13/12/2024

SHKODRA  ASHT  DJEPI I  KULTURES DHE ARTIT

0
Pietro_Marubi

PJETRO MARUBI (1834 – 1903)

Nga Fritz RADOVANI

Qyteti i Shkodres asht djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar.

Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkoder, në djepin e artit të Saj u perkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi, në Trojet tona që në vitin 1850 – 1858.

Pjeter Marubi u le në Piacenza më 14 gusht 1832, asokohe pjesë e Dukatit të Parmës, me emnin e lindjes Benedetto Pietro Lorenzo Marobbi, i biri i Antonio Marobbi-t dhe Maria Çervinit (Cervini); i ati ishte sharrëxhi (ma vonë punoi në një farmaci). Pietro ndoqi shkollën e arteve të institutit Gazzola të vendlindjes. Më 1858 mori një anije drejt Zarës ku ishte prezentue si piktor dhe litograf, shkoi në Budva dhe prej aty u vendos në qytetin Shkodër, në tetorin e 1858 ku u prezantua si piktor.

Fillimisht u vendos në ndertesen e familjes Rronkali dhe ma vonë në konsullatën ruse. Punoi si mësues vizatimi në seminarin e Etënve Jezuit, konsullatën franceze dhe ate ruse të Shkodres.

Marubi kontribuoi për ndërtimin e Kishës ortodokse “Aleksandër Nevski” të qytetit (për të cilën u dekorue nga autoritetet ruse me medaljen e urdhnit të Shën Stanislavit), të konsullatës së re franceze, të selisë Arqipeshkvnore të Katedrales katolike e konsullatën e re italiane aty, ku ishte shtëpia e Filip Parrucës (ish Shtëpia e Kulturës) në Shkoder.

Dihet që më 1865 çili studion e tij, tue e përdorë së pari fotografinë në dobi të pikturës siç mund të kuptohet nga portretet e Nikoll Çobës dhe Ismail Pashës. Fotot ma të hershme të koleksionit të tij zanë fillë më 1860.  Me çeljen e Kolegjit Saverian, u pajtue që të jepte edhe aty lëndën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870 Pietro bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës. Organet e ndryshme botnore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Ndërkohë, mjeshtri Pjetro fillon të dalë nga atelieja e të fotografoi në natyrë subjekte shoqnore, por edhe historike.

Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla si shumë e njohuna “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe “Portrete grueje” (1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha asht dhe fotoja e Marubit që paraqet delegatët e njohun të Vilajetit e Lidhjes së Shkodrës (1878), si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohuna europiane si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London News”, tue u ba Fotoreporteri i Parë në histori të fotografisë Shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve të Veriut për liri, janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen ma të parat fotografi botnore të luftës si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizue fotografitë e para në Mal t’Zi  (1865). Kështu nuk asht e rastit që fotografitë e kohës së Marubit, gjinden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.

Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30 cm me 40 cm. Shumë foto të tij janë shtypë edhe si kartolina postare që kërkoheshin nga të huejt për bukurinë dhe ekzotiken e tyre të panjoftun.

Për veprimtarinë e tij u nderue me medalje ari nga Shoqata e Meritorëve në Palermo më 1890 dhe kalorës nderi i Areopagut të Dekoruemve të të gjitha Kombeve me 1895.

Gjatë një smundjes më 1893, me dy dëshmitarë dhe me përkthyesin e konsullatës italiane Pjeter Gurakuqin, nënshkruen një testament ku përcakton vullnetin e tij për t’i lanë trashigim ateljen dhe pajisjet e saj Kel Kodhelit: “Si shpërblim i të gjithë shërbimeve miqësore të bame nga ai në situata të ndryshme të jetës së Pjetrit”.

Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”. Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në She. XII në pjesen e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare, Alfabeti dhe Gjuha Shqipe e deri tek, muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letersia ynë kombtare e Atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkoder, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë nga ”Akademia e Tiranës”, bashkë me gjenialitetet tona të papersëritëshem, që, çdo veper të vet ia dedikuen Shkodres dhe Atdheut.

Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe të gjithë pasunisë së Pjeter Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Perjetshem të Tij, në “Studjo Marubi” Shkoder, deri tek i fundit Gegë Marubi. Ambjenti dhe jetesa në qytetin e Shkodres per Pjetrin ishin aq të knaqëshme sa Ai e ndiente veten sikur t’ishte në Itali. Po duhet theksue se edhe Shkodra e konsideroi Ate si një Shkodranë të vetin të vjeter.

“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane.

Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejtë kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefen Gjeçovi, Don Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno, Simon Rrota e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës Shqiptare, kostumeve tona kombtare nder Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve e dokeve të Shqiptarit, e deri tek një nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të diktatorit Ever Hoxha, SOT janë dokumentët dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vertetë e të Trojeve të Shqipnisë.

Në moshë fare të re, kur ishe 11 vjeç dhe ma vonë në Shkoder, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodres s’ artit nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Prenk Jakova, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta e të paharrueshmme.

Me çiljen e Kolegjit Saverian, Marubi u pajtue që të jepte edhe aty landën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870 Pjetri bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës.

Sot në Shkoder flet ”Fototeka MARUBI” !

Aty sot janë të gjitha thesaret e çmueshme të Fotografëve të Shkodres!

Pjeter MARUBI asht le me 14 gusht 1832 – dhe ka vdekë në qytetin  Shkodër, 22 maj 1903. Me shumë respekt nderojmë Emnin dhe Vepren e Tij të Perjetëshme që ia dhuroi Shkodres sonë, djepit kulturës e t’ artit.

Melbourne, 12 Prill 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok