26/04/2024

REXHEP LIMAN ETEMI – ISMAIL QEMALI I SLLATINËS

0

Shkruan Syrja ETEMI

U lind më 1922 në Sllatinë dhe u rrit në një familje të varfër në pikëpamje ekonomike, gati si çdo familje shqiptare e periudhës para LDB. Edhe pse i molisur nga skamja dhe varfëria, kjo nuk do të thotë se tek ai do të mungojnë tiparet plot vyrtyte bujare të përligjur me primesa patriotike e atdhetare. Përkundrazi, ato heka, ato vuajtje do ta bëjnë Rexhën akoma më të kalitur e më të fortë.

Që në moshën e tij të re (në kohën e LDB), u bashkohet aradhave të Ballit Kombëtar, që vepronte me sukses në këtë anë- me të vetmin motiv: “për të shporrë të keqen nga këto troje dhe nga ky popull”, për të cilin përgjërohej dhe sakrifikohej.

Në vitet e mbasluftës, ai nuk ishte i “qetë”, prandaj, gjithnjë shtrinte bashkëpunimin me personalitete dhe figura eminenente, të cilët, të vetmin ideal kishin: “dëbimin e territ të zi në theqafje”. Kështu, kur shqiptarët e privuar nga e drejta për përdorimin e simboleve kombëtare (Flamurit ), dhe në vitin 1968 do të demonstrojnë pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj padrejtësie në forma të ndryshme, sidomos përmes demonstratave gjithëpopullore e gjithëkombëtare (në të gjitha trojet shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë komuniste, madje edhe në Tetovë, ku rinia shqiptare do të ngrejë Flamurin Kombëtar në qendër të saj), e, ku në Sllatinë, më 12 dhjetor, 1968 – Ditën e Festës së Bajramit, këtë Flamur do ta ngrejë (në minaren e xhamisë së fshatit), kush tjetër, pos “rebelit”, Rexhep L. Etemi, i cili nga pushteti “popullor”i atëhershëm do të “sajdiset” me burg dhe tortura çnjerëzore, por kurrë – për ta përkulur.

Ndërron jetë më 1980 – me sytë e ngulitur në flamurin e ngjitur në murin e dhomës ku dergji gjatë kohë si invalid (nga plagët e shkaktuara nga shkëputja e një hekuri nga një lartësi të konsiderueshme – në vendin e punës në “Jugokrom” të Jegunovcës). Kështu, për reflektimin e shembullit të tij patriotik, autoritetet e Komunës së Tearcës, përkatësisht kryetari i saj, z.Rami Qerimi, më 28 Nëntor 2006, postmortum e dekoron me Pllakë Mirënjohjeje.

Prandaj, gjeneratat e sotme, madje, brezat e së ardhmes, duhet të çmojnë dhe vlerësojnë aktin e tij vetëmohues dhe ta përkujtojnë figurën e atdhetarit të përgjëruar të këtij vendbanimi. E, unë me këtë rast do ta përkujtoj me disa vargje – kushtuar këtij patrioti të devotshëm, që aq shumë e deshti flamurin kombëtar dhe Nënën Shqipëri:

 

TË DUA ME TË GJITHA NGJYRAT QË I KE

 

Shqipëri e artë, të dua:

Grurin-bukën, zemrën – shpirtin tënd…

Të dua me gjithë atë rrëzëllimë ëmbëlake,

Me atë aromë të merme e dashamirëse mu si dashurinë e Perëndisë…

Të dua! Të dua! Prandaj, pse të dua, nuk pranoj të ngatërrosh hapin.

Ruaju, se, nuk është ar çdo gjë që shkëlqen nga jashtë!

Shqipëri -e kuqe, të dua:

Dua gjakimin tënd për Dritë – me fuqinë e përflakur të Zotit

Edhe pas shekujve të përgjakur kur hileja teptisë e merr trajta apokaliptike.

Nga të gjithë diejt e botës, vetëm Dielli yt nuk guxon të mos shkëlqejë.

Sepse ndër lashtësi brezash të kemi mbjellë në gjakun tonë arbëror?!

Shqipëri – gri, të dua:

Qiellin pellazgjiko-ilirian – arbëroro – shqiptar

Vellon e paqtë…thurur nga damarët e zemrave

Të përgjëruara për horizonte të bardha.

Shumë të lutem: Edhe ndër kohërat e serta,

Vazhdo të ma mbulosh trupin me Flamurin me shkabë,

Të më përkëdhelësh me ngrohtësinë tënde amnore.

Shqipëri – e gjelbër, të dua:

Lulet me Gjethet e buta si puplat e zogjve

Që pehaten oborreve, livadheve e hapësirave të gjëra,

Me delikatesë të merme,

Ndaj, nuk do të pushoj së mikluari, së përkëdheluri, së bekuari…

Shqipëri – e bardhë,

Dëshiroj që, bora të të bëhet jorgan mbrojtës

Kundër dergjave të shekujve të harbuar,

Që toka jote e sheshtë gjithnjë të jetë tryezë e mbushur bereqet,

Që në mënyrë vëllazërore të gjithë të ndajmë nga një copë mirazi,

Për lindje e mort…

Shqipëri – e argjendtë,

Dallgët e lumenjve e Deteve: Adriatik e Jon

Na i lajnë plagët e shekujve,

Që, as Asklepat më me namë të botës nuk e kanë këtë eliksir.

Sot akoma po lind sokola krahëargjendtë

Që ty të dalin zot, sepse vetëm TY të duan.

Se, vetëm ty të kanë Nënë…

Shqipëri – paksa e molepsur nga mortaja:

Ti akoma je dhe mbetesh e bukur

Nuse me pajë duarsh të shkathta

Fryt nga rrënjët e lashtësisë

Me kurorë drejt rrezeve të Diellit të Shqiponjave…

Të dua Shqipëri

Me Zotin përpara, në ty shpresoj

Në ty besoj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok