02/05/2024

Pranë një dritareje të hapur në krah

0

Nga Blerim Rrecaj

Kaluan duke parë në katin e parë të këtij reastuaranti të gjithë ata që kishin zënë vendet, dhe u ngjitën shkallëve për në të dytin. Njerëz kishte edhe jashtë në verandën e tij, që dukej jashtë xhamave të mëdhenj që shkonin deri në tavan kah ana me pamje nga fshati, fusha e aeroportit, kodrat, e një maje mali me borë, ku veranda dukej si bord anijeje, që ngadalë e qetë u afrohej atyre brigjeve. E kur erdhën në katin e epërm, këtu vështrimi u hodh përreth dhe edhe këtu kishte njerëz, ndonëse më pak, dhe po mendonin se ç’vend do të zinin. Nganjëherë ky problem, kjo mëndyshje, u merrte mjaft kohë, as vetë s’e dinin përse, e mateshin para se të uleshin, si të ishin para ndonjë mendimi që do peshuar mirë e mirë, sikur të ndodheshin para marrjes së një vendimi të rëndësishëm. Sikur të ishin duke blerë ndonjë copë trualli, a ndonjë shtëpi, veturë, sikur shisnin, a ndërronin diç,sikur  mendonin për fshirjen a kërkimin e ndonjë borxhi, ndonjë kredie, sikur po vendosnin  se çfarë do të bënin për një propozim për ndonjë vend pune, për ndërrim pozicioni a pozite, për një çështje të ndërlikuar personale a profesionale, a për një projekt të nisur, që përmbante diçka pëmbajtësore, të dobishme, të vlefshme e me vlerë, duke e vërtitur kokës një çështje shumë serioze. Ndonjëherë shpejt vendosnin e pajtoheshin. Varej si ishin me disponim. Ose përsëritej ndodhia, dhe kalonte kohë derisa vendosnin për këtë çështje, kur këmbëngulnin për të arritur qëllimin. Dhe kjo i bënte qesharakë.  E ndonjëherë merrnin vendim e ndërronin vendin që sapo kishin zënë, ia mësyenin një tavoline tjetër, më në mes a më në qosh, për një, për dy a për asnjë arsye. Punë zënie vendesh më. Këtë herë u ulën fare pranë xhamave, më saktësisht pranë një dritareje të hapur në krah, reza e së cilës rrinte kokëpërpjetë vertikalisht. Njëri prej tyre qeshi, se iu kujtua diç. Në kohën kur dikush derisa hapte dritarën në këtë mënyrë, dikush tjetër pranë kishte vënë dy duart duke e mbajtur, pasi me sa dukej ishte hera e parë që shihte një hapje të tillë, duke menduar se ajo do të binte, e do të thyhej copë-copë.  Eh, shumë kohë kishte kaluar që atëherë. Dhe u kthye te ajo ndejë, deri në mëngjes, në shtëpinë e një shoku të klasës së mesme. Ta tregonte edhe një herë, a të heshte. La këtë kujtim dhe u hodh në një mozaik të ndërlikuar bisedash, që nga informatat që merrte në ekran telefoni, duke filluar nga ndonjë ngjarje aktuale e deri te armët nukleare a intelegjenca artificiale. Kështu bënte dhe tjetri, bashkëshoqëruesi. Dhe kishte rast që kjo ndejë u dukej e tepërt, e zbrazët, pa kuptim. Më mirë që sot të mos ishin takuar. Të rrinin vetëm, diku. Rrëshqisnin me fjalë, nxeheshin, qetësoheshin paksa, për të folur përsëri me tone që shkaktonin bezdi. Kërcenin nga biseda në bisedë. Nga dritarja e hapur në krah vinin valë freskie që përplaseshin në akullsinë që ndjenin prej sa kohësh.

Pjesëmarrës në një gjysëm-maratonë

E kishte vendosur të merrte pjesë, në këtë garë  ndërkombëtare, që mbahej tash sa vite, filluar dy vjet pas çlirimit të Kosovës. Dhe që vazhdonte. Për çdo vit nga ballkoni i banesës ku jetonte, ose zbriste poshtë shkallëve e dilte në trotuar t’i shihte garuesit që vraponin shtegut, rrugës kryesore të qytezës së tij. Tre katër zezakë krijonin një distancë mjaft të madhe me të tjerët, pastaj kalonin garuesit tjerë, atletë profesionistë e amatorë, dashamirës të vrapimit, e figura fushash e profilesh të ndryshme, derisa erdhi koha të hynte në këtë valle vrapimi pas më shumë se një dekade. Dy ftesa i bëri në drejtim të të njohurve të tij për bashkëshoqërim. Përgjigjet nuk qenë pozitive, ndonëse as negative s’ishin aspak. Kështu që shkoi, u regjistrua, mori trikon mëngëshkurër me logo dhe numrin që do e ngjiste për të. E nesërmja u bë e sotme. U nis bashkë me të tjerët, nga aty ku edhe ku do të ktheheshin, nga porta që mbante fjalët START-FINISH, që ishte pothuajse në mes përkrenares së Skënderbeut dhe Objektit të Teatrit Kombëtar. Rrugës u takua me tre vrapues nga Vlora dhe një nga Peja, dhe nisën bisedën derisa vraponin. Pasi bën një copë rrugë, i treguan dhe kishin marrë pjesë në mjaft gara të tilla. U tregoi se po merrte pjesë për herë të parë, në një garë të tillë, nuk kishte bërë farë përgatitjesh, e më shumë merrte pjesë për ta provuar e shuar kureshtjen. Maratonistët vlonjatë që shpejtuan hapat, i dhanë ca këshilla, që të mos ngutej, ta ngadalësonte ritmin, dhe të vazhdonte vrapin me pejanin që njihnin, të moshuarin me një përvojë të mirë në këto gara, pasi edhe baci flokëthinjur shtatëdhjetëvjeçar u kishte treguar se ritmi i vrapimit të tij, nuk do të ishte aq i shpejtë si i ca viteve më parë. U uroj vrapim të këndshëm e suksese, dhe thirri me zë mjaft të lartë, përpara, përpara Sotiri, më i miri, atij që i mësoi emrin e që fliste derisa dy të tjerët ishin më të heshtur, e dëgjonin me vëmendje. Vazhdonte vrapin tash me bacin, që i fliste për ca gjysëm maratona kryesisht nëpër Ballkan ku kishte marrë pjesë. Mbërritën përballë strehës së tij, e përshëndetën të afërmit me duar, nga ballkoni e duke i uruar vazhdim të mbarë. Ndërkohë të tjerë sa parakalonin, sekush linte garën gjatë rrugës, mjekët me ambulancë përcillnin gjendjen, e ofronin ndihmë nëse ajo kërkohej e ishte e nevojshme. Qytetarë e fëmijë, që kishin dalë ta ndiqnin nga afër garën,nëpër pjesë të ndryshme skaj rruge  përshëndesnin, duartrokisnin e buzëqeshnin. Rrugës shërbeheshe me ujë ose me ndonjë pije energjike. Dhe sa më shumë kohë që kalonte e ndjente që po lodhej, por afër kishte atë që e thërriste  bac, dhe i cili i jepte kurajo. Dhe hap pas hapi, që herë herë ngadalësoheshin dukshëm, e herë shpejtoheshin paksa për të mos u shëndrruar në ecje e në shëtitje. Rrugës ndodhën dhe ca ndodhi të këndshme komike. Derisa ngriti duart duke bërë shqiponjën, dikush nga spektatorët nxori fjalët: jepju këmbëve, se kemi të bëjmë me garë vrapimi e jo fluturimi. Ndërsa jo fort larg, derisa po afroheshin e afroheshin, të dy u çuditën por edhe ishin të kënaqur që po preknin cakun. “Hajde, hajde edhe pak” , tha dikush që ishte aty pranë.

“Unë jam shtatëdhjetë”, tha baci.

“Ani cilin vend po e zë”, tha i panjohuri.

“Nuk e di, veç një vend ma të mirë se tëndin po se po”, tha baci dhe vazhduan pasi kaluan Ulpianën, e po hynim më në qendër. Teksa po hynim, po bëheshim bashkë me garuesit e fundit që po hynin në cak, me ne edhe një njeri me ngjyrë, pra zezak, ky prej atyre të ngadalshmëve, një punonjës në Kosovë, kushedi se për çfarë institucioni, por emrin tha që e kishte Muhamed, e edhe ambasadorja e Shba-ve në Prishtinë. U shënuan në ca fleta të bardha koha e mbërritjes së secilit. Kur tash çlodheshin, e merrnin frymë me ritëm më të përshpejtuar, fituesit mbanin medaljet krahëqafe dhe buqeta lulesh në duar. Ceremonia mbaroi. I dhembnin këmbët, gjymtyrët, trupi, po ishte i lehtë pendël, e me disponim të mrekullueshëm, përgjatë një jave të tërë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok