25/04/2024

DHE MËSIMI I VËSHTIRË

I SHKOLLËS SHQIPE NË SHEKUJ.

– Dhimbje dhe dëshmi –

Nga Visar Zhiti

Festa e 7 Marsit, Dita e Mësuesit, e të gjithëve, sepse të gjithë nxënësa kemi qenë dhe ashtu mbetemi para dijes. Dhe sot na pëlqen të themi diçka, të kujtojmë, mbase na zëvendësojnë tufën e luleve që do të donim të dhuronim diku larg, në të kaluarën, në fëmininë magjepsëse…

E ardhmja e atdheut varet nga mësuesit e klasës së parë, thoshte një nga shkrimtarët klasikë, më të mëdhenj në botë…

Kam nostalgji për mesuesen time të klasës së parë, mësuese Teftën, që me vëllanë e saj, mësues dhe ai, z. Luan Myftiu do të ishim bashkë në një burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku kishte dhe mësues tjerë, pedagogë e profesorë universiteti.

Edhe mësuesit, aq sa të dashur dhe çmuar, po aq kanë qenë dhe të varfër, një pjesë dhe të përndjekur dhe arsimi në atdheun tonë është keqtrajtuar dhe ka lënguar në shekuj, ndërkaq ka qenë dhe heroik, me arsimtarë të mrekullueshëm.

Kujtoj me përulësi mësuesen tonë, znj. Liri Kazazi, megjithese e përndjekur si familje, që jetonin në barangat e Lushnjës, ajo, gjithë dinjitet dhuronte mirësi dhe dije dhe dhimbje, edhe emrin e saj Liri dhuronte. Sot një shkollë mban emrin e saj.

Në ato vite ndodhi dhe arrestimi i mësuesit tim në fillore, z. Hiqmet Nuri, por dhe arrestimi i mësuesit shkrimtar, të arratisurit nga Jugosllavia e atëhershme, z. Kapllani Resuli. S’kish si të mos tronditeshim.

Ndërsa nga burgu i Burrelit ishte kthyer muzikanti i madh, gjeniu i violinës, mësuesi ynë i muzikës, maestro Fotaq Filipeu. Kam mall dhe për mësuesin e matematikës z. Mite Guga dhe bashkeshorten e tij, mësuese MaMinella Daniuesin kujdestar në gjimnaz, që na ishte si shok Minella Dani. Dhe rrinim me poetin Faslli Haliti, mësuesin tonë të vizatimit, ai na mblidhte në grup dhe i tregonim njëri-tjetrit poezitë tona e filluam botimet e para.

Dhe unë shkova në shkollë të lartë në Shkodër të studioj për mësues, patëm pedadogë me emër, profesorët Vehbi Bala, Kolë Ashta, Jup Kastrati, Neki Lezha, Fadil Kraja, Selami Tabaku, Fatbardha Fishta, Podgorica e Alibali e Abdiu e Gero, etj, mësues 8-vjeçareje ishte dhe poeti fantast Frederik Rreshpja, më tej në Lezhë, ku shkoja shpesh ishin poetët Rudolf Marku e Agim Isaku, i deshëm dhe na deshën, kështu më dukej, por sa e rëndë do të ishte kur do të gjeja se që student isha denoncuar nga pedagogë në policinë sekrete…

Në gjyq, në Kukës, ku isha mësues në një fshat të largët, dëshmitarë, për fat të keq, dolën dhe kolegë, mësues dhe ata, më dënuan me 10 vjet burg, por kujtoj rreshtin e pikëlluar me nxënësit e mi, engjëjt e mjerë, nga të cilët mora kurajo. Mësues ishin dhe miqtë e mi besnikë, poeti Agim Spahiu, skulptori Ilmi Hoxha, kolegët e mirë në fshatin Vilë, Shefqet Billa e Bilbil Billa.

Dhe unë s’do të isha më mësues, por i burgosur me mësuesit e tjerë, mecenatin tim shpirteror, çamin Hasan Bajo, me Ron Çobanin, Jorgo Mashon, pedagogun e liceut, përkthyesin Islam Spahiu, me profesorin e inxhinierisë, Ismail Farka. Mësues kishte qenë dhe poeti Havzi Nelaj, që do ta varnin me të dalë nga burgu në mes të qytetit të Kukësit.

Mêsues kishin qenë dhe emrat e mëdhenj, At’ Gjergj Fishta, Migjeni, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci  , Skender Luarasi, etj, Safet Butka, që vrau veten se nuk duronte dot vëllavrasjen.

Pas Luftës II Botërore, me të ardhur në pushtet fitimtarët, nga një anë nisën punën e madhe kundër analfabetizmit, nga ana tjetër dënonin mësues të shquar, para se të ngrinin universitetet, hapën burgjet dhe mbyllën të lauruar të shumtë në universitete të Europës dhe botës…

Dhe im atë kishte qenë mësues, kishte mbaruar Normalen e famshme të Elbasanit, por përndiqej dhe pushohej nga puna. Po kështu dhe vëllai i tij, xhaxhai im, Maks Zhiti mësues i Normales ishte, patriot, por nuk doli i gjallë nga torturat në një qeli burgu plot me ujë…

As djalin e xhaxhait, Sigfridin e talentuar, nuk e lanë të bëhej mësues, por e flakën gjithë jetën internimeve. Edhe tim vëlla e pushuan nga arsimi dhe mua pas burgut ma hoqën të drejtën e profesionit mësues dhe të drejtën e botimit…

Por do të binte perandoria komuniste, do fillonin ndryshimet e mëdha, vetëm kaq mund të them tani, që unë për shoqe jete zgjodha një studente, studionte për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe do ta fillonte karrierën e saj si mësuese gjimnazi…

  • • •

Pasojat e diktaturës në goditjen e  arsimit do të ishin të mëdha. Masivizimi i shkollës do të shoqërohej me shkatërrimin e traditês dhe politizimin e skajshëm, mêsuesit i donin si komisarë, nxënësit dhe studentët si ushtarë.

Lufta e klasave dhe në arsim do të bënte gjëmën. Sundimtarët e kuq donin t’i prinin dhe së ardhmes, por dhe të kaluarën ta bënin siç do të donin të ishte….

Shpallën 7 Marsin si festën e mësuesit, ditën kur u hap Mësonjtorna e parë shqipe në Korçën e bukur dhe të kulturuar, në vitin 1887. Është periudha e fundme e perandorisë Osmane. Mësuesin e parë Petro Nini Luarasin e helmuan shovinistët e Jugut.

Po a s’kishte patur shkolla shqipe më parë? Si mësohej gjuha mëmë? Edhe Poeti Kombëtar, Naimi ynë, shkruante libra këndimi, për ç’shkolla? E vetmja gjuhë që ishte e ndaluar në perandorinë osmane ishte shqipja e shqiptarëve, që i kishin shërbyer Portës së Lartë mbase më shumë se të tjerët përreth. Dhe shkronjat shqipe i kishte mallkuar kisha greke.

Historia ka punë për të kryer.

Historiani amerikan Edwin Jacques (Edvin Zhak) në librin e tij “The Albanians: an Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present” (Shqiptarët: Histori Etnike nga Koha Prehistorike deri në të Tanishmen) dokumenton se shkolla e parë shqipe dhe jo e vetme u hap në vitin 1632 në Velë të Mirditës.

Shkollat të tjera fuqizohën nga “Kuvendi i Arbrit” që u mbajt në Merqi të Lezhes në kishën e Shen Kollit me 14 dhe 15 kallnuer të vitit 1703 me bekimin e Papa Klimentit Xl, me origjinë shqiptare, si kundërshti e asimilimit otoman deri në Lidhjën e Prizrenit në 1878. U hapen shkolla shqipe në Durrës, në Shkodër, në Kosovë kishte 21 shkolla fillore. “Fakti dokumentar i Kuvendit të Arbnit u botua në latinisht dhe në shqip 300 vjet më parë” gjë që dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar veçse në shkollat shqipe.

Të shkojmë dhe më thellë.

“The University of Dyrrachium (Latin: Universitas Studiorum Dyrrhachium, Shqip: Universiteti i Studimeve të Durrёsit) was a Venetian theological university (Studium generale) in Durrës (Dyrrhachium), Venice, then Republic of Venice. The university was established around 1380, and then transferred to Zadar in 1396, amid the mounting Turkish threats in South-eastern Europe…”

Pra, shqiptarët kishin universitet. I pari në Ballkan, thonë studiuesit. E quanin “Instituti i Shën Dedës”, pra Instituti i Shën Domenikut. Në dokumentin e cituar thuhet se ky institut kishte 9 profesorë (latinisht “magjistër”) në teologji. Studiuesit e lidhin me ndërtimin e Manastirit të Shën Domenikut, i cili nisi aty nga viti 1224 dhe filloi detyrat, pra diplomimin nga fillimi i viteve 1300.

Është punë e historianëve, universiteteve, akademive, etj, e shtetit institucionalizimi i të vërtetës.

Ne si qytetarë na mbetet të urojmë gëzuar 723 vjetorin Mësues të Shkollës Shqipe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok