13/12/2024

TË BIESH DHE TË NGRIHESH ME GURIN E KUFIRIT MBI KURRIZ…

0
u6_Agim-Ramadani

AGIM RAMADANI

MES LAJMËTARËVE TË EUROPËS

Nga Visar Zhiti

…shkuli gurin e kufirit, atë që ishte vënë për të ndarë Kosovën nga Republika e Shqipërisë, për të ndarë një popull, një gjuhë, një histori, për të ndarë njerëzit nga njerëzit, veten nga vetja.

E ngriti mbi kurriz atë gur sizifian, të rëndë e tragjik, të ngulur qysh në vitin 1913, iu avit një hu(b)nere dhe e hodhi…

Duhej sensibilizuar Europa, duhej ndrequr sa më parë që të ishte e mundur ai mëkat i saj ndaj shqiptarëve në fillimet e shekullit XX.

Çështja e Kosovës, si akt tjetër tashmë i  çështjes shqiptare po merrte dhenë. SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Spanja, etj, gjithë NATO-ja po bëheshin gati për ndërhyrjen ushtarake në Jugosllavi.

Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, Bill Clinton, e flak mëdyshjen dhe firmos bombardimin e Beogradit, – …i kisha dhënë fjalën Nënë Terezës, – do të thoshte ai, – ma kishte kërkuar: “Ndihmojeni popullin tim!”

“Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar, – do të dëshmonte botërisht Bill Clinton, – dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale  ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.”

Në Kosovë, pas punës titanike të “Gandit të Ballkanit”, Prof. Ibrahim Rugovës, që me diplomaci e durim ia kishte bërë të njohur Çështjen e Kosovës Europës dhe SHBA-së, ishte formuar Ushtria Çlirimtare dhe kishte nisur lufta e pa barbartë.

*   *   *

…Agimi lindi në një familje juristi në fshatin Zhegër të Gjilanit me 3 maj të vitit 1963,  dhe aty, në shkollën e fshatit të tij, mori mësimet e para, mbaroi filloren. Pastaj në Gjilan kreu të mesmen teknike, por i pëlqente poezia dhe piktura, megjithatë shkoi të studiojë në Zagreb në Akademinë Ushtarake.

Shërbeu me gradën nënkolenel dhe merrte pjesë në ekzpozita kolektive pikture, hapi dhe vetanake, kurse poezitë i linte andej- këndej, edhe redaksive të revistave të ndryshme.

Kur nisi lufta në Kroaci dhe po bëhej gati të plaste dhe në Bosnje-Hercegovinë, ai braktisi Armatën Jugosllave. I djegin shtëpinë dhe ai emigron drejt Europës, drejt ëndrrës.

Në Zyrih drejton qendrën kulturore të shqiptarëve, vazhdon pikturën, hap rreth 50 ekspozita, vlerësohet me çmime.

Merr statusin e emigrantit në vendin më të begatë, në Zvicër, bëhet qyetar europian dhe ashtu mbahet, shembull qyetarie.

Burrë i pashëm, si i dhëndërt gjithmonë, i gjatë, me fytyrën të mprehtë, flokët të zeza e të dendura, me mjekërr të zezë, të shkurtër dhe hollake, me vetullat e zeza e me sytë plot poezi, aq sa vështronin jashtë, po aq dhe brenda vetes, buzëqeshte lehtë edhe kur nuk buzëqeshte, me këmishën të bardhë sikur kishte vërshuar mirësia e tij nga gjoksi, sikur kishte mbajtur pëllumba, kostumi i errët, dukej sikur ishte veshur me natë… Me cilën natë?

Atdheu po thërriste bijtë e vet.

Dhe po atë vit që u bë Akdemik në Artet Europiane, Agimi vendos të kthehet, atje, në tokën e tij, në luftë për çlirimin e vendit.

Lë në Zvicër tre fëmijët, dy djem, vajzën dhe bashkëshorten, zonjën Sh.

Ishin rritur bashkë, kishin qenë në një klasë dhe një ditë, – e kujtonin dhe qeshnin të lumtur, – kur ishte student, u fut në makinën e babait të së dashurës së tij dhe i thotë: e dua vajzën tënde, po nuk ma dhe, më mirë më vrit…

Vjehrri i ardhshëm, i befasuar, s’i mbetej tjetër veç të përgjigjej: Qoftë për mirë!

Agimi dinte të donte, por ai dinte dhe të sakrifikonte për dashurinë. Dhe ashtu bëri. Dashuria e tij ishte e madhe, europiane, mund të themi.

Para se të mbërrinte në luftë ndali në Tiranë, pastaj në Lezhë, stërvitjet e fundit me shokët dhe…

Strateg betejash, udhëheqës tamam, Katana e thërrisnin. Me uniformë dukej si më i hajthëm, mjekrra tani si muzg Kosove, vështronte me më vendosmëri, me një si pikëllim që sikur vinte nga yjet.

I dashur me shokët dhe me luftën… shkroi dhe himnin e komandosve. Nisi të merrej me përgatitjenë e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Dhe i pari shkuli piramidën-kufitare në Koshare.

Shpesh për maskim mbuloheshin me degë e gjethe dhe fytyrën e lyenin me baltë atdheu.

Marrshime të guximshme, të fshehta dhe beteja plot me “njësitet e kobrave”… drejt pozicioneve serbo-malazeze, kujdes, se ka dhe  mercenarë rusë…

Te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, andej nga ana e Kosovës, ndalën. Komandant Agimi u ndau detyrat luftëtarëve të vet, dha urdhërin që të shpërndaheshin, me kujdes… ja pylli, shkëmbi, pllaja, më tej është… liria.

Të shkonin si fillim për atje ku ishin caktuar… me vrap, me kërcime… Dhe hidhej sa nga njëri tek tjetri pozicion duke dhënë udhëzime, detyra, por dhe moral. Thoshte dhe ndonjë poezi, nga ato që të shtojnë guximin. Pishat herë pas here shkundnin borën nga krahët e blertë. Aq shumë bardhësi mbi tokë… këmisha e dhëndërisë… ç’bënin tani gruaja, fëmijët?… E pabesueshme që ka ende luftë…

Armiku dinte kur dhe kë të godiste. Po e vëzhgonte, e kërkonte me dylbi, tyta e armës drejtohej nga ai, ja kryet në rreth, prisnin.

Agimi ndjeu thellshëm plumbin, u kthye nga e djathta si për t’u shplodhur a që të merrte hov, por nuk lëvizi më. Shoku i tij i pozicionit shtiu pa ndërprerje andej nga erdhi plumbi. Dhe të tjerë sulmuan… Ashtu siç kishte porositur Agimi. Betejë u ashpërsua edhe më, u përgjak trualli… “Termopilet e Kosovës” e quajtën…

Ngritën trupin e komandantit… e shtrinë mbi një vig. Uniforma e ushtarit të lirisë kishte marrë ngjyrën e lulkuqeve të fushave të Dardanisë, të Flamurit Kombëtar.

Dhe Ai u kthye shtatore në qytetin e tij, në Gjilan, në atdheun e çliruar. Rri kryelartë në  sheshin para Pallatit të Kulturës, i bronztë në bulevardin ku dikur shëtiste modest, i njerëzishém, i dashuruar, i qeshur.

Te këmbët ka kurora me lule, por është dhe ai, guri tragjik i kufirit, absurd, i pakuptimtë, me ca shifra e shkronja të pakta, si jerm i ngrirë.

– Duhet të mburresh me Agimin, – i thonë tani bashkëshoretes së tij, zonjës Sh.

– Kur ai ishte, po, unë mburresha me të, – përgjigjet ajo, – tani që s’është, mburruni ju – dhe ndjen në gjoks nxehtësiné e një thike.

Dhe një ditë ajo më tregoi se Agimi i saj, ashtu si të gjithë ata që shkruajnë poezi, dëshironte të botonte një libër dhe atje, në Zvicrën e largët, i thoshte që do të kishte dashur që t’ja përgatisja… unë.

U drodha. Po, po vértet. Dhe s’ishim parë kurrë. Nuk e dija… Pse, pse, më ndjente vëlla në dhimbje, sepse… burgu… ah, duke m’u marrë fryma, shkruajtja fjalën hyrëse të librit të tij. Ja:

NJË JETË TJETËR PËR TË GJITHË.

– VARRET QË RINGJALLIN KOMBIN –

Një plumb lufte, i nisur ndoshta njëmijë vjet më parë, godet në trupin prej poezish një njeri me emrin më të bukur që mbart me vete përjetësisht lindjen gjithë dritë të botës, Agimin.

Patjetër atë çast ka rrjedhur sërisht gjak plaga e pushkatimit të poetit Lorka në Spanjë, e poetëve të truallit tonë Gërvalla e Xhagjika, po, po, edhe plaga e largët në trupin e Pushkinit, atje në vendin nga na zbritén barbaritë dhe e gjithë poetëve të vrarë për lirinë a të zhdukur nga diktatura kudo, kudo.

Qe përsëritur krimi i llahtarshëm në vitin e fundit të mijëvjeçarit në prag të një ëndrre të madhe, kur bota çlironte Kosvën.

Vranë poetin Agim Ramadani. Ah!

Në drejtim të kundër me plumbin e vdekjes niset një grua si në balada. Lë malet e Zvicrës, mjegullën dhe dritat moderne dhe mbërrin te malet e ashpra të Tropojës tonë. Lufta që bëhej matanë kufirit të dhunshëm, vjen dhe këtej. Gjëmojnë gjëmimet e gjëmës së bombave. Gruaja shkon tek një varr i ri. Shtang. Luftëtarët përreth qajnë dhe ledhatojnë dheun e varrit mbuluar me flamur. Ishte gruaja e Agimit, dashuria e tij. Ka ardhur të dëgjojë amanetet nga ky gur varri, që të tjerët nuk mund t’i dëgjojnë dot.

Armët e Agimit, ditarin e përgjakur ia kthejnë asaj. Që të mos pushojë arma e Agimit, ajo ia jep luftëtarëve të tjerë. Pastaj, kur të vijë liria, t’i çojmë në muze, thotë.

Mbas vdekjes vjen shtegtimi.

Kam përpara gazeta të ndryshme shqiptare e të botës, që kanë shkruar për Agimin, intervista, poezitë e Agimit, lënë dorëshkrim, të cilat poeti ynë i madh, Ali Podrimja, i bëri libër “Një jetë tjetër”.

Agim Ramadani lindi në majin e dashurisë, 1963 dhe vritet në prillin e trimërisë, siç thotë populli, më 1999.

Qe laureuar për inxhineri në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Por ai armët i donte kundër armëve dhe luftën kundër luftës. Donte dashurinë, fëmijët dhe Kosovën bashkë me to. Donte kombin dhe botën. Dhe vizatonte copa nate që po i praronte drita. Dhe pranohet në një tjetër Akademi, në atë të Arteve Europiane, ku merr dhe Medaljen e Artë.

Ndërsa e vrasin, mua më duket sikur dhe pikturat nëpër galerira qëllohen me breshëri plumbash. Bie e përgjakur Mona-Liza në Luvër.

Agimi shkruante dhe poezi. Edhe libra, doracakë për luftën, kur nga Zvicra ku kishte mërguar, shkon në Kosovë, rreshtohet, rreshtohet në UÇK- në e të gjithëve, bëhet komandant dhe më pas brigada 138 merr emrin e ndritur “Agim Ramadani”. Dhe të vjen té besopash se UÇK do të thotë edhe Universi Çlirues Kulturor, etj, etj.

Lotët nuk të lënë të lexosh dot poezitë e tij. Më ikin nga duart në ajër si copa drite, si fasha, më mbulojnë të gjithin si rënkime, si flatra dhe befas bëhet terr. Terri i tanishëm.

Por si një abazhur ndriçon plaga e poetit dhe unë e kuptoj se drita vjen prej gjakut të derdhur në luftën për liritë e Njeriut që është dhe komb.

Futem në një tjetër jetë të Agimit, në atë të poezisë. Ai ka shumë jetë tani. Dhe atë të pavdekësisë.

Tiranë, shkurt 2000

Libri iu përkthye dhe në anglisht. Më pas dolën monografi, studime për Agimin, përsiatje, letrat, ditar, poezi të tijat, që i kushtoheshin atij, në tre vëllime, ekspozita, etj, etj, por një vend pikëllues plot dritë shpirti zënë vargjet e së shoqes.

Mbi degë të rënduara malli

Loti rrjedh drejt eshtrave të tua.

Inde të padukshme ëndrrat

Tokë e qiell m’lidhin

E në damarët e fëmijëve tanë

Gjaku yt vrullshëm lëviz..

Sjell agime ai gjak, të ëndërruarit. Agimi është vërtet një agim i përhershëm…

Pas atij viti, që ishte i fundit i jetës së tij, erdhi shekulli tjetër, mijëvjeçari i ri, koha më e mirë për shqiptarët, koha europiane. Agimi i gjallë…

 

 

A MJAFTON PRITJA

 

A mjafton

Të presim vetëm

E të shikojmë

Duke larguar perden

Për të parë si na vjen liria

(Tetor, 1994)

 

 

NËSE

 

Nëse e dashuron diellin

Ma jep pak zjarr

 

Nëse e dashuron hënën

Më jep pak dritë

 

Nëse e dashuron lulen

Më jep pak shpresë

 

Nëse e dashuron pranverën

Më jep pak jetë

 

Nëse e dashuron ylberin

Më jep pak rrugë

 

Nëse e dashuron shiun

Më jep pak dashuri

 

Nëse më dashuron mua

Zemrën ta fala

 

 

IDRIZ SEFERI

Oshëtima ende është gjallë

Damar i tokës vetë

Ai

(Janar, 1994)

 

 

PIKTURALE

 

Trëndafili i tharë

Në kornizë te dritares

Dhe një cep pëlhure

Që njomet

Në të paavulluarën

E gotës se kujtimeve

Në horizontalen

E matur të penelit

Më shteren ngjyrat

Në kavaletin

E së kaluarës

 

 

M’U SHTERSHIN SYTË

 

M’u shterrshin sytë nëse pushoj

Lirinë tënde me ëndërrue

mallkue qoftë gjaku im

nëse m’vrasin pa luftue

(1996)

 

 

NË MUNGESËN TIME

 

Tani unë jam hi dhe hije nuk kam

Se kam ndërruar jetë askush nuk e di

Më kërkojnë pyesin ku kam mbetur

Në trupin tënd të brishtë jam shkrirë

Nuk jam tretur…

———————————

Agim Ramadani

ra heroikisht në 11 Prill 1999

25 vjet më parë

dhe filloi përjetësia e tij.

(Nga libri “Lajmëtarët e Europës” –

Visar Zhiti,

Botimet “Omsca-1” & “UETPRES”

2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok