14/10/2024

Skandali te Onkologjiku dhe skandalizimi “legjitim” i opinionit publik

0

Nga Albert Vataj

Duhet të ndodhte skandali i Onkologjikut, që të merrej vesh se çfarë abuzimesh skandaloze bëhen në trajtimin shëndetësor shtetëror. Edhe kësaj here, u ranë alarmueshëm kambanave të alamit, thua se ishte hera e parë që fatkqinjtë janë në mëshirën e pamëshirshme të abuzimeve skandaloze. Masmedia, i parapriu kësaj stuhie denoncimi dhe linçimi, dhe… bëri asgjë më shumë se detyrën e saj. Ajo ka denoncuar dhe reaguar vijimisht dhe energjikisht, ndoshta jo duke qenë me kohë të plotë një gardian e fatit të pafatit, por edhe ajo seri betejash që ajo bëri, nuk e luajtën nga istikami, spekulantët, matrapazët, abuzuesit me jetën e njerëzve dhe vrasësit gjakftohtë me bluza të bardha.

Në rrjetet sociale, njerëzia, shumë prej tyre të karikuar nga përvoja personale të mosfunksionimit të “shëndetësisë që duam”, nuk lanë gjë pa u thënë dhe nuk mbeti kush ka u bërë pjesë e kësaj zemërate publike. Reagimi solli reflektimin, vetë Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, nga foltorja e Kuvendit lidhur me skandalin tek Onkologjiku është shprehur:

“Padiskutim abuzimi i rëndë me detyrën i një grupi farmacistësh, dhe stafi mjekësor që kanë luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, ka vetëm një përgjigje: ndëshkim ligjor, administrativ dhe moral. Për çdo njërin nga ata që kanë nisur hetim, do të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë, s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cenojnë profesionin e tyre”

Dhënë Zoti ta kenë dëgjuar ata që duhet këtë zë, dhe t’i thërrasin mendjes ata që kanë se çfarë të humbin. Ndoshta bëhet mësim ky pësim, edhe pse për skeptikët dhe realistët, “Qameti tre ditë zgjat”.

Pak prej atyre që e thanë mendimin e tyre në këtë reagim publik, besojnë se diçka do të ndryshojë. Largimet nga puna dhe përgjegjësia penale dhe morale, nuk do t’i vënë kapakun kësaj histori të shëmtuar dhe mizore. Sërish do të kemi skandale dhe arsye të skandalizohemi për shërbimin shtetëror shëndetëso.

Nuk duhet të harrojmë se secili nga ne, kush më shumë e kush më pak, kush indirekt e kush drejtpërdrejtë, kush nga dashuria dhe kush nga pasioni, për të përfituar më të mirën nga një shërbim ku varet jeta e të shtrenjtit tënd, ka ndikuar që kjo situatë të jetë e tillë.

Duhet ta vëmë “vëth në vesh” proverbin: “Nëse i mpreh thonjtë luanit, nuk ke pse ankohet se një ditë ai do të të shqyej”. Nëse nga dashuria për të afërmin dhe nga mundësia financiare, nuk kursehesh ta blesh kurimin me para, në një shërbim që detyrohet të të ofrohet falas, nuk ke të drejtë të ankohesh një ditë kur je i detyruar të paguash, ndryshe je i vdekur, madje nuk ke pse mundohesh edhe për më tej, sepse rretheqark spitaleve ka sekserë që të rrinë gati të të ofrojnë secili një shërbim funeral ekselent dhe me leverdi. Kështu ke edhe mundësi të zgjedhësh duke bërë hesap, nëse i’a vlen më mirë të vdesësh apo të mbetesh gjallë në një katastrofë financiare.

Ndoshta e keqja që sot na alarmoi nuk është tamam-tamam një e keqe që na zu në befasi, është pikërisht ajo që ne kemi yshqyer, pa e ditur se një ditë ajo do të jetë e pangopur të ushqehet me ne.

Eksplodimet e tilla të gurgulesë publike, janë thjeshtë rastësi “fatkeqe”, për ata që janë e keqja më e madhe e shërbimit shëndetësor shtetëror, fatlume përkohësisht do të jetë kjo situatë sensibiliteti dhe solidariteti me të sëmurët, për ata që do të përfitojnë përkujdesin e merituar si reflektim i agravimit që mori situata e denoncimit të rastit.

Përgjithësisht dhe fatkeqësisht situata është me pak shpresë për të ndryshuar, pavarësisht mjeteve dhe betejave të ngadhënjimshme që nuk nguruam të bëjmë dhe nuk do të hezitojmë të jemi të mobilizuar gjithnjë si në kohë lufte.

Me gjasë, jo!

Sa kohë që doktorë që paguhen nga shteti, delegojnë për trajtim më të specializuar të të sëmurëve në klinikat e tyre private, që jo rastësisht janë fare pranë institucioneve shtetërore të shëndetit publik;

Sa kohë që mosfunksionimi i aparaturave mjekësore në poliambulanca apo qendra spitalore, favorizojnë klientelizëm për privatët, duke sajuar marifete të larmishme që i’a pamundësojnë të sëmurëve ta marrë këtë shërbim falas dhe në kohën e duhur, jo të presë për një diagnostikim pasi të jetë tepër vonë;

Sa kohë që spitale dhe klinika private i bëjnë karshillëk dhe sfidë shërbimit shëndetësor shtetëror, me vendndodhjen dhe pompozitetin, me yshtjen dhe publicitetin, por edhe duke i kategorizuar ata si të vetmet mundësi shpëtimi;

Sa kohë që mjekë dhe specialistë, laborante dhe infermierë, i përgjigjen Betimit të Hipokratit vetëm në ambientet ku shërbimi ofrohet me kundravleftë financiare, edhe pse pothuajse 100% e tyre venë firmë në bordero shtetërore, edhe fusin dorën thellë në xhepin e të sëmurëve;

Sa kohë që tregu farmaceutik lulëzon frikshëm duke ofruar medikamente të pretenduara të nga të sëmurët si të paefektshëm, apo të linçuar nga gojët e liga si tregtarë të hedhurinave të botës;

Sa kohë që laboratoret, shtetëror dhe privat, aplikojnë copy paste si përgjigje analizash;

Sa kohë që të paaftët, arrogantët dhe të paskrupulltit mbushin klinikat dhe spitalet;

Jemi në kohë për të mos besuar se gjërat kanë shans të ndryshojnë, se nuk është as e re dhe e panjohur se të duhet të paguash edhe nëse thuhet se e ke falas. Sepse sikur s’nuku na pëlqen të marrim diçka falas, ngase e kemi besuar dhe do ta kemi të vështirë të mësohemi se nuk është me të futur.

Nuk kemi gjë në terezi! Do të vijojmë të lutemi “Zot mos më ço në atë derë!”, sepse sëmundja do të jetë më e lehtë se çfarë të pret si mundësi trajtimi.

Çduhet bërë?

Fatkeqësisht nuk kanë mbetur shumë mundësi për të bërë diçka, për të rrëzuar këtë ngrehinë që po na zë brenda, për të shpresuar se betejat mediatike dhe reagimet publike, do të sjellin ndryshim. Kjo e keqe, kjo papajtueshmëri, ky mostolerim, kjo situatë e frikshme, është një sistem dhe lufta ndaj tij është thjeshtë një mision i pamundur.

Na mbetet vetëm të lutemi, “Na e ruaj Zot shëndetin” dhe të kursejmë pak para nga ato pak që marrim për një ditë të keqe, se kur thotë populli, “Kur vjen e keqja hapi derën”, dmth hap kuletën dhe shko atje ku pretendohet se të mundësohet një shërbim shëndetësor i garantuar financiarisht.

Por nuk mund të ngutemi dhe të themi se gjithçka është terr dhe tmerr, në shërbimin shëndetësor shtetëror. Duhet të jemi të sinqertë me veten së paku, që ka raste dhe janë jo të pakta që bëhet maksimumi për të të dhënë një përkujdes klinik apo spitalor i duhur. Ndër këto herë, ka prej tyre që mund të bëheshin më mirë gjërat, siç ka edhe raste që duhet marrin vlerësim ndryshe trajtimet e të sëmurëve, edhe atyre që ndoshta u maston zemra por nuk u mjafton kuleta të shprehin nevojën për të marrë ndihmën e merituar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok