02/05/2024

Pesha e Fjalës së Profesorit Gjok Vuksani

0

Nga Eshref Ymeri

Në tubimin e qytetarëve të datës 10 shkurt 2024, në “Rrugën e Shpresës”, më la përshtypje të thellë Fjala e Profesorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Gjok Vuksani, intelektual i njohur i botës akademike universitare.

Fjalën e tij do ta citoj të plotë pak më poshtë. Por fillimisht po ndalem pak në rolin e pazëvendësueshëm që luajnë dhe duhet të luajnë rinia studentore dhe profesorati i universiteteve për vënien në brazdën e duhur të qeverisë, kur ajo vepron në kundërshtim të hapur me interesat kombëtare, me interesat jetësore të mbarë popullit.

Lëvizjet studentore kanë një traditë të kahershme në mbarë botën. Lëvizjet e para studentore e kanë zanafillën në Evropë. Format e protestës së studentëve janë demonstratat, bllokadat, aksionet simbolike, grevat, shpërndarja e trakteve, mbajtja e fjalimeve dhe lufta informative.

Në ngjarjet politike, lëvizjet studentore mund të luajnë një rol të madh. Lëvizje të tilla, zakonisht, kanë si qëllim arritjen e dy ovjektivave kryesore.

Së pari, ato synojnë të sigurojnë përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve në tërësi, duke u kërkuar autoriteteve qeverisëse të kenë parasysh se studentët janë brezi i ardhshëm intelektual i shoqërisë ku jetojnë.

Së dyti, ato lindin apo shpërthejnë, nisur nga pikësynime idealiste për drejtësi, si reagim ndaj kushteve të padrejta sociale që ka krijujar qeveria në mbarë vendin.

Lëvizjet studentore mund të shpërthejnë edhe si reaksion ndaj disa veprimeve antikombëtare të qeverisë dhe, intelektualisht dhe në frymë sociale, mund të marrin edhe formën e një opozite të motivuar jashtëparlamentare ndaj sistemit ekzistues.

Si vend me histori të hershme të lëvizjes studentore, përmendet Franca. Në Sorbonë, në periudhën mes viteve 1433 dhe 1445, për nëntë muaj rresht, pati vazhduar greva kundër heqjes së lehtësirave tatimore. Po ashtu, studentët e Sorbonës organizonin rregullisht greva sa herë që policia arrestonte studentë. Në vitin 1453, studentët patën shpallur grevë me rastin e vrasjes së studentit Raimon de Moregar.

Në Britaninë e madhe, lëvizja studentore ka pasë ekzistuar që prej vitit 1880, kur qenë krijuar këshillat e përfaqësuesve të studentëve që përfaqësonin interesat e studentëve. Më vonë, nga këto këshilla u krijuan aleanca, shumë prej të cilave u përfshinë në përbërje të Aleancës Kombëtare të Studentëve (National Union of Students), të themeluar në vitin 1921.

Lëvizjet studentore janë të njohura në shumë vende të botës, si në Australi, në Greqi, në Gjermani, në Indonezi, në Iran, në Itali, në Kanada, në Kinë, në Meksikë, në Rusinë para revolucionit, në Rusinë passovjetike, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Ukrainë, në vendet paskomuniste të Evropës Lindore etj.

Në vendin tonë, fatkeqësisht, gjatë këtyre më shumë se dhjetë vjetëve të fundit, kur qeverisja socialiste e Ramës ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë një politikë antikombëtare, të pasqyruar në varfërimin e pandalshëm të shumicës dërrmuese të njerëzve, studentët dhe profesorati i universiteteve nuk janë bërë të gjallë. Kjo politikë, sa antikombëtare, aq edhe tradhtare, ka sjellë si pasojë shpopullimin katastrofik. Për pasojë, qytetarët e moshës së pensionit përbëjnë gati gjysmën ose shumicën e popullsisë së pranishme në vendin tonë Rinia studentore dhe profesorati i universiteteve kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin për rritjen e taksave dhe të çmimeve të produkteve bujqësore, çka është pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimit shpërfillës të qeverisë Rama ndaj bujqësisë, e cila është burimi i ushqimit të tyre, si edhe të mbarë popullit. Prandaj Rama u ka hapur dyert produkteve bujqësore të Serbisë, produkte me mbetje antibiotike, me pesticide, tepër të rrezikshme për shëndetin e popullsisë, siç ngre zërin me shumë shqetësim Profesori Gjok Vuksani.

Ja si e shpreh shqetësimin e vet një intelektual i njohur:

“E, nëse shteti konsiderohet si një familje e madhe për nga përgjegjshmëria e dashuria, nuk ka gjë më të madhe për “të zotin e shtëpisë” se sa të sigurojë harmoninë mes anëtarëve të familjes, respektin reciprok mes tyre, në mos edhe dashurinë! Këto janë premisat për një familje të shëndetshme, e kjo është baza për të pretenduar për më shumë, më lart e më larg… A është e shëndetshme familja jonë? Aspak! Sikur të mos mjaftonte emigracioni që e ka kthyer këtë familje në një azil pleqsh pa shërbime, ekonominë pa perspektivë rritjeje mbi baza reale, arsimin në pikë kritike e shumë alarme të tjera që bien nga të gjitha anët, konfliktualiteti politik i atyre që duhet të ishin garancia për të ecur përpara “me mendje të ftohtë”, është gangrena e mbi tridhjetë viteve tranzicion. Ajo përkthehet në gjithshka: ekonomi e munguar, e djeshme e dhimbshme, e sotme pa sy dhe e nesërme pa mend!” (Citohet sipas: Llesh Ndoj. “Të isha një “Edi Ramë””. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 13 shkurt 2024).

Rinia studentore dhe profesorati i universiteteve duhej të ngrinin zërin e tyre të fuqishëm kundër korrupsionit skandaloz të Ramës dhe Veliajt me djegësit e mbeturinave dhe të kërkonin shkarkimin e tyre.

Rinia studentore dhe profesorati i universiteteve duhej ta kishin demaskuar me kohë qëndrimin tradhtar të Ramës në marrëdhëniet që ka vendosur me kriminelin e popullit shqiptar të Dardanisë, Aleksandër Vuçiçin, me të cilin ka zhvillur bisedime të fshehta në Nish për ndarjen e saj.

Rama, në marrëdhëniet me kriminelin Vuçiç, ka kohë që ndjek shembullin e Enver Hoxhës, kryeargatit të Beogradit. Shumë vite më parë, Rama ka afruar pranë vetes, në cilësinë e këshillëtarit me një rrogë shumë të majme, spiunin e shërbimit sekret serb, agjentin e Millosheviçit, Baton Haxhiun.

Analisti i njohur dardan, Gani Mehmetaj, ja si e damkos spiunin e Beogradit, Baton Haxhiun, të cilin e kishin dërguar si dëshmitar në Gjykatën e Hagës, ku i pandehur ishte Sllobodan Millosheviçi:

“Ende nuk më shqitet thënia e Millosheviçit, drejtuar Baton Haxhiut: “Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, apo jo? Dëshiron të ta dëshmoj?”. Ndërsa dëshmitari Haxhiu, që duhej të dëshmonte krimet e serbit, ul kokën, sikur ta kastronin. Ish-kreu i Beogradit e paralizon dëshmitarin shqiptar, si gjarpri bretkosën… Me të përfunduar gjykimin, një mik imi, i cili i ka për qejf teoritë e konspiracionit, më tha në mënyrë profetike:

“Do ta shikosh kur ta bëjnë yll gazetarin Baton Haxhiu në Tiranë!”.

E shikova me mosbesim. Ai ishte i bindur se lobi serb ka shumë ndikim në qarqet politike e të mediave shqiptare. Nuk shkoi shumë kohë kur vërtet doli profecia e mikut tim. Baton Haxhiu, apo “Nuk kaka”, sikurse e quanim ndryshe, u bë yll në mediat elektronike të Tiranës, e caktuan nëpër organizata e juri, madje e emëruan në jurinë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, që ishte kulmi i cinizmit” (Citohet sipas: Gani Mehmetaj. “Zbulimi tronditës: “Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, dëshiron ta dëshmoj”, kështu reagoi Baton Haxhiu kur i tha Millosheviçi”. Faqja e internetit “Voal”. 12 janar 2020).

Rinia studentore dhe profesorati i universiteteve nuk duhet të heshtin  për lidhjet skandaloze të Ramës me Çarls McGonigalin, i cili është marrë në ndjekje penale nga drejtësia ameikane.

Rinia studentore dhe profesorati i universiteteve nuk duhet të heshtin  për nënshkrimin e marrëveshjes tradhtare Rama-Meloni për pranimin e refugjatëve afrikanë, me qëllimin djallëzor jo vetëm shpopullimin e vendit tonë, por edhe ndryshimin demogafik të tij.

A duhet të heshtë rinia studentore dhe profesorati i universiteteve për servilizmin e pështirë të patronazhistëve mediatikë ndaj Ramës dhe pushtetit të tij të korruptuar? Intelektuali me vetëdije të lartë kombëtare, Milaim Nela, ja si i demaskon patronazhistët:

““Patronazhistët mediatikë” sot janë arma më e fortë dhe më efikase e vrasjes së nervit të reagimit dhe çoroditjes se publikut! Ata i ke kudo në çdo studio, me pagesa mbi dorë e nën dorë, të paguar e vullnetarë! Patronazhistët mediatikë armën më të fortë kanë relativizimin e kauzave dhe çmontimin e tyre. Këtë e bën në mënyrë konstante Blendi Fevziu, Sokol Balla, Grida Duma, Alban Dudushi, e gjithë soji e sorollopi i tyre se janë kaq shumë që t’i përmend me emra!” (Citohet sipas: Milaim Nela. “Patronazhisti “mediatik” Blendi Fevziu”. Faqja e internetit “Voal”. 13 shkurt 2024).

Në këtë listë duhen shtuar edhe puthadorët e regjur të Ramës, patronazhistët Rudina Xhunga dhe Dritan Hila, me “Dritaren” e tyre të servilizmit. Të gjithë këta patronazhistë-pakurrizorë janë mbështetje e fuqishme e tradhtisë së Ramës, i cili, me shpopullimin katastrofik që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë vendit, po zbaton strategjinë grekoserbe të vitit 1844 – Megaliidenë dhe Naçertanien – dhe platformën e Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit të vitit 1937.

Studentët janë lulet e vendit dhe profesorati i universiteteve është selitësi i tyre. Një rini studentore, e rritur me një edukatë të shëndetshme qytetare, e brumosur me vetëdije të lartë atdhedashurie, është paraardhëse e elitave pasardhëse kombëtare, të cilat do të marrin në dorë fatet e vendit. Por që rinia universitare të luajë rolin e vet, si opozitë jashtëparlamentare, duhet të orientohet me dinjitet nga profesorati i universiteteve, i cili duhet të jetë pjesë mjaft aktive e shoqërisë civile.

E përshëndes përzemërsisht Profesorin Gjok Vuksani për Fjalën e tij, të cilën po e përcjell në vijim:

“Unë jam Gjok Vuksani, Profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, njëkohësisht drejtues i Departamentit të bujqësisë pranë Partisë Demokratike. Sot do të flasim për bujqësinë, do flasim për bujqësinë, ku punojnë dhe jetojnë 40% e shqiptarëve, të cilët me mundin dhe me djersën e tyre sigurojnë ushqimin e përditshëm në tryezat e çdo shqiptari. Do të flasim për këtë sektor që është më i prapambeturi i ekonomisë shqiptare, sepse në shtatë tremujorë njëri pas tjetrit kemi një rritje të këtij sektori afërsisht zero. Dhe qeveria nuk bën asgjë, veç rri e vështron. Përkundrazi, ministria e bujqësisë tallet me ferrmerët, duke thënë se kemi mbjellë shumë ullinj, prandaj kemi mbiprodhim të vajit të ullirit. Pra, fajin e kanë fermerët, fajin e ka Sali Berisha që ka stimuluar mbjelljen e ullinjve në të gjitha kodrat e Shqipërisë, ndërsa qeveria nuk bën asgjë për shitjen e këtij eliksiri që prodhon toka shqiptare. Pesëmbëdhjetë mijë tonë mollë ndodhen sot, dergjen sot në shtëpitë, në depot e fermerëve në Korçë, ndëra deputetët e partisë socialiste, në marketet dhe supermarketet e tyre, shesin mollë, të ardhura nga Serbia dhe Maqedonia. Fermerët në Korçë, në Gjirokastër, në Fier, në Lushnjë janë çuar në protesta për çmimin skandaloz që ofrojnë monopolet e qeverisë shqiptare, ndësa qumështi vjen nga Serbia. Serbia është bërë mbretëresha e tregut shqiptar. Ajo shet miellin, misrin, qumështin në kuadër të Ballkanit të Hapur, një politikë tërësisht e gabuar dhe shkatërruese për fermerin shqiptar. Ngjarja më e zezë që i  ka ndodhur bujqësisë shqiptare, ishte pezullimi i fondeve të IMPARD-it nga Komisioni Evropian. Janë pezulluar të gjitha fondet e IMPARD-2-it, që pasoi me keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet e Bashkimit Evropian. Janë pezulluar të gjitha fondet për 2023-in, për 2024-ën dhe janë pezulluar 146 milionë euro që do t’i vinin bujqësisë shqiptare nga fondet e IMPARD-3-shit. Pra, më e keqe situata s’ka më si të bëhet, si pasojë e papërgjegjshmërisë së kësaj qeverisjeje. Dhe në këtë gjendje katastrofike që ndodhet bujqësia shqiptare, qeveria jep 11.6% më pak buxhet për 2024-ën sesa në 2023-in. Qeveria jep për fermerët, për skemat mbështetëse, 45% më pak se buxheti i 2023-it. Pra, një papërgjegjshmëri totale. Ka një armiqësi të hapur ndaj fshatit dhe ndaj bujqësisë. Qeveria nuk është e interesuar të flasë për fermën, për fshatarin, për lopën, për delen, për tokën, se është një temë që nuk është trendi. Ato flasin më nalt, më nalt, siç thotë një ministër i qeverisë. Ato flasin për satelitë, për inteligjencë artificiale, për martesa poligame, por jo për fshatin, për djersën dhe mundin e këtyre njerëzve që punojnë nga mëngjesi në darkë për të siguruar bukën e gojës. E keqja s’ka fund me bujqësinë dhe me fshatin, e keqja s’ka fund dhe me konsumatorin. Po jetojmë në një situatë të pasigurisë ushqimore. Mbi bazën e analizave që kanë bërë institucionet shtetërore, 9.6% e vezëve që konsumojmë çdo ditë, janë me mbetje antibiotike, 10.5 % e mjaltit që konsumojmë ne, është me mbetje antibiotikësh, 11.6 % e frutave, e perimeve që konsumojmë çdo ditë ne dhe fëmijët tanë, janë me mbetje pesticidesh, substancash shumë të rrezikshme, që shkaktojnë nga dëmtime në fetus, deri në sëmundjet kancerogjene. Situata është dramatike, të dashur vëllezër dhe motra. Ne duhet t’i dalim zot, ne duhet t’i dalin zot familjes sonë, ne duhet t’u dalim zot fëmijëve tanë, sepse ushqimi i pasigurt vret. Të këqijat s’kanë fund po t’i përmendim. Vetëm vitet e fundit janë bërë analiza për njëmbëdhjetë mostra të vajit të ullirit që konsumojmë ne çdo ditë. Nga njëmbëdhjetë mostra, dhjetë prej tyre kanë dalë jashtë normave për t’u konsumuar sipas parametrave të Bashkimit Evropian dhe vetëm një mostër është në rregull. Dhe kanë dalë katër pesticide, të cilat janë shumë të dëmshme dhe të palejueshme të përdoren, qoftë në Shqipëri, qoftë në Bashkimi Evropian. Pra, situata është dramatike. Ju bëj thirrje, vëllezër dhe motra, t’i dalim zot familjes sonë, t’u dalim zot fëmijëve tanë, që të mos preken nga sëmundjet kancerogjene, që të mos hanë ushqim të pasigurt, që të jemi të sigurt në shtëpitë tona, që të jetojmë në vendin tonë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë konsumatorëve, të gjithë juve që jeni këtu, të gjithë atyre që na ndjekin nëpër shtëpi: më 20 shkurt të dalim në shesh, të dalim të mbushim sheshet, në mënyrë të tillë që të mbrojmë familjen, ta mbrojmë familjen nga kjo pasiguri ushqimore. Faleminderit!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok