13/12/2024

TAHIR MEHA – PUSHTETI JUGOSLLAV NUK ËSHTË I IMI DHE NUK E PRANOJ KURRË SI TË TILLË

0
Tahir-Meha

T’I KUJTOJMË ATDHTARËT TANË:

(1943- e likuiduan me 13 maj 1981)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Tahir Meha u lind nga babai Nebi dhe e ëma Fazë, më 10 tetor 1943, në fshatin Prekazi i Ulët, Komuna e Skenderajt, ku përherë kishte jetuar. Ishte i papunë. I martuar, baba i 5 fëmijëve me bashkëshorten Shefkije e lindur Hoti. Për organet e UDB-es nuk ishte emër i panjohur. Si i ri ishte angazhua në organizatën ilegale “Vuajtjet”, me ç ‘rast i kishte ndihmua vëllait Beqir, për të marr një pushkë nga shkolla e Prekazit të Epërm, për organizatën qysh më vitin 1959. Qysh atëherë ishte marr në pyetje dhe ishte malltretua shumë nga hetuesit. Por, përveç se kishte pranua që ai kishte qenë roje gjatë grabitjes së pushkës, udbashët asgjë tjetër nuk kishin mundur me zbuluar nga ai. Që, nga kjo ditë po edhe më herët familja Mehaj kishte qenë shënjestër e udbashëve. Tahiri në asnjë kohë dhe në asnjë moment nuk e kishte pranua pushtetin jugosllav si të vetin. Në çdo kohë dhe në çdo moment iu kishte kundërvu në mënyra të ndryshme. Kurrë nga brezi nuk kishte hequr armën. Nuk kishte lejua që organet e policisë ta kontrollonin. Kjo kishte ndodhur një here por edhe atëherë kishte ndodhur në mënyrën ma tinëzare siç kanë dit vetëm frikacakët.

Nga të dhënat që m’i ka dërgua nipi i Tahir Mehës- Ilir Meha, ai më informonte se Tahir Meha kishte tri gra. Por, siç dihej në traditën e malësorëve, thuhej se dikush në familje duhet ta trashëgoj pushkën, andaj dëshira më e madhe e trimit ishte që të kishte një pasardhës mashkull. Zoti nuk deshi që Tahir Meha të kishte djalë, dhe atij i lindin pesë fëmijët, të gjitha femra. Tahir Meha ishte i martuar me  gruan e parë, Hyra Osmanin, e cila ishte nga Tërsteniku i Drenasit dhe më te kishte lindur një vajzë të shëndetshme e të bukur- Zade Tahir Meha. Por, gjatë sulmit në Kullën e Mehajve, ajo ishte 15 vjeçe, dhe mori pjesë aktive në mbrojtjen e gjyshit e të babait duke i ndihmuar ata në qëndresën e tyre. Duhet cekur se në këtë sulm Zadja edhe ishte plagosur rëndë.

Për herë të dytë u martua me Shefkije Hotin, nga fshati Polac, komuna e Skenderajt. Gjatë kësaj jete bashkëshortore atyre iu lindën dy vajza. Vajzën e parë e kishin pagëzuar Antigona, dhe kur kishte ndodhur sulmi në Prekaz, Antigona kishte vetëm pesë vite, dhe vajza e dytë me gruan e dytë ishte Sofija, dhe ishte dy vjeçe kur u sulmua kulla e Mehajve. Pasi se edhe me gruan e dytë nuk lindi djali i shumë pritur, Tahir Meha u martua edhe për të tretën herë me Haka Avdiun, nga fshati Mikushnicë e Skenderajt. Po ashtu edhe me te pati dy vajza: Bukurinë, e cila në kohën e sulmit pati katër vjet dhe Salën e vogël, e cila gjatë sulmit kishte vetëm nëntë muaj.

Iliri tregon se, nëna e tij apo kunata e Tahir Mehës, Qama, ishte kujdesur për një kohë të gjatë, qysh nga nusëria, për Tahir Mehën i cili kishte mbetur shtatë vjeç pa nënë dhe për motrën e tije- Shefkijen e cila kishte vetëm 4 vjet. Po këtë fat, zonja Qamë e kishte pas edhe më vonë, pas vrasjes së Tahir Mehës, kur iu desh që të kujdeset edhe për pesë vajzat e Tahir Mehës, që i deshi dhe u kujdes për to sikur të ishin bijat e saja të vërteta. E mos të flasim për kujdesin e treguar nga ana e xhaxhait të tyre-Beqir Mehës për mirëqenien e tyre.

Qysh më herët, dihej se familja Mehaj mund të qëndronte pa bukë e pa ujë por pa një armë nuk mendohej dot jeta e tyre. Ata ishin të vetëdijshëm se ishin halë në sy të pushtetit dhe në çdo kohë e moment ishin të përgatitur që të mbroheshin nga pushtuesit. Gjatë historisë shumë herë familja e tyre kishte qenë cak sulmi. Disa herë familjaret e tyre ishin arrestua dhe ishin dënuar e burgosur me vite të shumta burgu. Historia përsëritej dhe sulmet vazhdonin në mënyrë ciklike për Mehajt. Të gjithë e njihnin trimërinë e Tahir Mejës e të familjes së tij. Ndodhte shpesh kur pushtetarët e udbashët porositnin njerëzit e caktuar që të provokonin familjen Mehaj që vetëm e vetëm të gjendej shkaku për tu hakmarrë ndaj tyre. Më 1979, edhe pse Tahir Meha ishte i vetëdijshëm se me qëllim po e provokonin, ai kishte kujdes që mos të bije në gracka të tilla. Një ditë duke shkuar me një qerre në treg të Skenderajt, vëllai i kryetarit të komunës me një traktor e shtynë nga rruga dhe vetëm fati kishte dashur e ai kishte shpëtua nga më e keqja. Pasi se kishte shpëtua, Tahir Meha ishte kacafytur me ngasësin e traktorit dhe i kishte dhënë një leksion të mire duke e përgjakur. Për çudi policia kishte heshtur. Por heshtja e tyre ishte me prapavijë. Nga ajo ditë Tahir Meha përcillej hap pas hapi. Më 28 prill 1980, Tahir Meha del në qytet për t’u furnizua për të mbjellat pranverore, por në ndërkohë e heton se dy police po i afrohen pranë, por kishte edhe të tjerë që po i mbyllnin rrethin. Aty, atë e arrestojnë, duke e rrahur publikisht dhe duke e dërguar në stacionin e policisë në Skenderaj. Pas pesë muajsh hetime, duke e rrahur, malltretuar e torturuar, me ç ‘rast ia kishin thye dy brinjë. Pas gjashtë muajve të kaluara në qeli e shpallin fajtor për ta dënuar me një vit burg, të cilat  duhet ti mbaj në një kohë tjetër po tani për tani duhej të lirohej nga burgu. Udbashët e kishin pas porosit në dalje nga burgu, se kurdo që të thërrasim duhesh të vish këtu. Tahir Meha, më vonë iu kishte thënë familjarëve, kurrë më nuk dorëzohem i gjallë” dhe ashtu kishte ndodhur.

U tha edhe më herët se demonstratat studentore të vitit 1981, i kishte përkrahur haptas edhe familja Mehaj. Andaj, mllefi  i pushtetarëve ishte i madh dhe mezi pritej një shkas për të sulmua ata.

Policia e Skenderajt ishte njoftua se Tahir Meha ngado që shkonte, haptas e mbante armën. Pas këtij njoftimi, policët ishin mobilizua që ta kapnin Tahir Mehën, mundësisht në befasi dhe ta arrestonin. Dhe, kjo kishte ndodhur, një ditë tregu, në mënyrë tinëzare e zënë dhe e dërgojnë në stacionin e policisë. Aty, Tahir Meha kalon një torturë të tmerrshme nga ana e policëve. Në stacion e rrahin aq shumë sa disa herë alivanosej dhe tek pas këndelljes e vëren se i kishin thye ca brinjë. Po ashtu, armën që mbante me vete ia konfiskojnë dhe po atë ditë e dënojnë me 6 muaj burg duke e dërgua në burgun famëkeq të Mitrovicës. Katër muaj qëndron në burg dhe dy muaj të tjerë i thonë se kurdo që të thërrasim duhesh të vish që ti mbash… Pas daljes nga burgu Tahiri iu kishte tregua vëllait dhe babait se çfarë maltretime kishte përjetua sa kishte qëndrua në burg, dhe iu kishte thënë, “më kurrë nuk dorëzohem tek ata, fundja edhe luftën kam me e nisur por në dorën e tyre nuk bie…”. Por, provokimet ndaj familjes Meha asnjëherë nuk pushuan.

Një ditë i kishte ardhur thirrja që të shkoi dhe të paraqitet ne polici dhe duhet t’i mbaj edhe dy muaj burg që i kishin mbetur më herët. Asnjëherë Tahir Meha nuk iu përgjigj ftesës. Më 28 prill të vitit 1980, Tahir Meha kishte dal në qytet për të blerë ca gjera elementare për familjen, por në ndërkohë ishte njoftua stacioni i policisë se Tahir Meha është në qytet dhe duhet arrestua. Disa policë i zënë rrugën duke e urdhëruar qe menjëherë të shkoi me ta, në stacion. Tahiri iu thotë se me ju punë nuk kam dhe fillon me u tërheq ngadalë pa shkaktua ndonjë tollovi, policët në ndërkohë nuk guxojnë të afrohen ngase e dinin se ai çdoherë kishte me vete armën. Por jepet urdhri që të shtien me armë në drejtim të Tahirit, me ç’rasët ai plagoset në bel në anën e djathtë të trupit. Po ashtu edhe trimi nuk qëndron duarkryq dhe shtien me revole duke e plagosur një policë në këmbë dhe tërhiqet në drejtim të fshatit Qubrel, ku i kishte edhe miqtë e vëllait Beqir. Në shtëpinë e Osman Malajt pritet nga e zonja e shtëpisë siç është më së miri. Iu tregon se për të qëndrua aty nuk kishte mundësi ngase policët i kishte pas vete dhe nuk do që miqtë të kenë probleme për hir të tij. Iu tregon se ishte i plagos dhe rripin e pantollëve që e kishte në trup ia kishte këput plumbi kur e kishte marr. Gruaja e Osmanit –Vasa, i lidh plagën, i qep rripin dhe e me kërkesën e tij largohet nga aty. Zekë Fazlija dhe Osman Mala tentojnë ta ndalin por ai nuk lejon se iu thotë që nga sot jam kaçak në vendin tim. Nuk do të dorëzohem kurrë po pa e nis luftën me Jugosllavi”.

Pas largimit nga fshati Qubrel, Tahir Meha bie në kontakt me familjaret, të cilët e ndihmojnë me ushqim e barna dhe i sigurojnë strehim në vende të ndryshme si në malet e Prekazit, të Kodralive derisa plotësisht iu shërua plaga. Për qëndrimin e Tahir Mehës askush nuk dinte asgjë, veç babë Nebiut dhe vëllait Beqirit.

Në mënyra të ndryshme bënin presion pushtetarët mbi familjen e Tahir Mehës, duke iu thënë që ta dorëzojnë atë, ngase ata do ta pësojnë edhe më keq poqese zbulohet që ata po e fshehin. Ndërsa Nebih e Beqir Meha thoshin se ju na e keni vra burrin e shtëpisë e për këtë do të përgjigjeni para gjyqit të popullit shqiptar. E herë iu thoshin policëve, po edhe të ishte gjallë Tahir Meha, ai neve nuk na dëgjon dhe se nuk do të dorëzohej kurrë.

Tahir Meha si kaçaku i fundit, shëtiste maleve të Drenicës duke u strehua tek shokët e miqtë e besueshëm, të cilët nuk ishin pak. Mbi dy muaj kishte qëndrua në Vërbofc, te Jonuz Shala, gjatë ditës strehohej në tavan e natën flinte në odën e burrave. Pas dy muajve kishte ndërrua qëndrimin, por policët kishin kontrollua shtëpinë e Jonuzit duke mos len skutë pa kontrollua. Në tavanin e shtëpisë kishin gjet shumë duq të cigareve, ku më herët kishte pi duhan Tahir Meha, dhe në pyetjen e policisë se kush është ky që ka pi duhan këtu, duke u çirr ndaj plakut, plaku i urtë e i mençur i Drenicës iu përgjigjet “po çfarë Tahir Meha do të vinte tek unë- varfanjaku, po e dini ju se axha ka shumë fëmijë, e njëri nga ata e pi duhanin fshehtas nga unë dhe tani e kuptova qe këtu po e pika”. Dhe, pas kësaj deklarate, ata ikin me bishtin ndër shalë duke pësua edhe një dështim të radhës.

Ishin të shumtë jatakët që donin të strehonin Tahir Mehën. Ai po ashtu ishte strehua edhe në familjen e Heset Ismaili, nga Loxha e Dushkajave të Prekazit. Nga kjo strehimore, Tahir Meha kishte mundësin që nga aty të përcillte edhe lëvizjet se kush hynte e delte në Kullën e Mehajve. Po ashtu Tahir Meha ishte strehua edhe në malin e Ahmet Kodrës, në fshatin Vojnik, në Ernie, sepse edhe nga këtu shihej kulla e tij. Për të jetua në këto male kishte kushte të mira për jetë ngase ishin të pasura me burime, dhe vështirë vendosnin policët që të hynin maleve. Tregon nipi i tij, Iliri se si shpesh kur ishte i vogël, babagjyshi e kishte dërgua që të blinte nga 5-6 bukë të nxehta dhe nga 2-3 kg suxhuk, por ky si fëmijë nuk e dinte se ku treteshin ato, e tani tregon se ato gjera ushqimore ia kishin dërgua axhës së tij që jetonte maleve.

Jeta në ikje ishte e lodhshme për trimin, dhe pas gjashtë muajve e kishte vendosur që të kthehej në shtëpi dhe aty të qëndronte pa frikë e droje, edhe pse e dinte se në çdo hap do i ketë prapa forcat policore. Pas ardhjes në shtëpi, Tahir Meha filloi që të jetonte e të vepronte normalisht. Punonte arat dhe e ndihmonte familjen e vet. Ama armen asnjëherë nuk e largoi nga brezi. Zakonisht thoshte, armikut besë nuk i zihet, ai të pretë aty ku më së paku e shpreson. Çdo herë ishte i armatosur me revole; pushkë mamzerkë, 48, me vete mbante një qante me fishekë, dhe çdoherë kishte edhe bomba dore. Shpesh kishte thënë se nuk dorëzohem, pa e paguar veten dhe shumë trima. Për mua do të shkruajnë të gjitha gazetat në vend dhe në botë. Do të nisi luftën, kishte bë be Tahir Meha. Kur kishte bisedua me nipat e tij: Ilirin, Naserin e Enverin iu kishte thënë: Shikoni ju nipat e mi, kur të luftojë axha i juaj me shki, ju keni me mbledh shusha e shlema të policisë me krah, se mixha Tahir nuk do të dorëzohet pa i vra të gjithë” .

Ajo ditë kishte ardhur dhe me 13 maj 1981, forca të mëdha policore kishin rrethua fshatin, lagjen dhe kullën e Tahir Mehës. Nuk lejonin askënd të lëvizte dhe të delte nga shtëpia. Në shtëpinë e Beqir Mehës, kishte ndodhur hataja. Gruaja e tij Qama kishte zbulua se policët e kishin rrethua shtëpinë e kunatit Tahir, por ishte e pamundur që të depërtohej deri aty.  Me ankth të pa përshkruar pritnin fshataret se çfarë do të ndodhë ndërsa Beqiri, vëllai i Tahirit duke e ditur vendosmërinë e vëllait e të babait e dinte se do të fillonte lufta me ta. Disa herë tentoi që të delte fshehurazi për t’iu ndihmua, por ishte e kot, policët e diktonin lëvizjen dhe ishte i detyruar që të kthehej në shtëpi. Fillimisht, policët filluan që ta lusin për t’i dorëzua, por ishte e kot. Pastaj Tahir Meha nga dritarja filloi që t’i kërkonte disa persona  që e kishin malltretua në burg, me gjase vetëm për t’i vrarë.  Pas një kohe, policët i quan edhe disa fshatar që ta bindin për me u dorëzua. Ata shkuan dhe e luten që të dorëzohen, por Tahiri në mënyrën më të qetë i pyeti ata, po mirë pa më thoni o vëllazën se a i besohet armikut, fshataret shikuan njëri tjetrin, rrudhën krahët dhe nuk u përgjigjën. Atëherë Tahiri i pyeti se a keni cigare me veti, ata i lanë një pako duhan dhe y kthyen tek policët duke iu thënë se Tahir Meha nuk dorëzohet dhe iu porosit që të shkoni kah keni ardhur se po thotë se nuk iu ka kurrë far borxhi.

Pasi përfundoi biseda tinëzare nga ana e organeve policore, në mënyrë të furishme kishte fillua sulmi ndaj Tahir e Nebih Mehës.

Aksionin për rrethimin e shtëpisë të familjes Mehaj e kishte udhëhequr komandanti i stacionit të policisë së Serbicë- (S. H.) Por, pas ardhjes së forcave policore nga Prishtina dhe të Njësive Speciale policore nga Beogradi, komandën e kishte marr komandanti – Franc Kosi. Pastaj në orët e pasdites në ndihmë kishin arritur Njësit Speciale të policisë të SPB-së nga Prishtina, të cilat i ka udhëhequr komandanti i njësitit (B. A.)

Në dosjen e Tahir e Nebih Mehës ndodhet edhe dokument tjetër i quajtur “Informatë për vdekje”, Kri.nr. 56/81, më 15 .05.1981. Informata në bazë të dhënave vije nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e cila i dërgohet Zyrës Lokale, në Prekazin e Ulët KK-Serbicë.

Me këtë dokument gjyqtari hetues, Rexhep Kaçaniku, njoftonte se me 13 maj 1981, në orët e paradites për rreth shtëpisë së Nebih Mehajt kanë vdekur:

Pejoviq Millanko nga babai Millani i lindur më 20 janar 1956 në fshatin Dumnjani- komuna e Prijepoljes RS e Sërbisë.

Tubiq Vojo nga babai Milloradi i lindur më 2 qershor 1953 në fshatin Donja Breznica-Komuna e Lubovacit, RS Bosna e Hercegovina.

Hasanoviq Salih nga babai Muhamedi i lindur më 20 janar 1953, në fshatin Krivaçe, Komuna Hanipjesak, RS Bosna e Hercegovina.

Muhamet Selmanaj nga babai Muharrem dhe e ama Ajmonja i lindur më 31 mars 1947, në fshatin Radishevë- Komuna e Serbicës, ku edhe ka jetuar, i martuar, baba i 6 fëmijëve.

Në orët e pasdites kanë vdekur:

  1. Tahir Meha nga babai Nebihu dhe e ëma Hanifja i lindur më 10 tetor 1943, në fshatin Prekazi i Ulët, Komuna e Sërbicës ku edhe përherë ka jetuar, i martuar, baba i 5 fëmijëve me bashkëshorten Shefkije.
  2. Nebih Meha nga babai Lata dhe e ëma Faza 70 vjeçar, i martuar, baba i 4 fëmijëve- bashkëshortja Hanifja.

Pasi kishte përfundua sulmi  dhe pasi ishin mbledhur kufomat e policëve dhe të plagosurit, i lejuan fshatarët që të marrin edhe kufomat e Tahir e Nebih Mehës. U urdhërua që varrimi të mbahet pa asnjë ceremoni mortore, ndërsa vëllain e Tahirit, Beqirin dhe axhën- Mehmetin i morën në stacion të policisë në Skenderaj gjëja se vetëm për nga një deklaratë. Por, ndodhi e kundërta, ata nga stacioni i policisë ku dhanë deklaratat, i arrestuan dhe i dërguan për gjashtë muaj në Mitrovicë. Për vrasjen e Tahirit e të Nebiut, nuk pati të pame, ngase familjaret ishin të arrestuar, dhe për gjashtë muaj rresht policia ruajti kullën e shkatërruar të Tahir Mehës. Shumë herë gërmadhat e kullës dhe dhomat e saja i rrotulluan duke i kontrollua se mos ka armatim të fshehur dhe mos kishte ndonjë tunel apo bunker. Ku ka mundur me pas edhe persona të tjerë që pas sulmit kanë mundur të arratisen.

Pas vdekjes së Tahir e Nebi mehës, tregojn familjarët :“Miqët e dashamiret vinin me na shprehur ngushëllime, natën ose kur vërenin se policët nuk ishin aty. Frika ishte e madhe se njerëzit që vinin pastaj merreshin në pyetje që mund të ndodhte edhe të arrestoheshin.  Pas sulmit, burrat ishin në burg shtëpia ngeli në duart e fëmijëve e grave, varfëria ishte e pa përshkruar. Fshatarët na ndihmonin por, fshehurazi duke na sjell veshmbathje e ushqime, por pas daljes nga burgu veprimtaria patriotike në familjen e Beqir Mehës u intensifikua edhe më tepër. Ai me një guxim të pashoq u fut në radhët e celulave të para të UÇK-së, për të luftua deri në fund për çlirimin e Kosovës. Beqir Meha u vra në pritë në fshatin Qubrel më 24 mars 1999, për të mos vdekur kurrë as ai e as Tahir e Nebih Meha.

Literatura:

Sabile Keçmezi-Basha, Qendresa shekullore e Familjes Meha- Tahir Meha, Prishtinë, 2015

Prof. Nikolla Kosta, Shqiptarët nga Nju Jorku dhe SHBA,Nju Jork, 31.05. 1981

Sami Repishti, Fryma e LSHP dhe evolucioni politik i Kosovës në LSHP, Romë 1978, f. 127

Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945-1947), Prishtinë, 1998, 23

Sabile Keçmezi-Basha, Organizata dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989,Prishtinë 2003, 230

Muhamet Mjeku, Lufta e Drenicës, Prishtinë 1991, f. 7-8

Hetem Çeku, Kosova, në sfondin e diplomacisë Jugosllave dhe të Shqipërisë 1945-1981, Prishtinë, 2009, 303.

Sabile Keçmezi- Basha, Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë 2005, 297.

Sabile Keçmezi-Basha, Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990, Instituti i Historisë, Prishtinë 2013, 24

Mehmet Hajrizi,Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008, 75

Sylë Ukshini, Lufta për Kosovën, Prishtinë 2008, 14

Gazeta Rilindja, Prishtinë, 3 prill 1981

Broshura, Shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë, Tiranë 1981.

Kadri Rexha, Fati i luleve (Rruga jetësore e shkrimtarit e atdhetarit Jusuf Gërvalla),  180, Prishtinë, 1993

Shemsi Reçica, 20 vjet nga Demonstratat ’81, Pasqyra nr. 4, 1-15 mars 2001. Po aty, Organizatori anonim i Demonstratave  të ’81- shit.

Arif  Molliqi, Liria e sotme ka ngjyrë edhe të pranverës së përgjakshme  shqiptare të vitit 1981, Bota sot, 8 mars 2001

Broshura, Shtypi i huaj për ngjarjet në Kosovë, Tiranë 1981, 45

Platforma politike e LKJ-së për çështjen e Kosovës, Beograd 1981

“Zëri i popullit “ , Tiranë, 28 prill 1981

Gazeta gjermane “ Frankfurter Alemajne “, Frankfurt,  27 prill 1981

Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e Republikës është e drejt, Zëri i popullit, 17 maj 1981

Dokument : Sekretariati Krahinor i Judikaturës, Gjykata Supreme e Kosovës, Prokuroria Publike e Qarkut, Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, INFORMATA, Mbi planin e mbajtjes së seancave kryesore në Gjykatat e Qarkut lidhur me lëndët e kriminalitetit  politik, përkatësisht veprave penale kundër bazave të rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës dhe të sigurisë të RSFJ, Prishtinë, 8 qershor 1982.

Tanjugu,  Beograd, Agjencion i lajmeve jugosllave, 6 korrik 1981

“Masa të egra shtypëse kundër shqiptarëve në Kosovë e në vise të tjera në Jugosllavi”, Tiranë , 7 korrik 1981

Deklaratë e Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme në Kuvendin e Kosovës

Deklarat nga Prof.dr. Murat Meha, 20 prill 2014

Selman Mehaj, Kushtrim lirie, Prishtinë 2011, f. 63.

Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990, Prishtinë, 2009, 371.

http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=7&LID=2&ACatID=6&AID=37396&Ctype=1

http://www.yasni.info/ext.php?url=http%3A%2F%2Fpashtriku.beepworld.de%2Ffiles%2Fdeshmoret%2Fmehmet_bislimi_kulla_e_tahir_mehes_17.8.08.htm&name=Emin+Lati&showads=1&lc=en-us&lg=en&rg=de&rip=rs

Dibran Fylli, Tahir Meha, Pushkë lirie, Prishtinë, 2013, 24

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok