02/12/2024
Alma-Vjero-Dedja

ALMA VJERO DEDJA

Premtimet..

cikel poetik

*Me dashuri më mbulon.

Me premtime më mbyt.

Mos !

Ruaji tek syt’!*

Mos thuaj se këngët për mua do shkruhen.

Se poezitë për mua do grinden

Ti këndomi, këndomi  të duhen

Që dashuritë të  rilinden.

Mos thuaj  bota do jet’ veç lulëzim.

Unë kujt  t’ja ofroj  përkujdesjen.

Stinët kanë nevojë për padurim,

dhe shpresë,

si fjalët nga pas  presjen..

Në fundin e lodhur të agjërimit

sythet të gëlojnë  tundimit.

Se ndoshta të lëndoj dhe vuaj.

Kokëulur, mjalt do pikoj, si bleta.

Ndoshta  tretem e pagoj’ .

E s’mundem të të mbroj nga jeta.

Ndoshta mallin e vesh  dimër

Me sytë vagullim si vjeshta.

Drithmën do  ngjesh në shpirt

Të të ngroh me përqafime të leshta.

Mos i dëbo erërat e ngutshme

që i shprishin flokët qytetit.

Dashuritë kurrë s’vënë kushte.

Ngren’ fole gërmadhave të tërmetit.

Mund ndonjë pranverë të vij pa cicërima.

Vonuar, pa krahërim dallëndyshesh

dhe s’të bind

Do gërmoj me thonj, puthjen e shtegtuar

ta  rilind.

Se dashuria i vishet dritës si nur.

Dhe frymët i ndjek si e marrë.

Është plagë e thërrmuar yjesh

Është agu në vetën e parë.

Mos  premto që s’do vuaj.

Më duaj !

DËGJON ?!

Ti s’më dëgjon

Se unë s’them dot,

“s’them”..

Ti s’ja dëgjon zhurmën

pikës së gjakut,

që ashtin bren.

Ti s’e sheh kristalin e lotit

që çjerr faqet e zisë.

Nuk ja dëgjon

të qeshurën mërzisë.

Se unë s’flas dot.

Dëgjon ?

Bëj ndonjëherë sikur..

Ti çuditesh, ç’e gjet’ !

Marr e pëlcas fjalën në gur,

por ty s’të vret..

Veç pyetja turret: dëgjon?

Ti heshtjen s’e përgjon

E unë nuk di të flas

Nuk di marrëzinë ta ngas.

Ndaj notoj heshtjesh

Mbetem e pafrymë

Fryhem-shfryhem rreshjesh

Marrohem si rrymë

E klithet kjo bot’

dhe unë mbytem përmot.

Dëgjooon…… ?

Heshtja bëhet jehon’.

Brenda m(n)uresh

Brenda muresh vërtitet ajri

Gëlqerja ka frymëmarrje të rëndë.

E rëndë perdja aristokrate.. nga  ballkoni.

Mbretëron mizore një piano pa këngë,

me tinguj dioxid  karboni.

Brenda muresh vërtiten  realitete të kohës.

(Oksigjeni në maska.. !)

Përkëdheljet  banalitete..  përçmime.

Mbi hënë, tek pikon bukuri femre,

dashuritë janë superioritete intime.

Brenda muresh ‘lulet’ kanë ngjyrë rubini

Kurorat e ullinjve janë prej lavdive të lashta

Kalorsiakët mbajnë frerët e X6-ës,

lidhur me prangat e florinjta.. të Prometeut.

Larg nga djegiet dashurore,

perëndimet ngërthejnë të kuqërremtën e preut

…… Brenda nuresh,

s’i lagën  rrebeshet, s’frymuan të afshtën e dheut.

Pantomima Hëne

Si Hënë

Të ndriçoj

pa rënë

Hapin ta qëmtoj..

Ti vritesh së paku.

Si Hënë

Të gjurmoj

Heshtjen e ngrirë

ta ngarkoj.

Ty të rëndon shkaku.

Si Hënë,

Humbas në loj’

Argjend i larë,

flori i ngrënë.

Ty të bren meraku.

Me fashon e qiellit

(pantomimë)

lidh një psherëtimë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok