Sfidat, arritjet dhe dështimet e Sali Berishës! – II
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sali Berisha hyri në politikë pasi ai u promovua si arkitekt i mendimit të përparuar përparimtar dhe demokratik në kapërcyell të kohës së ndërmjetme midis diktaturës dhe demokracisë. Pra gjatë viteve 1989-1991. Në këtë kohë ai u shfaq si shpresa e shqiptarëve. Me shkrimet e tij në gazetën letrare “Drita”, atë “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, apo në takimet intelektuale të Tiranës, Doktor Berisha shpaloi ide dhe teza të guximshme për kohën. Në një takim të intelektualëve me presidentin e vendit, Ramiz Alia, në korrik të vitit 1990, ai ngriti me guxim zërin për krimet e regjimit diktatorial komunist. Madje guxoi të thotë se ka zëra që kundërshtarët e diktaturës eliminohen pa gjyq në Malin me Gropa, diku pas Malit të Dajtit të Tiranës, si dhe në kufi gjatë përpjekjeve për arratisje. Ishte kjo një akuzë shumë e rëndë për diiktaturën dhe diktatorin e moderuar të kohës, gjithnjë duke e krahasuar atë me diktatorin më mizor të historisë shqiptare e më gjerë, Enver Hoxhën.
Prej asaj kohe Doktor Profesor Sali Berisha u pa te shqiptarët si njeriu i guximit dhe i ndryshimit. Intervistat e tij në median e Tiranës dhe te Zëri i Amerikës ishin kontribut i madh për shembjen e diktaturës. Ai u bë udhërrëfyes në rrugën e demokracisë që atëherë kur diktatura ende nuk shihej si e rrokullisur. Madje ishte kohë shumë e rrezikshme, po të kemi parasysh faktin se vetëm pak muaj më parë në qytetin e Kukësit ishte dënuar dhe ekzekutuar me varje poeti i lirisë dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar, Avzi Nela. Në fakt emri i Doktor Berishës ishte i njour si mjek në rrethet e qytetarët e Tiranës apo edhe më gjerë. Por debati për ndryshimin e sistemit dhe lirinë e bëri atë të njohur nga të gjithë shqiptarët. Nuk kishte dilema që asokohe Doktori do të ishte një nga personazhet kryesore të protagonizmit për ndryshimin e madh që po vinte. Askush nuk e kontestoi atë në asnjë nga dimensionet e shfaqura. Si për argumentin, për logjikën e shprehjes e të mendimit, për guximin, vendosmërinë dhe këmbënguljen e tij unike.
Po vinte në skenë një lider që sfidonte lehtësisht pavendosmërinë e paraardhësit të tij, diktatorit të vogël, Ramiz Alia. Në fakt ai e sfidoi presidentin e kohës dhe kryetarin e partisë-shtet që para protestës së studentëve të dhjetorit 1990. Ramiz Alia e quante Berishën “tropojan të pabesë”. Regjimi e shprehte asokohe hapur urrejtjen për ata që i konsideronte “renegatë” nga radhët e tij. Madje deri në arsyetimin se “është normale të na kundërvihen të deklasuarit, por jo njerëzit tanë”! Në të vërtetë ishte krejt e kundërta. Nëse kishte pabesi të shprehur dhe të dallueshme ,ishte ajo e vetë Alisë dhe për shkak të dilemave dhe frikës që kishte. Rënia e Çausheskut ia shtoi atij edhe më shumë frikën dhe e la pa gjumë. Sa më shumë i shtohej frika, aq më shumë vepronte me pabesi. Dhe siç ndodh gjithmonë, gjithkush që fsheh karakterin e tij negativ, bën të njëjtat akuza ndaj kundërshtarëve të vet. Kjo ndodhi me akuzat e ish-shefit të partisë-shtet të asaj kohe.
Protestat e studentëve të fillimit të dhjetorit 1990 e evidentuan Sali Berishën si liderin e ardhshëm e të kontestueshëm. Pushteti u përpoq ta pengojë ardhjen e Berishës. Veç akuzave si “destruktiv”, “hakmarrës”, “i pabesë” etj, lidershipi komunist u përpoq ta bëjë atë fajtor për veprat e veta shkatërruese, sidomos në ekonominë shqiptare të kohës. Qëllimi ishte që asetet kombëtare të zhvleftësoheshin dhe ato t’u faleshin ish-funksionarëve të shtetit komunist e ish-pjesëtarëve dhe spiunëve të sigutrimit të shtetit dhe nga ana tjetër të diskreditohej Partia Demokratike e krijuar më 12 dhjetor 1990, vetëm katër ditë pas shpërthimit të protestave studentore. Synimi ishte të thuhej se “Ja, këta që përfaqësojnë opozitën e shkatërruan Shqipërinë”. “Sa ishim ne gjithçka ishte në rregull”! Kjo metodologji komuniste funksionoi aq mirë, sa edhe sot patronazhistët e Rilindjes e përdorin këtë periudhë shkatërrimesh për akuza ndaj opozitës së Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Ndërkaq si mjet diskreditimi dhe përçudnimi socialistët ofruan akuzën tjetër, sipas së cilës “Berisha, e përsëris, sidomos Berisha, na ishte produkt i asaj që ata e quajtën proces i Katovicës. Pa asnjë fakt, pa asnjë provë, pas asnjë dokument. Thjesht duke i mbivendosur emrin e Sali Berishës një takimi të ish-presidentit sovjetik, Gorbaçov, në Katovicë të Polonisë me përfaqësues të lidershipit të Europës ish-komuniste lindore. Se çfarë kishte të bënte Berisha me Katovicën, Gorbaçovin apo dikë tjetër, askush nuk ka dhënë deri më sot asnjë fakt të vetëm. Një iluzion në kokën e ish-komunistëve shqiptarë socialistët e lëshuan në duart e ish-sigurimësve të ish-shtetit diktatorial dhe e përpunuan si akuzë manipulative. Ende sot njerëz me arsimim, ndoshta edhe jashtë vendit, por që e urrejnë Sali Berishën, e përmendin Katovicën si burimin e ngjitjes së tij në pushtet!
Nejse! Kur erdhi periudha e asaj që quhet “pluralizëm” Doktori u vu në qendër të vëmendjes. Ishte kohë e stuhishme. Zgjedhjet parlamentare ishin caktuar për datën 31 mars të vitit 1991. Kur u shpallën ato zgjedhje, ishte llogaritur një pluralizëm ku bëheshin bashkë PPSH dhe organizata e rinisë, e bashkimeve profesionale, e frontit dhe ajo e gruas. Lejoheshin edhe kandidatë të pavarur. Dukej një pluralizëm përfaqësimi formal, por jo i vërtetë. Krijimi i Partisë Demokratike e ndryshoi balancën dhe projektin e fillimit. Tashmë PPSH e Ramiz Alisë kishte përballë një forcë politike, të cilën nuk e komandonte dot, edhe pse përmes njerëzve të tij përpiqej ta kontrollonte. Kontrollin e opozitës e parandaloi kryesisht vendosmëria dhe përballja opozitare e Sali Berishës. Shqipëria pati fatin se ish-PPSH, sot PSSH, nuk mundi të krijojë një opozitë fasadë. Dhe kjo kryesisht për meritën e padiskutueshme të Sali Berishës.
Zgjedhjet e 31 marsit 1991 i fitoi Partia e Punës. Ramiz Alia u zgjodh president i vendit. Ndërkohë që ai filloi një fushatë “të pajtimit kombëtar” në të cilën u përdorën emrat e Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë. Qosja ishte më aktiv, më imponues, më i përkushtuar për detyrën që kishte marrë prej Ramiz Alizë. Pajtimi u shpall në emër të interesit kombëtar. Ka qenë dhe vazhdon edhe sot të jetë në natyrën e të majtës, përfshirë dhe atë revolucionare, të spekullojë me interesin kombëtar e me pajtimin kombëtar, me qëllim që ta shfrytëzojnë këtë si mundësi për ta mbajtur ose zgjatur jetën e tyre në pushtet. Edhe sot, sa herë opozita e drejtuar nga Berisha proteston, mazhoranca e PSSH-së, e quajtur Rilindje, artikulon “interesin kombëtar”, “integrimin në BE” etj, si mbrojtje e privilegjeve të pushtetit. Në fakt asnjë ditë e asnjë orë nuk punojnë ata për këtë interes e integrim. Thjesht punojnë për ruajtjen e privilegjeve të pushtetit, me qëllim grabitjen e buxhetit dhe të pasurive kombëtare. Pra, në asnjë kohë, ashtu si sot, qëllimi nuk ka qenë e nuk është kombi dhe interesi i tij, por pushteti. Në kushtet e kësaj fushate PD dhe kryetari i saj, Berisha, nuk e kishin atëherë aq lehtë pikëpamja elektorale të dilnin kundër këtij mashtrimi, pra kindër propagandës së “pajtimit kombëtar”! Megjithatë Berisha ishte i guximshëm. Nuk e pranoi platformën e Ramiz Alisë për pajtimin kombëtar të vitit 1991, pavarësisht akuzave “për përçarje”!
Ai nxiti sindikatat, sidomos atë të minatorëve dhe studentët që të vazhdojnë aksionet e tyre për përmbysjen e plotë të regjimit. Më 20 shkurt 1991 u rrëzua monumenti i diktatorit Enver Hoxha dhe iu hoq emri i tij Universitetit të Tiranës, si dhe disa objekteve të tjera industriale. Kjo ndodhi për shkak të presionit të grevës së urisë të studentëve dhe protestës së fuqishme të dhjetëra-mijë qytetarëve të Tiranës. Berisha ishte në krye të saj. Ai e udhëhoqi procesin me guxim. Nga pikëpamja taktike politika e tij ruajti gjithashtu ekuilibrat socialë në vend. Ndërkohë që mbas arritjes së qëllimit, Berisha pati aftësinë të bënte një hap prapa dhe kësisoj të neutralizonte klimën e përplasjes midis qytetarëve. Por pas pak kohe tërheqja i la vend sërishmi guximit. Në qershor 1991 hynë në grevë urie minatorët e Valiasit. Berisha e përkrahu atë grevë politikisht dhe akuzoi qeverinë e socialistëve të kryesuar nga Fatos Nano për metoda antidemokratike kundër kërkesave të minatorëve. Ajo grevë urie solli rënien e qeverisë së Nanos.
Prej këtij momenti vendi do të drejtohej nga një qeveri tranzicioni. E mori emrin si “qeveria e Stabilitetit”. Ajo u krijua me vullnetin e përbashkët të opozitës së Berishës dhe të mazhorancës tashmë të drejtuar nga Nano, si kryetar i Partisë Socialiste. Jeta e qeverisë së Stabilitetit zgjati vetëm 5 muaj. Berisha vendosi thuajse i vetëm për daljen nga kjo qeveri. Kishte kundër edhe nënkryetarin e Partisë Demokratike dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së partisë së tij. U ngrit nga mbledhja e organizuar prej ish-presidentit Ramiz Alia dhe nuk pranoi kompromise të mëtejshme. Opinioni publik u nda më dysh. Një numër i madh, të ndikuar nga propaganda komuniste e socialistëve, e konsideruan këtë përpjekje për destabilizimin e vendit. Ndërsa pjesa që mbështeti opozitën demokratike e konsideroi si akt të vendosmërisë së liderit. Qeveria e Stabilitetit mori fund.
Koha provoi se Sali Berisha kishte marrë një vendim të mençur dhe në dobi të shqiptarëve. Në vend qeverisë së stabilitetit u krijua qeveria teknike Ishte pikërisht ajo çka opozita e sotme, sërishmi me Sali Berishën në krye, po kërkon në vendin tonë, gjë që na kujton se Rilindja e ka rikthyer vendin në situatën e dhjetorit 1991. Pas kësaj u caktuan zgjedhjet e parakohshme parlamentare për datën 22 mars 1992. Ato zgjedhje bënë rrotacionin. Për herë të parë Sali Berisha dhe Partia Demokratike u shpallën fitues dhe mundën partinë e diktaturës, e cila tashmë pati ndryshuar emrin e saj. Opozita fitoi 2/3 e vendeve në parlamentin e Shqipërisë prej 250 vendesh. Interesant është se numri i deputetëve ishte ende i njëjtë me numrin e deputetëve të kohës së komunizmit. Fitorja prej 2/3 i lejonte mazhorancës së re demokratike të ndryshonte ose ta hartonte një kushtetutë të re të vendit. Nuk kishte asnjë pengesë për ndryshimin e shpejtë të sistemit juridik, politik dhe ekonomik. Por nuk mund të ndryshonte aq lehtë dhe aq shpejt mentaliteti i ideologjisë së kaluar të shndërruar në doktrinë, si dhe indoktrinimi i qytetarëve shqiptarë.
Vijon…