06/12/2024

Talenti dhe mjeshtëria e valltares Xhume Gjoka (Barhani)

0
Xhume-Gjoka-Barhani2

Nga Avni Leka*

Treva e Komsisë, njësi administrative e Bashkisë Mat, i ngjan një sofre bujare, mbushur me shumë ngjarje në histori, sofër me këngë e me valle, me kostume popullore shumëngjyrëshe, me instrument popullorë, të cilët jetojnë bashkë në një shtrat të vetëm folklorik të një zone etnokulturore tradicionale, me tipare të veçanta në tërësinë etnografike kombëtare. Këtij realiteti etnokulturor t’i bashkojmë romantizmin, bukurinë, lëvizjet, gjallërinë e grupit të vajzave valltare të Komsisë, ngjajnë si të katër stinët e vitit.

Kërkoj ndjesë për hiperbolizimin, por kur kthehem prapa në kohë dhe kujtoj gjithë pasurinë kulturore folklorike të rrethit të Matit, në atë pjesë të trevës të etnosit, ku është zemra e principatës së Arbërit, jo vetëm nuk është hiperbolë, por përpara saj kanë zilì e përulen të shtatë ngjyrat e ylberit. Nuk më takon të futem në fushën e hulumtimit të valleve të vjetra apo të reja, sipas trevave etnografike. Por parashtroj dhe pasqyroj atë realitet koreografi folklorik, atë mund e djersë të derdhur, atë punë të shquar të grupit tepër kompakt të vajzave valltare të Komsisë, drejtuar me kompetencë për vite e dekada nga koerografja Xhume Gjoka (Barhani). Grupi i vajzave ishte kompakt dhe përbëhej nga Hanke Dakoli, Xhemile Laçi, Vera Ruspi, Rrahime Tusha, Vera Dedja. Kjo soliste, valltare e Matit, është përballur me sukses, sipas sfidave në jetë, se domosdo jeta nuk është livadh me lule e trëndafila. E pyesim solisten për fillimet e para të jetës artistike folklorike dhe na u përgjigj me krenari.

-Isha shumë e vogël, në klasën e gjashtë, në vendlindjen time Komsi. Një natë vonë, në darkë, kur ne fëmijët grumbulloheshim pranë oxhakut për t’u ngrohur, i drejtohem babës: “Jam e vogël, por sonte e kam një hall të madh”.

Babai e nëna, si çdo prind, në fillim shtangën. “Fol, bija ime, cili është halli yt i madh!?” Vajza, Xhumja, e klasës së gjashtë, vazhdoi bisedën:

-Nesër në qytetin e Burrelit organizohet një aktivitet i madh artistik. Marrin pjesë shumë shkolla të rrethit. Pallati i Kulturës dhe shkolla e Komsisë më kanë zgjedhur mua të jem në krye të valles së vajzave të Komsisë. A do të më japësh leje, babë?

Xhumja i pëshpëriti fjalët ngadalë, sikur të kishte frikë, se mos e dëgjonin trarët e kullës. Siç e kanë natyrën burrat e mençur e të matur, baba iu përgjigj:

-Po, bija ime! Derën e ke të hapur, rrugën të çelur, veçse dua që gjithë jetën të jesh vajzë me faqe të bardhë e dinjitet njerëzor.

Solistja e valleve sot kujton: “Kur dëgjoja këto porosi të ngrohta të babës, ishte mesnatë, por kur flet baba im kështu, m’u duk mesditë. Fjala e prindërve të mi, Ramë Hetë Gjoka e Fatime Gjoka, vëllai Selimi, për rrugën time të artit, ka qënë një magji e vërtetë. Prindërit i kam patur gjithë jetën në krahun tim, që unë të ecja përpara në profesionin e artit që zgjodha për jetën”.

Në Pallatin e Kulturës për të ndjekur aktivitetin artistik kulturor kishte ardhur ish-Ministri i Arsimit e Kulturës, Thoma Deliana. E kam të freskët takimin me ministrin. Më përqafoi, më foli më kënaqësi dhe iu drejtua mësuesve të shkollës: “Ju mësuesit jeni të aftë të përcaktoni se sa i aftë është një fëmijë, se sa i ditur do të bëhet në jetë.” Pastaj menjëherë iu drejtua punonjësve të arsimit e të kulturës: “Shënoni në fletoren e punës! Kjo valltare e vogël duhet të ndjekë shkollën e muzikës në Tiranë”!

Mësimet e para Xhume Gjoka i kreu në vendlindjen Komsi. Aty mbaroi shkollën 7-vjeçare. Në Tiranë vijoi për katër vjet shkollën e mesme të muzikës, të cilën e mbaroi në vitin 1972 me rezultate shumë të mira dhe u diplomua mësuese muzike. Dhe menjëherë e emërojnë mësuese në shkollën 7-vjeçare Klos.

Xhume Gjoka (Barhani) ka punuar në disa shkolla të Matit. Me shumë dashuri ka punuar në vendlindjen Komsi, në disa shkolla të qytetit Burrel. Gjatë kësaj kohe, si mësimdhënëse e soliste, e dalluar shumë pas punës me fëmijët, në shumë shkolla ka dhënë kontribut të çmuar për organizimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore. Në çdo kohë organizonte aktivitete jashtë klase, jashtë shkolle, në Bibliotekën “Pjetër Budi”, me qendrën Kulturore të Fëmijëve “Ymër Neli” me tema për librin, për vallen, për këngën, për instrumentat popullorë…

Të parët e origjinës së Xhume Gjokës (Barhanit) janë lindur në kullën e Gjokajve në German, e cila sjell vlerat kulturore deri në ditët tona, sjell imazhin e ngjarjeve etnofolklorike, ku të parët e fisit të tyre ishin njohës të gjithë instrumentëve popullorë të krahinës së Matit. Sipas të dhënave, Met Gjoka i parë, krahas instrumentave popullorë të krahinës, ishte i njohur, ishte instrumentisti më virtuoz në lahutën me një tel, vegël muzikore jo karakteristike e zonës tonë etnografike, se instrument të veçantë kemi laurinë. Deri në ditët tona ky instrument i vjetër epik (lahuta), i tashëguar në shekuj nga shumë breza i fisit Gjokaj, varej në odën e miqve si relike e çmuar e të parëve të fisit. Spjegimin për këtë dukuri të veçantë në këtë instrument e lidhim me origjinën e largët të fisit Gjokaj nga Mirdita. Në këtë hulli të kultutës dhe artit popullor eci me kompetencë dhe Xhume Gjoka (Barhani), Isuf Gjoka etj. Këto të dy artistë, si dy gjymtyrë, solistë të një gjaku, ishin ndër aktivistët më të spikatur të Ansamblit Folklorik “Mati”.

Rrethi i Matit ka shumë artistë, ka këngëtarë, valltarë, instrumentistë popullorë, njerëz të skenës e të arteve të bukura, ka teksteshkrues të mirënjohur, ka studiues të ditur të trashëgimisë kulturore. Isuf Gjoka është instrumentist i veçantë, artist me dhunti, mjeshtër i talentuar, virtuoz në instrumentin e dajres.

Për një periudhë kohe të caktuar Xhume Gjoka (Barhani) u emërua koreografe pranë sektorit të muzikës në Pallatin e Kulturës Mat. Në këto kushte të reja pune iu desh të mbarojë në Tiranë kurse kualifikimi për sektorin e koreografisë, ku shënoi rezultate shumë të mira. Kurset e kualifikimit nga Instituti i Kulturës Popullore i dhanë mundësi solistes së valles që të njihej me studiues të Institutit dhe me koreografë e valltarë të Ansamblit Shtetror të Këngëve e Valleve Popullore, duke marrë prej tyre përvojë, por dhe t’i njohë nga afër e t’i ushqejë me vallet dhe motivet folklorike të Matit. Ndonëse e re, pa përvojë, në fillimet e saj njihte mirë dhe interpretonte me virtuozitet jo vetëm vallet karakteristike të Komsisë, por ishte njohëse dhe interpretuese e të gjitha valleve të trevës unike etnokulturore të Matit.

Vallen, që dikur nisej në kërcim e kërrusur nga gratë kërcimtar, jo vetëm në Komsi, por në të gjithë zonën etnografike, solistja Xhume Gjoka (Barhani) e demonstronte para studiuesve të Kulturës Popullore dhe e futi në hullinë e jetës, i dha gjallëri, shpirt e lëvizje, se e lashta, antikja, kur e trajton me seriozitetin e origjinës, është modernia.

Mati kishte shumë pika kulmore në valle. Njera prej tyre ishte vallja e vajzave dhe nuseve të reja të fshatit Macukull. Ato vajza e nuse macukllane: Selvije Milloshi, B. Bukaçi, Bukurie Leka, Fitnete Meta, Behixhe Milloshi, Mihane Porja etj, në fund të viteve ’60 e fillimin e viteve ’70 krahasohen me luftëtaret e së resë, shënuan revolucion në emancipimin e gruas dhe atë njerëzor. Të bukura ishin vallet e Martaneshit, të Laç-Bruçit, të Bazit etj. Të gjitha këto valle kartkeristike përbëjnë atë pasuri të çmuar të kulturës e të folklorit të Matit. Në të gjitha festivalet folklorike kombëtare: në Tiranë, Elbasan, Lezhë, Durrës, Berat e Gjirokastë, grupi i valltareve të Matit ka tërhequr vemendjen e studiuesve të kulturës popullore e të spektatorëve të ndryshëm. Në një nga festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, grupi i valleve të Matit me soliste Xhume Gjoka (Barhani) është vlerësuar me çmimin më të lartë të trevave të Veriut. Lili Cingu, valltare e Ansamblit Shteëror të Këngëve e Valleve Popullore, e cilësoi vallen e vajzave të Matit si një lum i madh, që rrjedh e nuk dihet se cili det e pret, kurse solisten e grupit e quajti “shqipe e Matit”. Ndërsa Mati bijën e vet e ka krahasuar në vite e dekada me solisten Lili Cingu. Shtypi i ditës, revistat e kohës në vitet e socializmit: “Nëntori”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re” etj, në faqet e para botonin fotot e valltares soliste të Matit, Xhume Gjoka (Barhani). E theksoj, ishin këto vajza e nuse të reja valltare, ndër pionieret e para të artit e të kulturës, që u ngritën mbi vetveten, mbi paragjykimet e thashethemet, mbi obskurantizmin fetar, mbi përgojimet që vinin nga njerëzit me paragjykime të mykura, duke triumfuar drejt së resë, në trasenë e progresit dhe të emancipimit të shoqërisë. Xhume Gjoka (Barhani), duke qenë në Pallatin e Kulturës në cilësinë e koreografes, bashkë me specialistë të muzikës, pati mundësinë të shkelë në disa treva të Matit në përbërje të grupit të studiuesve të Institutit të Kukturës Popullore, të koreografëve e valltarëve të Ansamblit Shtetror të Këngëve e Valleve Popullore: Çesk Zadeja, Fehmi Shaqiri, Besim Zekthi, Lili Cingu etj. Një episod që vlen për t’u përmendur është kur studiuesit e folklorit u shtrinë në fshatin Komsi. Sipas zakonit, një kafe në kullën e Dikë Gjokës. Studiuesit e Tiranës ishin të interesuar në tërësi për trevën etnokulturore, për vallet, muzikën, zakonet, tradita për historinë. Ia dhanë fjalën zotit të shtëpisë, Dikë Gjokës, që të flasë para miqve (studiues të etnokulturës). Njihte mirë gjithë trevën. Për shumë ngjarje e tema kalonte sa në një krahinë, në tjetrën. Fliste qartë, urtë. Ishte burrë që e shoqëronte mençuria popullore. Vetëm një ose dy orë të dëgjoje në bisedë Dikë Gjokën, ishte baraz sikur të lexoje të plotë librin “Poemë pedagogjike” të Makarenkos. Pastaj tema kaloi te solitja, bijë e Gjokajve. Ajo iu drejtua artistëve të Tiranës, rrinte pranë Lili Cingut. Foli shkurt dhe qartë:

-Isha shumë e re kur i hyra rrugës së artit e të kulturës. Ëndrra ime që më ka pushtuar gjithë jetën e më ka ndjekur dhe në gjumin e natës, ishin krahët e shqiponjës në valle.

Pasi mbaroi biseda me miqtë, iu dha lamtumira konakut. Solistja Xhume Gjoka (Barhani) e merr për krahu Lili Cingun, ikonën e valleve shqiptare dhe e shoqëron për te livadhi i vogël, aty pranë shtëpisë. Xhumja hapi bisedën. Ajo ishte e interesuar për gjithçka. “Shoqja Lili, -iu drejtua, -të nxorra te ky livadh i vogël për të të treguar se kam shumë nostalgji”. Ajo e dëgjoi me vemendje: “Unë bashkë me shoqet e mia ishim vajza të vogla, mblidheshim shpesh, kërcenim e hidhnim valle. Nganjëherë kërcenim dhe fshehurazi nga prindët. Nuk kishim muzikë, bënim muzikë me dy gurë të vegjël”. Lili dëgjonte me shumë vemendje. Xhumja vazhdoi: “Ky livadh është klasa e parë e muzikës, e valles. Për mua, shoqja Lili, është akademi, se këtu e ka fillesën jeta ime artistike, që u ngrit deri në kalanë e gurtë të Argjirosë në Gjirokastër”.

Ka patur raste që solistja Xhume Gjoka (Barhani) rrinte shumë e heshtur, pa bujë, se e kishin etiketuar me “njollë” në biografi, ngaqë ishte mbesë në një derë kulaku. Ndodhte shpesh dhe kështu. Ja një rast: Kur përgatiteshin për në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, vetëm 5-6 ditë na ndanin nga konkurimi kombëtar, por çudi, në mjediset Pallatit të Kulturës vjen një aparatçi i kohës me një letër në dorë. Më dha urdhër: Lexoje letrën! E lexova. Pa pikën e drojës në letër shkruhej: Të nxirren nga Anasmbli Folklorik i Matit këto emra me “njollë” në biografi! Bëmë debat të shkurtër, siç ishim në këmbë. I them apartaçikut: “Nuk janë lisa të pyllit të Branicës, janë artistë o miku im! Këto përbëjnë bërthmën e Ansamblit Folklorik të Matit. Pesë-gjashtë artistët dalin jashtë. Ansamblin e pushtoi mali i dhimbjes, kuse mua sikur më ra në kokë një dimër i madh. Nisem për në zyrën e aparatçikut. Pas shumë debatesh e ndërhyrjesh, në përfundim fitoi krahu i ansamblit “Mati”.

Dal nga zyra e aparatçikut, mora drejtim për nga Pallati i Kulturës. Për çudi, 5-6 artistët kishin dalë jashtë dhe kishin zënë vend te shkallët, ku ishte vendosur busti i Baba Faja Martaneshit. I vështroja nga larg, Në shikimin tim, e them me gjithë shpirt, këto 5-6 artistë që ishin ulur rreth bustit, m’u dukën si Pesë Heronjë e Vigut “Çohuni! -u thashë”.

Të gjithë të gëzuar vazhduam provat për në kalanë e Gjirokastrës. Kullat e Matit janë si malet e larta, e shohin njera-tjetrën në sy nga larg. Kullat nuk kanë gojë, por flasin. Odat e burrave në kullat e lashta, sot të heshtura, janë arkiv i historisë, ku ruhen legjendat, dramat e jetës, personazhet, konfliktet e paqja, ruhet bujaria, mikpritja, gëzimet familjare, dasmat, ruhet historia.

Ka një proverb të vjetër, që ruhet në gojën e popullit: “Miku i ngjan mikut dyzet vjet!” Por është dhe një tjetër proverb më historik: “Kulla i ngjan kullës katërqind vjet”. Kulla e Barhanit, vatër e flaktë liridashëse, shtëpi patriotike ndër breza, fis me histori bese e kulture, bujare dhe atdhetarie. Abaz Barhani e Xhume Gjoka, si dy kulme të një ngrehine të re, vazhduan jetën në atë hulli të të parëve, me bij e bija, nipër e e mbesa që kanë shkëlqyer si drita e diellit, kudo kanë punuar e jetuar brenda e jashtë vendit.

Për Xhume Gjokën (Barhanin) sfidat s’kanë të sosur. Njeri kulm ra, ndërroi jetë Abaz Barhani në moshë të re. La në pikëllim të thellë familjen, motër e vëllezër, nipër e mbesa, la miq, shokë e dashamirë, të afërm. Qoftë i paqës dhe i qiellit! Por jeta vazhdoi.

Gruan e fortë zoti nganjëherë dhe e provon, se sa mund të përballojë hallet dhe vuajtjet që i bien gjatë jetës. Nga vetë natyra që ka, gruaja nuk është dimër. Duke ecur me këmbët dhe hapin e kullës vazhdon të nderojë e respektojë me përkushtim, bashkë me fëmijët e saj të mrekullueshëm, edhe tokën, edhe qiellin.

Edhe njëherë po udhëtoj prapa në kohë e të lexoj mirë mbi dyzet vitet e punës së Xhume Gjokës si mësimdhënëse, artiste e shquar në valle. Kujtoj shkollat ku ka punuar, festivalet folklorike kombëtare, lëvizjet nga krahina në krahinë, në ditët e ftohta të dimrit, verën e nxehtë, kujtoj hallet dhe vështirësitë që Xhume Gjoka (Barhani) i kaloi me shumë sukses. Nuk mund të rri pa e përmendur një rast unikal, ku solistja me fëmijën e vogël në djep, nuk mungoi në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Për kontributin që ka dhënë në fushën e arsimit dhe të kulturës, i është dhënë Certifikatë Mirënjohjeje nga Ministtia e Arsimit dhe Kulturës.

Kam plotësisht të drejtë t’i mbyll këto radhë me një fjalë të urtë profetike të njohur nga të gjithë: “Perandorit jepi atë që i takon perandorit, Çezarit jepi atë që i takon Çezarit.”

*Ish-drejtor i Drejtorisë Kulturore Mat

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok