Tani është radha jote ta mbash atë në prehër
Nga Albert Vataj
Burri në këtë fotografi quhet Tony Wood. Gruaja e moshuar që ai mban në krahë është nëna e tij, Brenda Wood, e cila vuante nga sëmundja e Alzheimerit.
Fotografia është shkrepur në një spital, gjatë periudhës së festave. Nëna e tij ishte lodhur dhe nuk po gjente rehati në karriget e ftohta të sallës së pritjes. Atëherë Tony bëri atë që, në pamje të parë, duket si një gjest i zakonshëm, e mori në krahë, e mbështeti mbi veten dhe e la të flinte e qetë.
Por ndonjëherë një veprim i thjeshtë mbart një histori të tërë njerëzore.
Sepse, në atë çast, një bir nuk po mbante vetëm nënën e tij. Ai po mbante një jetë të tërë. Po mbante duart që dikur e kishin ushqyer, krahët që e kishin përkundur, netët pa gjumë, frikërat e saj, lutjet, sakrificat, kujdesin dhe dashurinë që një nënë ia fal fëmijës pa bërë kurrë llogari.
Dhe tani, pa bujë, pa dëshmitarë, pa kërkuar asgjë në këmbim, ishte radha e tij.
Tani është radha jote ta mbash atë në prehër.
Ka çaste në jetë që përtej përditshmërisë ngrihen si altarë të shenjtë, ku dashuria merr formën më të pastër dhe më të prekshme. Një prej tyre është ai kur sheh një bir që mban nënën e tij në krahë, duke e rikthyer me heshtje, me përulësi dhe me dhimbje të ëmbël borxhin e dashurisë që dikur ajo ia dhuroi pa kufi. Ky imazh nuk është thjesht një fotografi, është një testament i qarkullimit të ndjenjës, një dëshmi e kthimit të rolit, një shenjë e qartë se cikli i jetës nuk është kurrë i mbyllur, por një vijimësi ku fëmija bëhet strehë e nënës së lodhur, dhe nëna, edhe në dobësinë e saj, mbetet burim i forcës.
“Përkufizimi i vërtetë i dashurisë mes nënës dhe fëmijës. Kur pashë këtë burrë duke mbajtur nënën e tij në krahë, zemra m’u zbut dhe qava si fëmijë. Ai erdhi në këtë botë duke u mbajtur prej saj në këtë mënyrë, dhe tani është radha e tij të kujdeset për të. Ajo ndihej e sigurt. Nuk e di emrin tuaj, zotëri, por jeni një njeri i mrekullueshëm.”, kështu shkruante një komentues, në një nga pafundësitë e publikimeve të këtij momenti ikonik.
Ky çast është një simfoni e hyjshme dashurie, e shkruar me nota shpirti mbi një oqean të trazimtë fatesh ku ngërthehet trisht mosha e tretë, në padurimin e pritjes për të ikur nga jeta dhe braktisja.
Tony Wood e nxjerr nga thellësia e vetes këtë akt të shndërruar në altar, për t’i kumtuar botës dhe të sotmes këtë kthesë të beftë si testament mirënjohjeje dhe devocioni. Këtë zakonshmëri ku rolet ndërrohen duke shkrepëtirë një dritë të brendshme që e bën shpirtin të ndjejë shenjtërinë e sakrificës.
Ky nuk është thjesht një akt vazhdimësie, por një sprovë e mirësisë, një shenjë e gjallë se farat e dashurisë që ajo ka mbjellë, ka mbirë dhe harliset në botën që digjet mallit për nënat që pritja u shemb prehërin.
Në këtë përqafim nuk ka vetëm kujdes, ka kujtim, mirënjohje, ka një histori të përbashkët që nuk ka nevojë për fjalë, sepse është shkruar në trup, në gjak, në lot. Ajo mbështet kokën mbi supin e tij, e qetë dhe e sigurt, si dikur ai mbi të sajin. Është një prehje që tejkalon tokësoren dhe i afrohet sublimes, një prehje ku qielli duket se zbret mbi tokë, për një çast të vetëm si shënjim hyjnie. Dhe ai, Tony Wood, pa kërkuar vëmendje, pa bujë, e kthen borxhin më të shenjtë që ekziston, dashurinë e nënës. Ai nuk e bën këtë për lavdi, por sepse e ndien si një thirrje gjaku, si një betim i pashkruar.
Ky imazh bëhet altar, ku të gjithë gjunjëzohemi në lutjen shëlbyese për të pasur dikë që nesër do të na mbajë në krahë, dikë që do të na dëgjojë ankthin, që do të na qetësojë lodhjen e viteve. Është një dëshmi e ndjenjës më të pastër njerëzore, një thirrje për të mos harruar se nënat nuk kanë nevojë për duartrokitje, por për praninë tonë, për përkujdesjen tonë, për thjeshtësinë e përulësisë që mbart madhështinë më të vërtetë.
Dashuria e nënës nuk ka fund. Ajo nuk ndalet as kur vitet rëndojnë trupin, as kur shëndeti venitet, as kur dhimbja e bën të përkulet. Zemra e saj rreh gjithmonë në gjoksin tënd, loti i saj thahet në faqen tënde, dhimbja e saj kafshon më shumë atë se ty. Ajo mbetet një univers i tërë, i cili e gjen strehën e tij në këtë moment të thjeshtë, por hyjnor, ku veprimi flet më shumë se çdo fjalë.
Sa të jenë gjallë, nënat do të mbeten gjithnjë nëna. Dhe ne, pavarësisht moshës, do të mbetemi fëmijët e tyre, dhimbja e tyre, gëzimi i tyre, shqetësimi i tyre. Edhe kur jeta na fton të ndërrojmë rolet, e vërteta është e njëjtë, tani është radha jote ta mbash atë në prehër, siç do të vijë një ditë kur dikush do të të mbajë ty.
Dhe ndoshta kjo është mënyra më e bukur se si jeta na mëson se nuk rritemi kurrë aq shumë sa të mos mbetemi fëmijë i nënës sonë.
