të llojit tonë, sesa me suksein e vet personal. Ndërsa gëzimi për suksein e dikujt tjetër është shumë, shumë i rrallë. Ne duam që të gjithë ne të bëhemi VIP-a, të hyjmë në histori. Nëse na duket se po dështojmë në këtë aventurë egoiste, atëherë ne bëjmë gjithçka ta groposim dikë tjetër që “na ze vendin me aftësitë e tij”! Më së shumti përdorim linçimin, kur e kemi në dorë edhe linçimin publik, për njerëzit e suksesshëm. Kur nuk e arrijmë suksesin historik të dikujt tjetër, atëherë përdorim gjithë pushtetin politik apo të parasë për ta shumëzuar me zero atë sukses, ose më saktë personazhin e tij.

Këta jemi ne! Dhe kryeministri i Shqipërisë në qëndrimet e veta na ka ne aleat. Ai është frymëzuesi i urrejtjes, dasive, përçarjes shqiptare. Por është edhe pasuesi i kësaj situate që i bën shqiptarët njerëzit më të papërfillur në Europë. Me ndihmën e aleatëve ne kemi fituar luftëra me armiqtë e huaj të kombit tonë, por për ta fituar luftën me egon tonë, nuk ka aleat që na ndihëmon! Lutemi Zotit të na ndihëmojë e të na kthjellojë mendjen e pastrojë shpirtin! Amin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok