03/10/2024

Tregim nga Sabile Keçmezi-Basha

Orë nuk kisha. Andaj dhe nuk e dija se a ishte mezi i natës apo ishte në të gdhirë. Por, në dhomën ku flija, nga dritarja që kishte perde damasi bojë qielli, që i kishim vënë enkas për të penguar rrezet e diellit, mezi depërtonte një tis i hollë drite dhe nga kjo që perceptoja, mendoja se kishte filluar agmia. Ishte muaji maj, dielli të përcëllonte, ndoshta, kështu si sot… “Në Shqipëri bën vapë e pazakontë”, – shpesh na thoshin tiranasit. Ndoshta edhe kjo ishte arsyeja pse nuk më zinte gjumi… me net të tëra.

Zakonisht, derisa isha refugjate, kisha probleme me gjumin dhe ëndrrat, por një ditë kuptova se nuk isha e vetme në këtë ankth. Edhe zonja e një refugjati, që njiheshim nga Prishtina dhe që takoheshim shpesh në Tiranë tek “piramida”, një ditë më qau dertin për pagjumësinë që e mundonte.

– Kam shkuar edhe te mjeku për t’u konsultuar, – më tha, – por… edhe pas marrjes së bensedinit, që më rekomandoi, nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm.

Po unë heshta, nuk desha ta ngarkoja me problemin e njëjtë që kisha. E ngushëllova se ndryshimi i motit, traumat që kemi e shumë gjëra të tjera, kanë bërë punën e vet.

– Po, po… me siguri kjo është, ngase edhe mjeku më tha kështu… – dhe heshti ashtu papritmas… M’u duk se diçka i ngeli në grykë dhe nuk e tha dot.

Edhe më tutje sillesha në shtrat… andej… këndej… Me nënkresën në duar vërdallisesha duke kërkuar një pozitë më të përshtatshme për kokën e cila m’u dukë se kishte marr formën eliptike, aty-këtu të gufuar. Me net të tëra e fajësoja shtratin se nuk ishte i përshtatshëm për gjumë… Pastaj fillova ta fajësoja jastëkun, e më vonë u binda se zhurma që vinte nga rruga, e të tjera e të tjera arsye pa kuptim, më pengonin për të fjetur.

Në një dhomë me ne, flinte edhe vajza jonë. Edhe pse mikja që na pranoi në shtëpi, më propozoi që ajo – Riga, të flinte në një dhomë tjetër, me gocën e saj, unë në mënyrë kategorike e refuzova. Nuk pranova që ajo të ndahej nga ne… nuk di pse… por në çast më kapi paniku, u frikësova, u lebetita. Instinktivisht e kapa vajzën për krahësh dhe e futa në gji, përnjëherë m’u duk se ishte e vogël… shumë e vogël… dhe shumë e pambrojtur…

– Jo, – i thashë asaj, me një zë shumë të përvajshëm.

– Në rregull… në rregull, vetëm ti mos u trazo… – më tha Mira dhe doli nga dhoma, duke menduar se kishte bërë ndonjë faj që më kërkoi të flinim vetëm në dhomë. Më vonë e kuptova se isha e sikletshme dhe gjatë kohë nuk munda t’ia falja vetes një sjellje të tillë. Pas ca e ca muajve, kur Mirës i kërkova ndjesë për sjelljet e mia të atëhershme, ajo më tha:

– Lëre, e mos e tjerr këtë punë, unë ju kuptoja dhe ju ndieja se në çfarë halli ishit.

Pas kthimit në shtëpi, shpesh e zija veten duke menduar për të dhe për familjen e saj. Sa të mirë ishin dhe sa shumë na mungonin…

Dhe… derisa nuk me merrte gjumi, kisha kohë me bollëk që të mendoja për të gjitha ato që më kishin ndodhur dhe që në imagjinatën time supozoja se do të më ndodhnin… Riga, flinte e qetë në shtratin matanë dhe nganjëherë lëvizte qetë-qetë, thua se donte të më dëftente që s’kishte fuqi që mund të ma largonte nga vetja. Ndërsa burri, kur flinte, edhe atë po qe se e zinte gjumi, gjumi i tij ishte një tregim i veçantë. Shpesh ndodhte të murmuriste në gjumë, lëvizte me këmbë e duar dhe vazhdimisht diçka fliste. Mundohesha ta kuptoja se çfarë thoshte, por asnjëherë nuk arrita t’i deshifroja fjalët e tij. Atij asnjëherë nuk i tregova që kishte filluar të fliste jerm. Më parë, një gjë e tillë kurrë nuk i kishte ndodhur. E tani… kishte ndryshuar shumëçka…  E dija se e përjetonte rëndë dëbimin nga Kosova, nga shtëpia, por nuk dija si t’i ndihmoja atij dhe vetes…

Derisa nuk më zinte gjumi, e ai segment kohor i pagjumësisë më fuste datën, kisha orët stivë përpara, që më pritnin për t’i bluar në mullirin e kujtesës.

Kur filluan bombardimet, ishim në Arbëri. Në netët e vona të natës, rrinim të strukur në bodrumin e shtëpisë dhe në qetësinë e varrit nganjëherë gjenim forcën që të  bisedonim më ngadalë për gjërat që më parë, rrallë, ose fare rrallë i kishim biseduar. Pëshpëritnim në errësirë… qetë, sa mezi dëgjonim nj[ri-tjetrin. Dhe… më kujtohet një moment, kur vajza, e frikësuar tej mase nga një gjëmim i një topi, thirri:

– A nuk e shihni se ata po ju dëgjojnë…, – dhe mbuloi kokën me batanije.

Pas krismave që pasuan më vonë dhe pas një qetësie relative të mëvonshme, ne përsëri filluam të bisedonim. Tani më me zë, duke u munduar që fëmijëve t’ua largonim frikën që i kishte zënë. Bisedonim, ashtu kot, ndoshta edhe çka na binte në mend aty për aty. Bisedonim për gjërat që kishim mundur t’i bënim e nuk i kishim bërë dot, dhe për ato që ishte rrezik t’i bënim dhe i bënim pa pikën e frikës. I kujtonim varg e vijë të gjithë të afërmit dhe të gjithë të largëtit, miqtë dhe ata që më pak i kishim miq në ato ditë të vështira. Dhe pyetnim njëri-tjetrin në panik, a thua ku mund të ishin tani ata? Nganjëherë qeshnim e nganjëherë qanim, ashtu, pa kuptuar arsyen…

Një natë më tha Besi:

– Dëgjo, neve ose do të na largojnë nga këtu, ose do të na vrasin.. .- heshti një kohë të gjatë, për të vazhduar, – Më dhimbsen fëmijët… çfarë fati… kjo po përcillet brez pas brezi. Nuk di a të kam treguar…

– Jo… jo… i thashë, për ta nxitur që të vazhdonte bisedën. Derisa fliste, e ndieja se zëri i bënte disonanca. Nëpër errësirën-futë, e zgjata dorën dhe mezi i zura krahun. E shtrëngova fort, me tërë fuqinë që kisha, përnjëherë e ndjeva veten mirë, disi më të sigurt, kur e dija se ai ishte aty… pranë meje. Isha më e qetë dhe më e fortë në natën pa kornizë. Shpresova se edhe ai po ndiente të njëjtën gjë. Fundja, ishim bashkë dhe mendja ma thoshte se do ta sfidonim edhe këtë furtunë.

E ndryshoi pozitën e të qëndruarit dhe qeshi lehtas.

– Vërtet nganjëherë më duket se i kam një mijë e një vjet. Kupton se sa shumë kemi vuajtur duke gjakuar lirinë që nuk e kishim. E po, mirë, ti e di periudhën e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi… Po, po… e di që e di, se, me gjasë, e ke shkruar bile edhe një punim… po, tani m’u kujtua. Në atë valë shpërnguljesh, nuk të kam thënë se ishte e përfshirë edhe familja e ime. Unë isha i vogël… fare i vogël… atëherë. Por… çudi, se si çdo detaj, tani më kujtohej. Qeshi më vete.

– Tamam, është moment i duhur për t’i kujtuar këto gjëra të tmerrshme, – i thashë. Ai nuk më dëgjoi.

– Ishte dimër. Ftohtë. Skamje e paimagjinueshme. E dëgjoja babëlokun duke biseduar me komshinj, një natë të vonë.

– Dëgjoni, – u tha, – Ku kam menduar se do të sigurojmë armë, ajo nuk doli… nuk po ecën… Na mashtruan. Është mbyllur rruga. Armë, pra, nuk mund të sigurojmë. Afatit të dorëzimit të armëve në milici i ka ardhur fundi. Tani na ka mbetur vetëm kjo zgjidhje: Të rrimë këtu, e të hamë dajak… e… të na vrasin… o të ikim për Anadoll… Më kujtohet… po… mu kështu ishte. Në odë u krijua një tollovi. Të gjithë burrat filluan të flisnin në mes vete… – dhe mua më larguan nga oda…

– Më thanë, ti je fëmijë, e kjo nuk është punë fëmijësh…

– Por, një gjë e dija, se diçka e tmerrshme po ndodhte në familjen tonë, në fshatin tonë. Pas një jave, një pjesë e fshatit vendosën që të shpërnguleshin. Thanë se në Shkup do t’i siguronin “visikat”, po… po… mu kështu u thoshin. Pas një kohe mblodhëm tesh e kotesh, i ngarkuam në një kamion dhe u nisëm në drejtim të Maqedonisë. Dy vjet qëndruam aty, o Zot, tmerr ishte. Pritnim me padurim nisjen për Anadoll, por… diçka ndodhi. Unë isha i vogël për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Më vonë kuptova se ishte zbuluar komploti shtetëror ndaj shqiptarëve dhe ishte ndërprerë “çdo gjë” që i detyronte ata të lëshonin vatanin e tyre. Babai u mplak shumë për ata dy vjet – tha Besi dhe mori frymë thellë për të vazhduar:

– Unë shkova fëmijë… atje… por, qëndrimi në një fshat të huaj na burrëroi të gjithëve. Sa mall ndieja për fshatin, për shokët dhe për mësuesin tim, që më vonë mësova se “aksidentalisht” kishte vdekur… kështu thanë ata. E fshatarët kurrë nuk i besuan informatës që e jepte gjakpirësi.

– Lajmi për mësuesin më tronditi shumë. Frikohesha se mos do t’u ndodhte një gjë e tillë edhe shokëve të mi…  dhe gjithçka e keqe më shkonte vërdallë nëpër mend. Pas një qëndrimi e pritjeje të gjatë, babëloku u mërzit e u lodh. Ne filluam të shprehnim haptas pakënaqësinë që të ktheheshim nga kishim ardhur… Por, një ditë, papritmas, pa asnjë paralajmërim, në derë trokitën disa fshatarë të fshatit tonë, që kishin ardhur kastile për të na vizituar dhe për t’i bërë babëlokut rixha që të kthehej në fshatin nga kishim ikur në kohët e leshta. Nuk mundesh… jo, nuk mundesh as ta marrësh me mend se çfarë gëzimi u bë në shtëpinë tonë. Ne kishim festë… atë natë. Babëloku, edhe pse u mundua që ta fshihte gëzimin, nuk mundi. Atë, asnjëherë nuk e kishim parë të tillë. Sytë i vezullonin, bile kur u mor ngrykë me kryeplakun e fshatit, i shkuan dy pika loti.

– Mbaju, he burrë, – i thanë fshatarët.

– Jam në dhe të huaj, o burra!

Dhe… dëneste me zë.

– Nuk e dini… jo… çka është kurbeti… çka është dheu i huaj – dhe donte në një mënyrë të arsyetonte dobësinë shpirtërore që e kaploi papritmas.

– Në atë çast, m’u dhimbs pa masë babëloku dhe e arsyetova vajin e tij. Të gjithëve në odë, pas këtyre fjalëve filluan t’u shkonin lotët, fliste Besi dhe kisha përshtypjen se edhe këtij i shkonin lotët, por nuk kisha mundësi t’i vëreja nga errësira.

– Kjo është më e rëndë se vdekja – tha një fshatar. Dhe, vërtet, mendova se kishte të drejtë. Ishte një fshatar i mençur. që e kishte regjur jeta.

– Pas një nate të kaluar pa gjumë, babëloku u përshëndet me fshatarët, por në ndarje ata i thanë:

– Mendo për këtë që të thamë… lum burri. Ne të presim në fshat… tokat e tua do të jenë të tuat edhe më tej… Ore, fshati është i zbrazët pa ty… – shtuan në fund dhe ikën.

– Pas ikjes së fshatarëve, babëlokun shpesh e shihnim të menduar, por edhe të lodhur. Ne, për mendimin e tij, ende ishim fëmijë dhe nuk mundte të na e çelte zemrën, ose nuk donte të na ngarkonte me problemet e tij.

– Një ditë të nxehtë korriku, kur më së paku e pritnim, Babëloku e shiti shtëpinë dhe tërë pasurinë që kishim dhe përsëri i ngarkuam plaçkat dhe u kthyem në fshatin tonë. Ajo që më habiti më së shumti ishin kodrat e malet të cilat m’u duken se ishin zvogëluar… zvogëluar e bërë sa një grimë. Të drejtën thënë, isha pak i dëshpëruar, se ndryshe e parafytyroja fshatin tim të bukur…

Dhe… duke qëndruar të strukur nën jorgan, m’u kujtua se bisedën na e ndërpreu “Tomahovka” e cila pëlciti diku afër, shumë afër shtëpisë. Nga ballkoni e pamë se si digjej ndërtesa e Seksionit të Punëve të Brendshme, e bashkë me të edhe shtëpia-burg, e cila me vite i kishte ndëshkuar e torturuar shqiptarët e pafajshëm. Thënë të drejtën, u gëzuam…

Më kujtohej shumëçka, ama bash gjithçka, derisa numëroja dritat që fikeshin një nga një në qytet. Dhe shpesh mendoja se si nuk isha erë apo hënë që të shkoja në vendin tim dhe të shihja, pale se ç’ka ndodhur… Më digjte malli- zjarr…

Një natë m’u kujtua se si na dëbuan nga shtëpia. Kufiri në mes të tokës shqiptaro-shqiptare ishte i pakalueshëm. Ne: unë, burri, vajza dhe djali, ecnim në drejtim të tij. Rruga që shpinte drejt atij kalimi të akullt, ishte e mbushur me të dëbuar. Shkonin në kolonë. Pa bëzajtur, familje të tëra, gra e burra, djem e vajza, kamionë të ngarkuar, traktorë të mbuluar me llastikë të mëdhenj, qerre që mezi lëviznin rrotat nga barrët e rënda të ngarkuara, në rrugën e asfaltuar. Diku-diku vëreja edhe dele e qen që i tërhiqnin me nga një litar pas. Të gjithë ecnin… mezi ecnin… Të gjithë lëviznin… mezi lëviznin, të rraskapitur e të lodhur, caku nuk dihej… Na thoshin se na çonin në  Shqipëri, kujt t’i besohej se… në ato kohë të liga…

Vështirë ishte ato ditë të ndaheshe prej njerëzve, por më ra të bisedoja me shumë të dëbuar, se ata e kishin edhe më vështirë të ndaheshin nga kafshët e tyre. Kurrë nuk munda ta harroja skenën që e pashë gjatë atij rrugëtimi mitik, kur në një vend u ndalëm për të pushuar. Duke qëndruar e turbulluar pranë një kroi, një plak më tërhoqi vëmendjen me qëndrimin e tij të pikëlluar. U afrova pranë tij dhe me një kujdes të madh, pa dashur ta lëndoja, e veta.

– Axhë, të lutem, çfarë ju ka ndodhur, se më dukeni që jeni shumë i pikëlluar…? – Më shikoi dhembshëm… dhe përsëri heshti, duke ma bërë me dije se nuk ishte i disponuar për të llafosur.

Vura re se ishte i lodhur, i uritur, i rraskapitur, i parruar dhe ajo që më bëri përshtypje ishin sytë e përlotur diku thellë në zgavra. Më shikoi gjatë… duke më matur me sy, pastaj shtoi:

– Më dhimbsen… shumë më dhimbsen lopët, delet e mia që i lashë në mëshirën e fushës – dhe ofkëlliu thellë…

Mendova, o Zot i madh, si ta qetësoja, si ta ngushëlloja plakun e gjorë, që në mua nxiti një dashuri prej prindi. Ai edhe më tej më shikonte me lutje… thua se kërkonte ndonjë ndihmë ose fjalë ngushëlluese.

– Edhe nëna po më vdes atje… ja… te ai furgoni i kuq, – dhe ngriti dorën në drejtim të furgonit. Është e plagosur…- më tha, dhe nuk di çfarë ndihme t’i jap… – Vrapova në drejtimin që më tregoi plaku dhe e lashë pa e përfunduar mirë fjalinë. Nuk di si arriti ai, aty… por  me një shpejtësi marramendëse më hapi derën e furgonit. Plaka ishte e zbehur… e përhumbur, sytë i kishte të mbyllur. Mendova se plaka po i numëronte gërhitjet e fundit… Ajo po vdiste…

– Ke kërkuar ndihmë… nga dikush… këtu… E ke pasur te mjeku? – mezi fola, më tepër për vete sesa që të më dëgjonte ai.

– Po, po… na kanë dhënë ndihmën e parë, i kanë lidhur plagën… por rruga duhet vazhduar diku për në jug… por… çfarë t’i bësh… megjithatë, e di se nëna do të më vdesë. Fundja, jam i vetëdijshëm për këtë ndeshtrashë… dhe jam pranë saj.

– Plaku filloi të qante edhe më me ngashërim. U mundova ta qetësoja, por m’u duk e kotë. Përsëri ngriti kokën me mund dhe me një faculetë të bardhë-bilur, fshiu djersët, lotët dhe hundët dhe m’u drejtua përsëri:

– Ooo, jo… s’e kam hallin tek nëna, atë e kam me vete dhe po kujdesem për të sa po mundem, por…- heshti një copë herë, për të vazhduar:

– Më dhimbsen lopët e delet që i lashë të vetme në fushë… nuk e di se çfarë do të ndodhë me to. – Ofshani thellë dhe foli me vete – ato nuk e dinë se sa më dhemb mua, që jam detyruar që t’i lë në mëshirën e fatit. O Zot, çfarë do të ndodhë me to… me siguri do t’i hanë ujqit, apo qentë endacakë… ose… – dhe ndërpreu fjalën përgjysmë.

– Jo, jo, ato nuk e dinë se sa më dhimbsen mua… që i lashë në fushë. Po, i lashë në fushë… vetë i zgjidha dhe i qita nga ahuri, bile të mos ngordhin të lidhura. Fat, o fat… Ato sigurisht mendojnë se i kam braktisur e harruar, se më nuk i duam… Si të mos i dua, kur na kanë shpëtuar jetën, më kanë shpëtuar fëmijët…

Ndjeva se dera u hap – ngadalthi. Në dhomë u fut djali. Ai flinte në një dhomë tjetër me djalin e mikes. U bëra se isha në gjumë. Ai u shtri pranë meje duke më përqafuar. Pas pak, atë e zuri gjumi. Fjeti si qengji.

Pas një kohe, me gjasë edhe mua më kishte zënë gjumi, një gjumë i rëndë. sa nuk kisha dëgjuar asgjë. Nuk kisha dëgjuar as zilen e telefonit që kishte kërcitur si i çmendur. Një dorë më preku ngadalë, duke më lëkundur

– Zgjohu, dikush ju thërret në telefon… – pëshpëriste  Mira, duke pasur kujdes që të mos i zgjonte të tjerët.

– Kush është…? Po, ora, sa ka vajtur? Mos ka ndodhur diçka e keqe, e ti po fsheh nga unë…?

– Ç’ke, moj, çka je shastisur, është thirrje telefonike, dikush do të bisedojë me ty, o me Besin. Më tha se është një student i profesorit dhe do urgjentisht të takohet me ju – dhe më largonte jorganin për të ma bërë më të lehtë daljen nga shtrati.

Nuk desha ta trazoja burrin. Nuk desha t’i shqetësoja të tjerët. Edhe ai vuante nga sindroma e pagjumësisë. Andaj, u ngrita me nxitim, kapa kufjen dhe u paraqita:

– Alo… Urdhëroni… Kush… Kush jeni ju…? Po, po më kujtohesh…

– Profesori është aty…?

– Po… po-po, të duhej, ma thuaj mua… e unë do t’ia përcjell… Çfarë ka, ka ndodhur diçka… pa ma thuaj …mua.

– Jo, vetëm desha t’i tregoja diçka…, pastaj heshti.

– Më falni, e di që është herët, por këtu askënd nuk e njoh e desha… ta lusja profesorin që të takoheshim… këtu… diku…- dhe heshtja vazhdonte me pauza të gjata, në anën tjetër të telit.

– Po, patjetër… do të takohemi… por më thuaj se çka ka ndodhur…

– Si t’ju them, oh… si t’ju them…, – dhe në anën tjetër të telit u dëgjua rënkimi…

Më kapi paniku. Me studentin, kishte ca ditë më parë që ishim takua në Tiranë dhe bëmë bashkë ca fotografi. Na tregoi se vinte nga Gjermania për t’iu bashkuar forcave liridashëse. E kishte vendosur që të shkonte në mal dhe ishte shumë optimist për fitoren. Na tregoi se mezi priste të shkonte atje… pasi atje e kishin informuar se ishte vëllai i vogël, që kishte mbushur po atë muaj – maj, gjashtëmbëdhjetë pranvera dhe djali i motrës – nipi -, që shkonte nga të shtatëmbëdhjetë pranverat. Na tregonte, për nipin, se ishte djali i motrës së madhe, që e donte shumë.

Në bisedë e sipër vëreja se ishte i shqetësuar për ata dy fëmijë. Ndoshta, mendova, mu për këtë edhe po i ngutej, vetëm e vetëm që të jetë pranë tyre dhe të kujdesej për ta.

Një ditë tjetër, sërish u takuam. Na tha se pas dy ditësh kanë marrë urdhër të nisen për kufi, në Kosovë.

– Nuk di… a do të shihemi prapë… – na tha i entuziazmuar.

– Përshëndetemi… këtu, se prej sot e kemi të ndaluar të dalim në qytet…

Unë, kohët e fundit fillova t’i urreja ndarjet, ikjet, lamtumirat… thjesht, kisha frikë se më nuk do të shiheshim me ata që shkonin. Vaji e lotët m’u bënë përditshmëri. E tani, kjo përshëndetje… më ishte diç më e veçantë. Kërkohej të ishim të fortë…

– Të priftë e mbara, e të ruajt Zoti… – i thamë në ndarje. – Ai qeshi…

Derisa burri përqafohej me të, ai nxori nga xhepi i bluzës fotografinë.

– Profesor… merre këtë. Ta kesh për kujtim… se jetës nuk i dihet… – pëshpëriti.

Dielli i Tiranës atë ditë të piqte si saç. Ca e ca herë kthyem kokën mbrapa, nga shkonte studenti dhe e përshëndetnim me dorë. Nga ajo ditë, më nuk e pamë e as nuk u dëgjuam.

Derisa dëgjoja zërin e tij në anën tjetër të telit, si vetëtima më erdhën shumë mendime. Nga po thërret? Çka i ka ndodhur? Ai në këtë kohë u desh të ishte në mal dhe pyetje të panumërta… që ngelnin pa asnjë përgjigje. Njëherë më shkoi mendja se është i plagosur dhe është kthyer në Tiranë, se kështu veprohej me të plagosurit e tjerë. Se në zemrën e qytetit ishte një qendër spitalore, ku ne shpesh e vizitonim…

– Më thuaj… ku je dhe ne menjëherë do të vijmë, – i thash

– Te “Dajti”, ja këtu afër, te hoteli… Unë, pra, po ju pres…

E zgjova burrin. I tregova me një frymë për telefonatën. Nxituam, apo, thënë më ndryshe, vraponim rrugëve të qeta të qytetit. Aty-këtu, ndienim hapat e njerëzve që nxitonin për në punët e veta. Disa të tjerë na shikonin me habi për ku nxitonim. Në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pastruesit e rrugëve po lanin trotuarin. Nga stërpikat e ujit e të pluhurit u bëmë pis, por ne vazhduam rrugën pa ua varur fare stërpikave që na bënë qull.

“Dajti”, me gjasë akoma ishte në gjumë. Në hollin e tij, nga larg vërejtëm studentin se si ecte lart e poshtë dhe dukej pak i kërrusur. Na vuri re që hymë brenda. U sul nga Besi dhe e përqafoi

– Profesor… çka të bëj tani… profesor…, Më lajmuan nga Shtabi… më thanë… ata më thanë se…- dhe heshti për një kohë.

Mendova se nuk e kanë pranuar në radhët e luftëtarëve dhe tani për këtë po vuan. Besi ngeli i shtangur dhe nuk dinte çfarë t’i thoshte. Por, pamja e tij të fuste datën, ishte i zbehur dhe i hutuar. Buza i dridhej dhe kisha ndjenjën se do të shkrehej pas çdo momenti në vaj. I sëmurë nuk ishte. I shkalluar – jo. Megjithatë, mendova, diçka i kishte ndodhur.

– Nuk di… nuk di si t’ia kumtoj lajmin motrës, për këtë që na ka ndodhur… – dhe uli kokën duke i fshehur sytë e përlotur.

– Qetësohu njëherë… dhe më trego çfarë ka ndodhur, – i tha Besi.

– Profesor… ajo që më së shumti i jam frikësuar…

– Pa më thuaj… de… – dhe tërë fjalinë e tha si me një mllef.

E kapa Besin për krahësh dhe e shtrëngova fort, i tërhoqa vërejtjen

– Qetësohu edhe ti – i thashë.

– Po, de… a nuk jam i qetë unë. Por… a sheh se ai po më dhimbset dhe nuk di si t’i ndihmoj…

– Na trego njëherë, çfarë duhet t’i tregosh motrës – ndërhyra unë.

– Duhet të shkojmë në Korçë, ajo është atje… dhe si t’i them… o profesor, si t’i them… se i kanë vrarë djalin e vëllanë… bashkë…

Mbetëm të shtangur. O Zot, thashë me vete, edhe sa lajme do të marrim për vrasjet e njerëzve që i duam… E mendova motrën e tij dhe dhembja më qëlloi në shpirt. U ndjeva keq. Para syve m’u errësua. Dhe…gjatë… gjatë rënkova në heshtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok