02/05/2024

Shteti duhet të rivendosë ekulibrat sociale, e jo t’i çekulibrojë ato më tej!

0

NGA LLESH NDOI

Shteti, qëkur ka lindur, ka lindur si një mekanizëm përmes të cilit vendosen disa ekulibra socialë, duke bërë të mundur realizimin e disa funksioneve të përbashkëta, të cilat nuk mund e s’kanë si të realizohen nga individi. Marrja përsipër e këtyre funksioneve, sipas modelit të kontratës sociale të Russoit, ku individi i delegon këtij mekanizmi shoqërorë disa nga të drejtat e veta, bën të mundur kryerjen e investimeve, mbajtjen e sistemit të mbrojtjes, arsimit, rendit, shëndetësisë etj, por shteti në sistemet demokratike nuk është aktor i drejtpërdrejtë ekonomik, as nuk ka monopolin e saj, ndryshe nga socializmi, për shembull. Megjithatë ai përmes parlamentit, ka monopolin e sistemit të taksimit, përmes të cilit mbledh para në buxhet e kryen funksionet e veta në tërësinë e tyre. Veç të tjerave, përmes sistemit të taksimit, shteti ruan në parametra të pranueshëm ekulibrat sociale. Kjo nënkupton marrjen e të ardhurave aty ku krijohen, e në raport me madhësinë e tyre, duke i kthyer ato në funksion të shoqërisë indirekt, përmes investimeve e politikave sociale, arsimore e shoqërore, apo drejtpërdrejt, përmes ndihmës ekonomike etj.

Politikat taksuese dallojnë qeverisjet e majta e të djathta, por më shumë se ato, qeveritë dallohen nga raporti i shpenzimeve që kryejn e mënyra si i orientojnë ato. Qeverisjet e mira janë ato ekonomike e që harxhojnë sa më pak nga buxheti për të mbajtur veten, luftojnë korrupsionin, investojnë në fusha me impakt të thellë e akses të gjerë shoqëror, por dhe mbajnë larg varfërisë të pamundurit. Qeverisja shqiptare, aktuale dhe historike, sipas opinionit tim, është shumë larg këtyre parametrave. Ajo nuk ka hartuar e zbatuar politika të drejta taksimi, yshtur nga nevoja pragmatiste elektorale, as nuk ka qenë transparente dhe e drejtë në shpenzime. Në opinionin tim, dhe jo vetëm, aparati burokratik është i përmasave të mëdha, jo i mirëadresuar, me disbalanca pagash mes vetes, e sidomos në raport me shoqërinë. Pagesat e sistemit të drejtësisë aktualisht kanë dezekulibruar raportet hierarkike, aparati i lartë shtetërorë, përfshi parlamentin, kanë krijuar privilegje që s’i meritojnë, korrupsioni është sistemik, ndërkohë që investimet janë të pakta, minimale e shpesh të pa studjuara mirë, si dhe me prapavija interesat politike e elektorale, e për pasojë janë edhe korruptive, ndërsa ndihma ekonomike dhe pensionet vazhdojnë të mbeten  tepër të ulta dhe qesharake. Nga ana tjetër, shteti i paaftë për t’i gjurmuar e mbledhur të ardhurat aty ku krijohen realisht e për aq sa krijohen, harton politika taksuese parazitare, të paqëndrueshme, barasvlershme e të padrejta. Shprehja më e saktë e kësaj situate është raporti i të ardhurave doganore me ato tatimore, paaftësia e kontrollit mbi të ardhurat në prodhimin e brendshëm, në tregti, shërbime e kudo. Analiza dhe argumentët mund të jenë e pa fund, por nuk është ky qëllimi dhe as përgatitja ime profesionale edhe për shkak të aksesit të kufizuar mbi të dhënat makro e të transparencës minimaliste që shoqëron punët e shtetit. Tjetër është fokusi i këtij shënimi modest.

Më ra në sy këto ditë një opinion i organizmave financiare botërore drejtuar parlamentit shqiptar në fazën aktuale të hartimit të projekt buxhetit për vitin 2024. Në thelb ishte një thirrje për një buxhet më të ekulibruar e me profil më social. Një thirrje kjo më shumë se një kritikë reale. Modestisht do të prek vetem një çeshtje të lidhur ngusht me këtë: – A është e drejtë politika aktuale e taksimit mbi të ardhurat personale? Ja analiza më e thjeshtë e problemit.

Pa patur nevojë për të hyrë në shifra, të cilat shpesh e fshehin realitetin me dashjen e atyre, që i manipulojnë, le të përmendim faktin se s’ka si të jetë i drejtë një sistem taksimi që takson të punësuarin për nivel page mbi dyzet apo pesëdhjetë mijë lekë në muaj, ndërkohë që përjashton totalisht biznesin e vogël nga ky taksim. Pyetja shtrohet: – Kush fiton më shumë, ai që bën biznes apo ai që merr një pagë modeste, duke u punësuar tek këto biznese? Besoj se përgjigja është e qartë: biznesi është mekanizmi i ligjshëm i të fituarit, kurse paga është shitja e fuqisë fizike e mendore e individut tek sipërmarrja që të fitojë kjo e fundit! Të kthehemi në shifra. Ja, krejt thjesht, pa stërhollime formulash që më së shumti shoqërojnë ligjet tona, të tilla që as hartuesit  ndoshta nuk i marrin vesh… Një biznes i vogël nuk paguan tatim mbi të ardhurat personale deri në nivelin e xhiros 14 milion lekë! Në një logjikë të thjeshtë, norma e fitimit prej 20% është niveli minimal i saj. Pra për 140 mln xhiro janë të paktën 2.800.000 lekë fitim, ose rreth 230.000 lekë në muaj. Ok! Nuk po i hy analizës se sa sigurime shoqërore e shēndetësore paguan, përmes pagesave qesharake që raportojnë, por po ndalem vetëm tek ky tatim: tatimi mbi të ardhurat personale, duke e krahasuar me të njejtin nivel page (rrallë e pak i arritshëm për të punësuarit!). I punësuari që ka fat t’a regjistrojë këtë nivel page, paguan çdo muaj njē tatim mbi të ardhurat të përbërë nga shuma fikse 22100 lekë, plus shuma e ndryshueshme që është sa 23% e shumës mbi 200.000 lekë. Në këtë rast 30.000 x 23% = 6900 lekë në muaj. Në total i punësuari fatlum me një pagë të tillë paguan 29.000 (22100 + 6900) lekë në muaj, ose 348 mijë lekë në vit. Ku është drejtësia e barazia kētu?!

U bë një hap me profesionet e lira, ku situata ishte akoma më ulëritëse. Nuk paguante (paguan) tatim mbi të ardhurat personale mjeku privat, stomatologu, avokati, mësuesi, projektuesi, e ku ta di unë sa e sa orofesione të tjera, kur dihet se norma e fitimit në to, në rastin më të keq, është mbi 50%! Cilës logjikë ekonomike, sociale e shtetërore i rri kjo?! Po lidhur me zbutjen e hendeqeve sociale, ku janë politikat tona shtetërore? Edhe këtu nuk do t’a ndërlikoj analizën, por do të sjell një shembull të thjeshtë. Kur flasim për pensione të rendit 10.000 lek në muaj, ku gjendet vallë logjika e funksionit social të shtetit? Veçanërisht ata që kanë pension nga ish – kooperativat bujqësore, mbeten shtresa më e persekutuar reale dhe ekonomike e shoqërisë. Me preteksin se kanë gëzuar e gëzojnë “privilegje” nga ekonomia bujqësore, ata janë në kushtet e pamundësisë ekonomike për jetesë. Nuk merren aspak parasyshë faktorë të tillë se puna në bujqësi ka qenë ndër më të rënda, përveç nëntokës, se aty kanë punuar kryesisht femrat, shumica nëna fëmijësh që sakrifikonin pafund në familje e në punë, se ish – kooperativistët pensionistë, sot ose jetojnë në fshat, thuajse të vetmuar e të braktisur nga jeta e nuk mund të përfitojnë asgjë prej “privilegjeve” të pronësisë mbi tokën, veç ujit (kush e ka!), e ajrit të pastër, me të cilat nuk mund të jetohet, ose janë transferuar në qytet e rrethina, mjaft prej tyre edhe me qira. Si mund të jetojë një pensionist mbi 80 vjeç dhe i vetëm me 10 mijë lekë pension?!

A nuk duhet të venë alarmin deputetët, qeveritarët e qytetarët për këtë situatë?! Respekt për arsimtarët e personelin shëndetësor nga fshati, por kush ka vuajtur më shumë ata apo nanat e motrat e tyre (dhe tonat) ish – kooperativiste? Alarmi ka rënë!

A ka veshë ta dëgjojnë, nuk e di…

LLESH NDOI

Lezhë, më 19 tetor 2023

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok