23/04/2024

NGA LIBRI IM ME TITULL: “DITAROSJE NËN SHURUKAMËN E ARMËVE”, BOTIM I VITIT 2021

SHKRUAN SYRJA ETEMI

07 mars, 2001

FESTA E MËSUESIT NË DITË TË MUGËTA

– Urime 7 marsi, pedagog!, – më uroi  e përkujtoi nxënësi flokartë i klasës së tetë “një”, sapo u ngjitesha shkallëve të godinës shkollore, për të marrë orientimin drejt  zyrës sime të punës.

– Të të them falemderit, është shumë pak, – Ia ktheva Y. me një dozë habije për momentin kur bredhja me mendime të degtisura, – sepse ju jeni ata që edhe në kohëra të mbrapshta e të vështira të jetës, të mbani gjallë dashurinë për mësuesin, për këta qirinj të dijes që e shkrijnë veten, për të përhapur dritë. Megjithatë, falëmnderit shumë… I uruar qofsh gjithnjë! Ia ktheva me ngazëllim, duke vazhduar hapin e ngalakaqur.

Pasi më kisha arritur deri te dera e zyrës, vërejta se brenda saj zhurmonte radioja ku transmetoheshin flesh-lajmet e djeshme nga radio Shkupi – i lidhur me Dojçe Velen. Vegimet e mia që përfytyronin mësuesin tim të parë, në moment m’u vagëlluan, më mirë të them, m’u mjegulluan. Këto “lajme”, më detyruan që, fjalën:  m ë s u e s  sërish ta  zevendësoj me termin:  k o n f l i k t. U ula në karrige, vura bërrylat mbi tavolinë, kurse kokën e përkula mbi të dy duart e mia, për t’u thelluar në  mendime që kishin për synim dhënien e përgjigjes për fjalën e mësipërme. E, në këtë rast vetëtimthi m’u kujtua një anekdotë të cilën s’di se ku e kam dëgjuar, por me rëndësi është se do të gjej një shembull adekuat për të kuptuar këtë emërtim:

“ – Baba, –  thirri djali dhjetë vjeç, – si fillojnë luftërat?

-Hëmm, more bir -, zë t’i përgjigjet i ati. – Le të themi se Amerika është grindur me Anglinë…

-Amerika nuk po grindet me Anglinë, – ndërhyn e ëma.

-E, kush tha se po grinden?, – ia bëri burri, i acaruar ndjeshëm. Thjesht po i jepja djalit një shembull të hamendësuar.

-Për të qeshur…-, turfulloi gruaja. Vetëm se ke për t’i ngulitur  djalit ide të gabuara në kokë!.

-Kjo nuk mund të jetë apo të duket qesharake!, i përgjigjet babai akoma më i inatosur. -Sikur të dëgjonte ty, nuk do të kishte asnjë ide.

Mu kur po vinte çasti për të vërvitur pjatat në kokë, u dëgjua zëri i djalit:

-Falëmnderit, mama. Falëmnderit, babi. E kuptova… Tani nuk kam përse të pyes se si fillojnë luftërat!”

Kështu, me këtë shembull mendoj se arrita të gjej enigmën e mësipërme. Nuk thuan kotë: Fëmija më mirë mëson nga shembulli sesa nga këshilla. Le të ngel ky një argument i nevojshëm, ndoshta, që t’u sugjeroj mësuesve që, në punën e tyre edukative me nxënës, të përdorin sa më shumë shembuj nga jeta, nga përvoja e popullit, nga praktika. Është një metodë apo teknikë shumë efikase e frytdhënëse.

…Eh, mësuesi (i denjë) – ky trasues i rrugës së brezit të ardhshëm. Udhërëfyes, sugjerues. Veprën e tij e shkruan historia, e kujton gjithkush në botë që e din vlerën se çfarë është dija e sakrifica për të përhapur atë. Këtë përgjërim e kam çmuar dhe po vazhdoj ta vlerësoj. Edhe Zoti i vlerëson këto vepra hyjnore, që i dhuron ai njerëzimit. Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë, ka konsideruar Konfuçi. Nuk dua këtu t’i shtoja e t’i heq asnjë germë këtij vlerësimi krahasues të këtij njeriu të mençur, por preferoj të plotësoj këtë thënie me dromca përvojash të  mia në këtë dimension për të pyetur: Sa ka bërë e po bën shkolla e mësuesi i sotëm në edukimin e fëmjëve në përballje me konfliktin, me të keqen dhe me rrezikun e kombit?  Këtë do ta dëshmojmë në rrugëtimin e mëtejmë të jetës. Të shohim se si do të gjinden në këtë pretendim gjeneratat e reja që kanë kaluar nëpër duart e mësuesit tonë, të kalitur me ndjenjën e atdhedashurisë;  sa janë të aftë të ballafaqohen e të zgjidhin të papriturat e jetës, konfliktet, që s’parashihen se ku dhe kur mund të lindin e, s’dihet se kur dhe ku do të përfundojnë. Të presim! Të shohim! A do të jenë në gjendje të orientohen drejt yllit të largët polar!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok