19/04/2024

“STILLE  NACHT” TEK URA VAJGURORE

0

Nga Fritz RADOVANI:

1952 – 70 VJET PERPARA

1952 – BERAT TEK KAMPI I TË BURGOSUNVE TEK URA VAJGURORE:

SHQIPNIA – NJË COPË TOKË E RRETHUEME N’ TELA ME FERRA!

Oborre burgjesh e hetuesishë gjithkah të rrethuem në tela e mitraloza… Mbi muret e nalta të veshun me tela me ferra shihej një kabinë drrasash, me një shkallë druni – truproja e burgut ose e hetuesisë. Gjithkah dritare të mbylluna mos me u ndigjue virrmat e të prangosunve nga torturat!

26 Burgje dhe hetuesi kishte vetem Shkodra në atë kohë tmerri e terrori.

Shifra e pergjithshme në gjithë Shqipninë nuk duket se do të botohet ndonjëherë ashtusi, shifrat e të vdekunve nder tortura dhe burgje apo të pushkatuem e të zhdukun nder gropa paemna.

Sa kampe pune dhe shfarosje, interrnimi apo dëbimi kishte ky burg i vogel në zemren e atij kontinenti të quejtun Europë, ku gjaku shkonte rrëkajë e telat me ferra shkonin ma larg se nder gropat e mjerueme të Siberisë, mbushë me Eshtna të Popullit masakruem Rus!

Askush nuk di as s’ flet. Kujtojnë vetem turmat që kalonin pranë shtatoreve të rrethuem me roje të armatosuna tue brohoritë “Enver, Tito, Stalin, Dimitrov, Mao Ce Dun…” Ngarkue me strajca e plaçka per njerzit e tyne të dashtun nder kampet e kudondodhuna. E rrugat me pluhun ktheheshin në baltë nga lotët e Nanave e të Motrave të Tyne!

Shpesh kam mendue me vete: “A thue këndonte kush nder këta labirinte vrasjesh e masakrash të kampit socialist?!” …

Kur u pat lirue vllau Alfonsi, nga burgu heren e parë e pata pyet dhe, më pat tregue se nder hetuesi nuk kishte ndigjue kangë perveç virrmash nga torturat, ndersa nder kampe pune po, kujtonte të parin kangtar shkodranë, muzikantin e njohun të kaçurrelave Gac Çunin dhe, se ka pasë rasë që edhe shperthente ndonjëherë nga merzia i njohuni Don Mark Hasi…

Tregonte se nder kanale rrallë ndigjohej kangë prej dishprimit, dhe shpesh kishte rasa që kangtari dënohej me qendrim nder biruca, ku edhe uji u jepej me pikatore, duhani jo se jo, po edhe ushqimi zbriste në buken e thatë pa asgja tjetër. E vuejtjet vazhdonin.

Çudia ma e madhe per vllaun asht kenë kur ka ndigjue tue këndue në një kamp tek Ura Vajgurore, në Berat At Pjeter Mëshkallen, të cilin unë atëherë nuk e njihshe! E njofta mbasi doli nga burgu i parë.

Kampet e punës apo të shfarosjes së shteteve komuniste ishin si fundi i ferrit… E shpesh edhe ia kalonin edhe fundit Ferrit.

Në fundin e ferrit në atë kamp ku ishte edhe At Pjeter Mëshkalla, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue Ai vetë, pra, bash me 24 Dhjetor 1952, Natën e Krishtlindjëve, janë dëshmitarë djelmoçat e rijë të asaj kohe, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve numur 1, tek Ura Vajgurore në Berat, që bashkë me mësuesin e tyne kënduen me zâ të lehtë “Stille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të naltë mund t’u “prishej” qetësia policëve, që aq iu donte, e kush e di se çfarë mund të vinte n’ atë Natë të Madhe Feste prej drite!..

Sa Burra të Mëdhaj ka pasë ai vend aq i vogel?!

Ajo ishte Shqipnia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut dhe e Nanë Terezes!

Dhe, nder Shekuj ashtu do të vazhdojnë me kenë!

Ndonse sot “rilindja komuniste” po punon me e qitë faret…

Melbourne, 24 Dhetor 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok